Pashko R. Camaj, “Porosia e kullës”, Onufri, Tiranë, 2024
“Po ecën kulla ime e lashte
Me shtatë vëllezër rreth sofrës,
/Me frëngji të çala nga stera e lotit,
Me oxhak të tymosur nëpër kohë/
Nga duart të thata të nënës së mërdhirë
Me legjendat e harruara në muret e plasura
Vargjet poetike të Din Mehmetit, të shkëputura nga poezia “Kulla ime e lashtë”, e çojnë lexuesin në vështrimin përmes frëngjive, në meditimin e oxhakut, në ngrohtësinë e sofrës vëllazërore dhe në dashurinë e duarve të nënës së plakur nga koha dhe vuajtja. Në këto vargje pasqyrohet imazhi i Kullës shqiptare, ku plasaritjet e mureve të saj të lashta dëshmojnë për një qëndresë të gjatë në kohë, përballë një realiteti të pashmangshëm, siç është vetë kalimi i kohës — një instrument i gjithpranishëm në ekzistencën e individit.
Ky shkrim është frymëzuar nga libri “Porosia e kullës” i Pashko R. Camajt, i cili ndërthuret ngushtë me kujtimet e tij personale, krenarinë familjare dhe porositë e trashëguara nga kulla stërgjyshore, të ruajtura brez pas brezi.
Libri i sapobotuar, me një titull sa simbolik aq edhe shumëdimensional, është një vepër që trajton me thellësi dimensionet e porosisë që bart ky institucion i shenjtë i kulturës shqiptare – kulla. Ajo përfaqëson qëndresën, mikpritjen, mbijetesën dhe historinë, por mbi të gjitha, krenarinë tonë kombëtare.
Emigrimi i Pashko R. Camajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitet ’80, ishte i detyruar për shkak të rrethanave politike dhe sociale në ish-Jugosllavi. Shqiptarët, kudo që jetonin – në Kosovë, Mal të Zi e më gjerë – ishin të diskriminuar në çdo aspekt: kombëtar, social dhe arsimor. Ikja e tij, bashkë me mijëra shqiptarë të tjerë nga Mali i Zi, përfaqësonte një hemorragji të dhimbshme kombëtare, që për fat të keq, nuk ka ndalur as sot e kësaj dite.
Në librin “Porosia e kullës”, botuar nga shtëpia prestigjioze “Onufri”, autori rrëfen jo vetëm jetën e tij dhe sfidat personale, por prek edhe shumë aspekte të tjera sociale dhe historike. Ai rrëfen me ndjeshmëri dhe besnikëri retrospektive përvoja të dhimbshme dhe të rëndësishme, duke i ndërthurur me elemente artistike të goditura.
Në faqe të librit pasqyrohen çështje ekzistenciale të mbijetesës, padrejtësive shoqërore dhe kombëtare që i janë bërë familjes së tij dhe shqiptarëve në përgjithësi. Pashko Camaj përcillet gjithmonë nga porosia e gjyshit të tij në çastet e fundit të jetës:
“Për kullën nuk vdiset, por për të jetohet. Kulla nuk guxon të shuhet, sepse ajo duhet të lindë burra që do t’i njohë kombi.”
Në libër hasim edhe përjetimet e autorit për babanë e tij, të torturuar, momente që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e tij. Ai ndien ankthin dhe pasigurinë që ka përjetuar atëherë, ndërsa përpiqej të mbronte familjen dhe dinjitetin njerëzor përballë një terrori të pandalshëm.
Duke përkujtuar këto momente, autori e justifikon vendimin për të lënë kullën, jo si një akt të ikjes, por si një përpjekje për të mbajtur gjallë kujtesën, për të nderuar amanetin e gjyshit dhe për të ndjekur rrugën drejt realizimit të asaj që i ishte mohuar.
Ai shprehet:
“Jam i bindur, tani më shumë se kurrë, se vendimi që mora në atë verë të vitit 1985 nuk ishte vetëm i vetmi që mund të merrja, por edhe vendimi i duhur. Më ka çuar këtu ku jam sot, duke mbajtur ende gjallë trashëgiminë e brezave para meje. Në kujtim të tyre, gjithmonë jam përpjekur dhe përpiqem të bëj gjërat e duhura.”
Rrëfimet në librin e Pashko Camajt janë të ngrohta, të ndjera, dhe të gjalla. Ato të shpien në të kaluarën, e cila është edhe e afërt, edhe e largët njëkohësisht. Janë rrëfime që i kemi përjetuar edhe vetë, ne që jemi rritur dhe jetuar në të njëjtin realitet. Autori nuk ndalet vetëm në përshkrimin e ngjarjeve personale. Ai prek çështje universale për shqiptarët e asaj kohe – përplasjen me padrejtësinë, përballjen me ikjen, ndjenjën e humbjes, por edhe të ruajtjes së shpresës. Përmes rrëfimeve për babain e torturuar, për momentet e pasigurisë dhe ankthit, përpjekjet për të ruajtur familjen dhe dinjitetin – libri shndërrohet në një testament të një brezi të tërë.
Në mënyrë të natyrshme, elementi biografik tejkalon kufijtë e individit dhe shndërrohet në një dëshmi kolektive. Kulla, në këtë kontekst, nuk është më vetëm një ndërtesë fizike, por një simbol i vazhdimësisë, një përfaqësuese e shpirtit etnik që refuzon të shuhet, pavarësisht stuhive të kohës.
Përveç dimensionit autobiografik, që ngrihet nga personale në universale, libri përmban edhe elemente antropologjike, etnografike dhe historike. Ato dëshmojnë dijen e autorit për të treguar me ndjeshmëri krijuese, por edhe me njohje të thellë për historinë, traditat dhe zakonet shqiptare.
Një nga mesazhet kryesore të librit – ashtu siç e konceptoj unë – është lidhja e thellë e autorit me etninë dhe këmbëngulja për të arritur të pamundurën, për të realizuar ëndrrën e mohuar.
Prandaj, “Porosia e Kullës” është një vepër që duhet lexuar nga çdo shqiptar që ndjen brenda vetes barrën dhe bekimin e prejardhjes së vet. Është një rrëfim për të kaluarën, por edhe për të ardhmen; për humbjen, por edhe për mbijetesën; për dhimbjen, por edhe për krenarinë.
Marrë nga gazeta Dielli