More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Dr. Klara Kodra: Gertruda shekspiriane ose skllavëria ndaj pasioneve

    Prof. Dr. Klara Kodra: Gertruda shekspiriane ose skllavëria ndaj pasioneve

    Gjenialiteti i Shekspirit qëndron në krijimin  e karaktereve të gjallë që mishërojnë mijëra  nuancat e së mirës dhe të së keqes.

    Asnjë skematizëm s’ka në këto karaktere, ku thelbi social  dhe thelbi individual shkrihen  në mënyrë të harmonishme, ato kanë  larminë  dhe vitalitetin e jetës.

    Romen Rolani, me intuitën e një krijuesi që  kupton krijuesin  tjetër, ka thënë  “Shekspiri, kur i krijon  personazhet e veta  nuk stërmundohet; futet në zemrën e secilit dhe rivesh mendimin e tij, formën e tij, botën e tij të vogël; ai nuk  punon kurrë nga  jashtë”.

    Figura e mbretëreshës Gertrudë te “Hamleti” është nga ato figura grash shekspiriane  që  janë bërë shkak për ta akuzuar Shekspirin nga disa kritikë  si misogjin (të tilla  janë Regana dhe Gonerila tek “Mbreti Lir”, mishërime të përbindshme të mosmirënjohjes, veseve  dhe krimit. Mbretëreshës Ana te “Rikardi i tretë” që  harron shpejt të shoqin  dhe martohet  me vrasësin e tij, figurat e ndryshme të grave grindavece të komedive).

    Po Shekspiri do të nxirrte  në dritë edhe figura  grash të mrekullueshme fizikisht  dhe shpirtërisht  si Dezdemona, Ofelia dhe Kordelia ose Zhulieta.

    Gertruda për të  cilën i biri do të thoshte thënien aforistike që ndonjë kritik ia atribuon  padrejtësisht Shekspirit, “Dobësi, ke emrin grua!” është thjesht mishërimi i një kategorie të caktuar  grash  skllave të pasioneve, për hir të të cilave  e  injorojnë kodin moral. Ajo nuk ka  ligësi në vetvete si  Gonerila apo Regana, po thjesht  dobësi  vullneti dhe vetëkontrolli, nuk i mungojnë  shkëndijat e mirësisë (dashuria  amtare e sinqertë për Hamletin të cilin  do ta donte ta shihte të lumtur, simpatia  dhe mëshira për Ofelinë, dhimbja e çiltër për fundin e saj).

    Nga ana tjetër, Gertruda, duke qenë mbretëreshë e quan veten më të lartë se kodi  moral i njerëzve  të thjeshtë, madje  edhe më të lartë se i biri, madhështinë morale  të të cilit nuk e kupton  deri në fund, gjersa arrin t’i thotë në një dialog me të “Harron përpara  kujt po ndodhesh?”, nuk pendohet  për gabimin e saj tragjik për të cilin  nuk është e vetëdijshme, martesën  me vrasësin  e të shoqit. Sipas të gjitha  gjasave, ajo s’është bashkëfajtore e burrit të dytë në krim,  madje tmerrohet kur dëgjon akuzën e Hamletit “Të  vrasësh  një mbret!”, po s’ka  aq  kthjelltësi logjike sa të kuptojë  thelbin  imoral  të burrit që dashuron  dhe  krimet e tij. Duket  edhe (Shekspiri e lë të paqartë këtë pikë) se ajo  nuk ka arritur në  shkelje  kurore dhe incest sa ishte  gjallë  burri i parë, ndonëse dashuria e saj për burrin  e dytë mund ta ketë  pasur pikënisjen  që në atë kohë. Ajo është  aq larg ndërgjegjësimit për fajin e vet dhe për  fajet  shumë më të rënda të të shoqit sa guxon t’i thotë të birit “E  ke  lënduar fort tët atë, Hamlet”, duke e quajtur të shoqin, njerkun  dhe xhaxhanë e Hamletit si baba të dytë  të tij.

    Qëndrimi i saj në këtë çast nuk është, as hipokrizi, as paturpësi, është  një lloj  verbërie morale.

    Ajo është larg së qeni  një  përbindësh  vesi si përfytyrohet në një çast të  caktuar  nga i biri që i zhgënjyer në dashurinë më të  shenjtë të  birit  për nënën e cila përfytyrohet  në përgjithësi nga të gjithë  bijtë  si një  ideal i lartë  moral, pothuajse  si shenjtore, bie  në ekstremin  tjetër, duke e quajtur si mishërim të ligësisë.

    Për këtë gabim të Hamletit flet edhe  Bielinski.

    E përsërisim, Gertruda është thjesht  një qenie  e  dobët, jo e  aftë për ligësi të  ndërgjegjshme dhe aq më pak për krim, po gjithashtu po aq  e paaftë për t’iu bindur , qoftë normave të larta morale, qoftë për të përjetuar një katarsis.

    Ajo  trembet  nga ajo  rreze  drite  që hedhin në ndërgjegjen e saj fjalët e të birit, ndërgjegjësohet  se ka gabuar, po nuk është  e aftë të dalë nga ato  rërëra të lëvizshme që e kanë larguar  nga e mira. Kjo duket në fjalët e saj plot  frikë dhe dyshim “Më thuaj  si të bënj?” Ajo  kërkon një ndihmë morale të  pamundur  nga i biri,  meqenëse, edhe  në qoftë se  ai do  t’ia  shtrinte  dorën  për ta  nxjerrë nga pellgu i vesit, ajo vetë  s’do  të  mund  ta kapte  atë dorë: ajo  e do  verbërisht  partnerin e vet, të cilin e ka parë  thjesht  si më të ri dhe tërheqës se burri i saj i parë, gjë që  ka zgjuar tek ajo  një pasion  thjesht  fizik; ndonëse  tani  ajo fillon  të shohë  me tmerr  veset  dhe krimin  e mundshëm  të tij, për inerci vazhdon  ta dojë, jo me atë dashuri  të lidhur me  solidaritetin  në krim të Ledi Makbethit për të shoqin (Ledi Makbeth është  një grua  shumë më e fortë dhe e mençur se ajo  që shtyhet në krim nga ambicia), po me një pasion të verbër  që ngrihet  mbi çdo moral.

    Megjithatë, në fundin e tragjedisë, Gertruda  kur bie vetë viktimë e kurthit të  ngritur  për të birin  dhe vdes, e  vrarë pa dashur  nga vetë i shoqi, gjen aq forca në  vetvete për ta denoncuar krimin “… vera, vera!  Hamlet, bir! / E pira, vera! Më helmuan!”

    A ka  një shkëndijë katarsisi në këtë klithmë të fundit? Vështirë ta thuash. Kur zbulon  krimin e fundit  të të shoqit që godet të birin, asaj  i rizgjohet dashuria amtare dhe synon  ta paralajmërojë  djalin  për rrezikun; mbase, si nënë,  ndjen një  farë gëzimi se po vdes  në vend  të tij (Ajo s’e di se në atë çast për  Hamletin s’ka  më shpëtim, meqenëse edhe maja e  rapjerës  ishte e helmuar, ndofta  ka iluzionin se i ka  shpëtuar jetën).

    Gertruda  është mishërimi i atyre  grave  dhe, më  gjerë, i gjithë  njerëzve  të dobët  që i  çon  në gabime  të rënda, madje  në disa  raste, edhe në krime, “zemra e pabesë”, siç  përkufizohet  në mënyrë  të goditur  dhe sintetike  në Bibël.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË