Henri Marsh, i njohur tashmë për publikun shqiptar, shkrimtar, neurokirurg, mund të quhet “hibrid”, njëlloj si qeniet që lindnin nga ngjizja e njeriut me perënditë. Grekët atyre u vishnin fuqi mbinjerëzore. Me ekzistencën e jetës së tij Henri dhuron letërsi, ku maturohet ideja e jetës me vdekjen, përcjellë me mjeshtëri në realitetin tjetër kur kirurgu është vetë pacient. Si Çehovi, Celine, Henri bashkohet me mjekët që përqafuan letërsinë. A do të rezistojë gjatë, me gjithë pesimizmin e Filip Roth se për njerëzimin tashmë është kauzë e humbur? Besoj se me gjithë frikën nga arritjet e inteligjencës artificiale, kreativiteti i njeriut nuk mund të zëvendësohet.
Kësaj here Henri ka disonancën konjitive midis trupit dhe mendjes brenda qenies së tij në kushtet e vuajtjes së kancerit, me dilemat, shanset, nënshtrimin, duke na përcjellë ndjenjat e vërteta me një narracion që i jep fuqi stilit të tij. Tomas Man në “Refleksionet e njeriut apolitik” ndan konceptin e civilizimit nga ai i kulturës. Natyrisht, për kulturën tonë një trilogji e tij plotëson një vakum dhe më lehtëson brengën që një ëndërr u bë realitet. Zivilisation gerät “letrari i civilizimit” tek Tomas Man ndan letërsinë nga arti. Të qenët kirurg është një artizanat i mirëfilltë dhe jo art, si ndokush e hiperbolizon. Henri Marsh, letrar i civilizimit, është dëshmitar i një shprehjeje të ambivalencës, e asaj apo kësaj, po ose jo, e dy shpirtrave në një gjoks. Antitezat dhe kontradiktat karakterizojnë shkrimet e tij. Vizatimet e Leonardos krijuan piktura të pavdekshme dhe u transformuan në shpikje gjeniale, ndërkohë “Tabula Anatomica” të Dr. Netter u shërbejnë studentëve, por për sa kohë? Kultura angleze i përcakton kirurgët kur i thërret Mister, në dallim me mjekët që i thërrasin Doktor. Ky dallim kultural i tyre është pasqyruar në aktin e Henrit VIII që u njihte më në fund kasapëve të drejtën e kurimit njëlloj si alkimistëve, akt i përjetësuar nga Holbein. Kuptohet që përballë civilizimit anglez kultura jonë të shtyn drejt kënaqësisë që të jep përkthimi i këtij libri kur fillon të ndërtosh skenarin në mendje, prodhim i leximit, ëndërron e përjeton situata që çdo kirurg ndien nën lëkurën e pacientit, nën dritën e shkencës, megjithëse dekodimi i tij është sfidë, sado i thjeshtë që duket në sipërfaqe.
Karl Ove Knausgaard, gjatë vizitës në Tiranë më 2015 mundësuar nga Henri, gjatë një jave bisedash, në një darkë në shtëpi më rekomandoi të shkruaj kujtimet, sidomos gjatë periudhës së komunizmit. Pasi vizituam shtëpinë në Rrugën Mbretërore (Barrikada), përveç historisë së familjes, i shpjegova pak që aty kishte banuar gjatë Luftës së Dytë Botërore kryeministri Mehdi Frashëri ndërkohë një intruze nga komunistët që u shërbente për t’i vjelë informacione organizoi një atentat kundër tij. Akti i përgatitur dështoi pasi familja jonë e nuhati dhe lajmëroi mikun. Një kryeministri tjetër iluminist, Mustafa Merlikës, në të njëjtën periudhë, duke dalë nga kabineti dentar që ndodhej në këtë shtëpi, iu bë një atentat që dështoi. Këto dhe histori të tjera e bënë Knausgaard-in të nxjerrë bllokun e të marrë shënime. Në ditët e fundit të qëndrimit të tij, ndërkohë që kishte skicuar esenë “The Terrible Beauty” komanduar për New York Times Magazine për kirurgjinë zgjuar në Tiranë, më tha që po të qëndronte edhe pak do të shkruante një novelë për historitë e shtëpisë, Tiranës dhe aktet terroriste të asaj periudhe e në vazhdim. U ndjeva i mbushur me krenari për Tiranën në New York Times Magazine ashtu si Joyce e përshkruan kur i adresohej të vëllait përse i shkroi epicleti te “Dublinasit”. Në largim e sipër, duke e ditur që mbaja ditar, Knausgaard më rekomandoi Witold Gombrowicz-in që të inspirohesha për të shkruar.
Kisha lexuar më parë pesë volumet e “My Struggle” të Knausgaard-it që ta njihja përpara se të vizitonte Shqipërinë, por më brente ideja e shtysës së tij për të shkruar, ku qëndronte sekreti. Të tjerë deri diku e kanë shpjeguar. Më në fund, e gjeta te fjala e tij në Yale në serinë e “Why I Write” që ai institucion organizon me shkrimtarët botërorë e kandidatë të ardhshëm të “Nobelit”.
E thjeshtë, thotë Karl Ove, pas shumë e shumë leximesh është një shpërthim i brendshëm instinktiv i papritur që bën letërsinë, në dallim nga grafomania, do të shtoja.
Eksperienca e jetës sime në komunizëm më krijonte një lloj tjetër disonance nga ajo që përshkruan Henri, pasi kërkoja eliminimin e trupit nga ngërçi i opresionit ideologjik që mundohej të na ndrydhte mendjen. Ndërkohë vetë komunistët si Rubakovi i Artur Koestler tek “The Darkness at Noon” me disonancë ndanin kotësinë e trupit nga ndërgjegjja revolucionare, viktimë e së cilës ata ishin, atë që Carlyle thoshte “revolucioni ha bijtë e vet”.
Në diskutimet e eksperiencave të ndryshme të jetës si bashkëmoshatarë, Henri më rrëfehej: “Kur dëgjoj jetën tënde, ndihem me fat që kam lindur në Angli.”
Ai e dinte që kisha lexuar në të njëjtën moshë me të “Ana Kareninën”, “Lufta e paqja”, “Krim e ndëshkim” në rusisht, diskutoja me të për të dashurën platonike Natasha, për Anën, shpirtin më të bukur që më bënte të vuaja, deri te dashuria e qenit Sashenka e Platon Karataevit. Rodion Raskolnikovin, studenti në mizerabilitet që kryen krimin për ekzistencializëm, e kam përjetuar në komunizëm. Në një letërkëmbim me Henrin si më poshtë, më la të kuptoj shtysën e brendshme pse shkroi trilogjinë.
E kam lexuar për herë të parë “Lufta dhe paqja” e Tolstoit kur isha pesëmbëdhjetë vjeç. Më tërhoqi aq shumë, sa më kujtohet që e mbarova për një javë duke lexuar natë e ditë. Supozoj që ajo që më bëri të përfshihem ishte aftësia e pakrahasueshme e Tolstoit për të krijuar karaktere (personazhe) fiktive, si Pjetër Bezukov dhe Natasha Rostov, që dukeshin kaq të dashur dhe aq realë. Duke iu kthyer pesëdhjetë vjet më vonë, ata më duken të idealizuar dhe jo bindës. Por adoleshenca është periudha e naivitetit, idealizimit dhe ndjenjave intensive. Hormonet seksuale të pubertetit pështjellin të gjitha mënyrat e ndryshimit të zonave emocionale të trurit tonë, duke e përgatitur atë për të gjetur një dashuri, ndërkohë që korteksi prefrontal nuk ka arritur pjekurinë. Në terma teknikë, mielinizimi i fibrave nervore të korteksit prefontral nuk ka arritur të kompletohet. Kjo arrihet pas moshës njëzet vjeç. Kjo zonë në ballë është përgjegjëse për sjelljen shoqërore, gjykimin, llogaritjen e rrezikut dhe planet e realizueshme. Pra, nëse të rriturit i kanë dëmtuar këto zona, siç unë kam parë në punën si neurokirurg, aspektet e mësipërme të sjelljes janë ato që vuajnë.
Kur miqtë e mi qahen për fëmijët e tyre adoleshentë, me ëmbëlsi u them që nuk është faji i fëmijëve, por është çështje e mekanizimit jo të plotë të pjekurisë.
Pasi kisha lexuar “Lufta dhe paqja”, lexova çdo gjë të Tolstoit, kryesisht librat e xhepit të serisë “Klasikët botërorë” nga Oxford University Press. Ankthi im i adoleshencës gjeti një përgjigje në krizën që Tolstoi në mes të jetës kishte kaluar e përshkruar në esenë e tij “Rrëfimi im”, megjithëse problemet e tij nuk kishin të përbashkëta me të miat.
