Në botimet nga mbledhësit e folklorit të krahinës së Çamërisë “Këngë popullore nga Çamëria”, “Rënkimet e Çamërisë” nga Fatos Mero Rrapaj, “Gurra popullore çame” nga Sejdi Kondi,dhe “Bilbila e thëllëza çame” nga Ibrahim Hoxha, etj. ka prurje të bollshme edhe të poezisë popullore lirike dashurore, e cila është veçanërisht e larmishme në përmbajtje, tipologji dhe në shumëformësinë e shprehjes së ndjenjave. Ka në to lirizëm , magjepsje, fisnikëri, brishtësi, tejpamësi dhe fluiditet, që shprehin gjendjet ideoemocionale, drithërimin e shpirtit, të mallit dhe vuajtjes, për një nga ndjemjat sublime të njeriut, atë të dashurisë
Gjykuar nga përmbajtja e ndodhive që trajtojnë, si dhe leksikut e frazeologjisë, të shumtat janë krijime të shekujve XVIII-XIX. Për studiuesin janë një pasuri e tërë, ku ka lëndë të mjaftueshme për jetën shpirtërore e zakonore. Mbi të gjitha ato janë dëshmi e talentit të rapsodëve dhe bardëve gjenialë të asaj krahine, e asaj ” popullate heroike,të talentuar, jashtëzakonisht vitale, të zgjuar, aktive, plot kolorit.[1]”
LIRIKA E DASHURISË
Në Çamëri, kur në familje lindej vajzë ”Nuk nxiheshin trarët e shtëpisë”. Vajza rritej me kujdes, e pse jo edhe me pekule: Leno e rritur hajdhjare/e rritur stane më stane/e rritur me djathë nape/ushqier me bukëvale. Vajza kishte të drejtë trashëgimie. Ajo rritej dhe edukohej me kujdes, që krushqia të bëhej me miq të mirë dhe atje ku të shkonte (se ishte derë e botës), të nderonte prindërit dhe fisin.
Bukuria. Bukuria femërore dhe hijeshia mashkullore, në aspektin pamor, atë fizik, janë shkaqe të gjithmonshme që jetësojnë buisjen e lastarëve të ndjenjës së dashurisë, që gjendet e ndryrë dhe e fjetur brenda shpirtit njerëzor, si një thesar i ndritur, si një pasuri e mundshme ndjenjash fisnike, që krijon gjendje emocionale dalldisëse e të pazakonta, që shpesh i japin jetës tjetër rrjedhë.
Sytë janë dritaret e shpirtit. Janë ata të parët, që vërejnë bukurinë, pastaj vjen habia, hutimi, dëshira e papërmbajtur për ta riparë bukurinë, që i ka dhënë flakën ndjenjës së dashurisë.
Heroinat e këngëve janë vajzat, që kanë jetuar në fshatrat dhe qytetet e Çamërisë. Ato kanë identitet, emrat e tyre. Shpesh ato nuk janë individë të veçantë, por grupe vajzash të Kastrisë apo të Filatit. Kjo i bën që tipologjikisht ato, të jenë këngë përkushtimi. Si për shembull Katero, Maro, Medo, Lushe, Mine,Hasine, Vasijeko, Angjelinë, Fato, Vasho etj. Ato nuk janë anonime, shpesh në vargje thuhet edhe të kujt janë; Vitore bilë e Hasanit, Vashua e bila e Papa Jorgjit, Katerua e Koronit, e bila e Vasilit lart në Pllotare, etj. Këto si dhe dhjetëra e dhjetëra vajza apo nuse të tjera, që janë objekt adhurimi dashurie, poeti popullor me filigranin e fjalës, ka qendisur portrete me bukuri të rrallë, të pangjashëm me njëri- tjetrin.
Çdo varg ka një figurë apo krahasim cilësor për të vënë në pah bukurinë magjepsëse të vajzës. Ato krahasohen me sorkadhen, kunadhen, thëllëzën, petriten, gjeraqinën, shqiponjën, pëllumbeshën bejkën e bardhë, nepërkën pikalore, zogën, me diellin e ndritur,me yjet rrëzëllitës,me hënën, me lulet,trëndafilin dhe trëndelinën. E gjithë pamja dhe trupi i vajzës kanë dhe rrezatojnë bukuri: kurmi si selvi, meskëputura, qafë e gushëbukura, syri si inxhi, vetulla gjëlpërë, vetulla e shkruar, gushëbardha, faqemolla, ballargjenda, leshverdha, buzburbuqe, buzëlule, gjokset si dy mollë në gji, kocat(gërshetat) si ngjalë.
Bukurinë e nxjerin më në pah edhe paralelizmat figurative, që përdoren mjeshtërisht dhe me vend: Del hëna ka mali/llamburin shtëpia; një thëllëzë edhe një vitë/mbi dunja lëshojnë dritë; këndon bilbili në baçe/ del vajza e sheh;Trëndafil i bardhë/zuri hapi fletë/ viti që të vijë /vetëm mos të gjetë… etj. Është për t’u vënë në dukje se shpesh, si në eposin homerik, për të dhënë të tërën, përdoret e pjesëshmja: friti era t’u hap coha/ për një çikë t’u duk dora/dora jote e bardhë e butë… Detaj ky shumë i gjetur që nxit përfytyrimin dhe fantazinë. Mos vallë e tëra kjo bukuri e vajzave çame, është diçka e idealizuar dhe jashtë realitetit? Një trill dhe fantazi e të dashuruarve apo bardëve këngëtarë?
Në vitin 2004, mu dha rasti t’i bija Greqisë nga jugu në veri. E vërteta është se nuk më zuri syri ndonjë “Helenë”. Kur mbërritëm në Janinë, ishte e diel pasdite dhe bulevardi ishte mbushur me vajza shtathedhura, fytyrëbardha, njëra më e bukur se tjetra. Pyeta për këtë dukuri shoqëruesin grek, z.Krustalis. “Janë racë çame”, mu përgjigj ai me seriozitet.
E si të mos dashuroheshin djemtë pas të tilla bukurive?
Në këngët lirike të dashurisë, nuk kishte si të mbetej mënjanë edhe hijeshia mashkullore e djemve të dashuruar, ngaqë një vajzë e bukur s’ka si të mos dojë një djalë të hijshëm(Për të mos thënë të bukur). Më së shumti djali quhet “trim”,”bujar” e mesa duket, me këtë janë thënë të tëra, por nuk mungojnë edhe epitete përcaktuese vlerash hijeshie. Djali krahasohet me fajkuan, me bilbilin, me yllin, me dritën, me shtatin si selvia: O djem si selvia/ ju do vashëria/ ata djeltë e mirë/ gurë xhevahirë/ ata djeltë e bukur / bijnë bota shuqur. Por sidoqoftë, epitetet, figurat dhe krahasimet për djemtë janë më të kursyera, ndoshta ngaqë ata janë personat veprues, por nuk përjashtohen edhe rastet kur nismëtare për shprehjen e ndjenjave është edhe vajza.
Dashuria. Kjo ndjenjë njerëzore e bukur, e magjishme, që ndodhet në shpirtin dhe zemrën e gjithkujt e që e shoqëron në aspekte të ndryshme gjithë jetën, si kërkesë që të duash e të të duan, ka si pjesë të vetën brenda unit të të dy gjinive edhe dashurinë erotike, që ndoshta është ndjesia më e bukur, si një dëshirë për të gëzuar jo vetëm shpirtërisht hiret e të dashurës apo të dashurit të zgjedhur. Dashurinë, në subjektin që po shqyrtojmë, duhet ta vendosim në kornizën e kohës kur u krijua dhe kushtet social – ekonomike dhe zakonore e psikologjike, pasi ato janë edhe parakushte për lindjen dhe realizimin e dashurisë. Këta faktorë gjejnë pasqyrim të shpeshtë në këtë krijimtari.
Vajzat(vashazt), sapo arrinin moshën e pragrinisë, qëndronin të vluara, mbylleshin në shtëpi, kështu edhe nuset e gratë e reja. Daljet e tyre ishin të rralla, por edhe kur dilnin ishin të shoqëruara.
Mundësitë që djemtë të shihnin vajzat ishin të pakta dhe kur i shihnin, kjo ndodhte shpejt, thuajse sa hap e mbyll sytë dhe ngulej thellë në kujtesë si një befasi e bukur. Më i mundshëm ishte takimi në krua: Më kishe vatur në krua/ të laje rrobat e tua. Ose: Ne ulliri në vorua/dil vajzo se diç të dua/ të vemi bashkë në krua; Piqemi pse s’piqemi/ te burimi mbi shtëpi. Vajza shfaqet në dritare dhe aty e sheh djali: Nën penxhere të shkova/ ngrita sitë e të vëzhdrova. Rrugicave, tinëzisht: Në sokak të ngushtë/ takove bandillë/ të puthi në gushë/ të mori shaminë; në shkallët e shtëpisë: Cila ishtë ajo në shkallë?/ as aman fustane bardhë. Shamikuqja zerdeli/ ke dalë në shkallë e rri… Vend takimi dhe shikimi ishte edhe kisha, te sofati i klishës: po të rrëmben djali/ ne sofati I klishës/ moj më e bardhë qafa/ se jak’ e këmishës… Mu ne klisha ne skoloi/ na vjen mikja ka kroi/ na dogji na përvëloi… Një tjetër por vendtakimi e njohje ishte edhe gjatë punës, apo në stane, sidomos për vajzat kristiane; Marua që kuarr grurë ose: Ngreu Maro ngana dhëntë/ nuk ngrihem dot ka ergjëntë/ ngreu moj Maro ngana dhitë/ nuk ngrihem dot ka florinjtë….
