More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. as. dr. Helena Grillo: Kush lexon mirë, mendon bukur

    Prof. as. dr. Helena Grillo: Kush lexon mirë, mendon bukur

    Mbi librin “Kalendari i ëndrrave të mollës” të Natasha Shuteriqi Poroçanit

    Libri “Kalendari i ëndrrave të mollës”, fitues i Panairit të Librit 2022, ka hyrë tashmë në shtëpitë e fëmijëve. Libri i këndshëm është ndërtuar mbi një bashkëbisëëdim imagjinar të pemës së mollës me fëmijët.

    “-Përshëndetje. Ma dëgjon zërin? Unë jam një mollë e re. Nuk më sheh? Epo jam këtu nën dëborë…Që ta dish ti, unë  kam ca ëndrra të bukura, plot ëmbëlsi dhe lëng. Dua të t’i  tregoj edhe ty, se gjërat e mira unë asnjëherë nuk i mbaj për vete. Afrohu pak. Eja dhe bisedojmë ca së bashku!”

    Cilat janë ëndrrat e pemës së mollës që rriten muaj pas muaji brenda trupit të saj, për të shpërthyer pastaj në formë lulesh e kokrrash të ëmbla, të kuqe gjak? Janë frutat e saj, mollët që gëlojnë brenda trupit të pemës që në dimrin e vonë, për të shpërhtyer në pranverë.

    Këtë moshë bioligjike të një peme, autorja e paralelizon me gjithë sa ndodh në jetën e fëmijës.

    “Shkurt

    Oh, sapo hapa sytë….është ende ftohtë. Në krahë ndjej sythet që duan të shpërthejnë dhe vazhdoj të ëndërroj…

    -Si është koha tek ti?

    Ke bërë ski? Më trego pak se ku ke dëshirë t`ì kalosh këto ditë të bardha të dimrit.”

    Libri përbën një instrument praktik për të edukuar te fëmijët aftësinë e bashkëbisedimit si dhe zhvillon te ta të menduarit kritik. Në sajë të strukturës së tij interaktive fëmija merr koncepte të shumëfishta: nëpërmjet rritjes biologjike të pemës së mollës, fëmija mëson atë çka ndodh me natyrën, me trupin e tij, dhe me përditshmërinë e tij në komunitetin ku bën pjesë.

    Gjuha e thjeshtë dhe e këndshme e librit, konkurron me modesti gjuhën e fëmijëve dhe mënyrën e tyre të të vështruarit të botës.

    “Qershor

    Ja, dhe ëndrrat e mia erdhën. Kujdes, mos m’i këput kokrrat e mollës se janë ende të vogla. Më të vogla se sa ti.

    -Ëndrrat e mia janë këto kokrra të kuqe plot lëng. Po ti çfarë ëndrrash ke?”

    Ky tekst, gjithashtu shërben si një instrument shumë i mirë dhe i rëndësishëm për mësuesit e parashkollorit dhe ciklit fillor.

    Nëpërmjet tekstit “Kalendari i ëndrrave të mollës” mësuesi:

    – duke analizuar mënyrën e komunikimit letrar dhe joletrar të gërshetuar në tekst, identifikon një nga rrugët drejt formimit të tij, dhe në aspektin instrumental të letërsisë për fëmijënë veçanti, nis të orientohet në produktet më të afërta gjuhësore për fëmijërinë e hershme;

    Mars

    Uaaa ndjej se po më vlon gjaku i ri nëpër degë. Sythet kanë mbushur degët.

    -Unë e di që në muajin mars ka disa festa shumë të dashura. Cilat janë ato? Një mollë ka shumë dëshirë të dijë se cilat janë këto festa.

    Më trego , të lutem, ç’po përgatit për festat?

    – duke analizuar simbolikën e figurës së mollës, si dhe duke vlerësuar personifikimin që sjell dialogimi i saj me fëmijën (si individ social), njeh elemente të stilistikës në aplikim si dhe kategoritë pedagogjike të qasjes së letërsisë për fëmijë, apo kompleksitetin e imagjinatës veçanërisht në lidhje me fëmijërinë e hershme;

    “Prill

    Më në fund! Jam mbushur me lule. Ëndrra ime po vjen në botën e bukur. Sa më pëlqen klur ëndrrat bëhen të vërteta! .

    -Po ditët si janë për ty në pranverë? Si janë lulet? Po aroma e luleve të pëlqen?”

    – njeh dhe zotëron mjete interpretuese që shikojnë pluralitetin e gjuhëve të letërsisë për fëmijë, për kompleksitetin e të cilave fëmija është ende i pavetëdijshëm;

    “Gusht

    Jam e lumtur me fustanin tim të gjelbër plot kokrra të kuqe.“

    – duke vlerësuar cilësinë e pyetjeve dialoguese me fëmijën-potencial, di dhe është në gjendje të përdorë dhe të thellohet në mënyrë të pavarur në fushat kryesore praktike të referencës, në fushën pedagogjike dhe psiko-pedagogjike në lidhje me linjat e zhvillimit të fëmijërisë së hershme. Po ashtu bëhet i vetëdijshëm për kryqëzimet që i përkasin narrativës letrare për fëmijë;

    – njeh kontributet themelore praktike në marrëdhëniet edukative brenda komunikimit gjuhësor të fëmijërisë së hershme;

    nënteksti dhe gjuha e alegorisë së thjeshtë, ndihmojnë mësuesin të planifikojë shtigje narrative të përqendruara në stilet tipike të aleancës edukative në momentin e rrëfimit: dëgjimi i ndërsjellë i rrëfimit,

    rrëfimi me gojë,

    leximi me zë,

    shikimi i ndjeshëm,

    pranimi i gjuhëve verbale, joverbale dhe ekspresiviteti,

    vëmendja dhe përqëndrimi;

    – kjo përvojë do ta ndihmojë mësuesin të bëjë zgjedhje të informuara në fushën e produkteve editoriale të letërsisë për fëmijë dhe të orientohet në mënyrë kritike dhe të pavarur në shumëllojshmërinë e degëve të rrëfimeve të propozuara nga media.

    Si vlerë e shtuar e këtij libri vjen ilustrimi. Fëmija tërhiqet instinktivisht nga gjurmët e lëna në letër, si gjurmët e tij që transformohen dhe modifikohen në vija, goditje, pika, forma që janë gjithnjë e më afër realitetit. Këto gjurmë në tekst janë tablo të realizuara me aq mjeshtri nga piktori Arben Nipolli, i cili me mjeshtri ka aktivizuar fjalën në ngjyra dhe peizazhe që ndjekin natyrën dhe mishën e ëndrrave të mollës. Ngjyrat janë imazhet e transformimit që pëson pema e mollës dhe rrugës së saj drejt realizimit të ëndrrave. 

    Penelatat e holla u atribuojnë edhe fjalëve një konotacion afektiv, u shtresojnë të tjera valenca shprehëse.

     Për kaq e jo vetëm jo vetëm për kaq: për një prindërim të mirë bashkëbisedues, “Kalendari” nuk duhet të mungojë në bibliotekat e familjeve…edhe kur ajo fle gjumë:

    “Dhjetor

    Po më flihet. Do të shoh përsëri ëndrrat e pranverës.  Ëëë, ….tani ..më trego …për festat e tua…

    Gjumë të ëmbël, mollë e dashur!

    Shëët! Mollën e zuri gjumi.

    Shkruaji përgjigjet e pyetjeve që të bëri, në mënyrë që, kur të zgjohet ti lexojë. Me siguri do të gëzohet shumë.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË