More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Dr. Adrian Lesenciuc: Historia e letërsisë shqipe apo një hyrje në...

    Prof. Dr. Adrian Lesenciuc: Historia e letërsisë shqipe apo një hyrje në albanologji

    (Rreth librit “Historia e letërsisë shqiptare, nga zanafilla deri në ditët e sotme” shkruar në rumaisht nga Luan Topçiu)

    Qasja ime ndaj hapësirës kulturore shqiptare ka zënë fill përmes Ismail Kadaresë, fillimisht përmes prozës Prilli i thyer dhe më pas përmes gjithë veprës së tij të botuar në rumanisht dhe në gjuhë të tjera dhe më vonë kam pasur privilegjin të vizitoj shtëpinë e tij në Gjirokastër, dhe të ndihem si personazh i romanit Kukulla, të shoh botën nga dritarja e shtëpisë së Kadaresë, të lexoj në gjuhë të ndryshme tekste të shkrimtarëve shqiptarë të dorës së parë si: Ernest Koliqi, Visar Zhiti, Agron Tufa, madje edhe të takoj një nga shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë shqiptarë, Fatos Kongolin. Edhe nëse pesë emrat e përmendur më sipër janë pika referimi të kësaj letërsie, deri në leximin e Historisë së Letërsisë Shqiptare nga zanafilla e deri në ditët e sotme të Luan Topçiut, kisha vetëm një ide të vagët mbi përmbajtjen e saj organike.

    Duke ndjekur të njëjtin short kulturor, në një farë mënyre, të disa prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë, Asdreni, Poradeci apo Kuteli, Luan Topçiu, i diplomuar për studime filologjike në Shqipëri dhe doktor i letrave në Universitetin e Bukureshtit, me një tezë mbi paradigmat e mallit në letërsinë rumune dhe shqiptare, i koordinuar nga i ndjeri profesor Romul Munteanu, propozon një vepër të gjerë dhe elegante, njëkohësisht një portë shumë të dobishme për të hyrë në një hapësirë kulturore të magjishme, që ka ushqyer letërsinë e magjishme të Kadaresë, të njohur në mbarë botën. Por, Luan Topçiu shprehet me modesti në pjesën hyrëse të opusit, se përpjekja e tij për të shkruar historinë letrare duhet parë më tepër si një hyrje në albanologji: “Ky libër i drejtohet lëçitësit rumun dhe është një vepër pioniere në fushën e albanologjisë. Ky opus është një histori e vlerave të letërsisë shqipe”. (fq.27).

    Është e admirueshme vetëdija e ftilluar autoreferenciale, aftësia për të kuptuar se përpara se të ofrohet një histori e një letërsie në një gjuhë të caktuar, lexuesit duhet t›i ofrohet fillimisht letërsia në atë gjuhë, arsye për të cilën një histori kritike nuk mund t›i shërbejë veçse autorit ose folësve të gjuhës burimore. Nga ana tjetër, një hyrje, siç është konceptuar në këtë vepër, duke shoqëruar faktet letrare me kontekstin social-politik dhe kulturor të kohës, por duke paraqitur, në të njëjtën masë, edhe zhvillimin e letërsisë shqipe në diasporë, veçanërisht në Kosovë dhe në komunitetin arbëresh të Italisë, është e nevojshme dhe adekuate për profilin e lexuesit rumun.

    Historia e letërsisë shqipe mund të lëçitet si një rrëfim, madje më tepër se kaq, si një histori e lindur nga një bazë e përbashkët mitologjike, në të cilën ngjarjet historike që kanë prekur njësoj të dy popujt dhe të dyja gjuhët, të ngarkuara me hijen mitologjike të fakteve, lejojnë të kuptuarit me empati dhe hapje thellësinë e rezistencës së popujve përmes gjuhës dhe letërsisë.

