Vitet e fundit, në saje të zbulimeve të reja të studiuesve arbëreshë dhe të ndihmesës nga studiuesit e Shqipërisë, një autor i konsideruar për një kohë të gjatë si minor, meqenëse njihej në thelb vetëm me një përmbledhje vjershash lirike dhe një dramë (edhe ato të pastudiuara thellë) iu imponua gjithnjë e më tepër vëmendjes së shkencës letrare.
Ai u shfaq si nismëtar gjinish dhe llojesh të reja në letërsinë arbëreshe dhe shqiptare, konkretisht si tragjediani i parë, lëvruesi i parë i melodramës, komediografi i parë, autori i parë satirik, romancieri i parë, një fabulist tepër origjinal.
Pra, nga autor periferik, siç ishte quajtur, u spostua gjithnjë e më afër qendrës, duke dëshmuar se ua kalonte në vlerë estetike disa shkrimtarëve italianë dhe kalabrezë bashkëkohës, si edhe shkrimtarëve të atdheut të origjinës që e pasuan në llojet dhe gjinitë që themeloi.
Nga një letër drejtuar De Radës që ndodhet në Arkivin e Shtetit mësojmë që Santori ka qenë edhe autor komedish të tjera, përveç atyre të dyjave të zbuluara së fundi (“Kallogrea karroqare” dhe “Polikarpi”) për të cilat kemi folur në monografinë tonë të botuar tani vonë “Santori poet dhe dramaturg” (Tiranë, QPSA, 2020).
Letra në fjalë ndodhet në AQSH, Fondi 24, Dosja 54/9, fl. 23. Është shkruar në Shën Katerinë më 20 gusht 1869.
Ajo u botua për herë të parë nga studiuesja e njohur santoriane Merita Sauku Bruci që më 2012 (konkretisht te “Studime Filologjike”, 1-2, 2012) në artikullin tepër interesant “Evolucioni i sistemit alfabetik të F.A.Santorit, çelës për përcaktimin e kohës së hartimit të veprave të tij”.
Teksti i kësaj letre është ky (e kemi përkthyer nga origjinali italisht):
“Tani po hedh në të pastër (komeditë – shën. K.K.) që t’jua dërgoj juve dorëshkrimet. Do të vihen në skenë në vendlindjen e të lartpërmendurit mik (një mik i përbashkët arbëresh – K.K.), ku ka një teatër, një shoqëri mediokre diletantësh. Po të kenë sukses mendoj se do të bëhem komediograf në pleqëri. S’e besoja se kisha fuqi sado të vogël në këtë zhanër, po këto krijime të befasishme dhe të shpejta më thanë të kundërtën, aq më tepër se kam arritur t’u jap mishërim, veprim dhe unitet dramatik ca fakteve të vogla të parëndësishme dhe qesharake. Titujt e tyre janë “Cubi, vengërosh i rremë”, “Hajduti mik apo kryeprifti i fshatit”, “Qilarxhiu”, “Mashtruesi i mashtruar”, “Ziliqari ose i pasuri i varfëruar”.
Mos besoni se janë në vargje, janë në prozë.
Po qe se Zoti do të më japë ca kohë të qeta, do të mund ta provoj veten dhe në vargje italisht ose arbërisht”.
Cilat përfundime mund të nxjerrim nga kjo letër?
Së pari, që komeditë e zhdukura nuk kanë mbetur projekte, madje që me siguri ato ishin të përfunduara në gusht 1869 (një nga periudhat më frytdhënëse në krijimtarinë e këtij autori) dhe Santori po i hidhte në të pastër.
Së dyti, që autori kishte vendosur të ndërmerrte lëvrimin e një lloji të ri, komedisë. Ai i shihte komeditë si të realizuara dhe kishte besim, pas një stepjeje të fillimit, në aftësitë e veta krijuese.
Mandej shohim diçka edhe më të rëndësishme: Santori kishte vendosur t’i shfaqte në skenë, qoftë edhe në një shoqëri diletantësh. Nuk e dimë në se ky projekt u realizua, me gjasë jo, po autori shpreh qartë dëshirën për të komunikuar me publikun arbëresh.
Këto komedi duhet të jenë shkruar para “Kallogresë karroqare” dhe “Polikarpit”, meqenëse siç thotë Santori, janë në prozë, jo në vargje si dy të tjerat dhe ai pohon se do t’u drejtohet vargjeve më vonë po të ketë qetësi shpirtërore dhe frymëzim. Ndryshe nga dy komeditë e zbuluara, janë të përfunduara.
Temat që trajtohen aty, po të gjykojmë nga titujt, janë tema e cubërisë, tema e kopracisë, tema e vjedhjes dhe hipokrizisë, tema e demaskimit të klerikëve pijanecë që nuk i qëndrojnë besnikë detyrës së vet fetare, po janë skllevër të veseve të tyre, tema e mashtruesit të mashtruar, e pasanikut të varfëruar, tema e zilisë, të gjitha tema këto, sociale dhe etike që i ndeshim edhe në “romancetat”, satirat dhe fabulat, madje edhe në romanet, pra, tema që rikthehen në forma të ndryshme në krijimtarinë e Santorit, në plan dramatik ose komik.
Nga titujt e lartpërmendur mund të supozojmë gjithashtu se është fjala për komedi karakteresh ku demaskohet protagonisti. Në fakt kështu ndodh te “Kallogrea karroqare” dhe “Polikarpi”. Mund të jetë fjala edhe për komedi zakonesh meqenëse pasqyrimi i zakoneve arbëreshe, madje etnografizmi përbën një konstante në krijimtarinë e Santorit.
Lëvrimi në prozë mund të lidhet me dëshirën për të komunikuar me një publik sa më të gjerë.
Autori mund të jetë frymëzuar nga realiteti i fshatit siç pohon edhe vetë, pra nga fakte reale siç ndodh edhe te “Emira”, Santori nuk kopjonte realitetin, po shndërronte të zakonshmen në artistike dhe ishte i vetëdijshëm për këtë.
Në monografinë tonë të lartcituar e kemi lënë jashtë çështjen e këtyre komedive, meqenëse është fjala për tekste të zhdukura që gjer më sot s’janë gjetur. Mbase kemi vepruar drejt, mbase jo.
Po të gjenden në bazë kërkimesh të mëtejshme (në arkivat private të arbëreshëve në Picilje, vendlindjen e autorit, në Shën Japk, fshatin ku vdiq, madje edhe në Bibliotekën Mbretërore të Napolit, vend ku ai botoi ndonjë vepër) lind problemi i krahasimit të tyre me komeditë tashmë të njohura në vargje, krahasim nga pikëpamja e problematikës, e vlerës artistike, e vendit që zenë ato në tërë dramaturgjinë e Santorit.
Ato do të mund të hidhnin më tepër dritë mbi Santorin komediograf.