Aq e madhe ishte dëshira për të parë vajzat,sa djali I drejtohet malit: O ti mal më hap mejdanë,/ të shoh bellat me çobanë…. Ulu mal të shoh Kastrinë, të shoh bellatë ku rrinë. Dhe lindte dashuria. Një dashuri dalldisëse e marramendëse, tepër romantike, që më pas nxiste përfytyrimin për jetën dhe gjendjen e vajzës.
Dashuria, në aspektin moral, ishte ndjenjë e ndaluar. Shpesh,djemtë ishin të ndrojtur për t’i shprehur ndjenjat e tyre vashazve: T’i flasë m’u muarr gola/ ta ngasë se çm’u tha dora/ ta ndiqja se çm’u tha këmba…. Për të dashuruarit kjo ishte një ndjenjë shpirtërore e fuqishme, por fizikisht e ndaluar, mungesore. Që mundësisht të mbahej e fshehur, e paditur nga të tjerët: Mos folë se na ndjen jot-ëmë/ mos folë se na ndjen im-atë/ dhe na bën hatanë… Por a mund të ndalohen ndjenjat?! Kurrsesi jo.
Dëshira për të dashuruar dhe pamundësia për t’a realizuar, ishte një dramë më vete, që sillte pasoja nganjëherë edhe tragjike. Në vargjet shprehen edhe gëzimet, por edhe vuajtjet apo brengat që sjell dashuria. Ato janë të shumta e të llojllojta dhe më së shpeshti vuajtje shpirtërore dhe psikologjioke: Në hije të mirgalesë(bajames)/ dridhet buza e Bidesë /si lule garufalesë . Aq e fortë është ndjenja e dashurisë saqë: Për të bilën e së vesë/ vura krietë të vdesë…./thaçë se më dolli shpirti/ as aman se më sëmure / në dhe të gjallë më vure… Më digjej xhani/ më digjej vuxhuti. Vajza zemër plasur shfren dufin dhe i drejtohet së ëmës: O moj nanë e zeza nanë/ pse s’më lë të marr çobanë? Ose: klaj natë e klaj ditë/ klaj një djalë si dritë. Kurse djali I dashuruar, por që nuk arrin t’ia shprehë vajzës, përjeton vuajtje: Bije të fle gjumi s’më zë…..As buka s’më hahet/ as uji s’më pihet/ gjumi s’më flihetë/ një merak që kam ai mua s’më hilqetë.
Zjarmia e dashurisë shkakton edhe ethe: Vura dorënë në ballë/më lanë ethet a s’më lanë?/ më latë ethe a do më lini?/ thuamëni ç’do më bini? Të njëjta janë edhe vuajtjet e vajzës së dashuruar, forca e dashurisë së pashprehur e të ndrydhur shkaktonte shkatërrim të shëndetit: Mbi shtëpi të shkova prëmë/ më thanë se je sëmurë. Djali I thotë: Edhe ethet po të zunë/ gjismatë do t’i marr unë/ se jam djalë e duroj shumë/ duroj plumbin dhe barutnë! Për të relizuar përmbushjen e dashurisë, djali është i gatshëm të bëjë çdo sakrificë, duke paguar çdo çmim: Dizet kollonata rroba të kërsafta/të mirrte për grua atë qafëgjatë/di kocat e saja kthierë mënjanë/ të ma epte njerën sa të nxjerr meraknë.
Në pritje të triumfit të dashurisë së tyre, të rinjtë shpresojnë dhe durojnë dhe ja si shprehet kjo në njërën nga këngët: Zemrat ton si durojnë?/ si duron mali me borë./ Sa do durojmë u e ti?/Sa të treten borë e shi dhe të çelë bari I ri/ në male dhe në vërri/ do durojmë o siri I zi! Por edhe pas këtij durimi të heshtur, vinte zhgënjimi: prindërit i martonin fëmijët e tyre sipas zakoneve të krahinës. Është e njohur kënga “Kalesh e Xhixhosë” ku i këndohet me dhimbje, mall e plot ndjenja ndarjes nga martesa e vajzës në një fshat të largët : Kalesh e xhixhosë moj/ malli do na marrë/ pa vatur një javë/ dashurinë që keshëm/ mbaje mënd te mbajmë… Që vajza ta ketë të mundur ta shohë ish të dashurin, u lutet prindërve: O baba, ashtu më rruash/ mërguar të mos më gjuash./Nanë edhe baba mejtoni/ mërguar mos më martoni/ po te një shtëpi gjitoni…Por edhe kur kjo ndodhte, takimet ishin thuajse të pamundura dhe ja si thuhet në vargjet e një kënge: Shihemi me golë s’flasim/ si durojmë edhe s’pëlcasim.
Në lirikën dashurore, nuk mbeten pa trajtuar edhe dallimet shoqërore dhe martesat e pabarabarta. Shoqëria çame, megjithëse në shumicën e saj me fshatarë të lirë, kishte dallime të dukshme të gjendjes pasurore apo të dyerve të para dhe fisnikërisë së fisit. Por është e njohur që dashuria, nuk i njeh pengesa të tilla, ndërsa përgjigja është tejet refuzuese. Ja si thuhet në njerën prej këngëve: Palo fukara më thanë/ për ne nuk e ke takanë? Po ti peristere(pëllumbeshë) ç’thua/ të të pres atje në krua?.
Shpesh, për arsye ekonomike, bëheshin edhe martesa të padëshiruara, që këto nuk i kanë shpëtuar vemendjes së poetit popullor: Më dhe një burrë ka leshrat zbardhuar/nga sit e verbuar, ka dhëmbët rralluar/ jo për t’u trashëguar. Por kjo është e kundërta e dëshirës së vajzës, e cila shpall; S’dua gjënë e mallë e shkretë dua burrë të shkoj jetë. Ndërsa në një këngë tjetër me doza humori vjen ankesa:Jam në hall moj motra/çish të bi e varfëra/ kam një burrë budalla/ tri okë kukulle ha.
Dihet që në Çamëri kishte edhe një pjesë banorësh të besimit kristian. Kjo ishte një pengesë, por dashuria shpesh nuk donte të dinte për këtë ndarje. Ishin të shpeshta rastet e dashurive midis djemve e vajzave me besime fetare të ndryshme: Ajo çupa vllahë/ dërgoi një lajmë: vllezër mos kërkoni /se shkoj me jeranë!/Dhespot efendia/ i dërgoi një lajmë/ të mos ndërrosh besën po të rrish kristiankë. Dashuria ishte më e fortë se ndasitë fetare.
Në mbyllje të kësaj trajtese modeste, duhet vënë në dukje se në aspektin stilistikor dhe të thurjes, në këngët lirike dashurore, populli ka një sens mase të admirueshëm të fjalës, ose më saktë vihet re ekonomia e fjalës, me pak fjalë , me disa vargje të kursyer thuhet shumë, ndërsa figuracioni, krahasimet dhe mjetet e tjera stilistike,të pranishme pothuajse në çdo varg u japin atyre bukuri dhe ndjesi shpirtërore emocionuese. Gjuha, leksiku edhe pse dialektor, është i zgjedhur, dhe askund nuk vërehen banalitete apo vulgarizime. Sipas natyrës së subjektit është përshtatur edhe vargëzimi më së shumti tetë, dymbëdhjetë dhe pesërrokshi, ndërsa rimat janë kryesisht të puthura dhe të kryqëzuara. Nuk mungojnë edhe asonancat e rrallë gjenden vargje të parimuar. Lirika çame e dashurisë ka një ritëm dhe dinamikë të brendshme, ku ndjehet dhe është e dukshme lëvizja në kohë e hapësirë. Kjo e bën atë më të qartë dhe sa fluide aq dhe të prekshme e konkrete.
Këngët lirike të dashurisë të Çamërisë, janë shprehje e shpirtit poetik të popullsisë së kësaj krahine, si dhe në to narytshëm ka ndikuar natyra e bukur, gati-gati përrallore si dhe aromat e veçanta që vinë nga luginat e lumenjve, pyjet dhe brigjet e detit.
Me vlerat e saj të spikatura, ajo është pjesë e trashëgimisë shpirtërore të hapësirave mbarëkombëtare shqiptare.
Tiranë, 2019 -2024
[1] % Kadare, parathënia e librit”Këngë popullore nga Çamëria”,1983