    Para se të fillojë “rrëfimin” e letërsisë shqipe, Luan Topçiu nënvizon disa aspekte relevante, që shoqërojnë dhe ndihmojnë të kuptuarit e tekstit, përmes njohjes së plotë të fakteve. Këto aspekte kontekstuale kanë të bëjnë me vatrat e letërsisë dhe me kushtet e përgjithshme në të cilat kjo letërsi u shfaq. Letërsia shqipe është një letërsi e ushqyer, kryesisht, nga gurra popullore, e ruajtur ndër shekuj përmes transferimit brez pas brezi, duke ndërtuar rrugën e vet, jo në sajë të shkollave, grupimeve apo rrymave letrare, por nëpërmjet krijuesve individualë, që dhanë modele, që konfiguruan shtigje të panjohura. Është e nevojshme të kuptohet qysh në fillim të herës se letërsia shqipe është e mbyllur në guaskën e një gjuhe indoevropiane të vështirë për t’u përkthyer, e cila formon e vetme një nënfamilje trako-ilire, dhe që, për më tepër, ka vuajtur edhe izolimin për arsye politike dhe ideologjike. Megjithatë, disa nga majat e letërsisë shqipe u bënë të njohura, duke u bërë pjesë e letërsisë botërore të dorës së parë. Pastaj, për letërsinë shqipe, duhet thënë se ajo nuk ka përfituar nga shkolla të mirëfillta të kritikës letrare dhe se, në rastin e saj, parimi i autonomisë së estetikes filloi të merret parasysh mbas një hendeku të madh kohor. Sistematizimi i parë “historik i kritikës letrare shqipe” është bërë falë historianit të letërsisë, Ibrahim Rugova, i njohur më shumë për veprimtarinë e tij politike, duke qenë presidenti i parë i Kosovës, dhe vepra në fjalë është bërë vetëm në vitet nëntëdhjetë të shekullit XX, më 1986: Kahe dhe premisa e kritikës letrare shqiptare: 1504-1983, edhe pse përpjekja e parë për historinë e letrave shqipe e Justin Rrotës, ka qenë Letratyra shqype e vitit 1925. Më pas, duke bërë rrugëtimin për deshifrimin e letërsisë shqipe si një tërësi organike, kuptojmë se kjo letërsi u detyrohet shumë intelektualëve të komunitetit arbëresh në Itali dhe atyre të Trevave Rumune. Jo rastësisht, abetarja e parë e gjuhës shqipe, Fort i shkurtër e i përdorçim Ëvetar shqip, me autor Naum Veqilharxhin, u botua në Rumani në vitin 1845, pjesa më e madhe e veprës së poetit kombëtar shqiptar, Naim Frashëri, u botua gjithashtu në Bukuresht dhe himni kombëtar i Shqipërisë u shkrua nga një poet shqiptar, që jetoi dhe u shkollua në trojet rumune, Asdreni, i frymëzuar nga tekstet e poetit Andrei Bârseanu nga Brashova. Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla e deri në ditët e sotme është, nga njëra anë, një nderim për rumunët. Në faqet e kësaj vepre nënvizohet afëria shpirtërore mes shqiptarëve dhe rumunëve, brenda kufijve që ia lejon metodologjia e studimit, që i atribuohet realiteteve të ngjashme historike, por edhe ngjashmërive mes dy gjuhëve dhe kulturave, të nxjerra në pah nga një numër gjuhëtarësh, etnografësh dhe antropologësh të rëndësishëm, duke përfshirë edhe gjuhëtarë rumunë dhe shqiptarë.

    Në faqet e para të Historisë së letërsisë shqipe nuk mund të mungonte edhe hyrja në imagologjinë historike shqiptare, duke qenë se Shqipëria ndodhet, nga njëra anë, në vijën Jireçek, vija imagjinare në Ballkan, që ndan zonat e ndikimit latin nga ato të ndikimit grek dhe,  nga ana tjetër, Vija e Teodosit, e cili e ndau Perandorinë Romake Lindore nga ajo Perëndimore dhe që kalon përmes Shqipërisë. E ndodhur në kryqëzimin e këtyre linjave, në hapësira me ndikime të ndryshme, me një gjuhë që flitet në dy dialekte, gegërisht dhe toskërisht, me pasigurinë e përkatësisë si gjuhë kentum apo satem, Shqipëria sjell një letërsi të pazakontë, falë pasurisë së krijimtarisë popullore dhe hapjes ndaj Perëndimit, siç thekson gjuhëtari dhe etnologu shqiptar, Eqrem Çabej: “Duhet theksuar me këtë rast se Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa fqinjët e saj. Nga të gjitha vendet ballkanike, Rumania, duke pasur parasysh idiomin latin të saj, pa përjashtuar Dalmacinë dhe Shqipërinë, pastaj edhe Ishujt Jonikë janë vendet që kanë qenë të hapura ndaj influencës kulturore të Perëndimit.” (fq.69-70). Historia e letërsisë shqipe fillon me humanistin më të rëndësishëm shqiptar, Marin Barletti (rreth 1450-1512), i lindur në Shkodër, autor i De obsidione Scodrensi të vitit 1504 dhe i Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis e vitit 1508, megjithëse, libri më i vjetër në shqip (i njohur deri më sot) është Meshari i Gjon Buzukut, i vitit 1555. Nga ana tjetër, dëshmitë për gjuhën e shkruar shqipe ose dokumentet e drejtpërdrejta të gjuhës shqipe që vijnë që nga shekulli i 13-të, përfshijnë, përveç kontributeve të mëdha të letërsisë së vjetër, edhe Formulën e Pagëzimit e vitit 1462, e zbuluar nga Nicolae Iorga në Codex Angeli, shkruar në Vulgari Albanico. Tradita e vonë e shkrimit në shqip, ngjashmëria e madhe me historinë e letërsisë rumune, ka lejuar, megjithatë, krijimin e një letërsie, duke filluar në mënyrë të ngjashme, si për nga mënyra e realizimit, ashtu edhe për nga synimi i botimit, me veprën krysore të Cores-it në Brashovë. Në thelb, mes Shkodrës dhe Brashovës ka një sërë ngjashmërish të rëndësishme për sa i përket cilësisë si qytete të veprave të para shkrimore në shqip, gjegjësisht, në rumanisht. Por edhe midis Gjon Buzukut dhe Coresit ka një sërë ngjashmërish të rëndësishne përsa i përket synimit të botimit të veprave të tyre, pasi përkthyesi i Mesharit në gjuhën shqipe në dialektin geg dëshmonte se e kishte ndërmarrë këtë përkthim “që të ndihmonte njerëzit  për t’i ndriçuar mendjet për të mësuar gjuhën amë”.  Procesi i qasjes së shqiptarëve tek shkrimi fetar është i ngjashëm me atë që ka ndodhur në Trevat Rumune. Duke filluar me gjysmën e dytë të shekullit të XVI-të, ashtu si dhe në Rumani, filloi të përhapet libri në gjuhën shqipe. Tipografët, leksikografët madje edhe autorët e librave ishin Lekë Matranga (1567-1619), autor i një katekizmi të botuar në Romë më 1592, me titull E mbsuame e krishterë (De doctrina cristiana/ Doktrina e Krishterë), Pjetër Budi (1566-1622), poeti i parë i krishterë shqiptar, Frang Bardhi (1606-1643), leksikografi, historiani dhe etnografi i parë dhe Pjetër Bogdani (1630-1689), “shkrimtari më origjinal i letërsisë së vjetër” (fq. 126), autori i Cuneus prophetarum (Çeta e profetëve,1686). Bogdani ka luajtur atë rol në letërsinë shqipe që ka luajtur dijetari i shquar, Dimitrie Cantemir, në letërsinë rumune, duke ofruar një vepër të shquar dygjuhëshe, në italisht dhe shqip, “një minierë ari ende e pashfrytëzuar sa duhet” (fq. 129).

    Periudha e hershme e letërsisë shqipe vazhdon me etapën romantike, në linjën e një romantizmi të vonët, ashtu siç ka ndodhur në Trevat Rumune apo në Bullgari dhe personaliteti më i shquar i letërsisë shqipe në Itali është Jeronim de Rada (1814-1903), poet i nivelit europian, romantiku i parë në gjuhën shqipe. Një romantik tjetër i madh, që lidhet me letërsinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1830-1912) është poeti kombëtar, Naim Frashëri. Lëvizja romantike shqiptare, që iu mbivendos lëvizjeve emancipuese në Europë, “startoi ndërgjegjësimin e identitetit kombëtar” (fq.198-199). Personalitetet e kësaj lëvizjeje, dy vëllezërit Sami dhe Naim Frashëri ishin dy figura të rëndësishëm në dy pikëpamje: letrare, në të cilën u shqua Naimi Frashëri, ai që vuri themelet e gjuhës letrare shqipe dhe i cili: “përmes gjithë veprës së tij […] projektoi gjuhën dhe gjeografinë shpirtërore të shqiptarëve, ndërtoi një të tashme duke eksploruar të kaluarën dhe duke ndërtuar një vizion të qartë për të ardhmen, duke kombinuar idealet e humanizmit të Rilindjes Europiane me konceptet e mëdha romantike mbi historinë” (fq.210-211); dhe nga pikëpamja politike, në të cilën u shqua Sami Frashëri, ideologu më i rëndësishëm i Rilindjes Kombëtare, i cili, ashtu si dhe vëllai i tij, botoi veprat më të rëndësishme në Bukuresht.

    Këtu vlen të përmendet autori i përmendur tashmë i alfabetit të shqipes nga Braila, Naum Veqilharxhi (1797-1846), pjesëmarrës i Revolucionit rumun të vitit 1821, të udhëhequr nga Tudor Vladimirescu, Kostandin Kristoforidhi (1826-1895), përkthyes i Biblës dhe autor i një gramatike shqipe, ose Pashko Vasa (1825-1892), autor i shprehjes së famshme në nxitjen dhe prevalimin e vlerave kombëtare, “feja e shqiptarit është shqiptaria” (fq. 226). Paralelisht me këtë lëvizje letrare-ideologjike në vend, e mbështetur nga komunitetet shqiptare në Ballkan dhe në Itali, një tjetër personazh me një ndikim të jashtëzakonshëm në Europë, e cila është dhe autorja e parë e një libri për komunitetin shqiptar në Rumani, Elena Gjika, e njohur si Dora d’Istria.

    Pas pavarësisë dhe deri në fund të periudhës midis dy luftrave botërore, letërsia shqipe e rilindur, u zhvillua duke pasur marrëdhënie me dy prirje: një tradicionaliste, e përfaqësuar kryesisht nga kleri katolik dhe shkolla letrare e Shkodrës, një prirje tjetër ishte ajo me karakter shoqëror. Në Shqipëri panë dritën e botimit mjaft libra e revista. Përfaqësuesit kryesorë të letërsisë shqipe  të kësaj periudhe janë Gjergj Fishta (1871-1940), “Homeri i Shqipërisë” që themeloi Shoqërinë Letrare të Shkodrës më 1899, Ndre Mjeda (1866-1937), poet nga rrethi letrar i Shkodër, i përmenduri në një rradhë tjetër idesh, Ernest Koliqi, themelues i prozës ​​moderne, i cili shkoi në mërgim, u rikthye në atdhe dhe u tërhoq përsëri në Itali, ku botoi periodikun Pleiades, por veçanërisht shkrimtarët shqiptarë nga Bukureshti, të cilët paraqesin një sërë aspektesh të përbashkëta biografike dhe stilistike, duke përfshirë. të lartpërmendurin Asdreni, Në vitin 1880 në Mbretërinë e Rumanisë u themelua  „Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip “ose “Shtypshkronja Shqiptare”, (Pas ndalimit të veprimtarisë së Shoqërisë nga autoritetet osmane në Stamboll, selia e saj u shpërngul në Bukuresht), në të cilën u botuan vepra më e rëndësishme e Naim Frashërit, Bagëti dhe Bujqësi, vetë Asdreni (1872-1947) ishte autori i një poezie që luhatet nga romantizmi i vonët tek simbolizmi dhe ekspresionizmi, duke shkruar nën ndikimin e poetëve rumunë: Vasile Alecsandri, Mihai Eminescu, Alexandru Macedonski dhe Tudor Arghezi, sidomos në vëllimin poetik  Psallme murgu (1930), të cilit i shtohet Lasgush Poradeci (1899-1987), i konsideruar si “poeti më i thellë në gjuhën shqipe” (fq.320), i cili ka mbrojtur në Universitetin e Grazit një tezë doktorature për Eminescu-n, apo Mitrush Kuteli (1907-1967), i njohur, veçanërisht, për tregimet e veta, përkthyes i Eminescu-t në shqip dhe i Sadoveanu-t, i dënuar me 15 vjet burg nga regjimi komunist shqiptar.

    Me vendosjen e sistemit komunist – një komunizëm mizor, me fizionomi staliniste, në të cilin realizmi socialist u bë e vetmja mundësi e shprehjes letrare, e pranuar nga regjimi, disa shkrimtarë shqiptarë janë ekuzekutuar, të tjerë kanë vdekur nëpër burgjet komuniste, të tjerë heshtën ose kanë qenë të detyruar të heshtin. Me vështirësi kanë dalë vepra me vlerë, siç qe romani i Ismail Kadaresë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i cili ishte nga të paktët shkrimatarë që prodhuan letërsi me vlerë,  ashtu siç ishin Petro Marko me romanin Qyteti i fundit apo Dhimitër Xhuvani me romanin Tuneli. Shqipëria që u largua nga politika e Bashkimit Sovjetik, ashtu si dhe Rumania, duke promovuar përmes zërit të Enver Hoxhës të drejtën e çdo kombi për vetëvendosje, siç e kishte bërë edhe Çeaushesku, ka njohur në letërsi një periudhë çlirimi, ashtu siç ndodhi edhe në Rumani. Brezi i shkrimtarëve shqiptarë të viteve gjashtëdhjetë debutoi me një seri vëllimesh me poezi që reformuan dhe modernizuan letërsinë shqiptare të kohës. Vëllimet me poezi si Shekulli im, Ismail Kadaresë, Hapat e mia në asfalt e Dritëro Agollit dhe vëllimi poetik Shtigje poetike e Fatos Arapit  ishin edhe hapat e parë drejt letërsisë së vërtetë” (fq. 354). Kështusoj, Kadare, Agolli dhe Arapi në poezi, pastaj Petro Marko, me romanin e tij të parë, që ishte vërtet një roman modern, të cilin e përmendëm pak më sipër,  dhe më pas, përsëri Kadare, Myftiu dhe Xhuvani në prozë, janë disa nga momentet  e kësaj periudhe, në të cilën Sterjo Spasse, kolegu i Kadaresë gjatë studimeve në Moskë, pasi kishte botuar në kohën e luftës letërsi dekadentiste, mori rrugën e realizmit socialist, kurse të tjerë, si Visar Zhiti, u detyruan nëpërmjet burgut dhe punës fizike të detyrueshme të heshtnin. Sigurisht, letërsia e viteve 60’-80’ është shumë më e pasur. Pa dyshim, një rast paradoksal ka qenë ai i Ismail Kadaresë, i cili, gjatë regjimit me çenzurën dhe terorrin më të ashpër, arriti të sjellë romane dhe prozë të shkrurtër të një vitaliteti dhe thellësie befasuese për një mjedis shterpë të prodhimit letrar (Visar Zhitit, p.sh. i jepnin në burg romanet e Kadaresë, për të parë çfarë reagimesh do të zgjonte). Konkluzioni që jep Luan Topçiu është domethënës  dhe përputhet me vetërëferimet e shkrimtarit të madh shqiptar. “Proza e Ismail Kadaresë, ka qenë, në fakt, një opozitë indirekte ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Vepra e tij rezistoi nën diktaturë në sajë të karakterit të dyfishtë të tematikës dhe përmbajtjes. E kaluara historike, me gjithë arsenalin e personazheve, situatave, problemeve dhe konflikteve i referoheshin shoqërisë shqiptare të ndodhur nën diktaturën të tipit stalinist të Enver Hoxhës. Në të njëjtën kohë, e kaluara historike ka qenë mburoja që ka mbrojtur Kadarenë nga hakmarrja e pushtetit. Gjenialiteti i tij konsiston në këtë transferim të simboleve që ai krijoi, të vlefshme për çdo diktaturë në historinë e njerëzimit, qoftë perandori, shtet modern diktatorial, shtet komunist etj.” (fq. 445).

    Megjithatë, Pallati i ëndrrave, “karikatura më e tmerrshme dhe e pamëshirshme e totalitarizmit në shpërbërje e sipër”, siç e ka përshkruar Andre Clavel  (fq.390), ka qenë e ndaluar gjatë regjimit komunist. Kadare që, përmes veprës së vet, arriti të paraqesë forma të absurditetit të situatave që lidhen me shtetin (fq.362) u ndalua të publikohet, më së shumti për motive cenzurimi, se sa për shkak të identifikimit të disa gjërave të qarta që ishin në kontraditë me ideologjinë e kohës.

    Pas vitit 1990, letërsia shqipe e sirtarit, përfaqësuesi më në zë i së cilës është Visar Zhiti, ka filluar të publikohet dhe të gëzojë sukses. Prozatori, Fatos Kongoli, që e përmendëm më sipër,  një matematikan i shkolluar në Kinë gjatë periudhës së ftohjes së marrëdhënieve me Shqipërinë, nuk botoi asgjë gjatë periudhës komuniste, por gëzoi një sukses të vërtetë duke filluar me romanin I humburi, botuar më 1992, duke u bërë shkrimtari më i përkthyer në Perëndim, mbas Ismail Kadaresë. Mbas 1990, konstaton Luan Topçiu, “ u rivendos funksioni estetik si funksioni kryesor i veprës artistike” (fq. 450). Ndërkohë që në letërsinë rumune, pas 1990-ës u pa se çfarë do të sillte letërsia e sirtarit, së bashku me letërsinë që mori forma të ndryshme të bashkëjetesës me regjimin apo raste të një letërsie që dënonte apo insinuonte regjimin në mënyrë të nënkuptuar do t’i takonte po viteve ‘60, ndërsa në Shqipërinë mizore të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, dënimet me vdekje në radhët e shkrimtarëve vazhduan deri më 1988, kur poeti Havzi Nela u var nga komunistët në sheshin kryesor të qytetit të Kukësit, duke u “ Poeti Havzi Nela është një këmbanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë”, ashtu siç do të cilësonte Ismail Kadareja (fq.474). Megjithëse ekziston një prirje për të rikuperuar të kaluarën (dhe çfarë të kaluar, të dhimbshme dhe të përgjakur ka Shqipëria, sidomos kritika dhe historia e letërsisë!), letërsia e re, nënvizon Luan Topçiu, është shkëputur tashmë nga tematika e mëparshme, duke u fokusuar tek rivendosja e funksionit estetik dhe duke u manifestuar, sidomos në rastin e gjeneratës së viteve 2000, “përmes një reagimi të dhunshëm ndaj traditës, përmes një mohimi të formave të saj, dukuri e ngjashme me gjeneratën aktuale të shkrimtarëve në Rumani” (fq. 450-451). “Zhgënimet e individit” mbas premtimeve për disa liri të dështuara, mbas lirisë së shprehjes, zhgënimi për humbjet e tjera, janë tema të thella të letërsisë së sotme. Midis emrave të shkrimtarëve të mbas 1990-ës shquhet Agron Tufa, aktualisht i refugjuar në Zvicër, ku ka kërkuar azil politik si pasojë e kërcënimeve të marra mbas disa investigimeve të krimeve të komunizmit, apo Ornela Vorpsi, me studime në Milano, por që jeton në Paris, me një vepër të njohur dhe të vlerësuar në Europë. “Ndërgjegjësimi i madh kulturor”, duket se po e drejton letërsinë shqipe në rrugën e prioritetit të estetikes.

    Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla e deri në ditët e sotme e Luan Topçiut, vazhdon me një kronologji të gjërë të letërsisë shqipe. Është një libër i nevojshëm i një shkrimtari të vlerësuar në vendin e tij të origjinës, dhe gjithnjë edhe më i vlerësuar në Rumani për hapjen e portave për një dialog kulturor. Është, me të vërtetë, një punim pioner në fushën e albanologjisë, por në të njëtjën masë është një histori letërsie e thukët, e rëndësishme, një instrument i dobishëm për specialistët, përkthyesit dhe botuesit, është një libër që mund të lexohet si tregim i një letërsie, i një populli, i një ndërgjegjeje kulturore.

    Studim i botuar në revistën kulturore “Tribuna”, nr. 459, tetor 2021, Cluj Napoca

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË