Prej kohësh ndihej nevoja për të mbushur boshllëkun akademik të fushës së studimeve përkthimore kushtuar praktikës së përkthimit të letërsisë shqipe, e cila perceptohet në mungesën e metodologjive tekstuale. Studimi (libri) i Mimoza Hasani-Pllanës “Teori dhe praktika të përkthimit të letërsisë shqipe” është një tekst didaktik mbi teoritë dhe praktikat e përkthimit që mbush më së miri këtë boshllëk dhe u hap rrugë punimeve dhe studimeve të tjera didaktike të fushës së përkthimit dhe tematikave mbi përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhët europiane.
Të shumta janë idetë dhe diskutimet mbi përkthimin, por përcaktimi më i denjë duket se mbetet ai i linguistit amerikan Eugene Nida: “Përkthimi konsiston duke prodhuar te gjuha receptore ekuivalentin më të afërt natyror te mesazhi i gjuhës burimore, së pari në kuptim dhe së dyti në stil.”[1] I metaforizuar si urë lidhëse, apo si një mjet i pazëvendësueshëm për shkëmbimet kulturore dhe jo vetëm, midis shteteve, kulturave dhe njerëzve, dhe si një nevojë e pashmangshme që rritet dita-ditës, përkthimi përbën kështu një fenomen global që studiohet në të gjitha etapat e tij, por që me sa duket ende nuk ka gjetur një përkufizim për të mos lënë më hapësira për diskutim.
Vihet re një kontradiktë e madhe mes përkthimit si proces jetësor, i vënies në kontakt të kulturave të ndryshme, me aspektin e studimit, zbërthimit dhe përsosjes së metodave të komunikimit përmes përkthimit. Në anën tjetër, ky akt për shumë kohë nuk ka marrë vendin që i takon, si një mjet dhe mënyrë e jashtëzakonshme komunikimi mes skajeve të qytetërimeve. Pas një rrugëtimi kaq të gjatë nga shekulli në shekull, nga një stad në një tjetër, përkthimi fiton statusin e një disipline të veçantë, që studiohet dhe analizohet shkencërisht vetëm në shekullin XX, duke bartur kështu edhe vonesat, por edhe mungesat e pashmangshme.
Përgjatë viteve `50 dhe `60 të shekullit të kaluar, studimet e përkthimit, larg idesë për të përbërë një disiplinë autonome, konsideroheshin si degë e linguistikës së aplikuar.[2] Në fundin e Luftës së Dytë Botërore gjejmë veprat e para mjaft serioze, të cilat bartin problemin e përkthimit, si praktikë dhe metodë që duhet të përcaktohet në të gjitha aspektet e veta, tashmë si një situatë e qartë kur nisi debati për nivelin e përkthimit të veprave të ndryshme, për metodikat dhe format e larmishme. Përkthimi, megjithatë, konsiderohej asokohe si një nënçështje e linguistikës, pra duke e lënë përsëri nën hijen e gjuhësisë, kur në fakt në përbërjen, strukturën dhe funksionimin e vet, me të gjitha aspektet që përfaqëson, është më i gjerë dhe shumë më specifik si proces.[3]
Të gjitha këto teori dhe diskutime mbi përkthimin janë renditur dhe shpjeguar qartë falë hulumtimit empirik mbi përkthimin dhe studimit serioz të autores Mimoza Hasani-Pllana, një provë konkrete që shqyrton kompleksitetin e përkthimit, strategjitë e tij, por edhe sfidat që kanë hasur përkthyesit e huaj gjatë përkthimit të letërsisë shqipe.
Prej kohësh ndihej nevoja për të mbushur boshllëkun akademik të fushës së studimeve përkthimore kushtuar praktikës së përkthimit të letërsisë shqipe, e cila perceptohet në mungesën e metodologjive tekstuale. Studimi (libri) i Mimoza Hasani-Pllanës “Teori dhe praktika të përkthimit të letërsisë shqipe” është një tekst didaktik mbi teoritë dhe praktikat e përkthimit që mbush më së miri këtë boshllëk dhe u hap rrugë punimeve dhe studimeve të tjera didaktike të fushës së përkthimit dhe tematikave mbi përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhët europiane.
Sikurse thoshte edhe Octavio Paz: “Të mësosh të flasësh është të mësosh të përkthesh; Kur fëmija pyet nënën e tij për kuptimin e kësaj apo asaj fjale, ajo që ai në të vërtetë kërkon, është që ajo të përkthejë termin e panjohur në gjuhën e tij. Përkthimi brenda një gjuhe nuk është, në këtë kuptim, thelbësisht i ndryshëm nga përkthimi midis dy gjuhëve dhe historia e të gjithë popujve përsërit përvojën e fëmijërisë. Edhe fisi më i izoluar duhet të përballet, në një kohë apo në një tjetër, me gjuhën e një populli të çuditshëm.”[4]
Andaj thuhet se puna e përkthyesit është e rëndësishme për komunikimin e kulturave të ndryshme. Një profesionist i komunikimit ndërkulturor është një lidhës i botëve të ndryshme. Pjesa më e madhe e transferimit të njohurive dhe përparimit të njerëzimit është për shkak të ndërhyrjes së përkthyesve në faza të ndryshme të historisë. Ky transferim nuk lidhet vetëm me dijen, por përfshin edhe të gjitha aspektet kulturore të një populli, të shprehura në gjuhë. Kur një person flet, me ose pa vetëdije, ai transmeton mënyrën e tij të shikimit të botës, traditat dhe doket e tij, pëlqimet dhe mospëlqimet. Sepse një folës mbart kulturën e tij kudo që shkon dhe është e rëndësishme që folësit e tjerë të kuptojnë mesazhin e tij në kohën kur bëhet një komunikim.
Vepra e Mimoza Hasani-Pllanës ngërthen me koherencë pjesën teorike dhe praktike duke e bërë këtë studim tepër të vlefshëm për lexuesin/studentët dhe më gjerë. Bëhet fjalë për një punim i cili shtjellon qartë konceptet thelbësore të studimeve të përkthimit, teoritë e përkthimit, një punim i guximshëm që lartëson vlerën që ka teoria e përkthimit si në zhvillimin e kompetencës së përkthimit ashtu edhe në praktikën profesionale për ta bërë procesin e përkthimit një aktivitet vendimmarrës të vetëdijshëm për të cilin është thelbësore të merret në konsideratë dhe duke analizuar faktorët ekstratekstualë dhe ndërtekstualë që shërbejnë për të identifikuar zhanrin dhe karakteristikat e tekstit të përkthimit, si dhe situatën komunikuese të përshkruar, në mënyrë të tillë që të ndihmojë lexuesin/studentin të identifikojë se cilat kushte me natyrë sintaksore, semantike, pragmatike ose kulturore ndikojnë në përzgjedhjen e strategjive më të përshtatshme të përkthimit për çdo sfidë përkthimi dhe shmangien e gabimeve që rrjedhin nga një kuptim i dobët i tekstit burimor.
Duke marrë parasysh sa më lart, është e lehtë të konstatohet se studimi i Mimoza Hasani-Pllanës ka arritur me sukses objektivin kryesor për të plotësuar boshllëkun e një materiali didaktik të strukturuar dhe gjithëpërfshirës në këtë fushë dhe të përgatisë një përmbajtje didaktike që do të ndihmojë studentët të kuptojnë më qartë konceptet thelbësore të studimeve të përkthimit. Nisur nga këto teori dhe falë hulumtimit empirik mbi përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhët europiane, lexuesi/ studenti do të mësojë se përkthimet letrare jo vetëm që janë një urë lidhëse midis shteteve, por ndihmojnë gjithashtu edhe në zgjerimin e horizontit, duke qenë një element unifikues midis kulturave përkatëse, sepse nuk është vetëm një produkt letrar i një vepre romanore apo gjuhe, por është gjithashtu një përshtatje vlerash nga një kulturë në një tjetër. Është ura e vetme e cila afron dhe bashkon vendet dhe kulturat me qëllim për të krijuar një rrjet kulturor universal. Zgjedhja e burimeve, shembujt e propozuar, konceptet përkthimologjike që mbështesin praktikën e përkthimit dhe qasja reflektuese nga e cila paraqiten përmbledhjet teorike dhe sfidat e përkthimit, e bëjnë këtë studim një lexim thelbësor për studentët që dëshirojnë të mësojnë rreth mjeteve të mundshme metodologjike për teorinë dhe praktikën e përkthimit.
Libri studimor “Teori dhe praktika të përkthimit të letërsisë shqipe” i autores Mimoza Hasani-Pllana, u botua me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Kosovë.
[1] Eugene Albert Nida, Language Structure and Translation: Essays, Stanford University Press, California, 1975, ISBN: 0-8047-0885-1, f. 33
[2] Luis Estevez, Jose Alberto, Las traducciones escritas de letras de canciones: Bob Dylan en Espana (1971- 2006), Universidad de Laguna, Curso 2009/2010, Tesis Doctorales, f. 24.
[3] Flavia Kaba, Shqipëria dhe Spanja në fushën e përkthimeve letrare, Gjakovë/Kosovë, ISBN:978-9951-804-16-5, 2022
[4] Octavio Paz, Traducción: Literatura y Literalidad, Barcelona, Tusquets, 1971, f. 1.