KreuLetërsi shqipe në përkthimProf. dr Millutin Gjuriçkoviç: Nostalgjia prustiane dhe tema historike

Prof. dr Millutin Gjuriçkoviç: Nostalgjia prustiane dhe tema historike

“Leto bez povratka“, “Vračar”, Beograd, 2025
Nga jehona në Serbi e romanit “Vera pa kthim” e Besnik Mustafaj

Artikulli në “Danas”, e përditshmja më e madhe dhe më me ndikim në Serbi, 12 korrik 2026

Një nga shkrimtarët më aktualë shqiptarë është gjithsesi Besnik Mustafaj (1958) i cili me të njëjtin sukses paraqitet si prozator, poet dhe personalitet publik. Dikur ka qënë aktiv në diplomaci dhe politikë, gjë e cila shpesh pasqyrohet në romanet e tij nëpërmjet temës së pushtetit, ideologjisë dhe lirisë individuale. Duke u larguar nga diplomacia dhe politika, që nga viti 2009, i është kushtuar plotësisht krijimtarisë letrare, gjë e cila i ka sjellë një sërë çmimesh dhe mirënjohjesh, si dhe përkthime të veprave në shumë gjuhë të huaja. Në radhën e këtyre botimeve bën pjesë soje edhe romani “Vera pa kthim” (280 faqe) të cilin në gjuhën serbe e ka përkthyer me shumë sukses Sadik Idrizi, ndërsa butues është Qendra për kulturë “Vraçar”.

Për këtë roman autori ka marrë çmimin “Karta e Vraçarit”. Si shkrimtar proze njihet për atë se në veprat e tij lidh rrëfimet personale (etike, psikologjike, dramatike) me kontekstin  e gjërë politik dhe shoqëror (historia, bota moderne). Romanet e tij merren me raportet e ndërlikuara të individit me sistemin, në mënyrë të veçantë në periudhën e  Shqipërisë komuniste dhe tranzicionit pas rënies së regjimit. Në romanet e tij paraardhëse ai shqyrton çështjen e identitetit, dilemave morale dhe të vërtetës mbi shoqëritë e ngarkuara me presione ideologjike.

I kompozuar nga 13 kapituj të numërtuar, me Epilogun (ose me “Faqe nga ditari i Sanës”), romani “Vera pa kthim” zotëron një strukturë të shtresëzuar, stili i thjeshtë dhe i aksesueshëm i të cilit mundëson komunikim dhe receptim shumë të mirë. Sikurse nënvizohet në shënimet mbi shkrimtarin, romani është shkruar në periudhën nga vitit 1985 deri në vitin 1991, ka patur një sërë botimesh në vend dhe në botë, madje mbi bažen e tij është xhiruar edhe filmi me të njëjtin titull (2019). Poeti i njohur francez Alen Boske mendon se ky është “roman postsimbolik, i cili mishëron harmoninë e mrekullueshme ku ndjenjat elegjiake lidhen shumë mirë me traditën të cilën mund ta quajmë ilirike me aksente që vijnë nga Greqia antike”.

Vend të veçantë në opusin e Besnik Mustafajt zë romani “Leto bez povrtatka” (Vera pa kthim), i cili ndahet më vete në sajë të tonit subtil intim krahasuar me romanet e tjera të autorit, por vazhdon të ruajë thellësinë e njohur dhe angazhimin e tij shoqëror. Në fakt, ngjarjet e romanit janë vendosur në një kontekst specifik historik dhe shoqëror, ku fatet personale të personazheve gërshetohen me kufizimet e sistemit në të cilin ata jetojnë. Titulli “Vera pa kthim” tregon simbolikisht synimin drejt periudhës së paqes, butësisë dhe lirisë, ose më mirë të themi diçkaje që është e rrallë dhe kalimtare në jetët e personazheve. Rrëfimi i ngjeshur, mprehtësia e dialogjeve, përshkrimet e shkurtëra, fabula interesante dhe dramaturgjia personale janë vetëm disa nga karakteristikat poetiko – stilistike të këtij romani në të cilin autori jo rrallë përdor:

