More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. ass. Dr. Zahrie Kapllanaj: Situata, mendime e informacione deri më tash...

    Prof. ass. Dr. Zahrie Kapllanaj: Situata, mendime e informacione deri më tash të panjohura për lexuesin e sotëm

    Përkitazi për librin me intervista “Gjuha, letërsia dhe filmi” i autorit Enver S. Morina

    Enver S. Morina është njohës i  mirë i rrjedhave të zhvillimit të  letërsisë, studimit të  letërsisë, e albanologjisë në përgjithësi. Njohës i mirë edhe i procesit të zhvillimit të teatrit, filmit e kinematografisë, kulturës shqiptare të zhvilluar përgjatë dhjetëvjetëshave të fundit ndër ne. Këtë dashuri, pasion e interesim nuk e ka përmbushur vetëm përmes receptimit personal, por duke marrë pjesë edhe aktivisht përmes shkrimit, kryesisht bashkëbisedimit në formë intervistash të shkruara, me krijues e personalitete të rëndësishme të kulturës shqiptare e përtej, e shpesh të botuara në organe të ndryshme publicistike. Ai ka intervistuar, në një periudhë disadekadëshe: shkrimtarë,   studiues, regjisorë, skenaristë, aktorë, albanologë, intelektualë të moshave, domeneve dhe interesimeve të ndryshme. I realizuar dhe i shkruar në kohë   reale bashkëbisedimi i tij me këto personalitete prodhon informacione, qëndrime, zhvillime të fushave të rëndësishme të artit dhe të kulturës shqiptare për  një periudhë jo të shkurtër kohore. Këto intervista janë të rëndësishme dhe të vlefshme, sepse në një rrjedhë kronologjike shënojnë e përcaktojnë zhvillime të shumta e të ndryshme në fushën e gjuhës, letërsisë, artit, folklorit, teatrit, filmit etj. Janë shenjuese të etapave të ndryshme kulturore, në të cilat realizohen ato. Janë të menduara dhe të projektuara mirë e në nivel. Kapin fenomene esenciale, varësisht personalitetit që intervistohet dhe veprimtarisë së caktuar të tij/saj ose varësisht ngjarjeve kulturore që dominojnë  në periudhën e caktuar. Ndërtohen në nivel të lakmuar gjuhësor e struktural, me një sens të veçantë të të njohurit dhe të të kërkuarit nga ana e intervistuesit dhe me  një shtrirje të thellë semantike e përtej të të njohurit të çështjes ose çështjeve rreth së cilave ndërtohet biseda/intervista. Libri përfshin tërësisht 15 intervista. Ato janë realizuar (bazuar në të dhënat kohore të intervistimit, të dhëna nga autori) në një periudhë 21 vjeçare. Fillon me shkrimtarin, regjisorin, përkthyesin e dramaturgun Gjergj Vlashi, pastaj me shkrimtarin e skenaristin Dritëro Agollin, me albanologun gjerman prof. dr. Wilfried Fiedler; me akademikun Esat Stavileci; me akademikun, gjuhëtarin e studiuesin Rexhep Ismaili; me shkrimtaren e skenaristen Natasha Lako; me albanologun Robert Elsie; me aktorin Reshat Arbana; me shkrimtarin Skënder Drini; me dramaturgun e shkrimtarin Teki Dërvishi; me regjisorin Isa Qosja; me studiuesin, shkrimtarin e profesorin Sabri Hamiti; me shkrimtarin e skenaristin Ylljet Aliçka; me poetin e skenaristin Petrit Ruka dhe e fundit me regjisorin, tashmë të ndjerë, Bekim Lumi. Disa prej intervistave janë realizuar nëpër festivale të ndryshme të filmit, të mbajtura në qytete të ndryshme shqiptare dhe si të tilla sjellin përshtypje e realizime rreth zhvillimeve të reja filmike të kohës. Disa nga personalitetet janë intervistuar edhe nga dy herë në periudha të ndryshme kohore. Si të tilla, intervistat e tyre, dalin të jenë një miksim mendimesh e qëndrimesh interesante e komplekse. Temat, çështjet, veprat, fenomenet rreth së cilave formulohen pyejtjet e përgjigjet janë nga më të ndryshmet. Të para në një tërësi ose të lidhura në një libër, përbëjnë një kombinim shumëdimensional infomacionesh e rezultatesh. Shquhet, për shembull, intervista me Dritëro Agollin, ku bisedohet “për kinematografinë, rrjedhat e filmit shqiptar, e në veçanti për ekranizimin e veprës letrare”.   Intervista me albanologun Wilfried  Fiedlerpër albanologjinë  në  përgjithësi, për  vështirësitë  e mësimit  të gjuhës shqipe nga një i huaj, për Prishtinën, për prof. Çabejn, për krahasimet mes gjermanëve dhe   shqiptarëve,   përkthimin   e veprës së Kadaresë në gjermanisht, etj”. Me akademik Esat Stavilecinpër çështjet e veprimtarisë kulturore, raportet e politikës dhe kulturës”. Me akademik Rexhep Ismailin si kryetar i atëhershëm  i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “për rrjedhat dhe   kontributin e Akademisë në proceset dhe rrjedhat politike, në veçanti   në çështjen e pritjes së zgjidhjes   përfundimtare të statusit të Kosovës, bashkëpunimet ndërakademike e të ndërsjella me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për gjuhën standarde, dialektet dhe të folmet, qëndrueshmërinë   gjithnjë e më të gjerë të standardit, diversitetet gjuhësore, komunikimin midis hapësirave të ndryshme shqiptare, etj”. Me albanologun e njohur kanadez Robert Elsiepër botimet e ardhshme në lëmin e përkthimit, bashkëpunimet   me institucionet kulturore në Kosovë”. Me Teki Dërvishin për zhvillimin e teatrit dhe praninë e shikuesve në teatër. Me Isa Qosjen për ringjalljen e “Kosovafilmit” dhe shfaqjen e filmit të tij Kukumi  në kinemanë “ABC”. Me Sabri Hamitinpër komunikimet letrare në botën shqiptare, botimet dhe promovimet e fundit në Tiranë, personalitetin e dr. Rugovës, paravështrimin dhe prapavështrimin në kuptimin letrar, për internetin, për globalizimin në fushë të dijes, kulturës, artit etj”. E kështu me radhë. Këto intervista, të botuara bashkë, do të jenë dëshmi edhe e një periudhe kulturore që tashmë ka përfunduar, por edhe ofruese të informacioneve të para të fenomeneve të rëndësishme që nisin gjatë kësaj kohe. Ato jo rrallë zbardhin edhe situata, mendime e informacione deri më tash të panjohura për lexuesin e sotëm. Të botuara në një libër të veçantë, ato ofrojnë material të rëndësishëm e të vyeshëm për leximin e studimin e sotëm, në fushat përkatëse. Në njëfarë mënyre, ato mund të jenë shenja, jo pak të rëndësishme, të zhvillimit të përgjithshëm kulturor të periudhës që trajtojnë, kur rrjedhat krijuese e studimore ishin të hovshme, specifike e të pazëvendsueshme.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË