Një vit përpara se të vdiste, kur udhëtoi drejt vendlindjes së tij, Eftimiu e kuptoi se çfarë interes të madh politik zgjonte ai në Shqipëri. Të dhënat më të shumta për vizitën e tij ndodhen në arkivin e Ministrisë së Jashtme. Autoritetet rumune e marrin vesh jo në Bukuresht, por nga Tirana informacionin se shkrimtari ishte ftuar në Shqipëri, dërguar më 19 Prill 1971 bashkëpunëtorit të parë të ambasadorit Manole Bodnarash nga sekretari i Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Jashtë. Shërbimi ynë diplomatik në Tiranë hezitonte, duke njoftuar se ekzistojnë “aspekte delikate që duhet të mbahen parasysh”, ndërsa M.Bondarash theksonte se vizita do përdorej si një përpjekje politike e Enver Hoxhës sepse “regjimi ka nevojë për një akt moral, veçanërisht lidhur me problemin e minoriteteve”… Ai shtonte se e dinte “nga burime të denja për t’u besuar”se regjimi i Tiranës, lidhur me këtë temë, shfrytëzonte për propagandë qytetarë me origjinë shqiptare nga vende të tjera, si Jugosllavia, Italia dhe Turqia, dhe se Hoxha donte ta shfrytëzonte edhe Eftimiun për të zbukuruar situatën e minoriteteve… Ai rekomandonte që nëse aprovohej, vizita të ketë një karakter “thjesht privat, pa deklarata”.
Udhëheqja e lartë e Ministrisë së Punëve të Jashtme aprovoi vizitën e Eftimiut. Diplomatët rumunë mendonin se përgatitjet kishin përparuar aq sa nuk mund të ktheheshin pas. Ata shtonin se ftesa e ardhur nga Tirana ishte zyrtare dhe rikujtonin se personalitete si akademiku rumun çelnin rrugën e ftesave të ngjashme,”që vinin nga vende të tjera, duke përfshirë edhe ato kapitaliste”. Në fund, punonjësit e Ministrisë së Punëve të Jashtme vlerësonin se vëmendja e treguar për Eftimiun, në fund të fundit, ”do jetë një homazh për vendin tonë”. Një nga argumentet e përfshijnë dhe vëllain e ambasadorit në Tiranë, më të njohur se ai, Emil Bodnarash. Këtij anëtari të rëndësishëm të Komitetit Ekzekutiv dhe të Presidiumit të Përhershëm të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Rumune, rreth ftesës për Eftimiun i foli ambasadori i Shqipërisë në Bukuresht. Biseda u zhvillua në Nëntor të vitit 1970, në pritjen e ofruar nga shqiptarët me rastin e ditës së tyre kombëtare, ndërsa, sipas njoftimit që i bënte drejtoria e parë e Ministrisë vëllait të tij Manole Bodnarash, Emil Bodnarash e kishte “vlerësuar pozitivisht idenë”.
Vizita në tokën shqiptare ishte menduar si pjesë e projektit për realizimin e një filmi homagjial për shkrimtarin rumun, i cili do të përmbante dhe fragmente të filmuara në fshatin e tij të lindjes, në Shqipëri.
Ky film, në fakt, u realizua para se Eftimiu të shkonte në Shqipëri… Kur aprovoi udhëtimin, ministri Corneliu Manescu kërkoi të mbahen parasysh rezervat e shprehura nga i dërguari rumun në Tiranë, të cilit i kërkohej që ambasada të përfshihej me kujdes, duke ofruar edhe një kokteijl.
Për shkak se shqiptarët planifikonin që gjatë vizitës ti akordojnë një medalje Eftimiut dhe pikërisht dekoratën e tyre më të lartë, Urdhërin Naim Frashëri, diplomatët dhe aktivistët e të dy kryeqyteteve gjatë muajit Maj shkëmbenin informata dhe në fillim të Qershorit nga Tirana vjen shpjegimi se parashikohej shpërblimi i shkrimtarit për “kontributin e dhënë prej tij në zhvillimin e marrëdhënieve mes popullit shqiptar dhe atij rumun dhe luftës së tij për pavarësinë e Shqipërisë”, por edhe për “interesin e treguar për progreset e realizuara në vitet e ndërtimit të socializmit në Shqipëri”. Ndërsa nga Bukureshti u dërgua pëlqimi i Këshillit të Shtetit. Ndoshta duke marrë vesh hezitimet e shprehura nga ambasadori Bodnarash, shqiptarët këmbëngulnin mbi karakterin kulturor të dekoratës dhe në përgjithësi të vizitës.
Rastësia e solli që përpara se të udhëtonte për në Shqipëri, Eftimiu u dekorua edhe nga autoritetet e Bukureshtit. Me që në vitin 1971 festohej 50 vjetori i krijimit të Partisë Komuniste Rumune, dramaturgu merr titullin Hero i punës socialiste dhe medaljen Drapër dhe çekan, së bashku me 140 shtetas të tjerë rumunë, prej të cilëve 75 ishin aktivistë partie të rangut të lartë, qoftë në funksion si Manea Manescu apo Elena Çaushesku, qoftë të tërhequr në pension si Constanta Craciun ose Tatiana Bulan.12 persona hynin në kategorinë “merita të shquara në fushën e shkencës, artit dhe kulturës”, këtu përfshihej edhe Eftimiu, përkrah aktorit Calboreanu ose doktoreshës Ana Aslan, 28 ishin punëtorë,11 kryetarë kooperativash bujqësore dhe 14 gjeneralë.
E parashikuar në fillim të zhvillohet në fund të muajit Prill dhe në fillim të Majit, vizita në Shqipëri u zhvillua nga 23 Qershori deri në 12 Korrik.Eftimiu shoqërohej nga vëllai i tij Stelian, nga dy miq që kishin lindur edhe ata në Boboshticë, aktori Chiril Economu dhe juristi Stavri Kuneshka dhe nga Ankuca Chendi, për të cilën diplomatët rumunë në Tiranë besonin se ishte “kushërirë dhe sekretare” e shkrimtarit. Udhëtimi nga Bukureshti në Beograd u bë me tren dhe më tej me makinën që u ndal gjatë rrugës në Pogradec. Economu ka treguar për pritjen që u bë në Shqipëri, pasi kaluan kufirin me Jugosllavinë. Eftimiu dhe shoqëruesit e tij u pritën nga një grup nxënësish dhe nga tre ministra. Në darkë ministri i informacionit dhe propagandës ngriti një gotë “për shkrimtarin më madh shqiptar”. Një profesor dhe kyetari i bashkisë e përshëndetën mikun duke përdorur po atë formulë, shënjë se kjo ishte “linja zyrtare” e vendosur nga regjimi i Hoxhës. Sipas të thënave të Economu-t, Eftimiu reagoi duke saktësuar se “nuk konsiderohej një shkrimtar shqiptar, por rumun.Sepse në Rumani, ku arrita që në moshën e fëmijërisë (isha pesë vjeç) u formova nga çdo pikpamje. Atje kam studjuar, atje jam inkurajuar të shkruaj, atje kam njohur suksesin, atje më janë njohur meritat” . Pasi shtoi se nuk e ka harruar atdheun ku lindi dhe se e ka admiruar heroizmin, sidomos në luftën antifashiste, Eftimiu e mbaroi fjalën e tij duke thënë në gjuhën shqipe: “Rroftë Shqipëria, rroftë Enver Hoxha”.
Në gati tre javë që kaloi në vendin e tij të origjinës, regjimi i ofroi shkrimtarit rumun, përveç një pushimi në kryeqytet dhe në Durrës, disa takime me përgjegjës të kulturës si zvëndësrektori i Universitetit të Tiranës apo kryetari i Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Jashtë, zgjedhja anëtar nderi i Lidhjes të shkrimtarëve dhe të artistëve, një ceremoni dekorimi të drejtuar nga Haxhi Lleshi, kryetari i Kuvendit Popullor, një udhëtim në Elbasan, për të marrë pjesë në prezantimin e veprës së tij Njeriu që pa vdekjen me sy, një tjetër në Korçë, ku vendosi një kurorë në vorrezat e dëshmorëve dhe ku u luajtën skena nga pjesë të tij të ndryshme dhe më në fund, rigjetja e Boboshticës, ku u prit nga bashkëfshatarët.
Informacioni nga telegrami i Ministrisë së Punëve të Jashtme për ato që ndodhën në Boboshticë është plotësuar nga dëshmi me vlerë për vizitën dhe i përket Dionis Bubanit, një shkrimtar shqiptar i lindur në Bukuresht dhe i vendosur më vonë në Tiranë. Ky i shërbeu Eftimiut si përkthyes në udhëtimin e vitit 1971 dhe ka botuar disa artikuj prezantues për të në shtypin shqiptar.Ai tregon se në Boboshticë janë pritur me bukë dhe kripë, por edhe me qershi, mollë dhe raki mani. Një stërmbesë i dhuroi një grusht dhé nga obori i shtëpisë së tij, e cila ishte shkatërruar në kohën e luftës, ndërsa Eftimiu plot emocion, i heshtur meditoi para varrit të gjyshit të tij, pastaj dëgjoi këngë popullore. Gjithë nga Bubani marrim vesh se shkrimtari rumun, në hotelin ku ishte vendosur, pati disa ditë rrjesht takime me shqiptarë që kishin jetuar në Rumani, të cilët deshin ta rishihnin dhe se mbeti i pakënaqur kur e kuptoi se po e përgjonin, duke folur i çuditur me një ton të lartë: “Si është e mundur të më përgjojnë pikërisht mua, që kam ardhur këtu të shoh vendin ku kam lindur ?”.
Nuk është për tu habitur që disa nga telegramet e diplomatëve rumunë të akredituar në Tiranë ishin të paqarta, ata nuk ishin ftuar askund gjatë vizitës dhe kanë marrë vesh çfarë ka bërë Eftimiu nga shtypi ose nga ai, apo nga improvizi-met e shoqëruesve të tij. Ambasadori Bodnarash konkludonte në përfundim të vizitës në një “informacion” dërguar zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme se “shqiptarët e kanë konceptuar këtë vizitë jo si një veprim në kuadër të marrëdhënieve bilaterale, por si një manifestim thjesht shqiptar, me karakter privat”.
Momenti më i rëndësishëm i vizitës ishte takimi me Enver Hoxhën. Duke mos qënë e ftuar as në pritjen e shkrimtarit rumun nga udhëheqësi i Shqipërisë, ambasada ka mundur të ketë vetëm informacione të pjesëshme dhe ka raportuar në Bukuresht gjëra të përgjithshme, pra faktin se Hoxha “nuk foli për probleme politike të brëndshme apo të jashtme ose për marrëdhëniet dypalëshe rumuno-shqiptare” dhe se lajmi i pritjes të Eftimiut u dha, i shoqëruar nga një fotografi, në faqen e parë të gazetave ditën e dytë. Për fat, stenogrami i takimit i 2 Korrikut 1971 mund të shihet në arkivat e shtetit shqiptar, ku është regjistruar me emrin: “Diskutimi i shokut Enver Hoxha në takimin me shkrimtarin rumun me origjinë shqiptare Viktor Eftimiu”. Të them të drejtën 11faqet e stenogramit përmbajnë pak gjëra interesante. Sekretari i parë zgjatet, përdor klishe të panumurta, ndërsa Eftimiu nuk ka mundësi të flasë shpesh. Janë shkëmbyer shumë lavdërime. Hoxha i thotë bashkëbiseduesit se është një “njeri me vlera të mëdha dhe i njohur nga të gjithë”, që “ka sjellë një kontribut me rëndësi në kulturën e popullit rumun”, me një “përgatitje universale”, “një njeri shumë i përparuar dhe i kulturuar”etj. Eftimiu nuk bie më poshtë dhe i thotë diktatorit të Tiranës se ishte në atë çast një nga njerëzit e mëdhenj të Europës”, se “fjalët i ka të mënçura” etj.Takimi ishte një rast për të kujtuar rininë kur Hoxha kreu liceun në Korçë dhe shkonte në fshatrat përreth, duke përfshirë edhe fshatin ku u lind Eftimiu dhe i kujtonte bashkëbiseduesit manat nga kopështet e fshatarëve.
Eftimiu përfiton nga një moment kur fjalamani Hoxha ndalon pasazhet mbi mirësinë e popullit të cilin ai e udhëhiqte drejt socializmit dhe evokon një takim me Stalinin, për të cilin thotë se “ka qënë një njeri i madh”, duke e renditur kështu veten në kategorinë ku e kishte vendosur edhe udhëheqësin shqiptar, një stalinist i palëkundur. Ndërhyrja e Eftimiut për vizitën në Bashkimin Sovjetik e nxit Hoxhën të tregojë për vizitën e tij të parë në Rumaninë e Dezhit.Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Punës të Rumanisë e kishte marrë nga aeroporti dhe e kishte shpënë në një shtëpi të fshehtë pranë Bukureshtit, pastaj e akomodoi në ish pallatin mbretëror, pasi diskutoi në Komitetin Qëndror, në një “sallë e cila ishte plot me kartëmonedha, sepse vetëm atje mund ti kishin të sigurta”.
Shkrimtari rumun dëgjonte lëvdatat që mikpritësi bënte për partinë që drejtonte dhe lidhjet e tij me popullin, u bombardua me detaje për planin pesëvjeçar, për rininë dhe fabrikat e trikotazhit, hidroçentralet dhe prodhimet e verërave, kooperativat bujqësore etj. Hoxha i uroi jetë të gjatë “të rroni sa malet tona” dhe e ftoi të vijë përsëri në Shqipëri,”si bir i këtij populli”, duke nënvizuar në fund përmasën politike të ftesës: “vizita juaj do ndihmojë në ndërtimin e mëtejshëm të socializmit në vendin tonë”.
Nuk e dimë sa i besueshëm është stenogrami.Nuk është e pamundur që në të të jenë mbajtur vetëm ato që donte Hoxha. Chiril Economu thoshte se gjatë bisedës, diktatori shqiptar kishte cituar aforizma për pleqërinë dhe për diplomacinë. Për të parën kishte thënë se është “rinia e fundit”, ndërsa për diplomacinë kishte thënë,me nëntekst, se “është më mirë të lindesh diplomat shqiptar se sa francez (sepse) si shqiptar arrin në Paris, ndërsa si francez në Tiranë”, ku Eftimiu kishte reaguar duke sugjeruar se kjo mund të thuhej vetëm në kohën e mbretit Zog. Asgjë e tillë nuk del në dokumentat e arkivit. Ajo që është e qartë është se diskutimi Hoxha-Eftimiu u paraqit në faqen e parë të gazetave, ashtu si ndodhi edhe me dekorimin, ndërsa “shkrimtari i njohur rumun me origjinë shqiptare”, siç ishte përkufizuar shprehu fjalë lavdëruese edhe në një konferencë shtypi të organizuar pas pritjes në nivelin më të lartë.
Nga ana tjetër, kjo ishte praktika e vendosur nga komunistët e Tiranës, ashtu siç theksonte ambasadori Manole Bodnarash në një telegram që i referohej dhe rumunëve të tjerë, jo aq të njohur si Eftimiu, por të cilët ishin të gatshëm në atë epokë të mbështetnin propagandën e Hoxhës.
Rumunëve të ftuar iu kërkoheshin” deklarata lavdëruese(…) .Një pjesë nuk i bënin, edhe pse dhe ata ishin pritur nga Enver Hoxha, si Cezar Ivanescu, por të tjerët nuk përmbaheshin ti bënin si akademiku Al.Rosetti, i cili në verën e vitit 1972 konstatonte se “ky popull me njerëz të guximshëm” ka ripyllëzuar gjithë Shqipërinë dhe, më shumë se kaq,”kjo punë entusiaste e gjithë popullit, për zhvillimin e vendit” duket në arritje të shumta të regjimit,”hekurudhat janë shtuar, rrugët janë zgjeruar dhe asfaltuar, janë ngritur fabrika në të gjitha zonat, gjithë vendi është elektrifikuar, ndërsa popullsia është rritur me një milion”. Gjuhëtari i madh e shihte gjithçka në ngjyrë rozë “grupe fëmijësh” në rrugë,”të cilët i japin një dimension të ri hapësirës lokale dhe e bëjnë të gëzueshme atmosferën” dhe në përgjithësi,”një atdhe i ri “.
Ky është toni i përdorur edhe nga Viktor Eftimiu në vjeshtën e vitit 1971, në një arikull në Luceafarul.Teksti i tij është një përmbledhje e historisë së Shqipërisë, nga ilirët tek Enver Hoxha, duke kaluar nga Skënderbeu dhe pavarësia e vitit 1912, por edhe një rimarrje e tezave të pandryshuara të propagandës të Tiranës. Eftimiu krahësonte vendin “e varfër,të munduar,të ngrysur” prej të cilit kishte ikur 65 vjet më parë me vendin e lulëzuar “në sajë të proletariatit të udhë- hequr nga Partia e Punës me sekretarin e parë Enver Hoxha në ballë, një udhë –heqës i dashur dhe i respektuar nga të gjthë shqiptarët”. Ai numëronte pastaj sukseset e Shqipërisë duke përdorur fjalorin komunist: puna vullnetare e rinisë, lulëzimi dhe shkëlqimi i atdheut, lidhja e fortë njeri-popull-udhëheqës, teza e proletariatit, i cili ka marrë armët dhe ka zbuar pushtuesit fashistë etj. Disa fraza janë të papritura dhe rimarrin shabllone që përdoreshin edhe në Bukuresht, “gjëja më interesante, të cilën e kemi admiruar në udhëtimin tonë ishte krijimi i njeriut të ri” ose “çdo njeri është vendosur në vendin e vet, me vullnetin e parties e cila ia njeh meritat dhe e vlerëson”. Artikulli prek tërthorazi edhe disa debate që zhvilloheshin në Rumaninë e asaj kohe, siç është, për shembull, qortimi i të rinjve që mbanin flokë të gjata ose mjekër. Viktor Eftimiu thotë se në Shqipëri ”nuk pa njerëz të veshur keq të mbetur rrugëve dhe as mjekroshë të padenjë”.
Për vizitën që bëri në shtëpi jep pak detaje.Ai shënon vetëm se ka marrë nga mjeshtrat e punimit të qelqit të zonës një vazo me “dhé nga rrënojat e shtëpisë së tij në Boboshticë”. Ka, po ashtu fjalë admirimi për Tiranën, të cilën e përshkruan si qytet të shkëlqyer modern, me pallate prej mermeri, gjelbërim të shumtë, ajër të pastër, ujë të ftohtë dhe të shijshëm.
Shënim : Ky fragment bën pjesë në vëllimin Robi i suksesit, i cili do botohet së shpejti nga editura Humanitas, në Bukuresht.
Përktheu nga rumanishtja: Pandi Bello