Unë kam pasur një edukim kristian konvencional të klasës së mesme, me dy prindër që shkonin rregullisht në kishë, por nuk kam pasur besim fetar. Problemet e mia kishin të bënin me ankthin seksual të adoleshencës dhe pasigurinë.
U dashurova me çdo gjë ruse dhe lexova pjesën më të madhe të klasikëve rusë, të përkthyer në disa vite rresht, ndoqa filmin e David Lean “Doktor Zhivago” dhe më pëlqeu më tepër loja e aktorit Tom Courtney në rolin e revolucionarit Strelnikov. Pardesyja e tij e zezë prej lëkure dhe çizmet më tërhoqën shumë dhe u vesha me të zeza, jo e zakonshme për një adoleshent. Unë dogja modelin NHS (sistemi shëndetësor anglez), bluzën e bardhë si plastikë, për të nxjerrë në pah hekurin e brendshëm të intelektualit revolucionar. Shkova në zyrat e partisë komuniste britanike në Covent Garden që të blija një distinktiv të Ligës së Rinisë komuniste që të mund ta vendosja në jakën e pulovrit. Dritaret e zyrës ishin prej tulla xhami që përdoren për ndarëse ose tualete. Ishte një sportel i zyrës ku shiteshin biletat, pas të cilit qëndronte një burrë që më vështroi me dyshim kur më dëgjoi të flisja me aksentin tim të shkolluar.
Ma shiti distinktivin për dy paunde dhe gjashtë pence. Distinktivi kishte idealizuar një djalë dhe një vajzë në sfondin e një flamuri të kuq. Me kujdes u ruajta të mos anëtarësohem në Ligë.
Rruga që ndoqa figurën pa rrënjë, në vetmi, të Strelnikov ishte pa dyshim prodhim i vështirësisë sime për të hyrë në marrëdhënie me vajzat, por kjo më shtyu drejt një interesi të sofistikuar për politikat totalitare, të përforcuara nga fakti që nëna ime ishte një refugjate politike nga Gjermania naziste. Kur ndoqa PPE (Politikë, Filozofi, Ekonomi) në Oksford, u zgjodha të përgatis një tezë për politikën sovjetike duke studiuar me profesor Archie Broen të St. Anthony. Unë vuajta gjithashtu një krizë nervore si rezultat i relacioneve torturuese me seksin e kundërt dhe u diplomova, por pastaj vendosa të bëhem doktor sesa të vazhdoja kremlinolog.
U bëra neurokirurg dhe për njëzet vjet hodha mbrapa Tolstoin dhe çdo gjë në lidhje me Rusinë. Por më 1992, pasi u bëra disa vite, një biznesmen anglez i telefonoi spitalit për të pyetur nëse ndonjë neurokirurg ishte i interesuar të vizitonte Kievin për një javë. Kievi natyrisht ishte në Ukrainë dhe Ukraina nuk ishte Rusi, ndërmjet tyre ekzistonin marrëdhënie të vështira e komplekse. Atje kishte një spital të madh dhe ai shpresonte të shiste pajisje angleze. Shpresonte se duke marrë me vete një neurokirurg për të dhënë leksione atje do ta ndihmonte të bënte biznes. Në ato kohë spitali im kishte vetëm një menaxher part-time, një zëvendës dhe konsulentëve u besohej të punonin pa ndonjë këndvështrim menaxherial. Situata e tanishme në NHS natyrisht nuk ka ndonjë ndryshim. Me ndihmën e sekretares arrita të sistemoj pacientët dhe u nisa bashkë me dy kolegë për në Kiev disa ditë më vonë.
U trondita shumë nga konditat që gjeta në spitalin e Kievit gjatë vizitës, mjekësia sovjetike ishte mbrapa me dekada dhe jo me vite nga Perëndimi. Çfarë gjeta veçanërisht konfuze ishte mënyra se si flisnin profesorët për infrastrukturën aty, që ndonjëherë ia kalonte dhe asaj në Perëndim. Çfarë ata me krenari reklamonin ishte më keq sesa e prisja. Ishte me të vërtetë një shembull i ndarjes së ndërgjegjes “disonancë konjitive” siç e quajnë psikologët, që secili në Bashkimin Sovjetik duhet ta përdorte në mënyrë që të mbijetonte. Ata duhet që t’i mohonin vetes dhe të tjerëve atë që e shikonin me sytë e tyre. Ata nuk mundeshin, siç thotë Vaclav Haveli, të jetonin me të vërtetën.
Por unë takova një doktor të ri i cili haptas pranoi sa e tmerrshme ishte situata në spitalet e Ukrainës. U bë e mundshme të vinte të punonte me mua për tre muaj në Londër, gjë që do të ishte e pamundur tani. Në vitet që pasuan udhëtoja me automjet nga Londra në Kiev ngarkuar me pajisje mjekësore të përdorura për ta ndihmuar në trajtimin e rasteve të vështira, duke shfrytëzuar kohë nga pushimet e mia. Nëse e bëra këtë, nuk isha i inspiruar nga leximet e Tolstoit dhe erës sovjetike më parë në Oksford.
E shikoja atë si një hero disident që luftonte për liri e demokraci kundër tiranisë së profesorëve. Ai hasi probleme në tentativat për të ngritur një klinikë neurokirurgjie moderne, të pavarur nga sektori shtetëror në Ukrainë, deri në atë pikë sa më tregoi që e kërcënuan me vdekje. Si rezultat i ndihmës sime me pajisje dhe këmbënguljes së tij të jashtëzakonshme për njëzet e pesë vjet me radhë, ai ngriti një klinikë neurokirurgjie të suksesshme në Kiev dhe u bë i famshëm në të gjithë Ukrainën.
Por me kalimin e kohës kuptova që kolegu im nuk ishte figura klerike që mendoja se ishte.
Besova që puna në vite ishte e njëjta betejë për liri dhe hapjen e shoqërisë që do ta luftonin në Euromaidan gjatë revolucionit më 2013. Por sa u bë i suksesshëm ai filloi të sillej shumë e më shumë dogmatik e autark, si kirurgët e vjetër që unë mendoja se po e ndihmoja të rebelohej kundër tyre. Dukej se ai po kthehej në të shkuarën sovjetike, mbase dhe nuk ishte larguar nga ajo. Nuk mund t’i shpëtoje historisë. Eventualisht, u ndamë të hidhëruar.
Tolstoi do të më kishte konsideruar një budalla që mendoja se bashkë me kolegun mund t’u shpëtonim forcave të historisë. Aq sa e kam dashur “Lufta dhe paqja”, si shumë lexues dyshoj se më kanë shpëtuar pasazhe ku Tolstoi zgjeron teorinë e tij të historisë, ku ai argumenton se njerëzit e mëdhenj si Napoleoni nuk e kontrollojnë fare historinë. Heroi i tij i cili, duke kuptuar pafuqinë për të influencuar ngjarjet, i linte në rrjedhën e tyre.
Isaiah Berlin në esenë e tij “Iriqi dhe dhelpra” për pikëpamjet e Tolstoit mbi historinë sugjeronte që njerëzit janë të ndarë në iriqë që njohin një gjë të madhe dhe dhelpra që njohin mjaft gjëra të vogla. Berlin shkroi se Tolstoi ishte i natyrës së dhelprës, që mund të shkruante detaje me hollësi mbi jetën e njeriut, por që e ndiente që duhet të ishte një iriq.
Si rezultat i këtij konflikti, Tolstoi në vitet e fundit u bë pa humor, fanatik, religjioz, me një vështrim fatalist mbi historinë, të ngjashëm me atë të shkrimtarit reaksionar francez Zhozef de Mastre.
Teoria e Historisë sipas Tolstoit e grupeve Onija të lojërave populiste, mashtruese, spiritualiste në fund të shekullit XIX. Një grup njerëzish rreth një tryeze me një gisht vendosin mbi të një gotë të përmbysur vere, të rrethuar me germat e alfabetit. Gota rrotullohet rreth tryezës duke lejuar shqiptimin e mesazhit sipas germave. Gota duket sikur bëhet pjesë e jetës ashtu si neve instinktivisht na duhet çdo gjë që lëviz. Në të vërtetë, lëvizja e gotës së verës diktohet nga shuma e forcës së aplikuar nga gishtat e ndryshëm dhe asnjë nga individët nuk e kontrollon lëvizjen e gotës. Në pikëpamjen e Tolstoit, Napoleoni ishte si gota e verës, ai dhe admiruesit e tij mendojnë se përcakton evenimentet, kur, në fakt, evenimentet dhe forcat e historisë e përcaktojnë atë.
Shumë neuroshkencëtarë shohin relacionin midis ndërgjegjes dhe trurit ekzakt në të njëjtën mënyrë. Ideja e kontrollit koherent të vetes është një iluzion, siç është dëshira. Sjellja jonë është e pacaktuar nga ndërthurja masive e ndërhyrjeve të zonave të specializuara të trurit tonë, që në fakt janë produkt i kombinimit gjenetik me ambientin. Kontrolli i vetes është aq joreal sa shikojmë më përpara duke besuar se dëshira ishte një nevojë evolucioni, megjithatë ajo është një iluzion, ka diçka thellësisht jo të kënaqshme mbi këtë pikëpamje të ndërgjegjes, megjithëse evidencat shkencore të saj janë të forta. Është e vështirë të mendosh që neuroshkencëtarët që e mbrojnë atë e shohin ndërgjegjen e tyre jo më tepër se një aktor zëvendësues ndaj mekanizmave të trurit tonë, që eksperiencat e tyre të ndërgjegjshme me dhembje dhe sforcim në mënyrën e vendimeve të vështira ndodhin vetëm kur truri i tyre, si për të thënë, e ngre mendjen.
Në rast se është kështu, pse vallë duhet të vrasim mendjen. Ndoshta vendimi im për t’u bërë neurokirurg dhe më vonë që të ndihmoja kolegun ukrainas, dy vendime që më shoqëruan me periudha ankthi të thella dhe mërzie, ishin të gjitha të përcaktuara nga truri im, pa asnjë sforcim të ndërgjegjes nga ana ime.
Ndoshta jeta ime do të ishte shpalosur në të njëjtën mënyrë ashtu sikur dhe të mos e kisha lexuar “Lufta dhe paqja” pesëdhjetë vjet më parë, të përcaktuara nga forca të thella historike në të cilat Tolstoi besonte, por deri diku unë i dyshoja. Jeta ime lehtësisht mund të kishte marrë karrierë tjetër, me drejtim të ndryshëm, nëse nuk do të kishte qenë Tolstoi.
Ukraina është tashmë në luftë me Rusinë, një luftë ku është e vështirë të shohësh një konkluzion të thjeshtë triumfues si në “Lufta dhe paqja”. Unë vazhdoj të punoj në Ukrainë, disa javë në vit, por me një grup tjetër doktorësh nga të mëparshmit. Nuk pres më të bëj diferenca më tutje, por jam gëzuar të shpresoj që mund të ndihmoj kolegët dhe pacientët. Unë isha një iriq, por jam tani një dhelpër. Natyra e mjekësisë është e tillë që disa doktorë shpesh mund të dështojnë, por prapë më duket mua është një privilegj i madh të jesh doktor, megjithëse në kohëra ndonjëherë është e dhembshme ashtu si sigurisht lumturia më e madhe e jetës është të punosh për gëzimin e të tjerëve. Është e vërtetë që unë e gjej veten më interesant kur koha e tërheqjes afrohet më në fund dhe si kirurg do të “var dorezat e mia” për herë të fundit.
Ky është Henri, si gjithmonë i vërtetë.
Xhojsi tek “Uliksi”, duke parandier rënien e fuqisë së fjalës në kohën e komunikimit elektronik, në formë talljeje, pyet nëpërmjet Stiven Dedalus: “Kush këtej e tutje do t’i lexojë këto fjalë të shkruara?”
Mbas një shekulli, aktualiteti i kësaj pyetjeje më bën të mendohem pse Henri shkruan letërsi dhe miqësinë në dekada e shfrytëzon që ta transmetojë të shkruarën si sëmundje komunikative.
Admiruesit dhe kritikët e Shekspirit, Tolstoit do të vazhdojnë të shkaktojnë tërmete me analizat introspektive, si Doris Lessing, George Orwell, Isaiah Berlin, Henry Marsh, por gjenitë gjithsesi shkaktuan vullkanin në letërsi me “Hamletin”, “Makbethin”, “Mbretin Lir”, “Lufta dhe paqja”, “Ana Karenina”. Odisetë e tyre me kode të ndryshme, ashtu si Homeri dhe Xhojsi, i dhanë njerëzimit nëpërmjet letërsisë përshkrimet, etosin, moralin e kohëve në përjetësi.
Henri shekspirian në buzë të liqenit të Komanit në një nga udhëtimet për të njohur Alpet tona filloi të recitonte “Hamletin” duke u rrëfyer se e bënte si ushtrim për t’u mbrojtur nga demenca prej së cilës kishin vuajtur prindërit e tij. Nga ajo kohë fillova të ushtrohem e të recitoj “Sonetet” e Shekspirit që im atë i kishte shumë për zemër si profesor letërsie, pasi ishin të vetmet që mbanin firmën W. H., që do të thoshte William Himself, më shpjegonte ai. Nuk ishte aspak e lehtë të recitoje “Sonetet”, megjithëse im atë vuajti nga stroke më pas.
Titulli që ka zgjedhur Henri, “Dhe së fundmi”, ndihet se është inspiruar nga sonete, ku vargjet në pjesën më të madhe fillojnë me Dhe duke ndjekur katër fjalë.
Në posteritet për mundin e eksperiencës së jetuar në neurokirurgji kam zgjedhur e përkthyer me filiacion sonetin LXVI, që ua dedikoj pasardhësve, si më poshtë:
I lodhur nga të gjitha vdekjen thërras
Kur shoh meritën mbetur jetim
Dhe të paaftin veshur në ar
Dhe besimin e kulluar dhunuar keqas
Dhe postet e nderit me turp veshur
Dhe vashës dëshira e përlyer i rëndonte
Dhe perfeksionin e matur me hijeshinë e humbur
Dhe gjuhën e artit kyçur nga pushteti
Dhe marrëzia si doktor i prin zotësisë
Dhe të vërtetën mos ta quaj thjesht të stisur
Dhe ndjenjat t’i shërbejnë ligësisë
I lodhur nga këto jetës i jepja fund
Të shpëtoj, të vdes, vetëm dashurinë të lë pas.
Nga ky sonet Henri ka marrë shkak të citojë të preferuarin e tij David Hume, të cilin, në shtratin e vdekjes, mendimi se nuk do të ekzistonte më e shqetësonte jo më tepër se mendimi që ai nuk kishte ekzistuar përpara se të lindte. Në “kontradiktë” me Henrin, megjithëse ai e kishte nënën gjermane, përdorja të preferuarin tim Fridrih Niçen për të lehtësuar presionin që Henri ushtronte që të shkruaja eksperiencën në neurokirurgji pasi kisha përkthyer bashkë me Florin dy librat e tij. “Përsëritja në përjetësi edhe në dimension të vogël është përbuzja ime në gjithë ekzistencën”, – thotë Niçja, i përgjigjesha atij, duke e lënë të kuptonte që pas trilogjisë së tij nuk ishte e lehtë të të rrëshqiste penda.
Filip Ndoci, shkrimtar e profesori i letërsisë që kam pasur në gjimnaz, pasi na korrigjonte hartimet, më komentonte: “Stilin e ke të bukur, por ngushtohesh vetëm në dy-tri faqe, lëshoje pendën, letërsia nuk është matematikë.” Më pëlqen shumë të shkruarit si W. G. Sebald në “Rrethet e Saturnit” ose “Austerlitz”; nëse ma lejojnë aftësitë konjitive të shkruaj duke çliruar ditarët intimë nga ndrydhja, atëherë mundet si ajo kënga e fundit e mjellmës, por që mbetet një ëndërr.
Më lind pyetja pse më shtyjnë miqtë – Ismaili, Helena, Henri, Knausgaard-i – që të shkruaj sidomos për jetën pas perdes së hekurt? Kanë parasysh Tomasin, neurokirurgun, personazhin e Kunderës te “Lehtësia e paqëndrueshme e qenies”? Emulacioni pas leximeve duket nuk mjafton pasi më bie ndër mend Cioran që po dëgjonte radion kur jepej informacioni se janë zbuluar 2000 galaksi. Ta marrë dreqi, ec e shtyj ditën, ishte reagimi i tij. Ngushëllohem me thënien e Ane Tyler se nëse rri e pres me ndjesinë e të shkruarit nuk kam për të shkruar kurrë.
Duke rilexuar trilogjinë që lexuesit kanë në dorë, të vjen natyrshëm në imagjinatë sikur është autori që na i lexon mendimet.
Si grekët e lashtë kur merrnin anijen për të lundruar, nuk mjafton që “marinarët” që e njohin oqeanin e letërsisë të të thërrasin duke të shtyrë në det “Ryppapai”, por duhet të kapërcesh pengesën e fjalës së zgjedhur për narracionin në përshkrimin e humanes, ngjyrave të jetës, kufizimeve të njohurive dhe universit si Henri Marsh.