1.            Stilin lirik dhe simbolikën e fuqishme,

2.            Monologët e brendshëm të përsonazheve,

3.            Kritikën subtile të shoqërisë pa retorikë direkte politike.

Nga ana tjetër, tematika e romanit shqyrton në një mënyrë të veçantë dhe joimponuese përkohshmërinë e rinisë dhe të kujtimeve, kërkimin për lirinë personale, tensionet mes jetës private dhe kufizimeve publike si dhe ndjesinë prustiane të nostalgjisë për “kohën e humbur”. Ajo që e bën këtë roman të veçantë është mënyra si autori e ndërton atmosferën – më shumë nëpërmjet emocioneve dhe gjendjeve të brendshme, sesa nëpërmjet vetë zhvillimit të ngjarjeve. Lexuesi gradualisht hyn në botën e personazheve, ku edhe detajet më të vogla kanë një domethënie simbolike. Nuk do të gabonim po të thonim se “Vera pa kthim” përbën një prej veprave më subtile dhe më emotive të autorit, në të cilën në plan të parë është bota e brendshme e personazheve dhe jo vetëm ecuria e jashtme. Me fjalë të tjera, romani përfaqëson anën e pjekur dhe intime të krijimtarisë së tij dhe shpërfaq aftësinë krijuese që temat e mëdha historike t’i tregojë nëpërmjet rrëfmimeve të heshtura, të thjeshta dhe personale.

Kur flitet për fabulën dhe strukturën narrative, gjithsesi duhet theksuar se ajo nuk është dinamikisht klasike as e bazuar në ngjarje të mëdha. Në vend të kësaj ajo zhvillohet nëpërmjet:

ndjenjave (introspeksioni dhe retrospeksioni),

monologë të brendshëm (rryma e mendimeve, vëzhgimi),

situatat e përditëshme (jeta dhe dashuria).

Rrëfimin e dominon një kuadër kohor, e kjo është vera e cila vepron si periudhë e ndarë, jashtë jetës “reale”. Kjo verë ka pothuajse karakter nostalgjik, si diçka që në vetë momentin e përjetimit shndërrohet në kujtim. Narracioni është shpesh i fragmentizuar dhe mozaik, gjë që do të thotë se lexuesi e formon gradualisht pamjen e ngjarjeve dhe raportin mes personazheve. Galeria e personazheve sipas shumë gjërave është specifike dhe e larmishme, sepse ndjehet se nuk i përket plotësisht sistemit, dëshiron diçka më shumë se ajo që i është dhënë dhe shpesh është në konflikt me vetveten. Gori nuk është kryengritës në kuptimin klasik, por vëzhgues i heshtur i cili gradualisht bëhet i vetëdijshëm për kufizimet që e rrethojnë. Sana është personazhi kryesor femëror i cili ka një rol të fuqishëm, meqënëse përfaqëson lirinë e idealizuar, është njëkohësisht reale dhe e paarritshme. Raporti i saj me personazin kryesor është shpirtëror – ajo e ndihmon të vështrojë botën nga një perspektivë tjetër.

Një nga karakteristikat kryesore të romanit është fakti se kolektivi, ose më mirë të themi shoqëria, funksionon si i veçantë, ndoshta mund të themi, në mënyrë të kushtëzuar, si personazh më vete dhe i padukshëm, i cili është i pranishëm nëpërmjet rregullave dhe kufizimeve të caktuara të jetës, ndikon në vendimet e personazheve dhe krijon njëfarë atmosfere kontrolli të vazhdueshëm. Megjithëse nuk tregohet vazhdimisht, ndikimi i kolektivit është soje i gjithëpranishëm dhe unik në shumë gjëra. Tema e romanit mund të quhet liria dhe kufizimi, sepse një prej temave qendrore është çështja se sa individi është vërtetë i lirë. Personazhet ndjejnë nevojën për liri, por nuk dinë si t’a sendërtojnë, frikësohen nga pasojat dhe shpesh herë kufizojnë vetveten.

Njëkohësisht romani mund të lexohet edhe si rrëfim për pjekurinë, si njëfarë dëshmie mbi dashurinë e parë, mbi zhgënjimet e para dhe përballjen e pashmangshme me realitetin. Kështu, “Vera pa kthim” bëhet kufi mes fëmijërisë dhe moshës së pjekurisë, e cila tematizon kujtimin dhe rrjedhshmërinë e jetës. Pikërisht, e tërë historia ka një ndjesi të fuqishmë përkohshmërie, sepse në të momentet e lumturisë janë pak a shumë të shkurtëra, koha kalon shpejt dhe gjithçka bëhet pjesë e kujtimeve. Heshtja dhe e pathëna janë të pranishme për arsyen e thjeshtë se personazhet shpesh heshtin. Kësisoj, emocionet u mbeten të fshehura, ndërsa domethënia përcillet nëpërmjet atomosferës, jo nëpërmjet dialogut. Sintagma e titullit simbolizon verën si kohë  e rinisë, liri me kohëzgjatje të shkurtër, shajni e harmonisë dhe iluzion i jetës pa dhimbje.

Në këtë kuptim ka rëndësi të veçantë të vëmë në dukje se Besnik Mustafaj nuk këmbëngul të drama e jashtme, por te zhvendosjet e brendshme të cila shpesh mezi duken, por në thelb janë ato të cilat ndryshojnë  personazhet. Pikërisht kjo përkorësi në rrëfim krijon mbresën e autenticitetit, e për këtë lexuesi nuk ka ndjesinë se po i imponohet domethënia, por ai këtë e zbulon vetë nëpërmjet nuancave, heshtjes dhe paqartësive. Raporti mes individit dhe kolektivit mund të intepretohet si raport mes presionit të dukshëm dhe të padukshëm. Sistemi nuk vepron gjithmonë nëpërmjet represionit të hapët, por nëpërmjet normave të përbrendësuara të cilat personazhet i pranojnë si pjesë e realitetit vetjak. Në këtë mënyrë kufizimi bëhet i brendshëm, gjë që e ndërlikon akoma më shumë mundësinë e revoltës, sepse armiku nuk është më vetëm i jashtëm, por edhe te vetë individi.

Ndërlikueshmëri të veçantë i jap romanit edhe mënyra me të cilën modelohet perspektiva e rrëfimit. Fragmentarizimi i narracionit nuk përfaqson vetëm veçori stilistike, por është edhe pasqyrë e mënyrës sesi funksionin kujtimi: i pabesueshëm, përzgjedhës dhe i ngjyrosur emocionalisht. Me këtë shtrohet çështja e së vërtetës nëse ajo që ndjejnë personazhet është vërtetë “reale” apo është tashmë e transformuar sipas ndjenjave dhe eksperiencave të të tyre të mëvonëshme.

Gjithashtu, raporti mes Gorit dhe Sanës mund të shihet edhe si takim mes dy pozicioneve të ndryshme ekzistenciale: ndërsa Gori kërkon kuptimin dhe përpiqet të kuptojë botën e cila e rrethon, Sana duket si dikush i cili atë botë e kapërcen me spontaneitet dhe menjëhershmëri. Pikërisht për këtë ajo mbetet pjesërisht e pakuptueshme jo vetëm për Gorin, por edhe për lexuesin. “Paarritshmëria” e saj është emotive, por edhe simbolike, sepse përfaqëson idealin i cili nuk mund të realizohet në plotësinë e tij në rrethanat e dhëna shoqërore.

Në fund, mund të thuhet se ky roman funksionon si njëfarë rikonstruksioni i një kohe të humbur, por jo në kuptimin e të treguarit të vërtetë, por si një përpjekje për të kuptuar sesi e kaluara vazhdon të jetojë në të tashmen nëpërmjet ndjenjave, emocioneve dhe të vërtetës së pathënë. Pikërisht në këtë shumështresëshmëri dhe hapjen për interpretime të ndryshme mbështetet vlera e tij e qëndrueshme letrare dhe artistike. Romani i Besnik Mustafajt zotëron një lirizëm dhe poetikë për t’iu pasur lakmi, ritmi i rrëfimit është ideuar mirë, ndërsa theksi është në përshkrimin psikologjik, gjë që ndihmon shumë në atmosferën e melankolisë dhe refleksivitetit. Gjithashtu romani mund të interpretohet në shumë mënyra:

1.            si rrëfim personal mbi dashurinë dhe rritjen,

2.            si kritikë e shoqërisë e cila kufizon individin dhe

3.            si meditim për kohën dhe kujtimet.

Gjithsesi, vlera më e madhe e romanit gjendet në subtilitetin e tij, sepse ai nuk ofron përgjigje të qarta, por e nxit lexuesin për përfytyrime dhe mendim kritik. Për këtë “Vera pa kthim” përbën një vepër thellësisht emotive dhe filozofike e cila nëpërmjet një rrëfimi të thjeshtë zbulon të vërtetat e ndërlikuara në jetën njerzore. Nëpërmjet simbolikës së verës, Mustafaj shpërfaq brishtësinë e lumturisë dhe pashmangshmërinë e përballjes me realitetin. Ky roman nuk harrohet lehtë, sepse nuk vepron me fuqinë e ngjarjeve, por më fuqinë e atmosferës dhe përjetimeve të brendshme të personazheve. 

Përktheu nga serbishtja dhe përgatiti për botim: Xhelal Fejza

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË