More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. as. Dr. Astrit Bishqemi: Braktisja e  happy end-it

    Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi: Braktisja e  happy end-it

    (Shënime për romanin “Shtrigat” të Roald Dahl-it e më gjerë)

    1.

    Një nga botimet cilësore e me vlerë të bëra vitet e fundit është edhe “Shtrigat” e shkrimtarit anglez Roald Dahl, sjellë në shqip cilësisht nga Brikena Çabeji.

    Roald Dahli (1916-1990) u lind nga prindër norvegjezë në Britaninë e Madhe, në Llanadass, Glamorgan. Mori pjesë aktive si aviator në Luftën e Dytë Botërore, gjatë së cilës u plagos disa herë. Tregimet e para (për fëmijë këto) zuri t’i botonte në vitin 1942, kur ndodhej në Uashington atashe ushtarak. Përmbledhjet e tij me tregime për të rritur janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe shpesh kanë zënë kryet e vendit në listat e veprave best-seller. Një pjesë e këtyre tregimeve janë ekranizuar me sukses.

    Në nëntor të vitit 1990, kur Dahli vdiq, “The Times” e cilësonte atë si “një nga shkrimtarët më të lexueshëm bashkëkohorë, që ka ndikuar fuqishëm në brezin tonë”.

    Gjithësesi, ky prezantim do të ishte i mangët, në qoftë se nuk do të përmendnim faktin se Dahli gjithashtu është një nga shkrimtarët më në zë të letërsisë botërore për fëmijë. Librat e tij, si Çarli dhe fabrika e çokollatave”, “Baba dhelpra fantastik” ,“Gjiganti i madh i mirë” etj. janë bërë tashmë të famshëm.

    Lexuesit e vegjël shqiptarë kanë patur fatin ta njohin para të rriturve këtë autor, me botimin më 1990 të romanit “Gjigandi…”, përkthyer mjeshtërisht nga shkrimtari Naum Prifti (ribotuar më 1998 nga “Çabej MÇM”). Prifti u dhuroi lexuesve të vegjël shqiptarë edhe përkthinim e një vepre tjetër, “Çarli…” të këtij autori (publikuar më 2008 nga e njëjta shtëpi botuese). Po në këtë vit e në këtë vazhdë, botuesja e pasionuar Brikena Çabej shqipëroi vetë dhe u dhuroi fëmijëve një roman tjetër të Dahlit, Shtrigat.

     Shtrigat u shkrua e u botua fillimisht në Angli më 1983. Pati sukses të madh. U përkthye menjëherë dhe u botua një vit më vonë në Francë e në shumë vende të tjera. Fitoi vlerësime e çmime prestigjioze, si ai Bancarellino në Itali më 1988, madje u realizua edhe film me titullin “Kush ka frikë nga shtrigat” më 1990.

     2.

     Romani vë në qendër një fëmijë tetë vjeç, i cili është i detyruar të jetojë vetëm me gjyshen, meqë prindërit i kanë humbur në një aksident. Gjyshja është e gjallë dhe e dashur dhe i kallëzon nipit histori, përralla e dukuri të jetës. Temë e parapëlqyer bëhen shtrigat. Dhe gjyshja me përvojë tregon se ato janë gra të këqia. Nga pamja e jashtëme nuk dallohen nga të tjerat, sepse mbajnë maska në fytyrën e shëmtuar, paruke në kokat tullace, dorashka në duar etj. Dhe ja, rasti e sjell që djali të përballet me to tek bujtin në një hotel lluksoz, duke u shtënë si anëtare të Shoqatës Mbretërore “Gratë që kujdesen për parandalimin e keqtrajtimit të fëmijëve”. Ato kanë ardhur nga çdo anë e Anglisë për mbledhjen e tyre vjetore. Futen në sallën e madhe që është rezervuar për to. Djali që gjendej rastwsisht aty, s’ka nga t’ia mbajë dhe fshihet të dëgjojë. Por ja që ato gra heqin maskat, paruket, dorashkat e këpucët… Ishin gjithë shtrigat e Anglisë. Dhe nën drejtimin e Shtrigës së Madhe bëjnë planin që të zhdukin tërë fëmijët anglezë. Kryeshtriga kumton se për këtë qëllim ka përgatitur një bar magjik, të cilin shtrigat e tjera do ta fusin nëpër ëmbëlsirat që do t’ua servirin fëmijëve. Kushdo që e gëlltit atë, kthehet në mi. Dhe minjtë, kuptohet, do të vriten nga të rriturit… Djali tmerrohet. Për më tepër, shtrigat e zbulojnë, e zënë dhe e dënojnë duke i futur në gojë një porcion nga bari i tyre. Protagonisti ynë, i kthyer në fëmijë-mi, u shpëton nga vrasja dhe shkon drejt e te gjyshja. I tregon asaj gjithçka. Duke u ngritur mbi fatkeqësinë që i gjet, së bashku bëjnë planin për t’i shfarosur të gjitha shtrigat angleze. Djali-mi vjedh nga dhoma e kryeshtrigës një shishkë me të cilën mund të helmohen 500 veta dhe ia hedh në kuzhinë supës që do t’u shërbehej grave pjesëmarrëse të Shoqatës. Kësisoj, shtrigat transformohen në minj, që bëhen pre e personelit të restorantit. Kriminelet bien vetë në gropën që po u përgatisnin fëmijëve të pafajshëm anglezë…

    3.

     Një nga vlerat e krijimeve të Dahlit është se protagonistët janë fëmijë aktivë e të guximshëm. Kështu, romani fantastik humoristik Gjigandi i Madh i Mirë (1982) ka në qendër një vajzë të vogël, Sofinë. Ajo njihet me nëntë gjigantë keqanë që ishin kanibalë të tmerrshëm. Shëtitnin çdo natë nëpër botë e ushqeheshin me njerëz, sidomos me fëmijë. Sofia mendon t’i ndalojë. Nxit për këtë qëllim edhe Gjigandin e madh të Mirë dhe kështu bën që mbretëresha e Anglisë të mësojë gjithçka prej tyre. Atëherë dërgon helikopterë ushtarakë, i kapin gjigantët dhe i fusin në një gropë të thellë. Siç shihet, Sofia është aktive dhe e guximshme në luftën kundër keqbërësve..

     Edhe te romani që kemi në duar, në qendër është një djalë aktiv që lufton kundër një të keqeje tjetër, shtrigave terroriste…

     Unë nuk kam ndërmend të zbërthej këtu gjithë vlerat artistike të librit. Dua të përqëndrohem vetëm në një dukuri me interes të këtij romani fantastik, te një element i subjektit të tij, pikërisht te zgjidhja e tij.

     Në përgjithësi veprat e letërsisë për fëmijë ndër kohëra kanë parapëlqyer në zgjidhje të ashtuquajturin hepi end, fund i lumtur. Ndoshta ky element qe huajtur nga proza popullore, nga folklori. Pothuajse të gjitha përrallat, siç dihet, përfundojnë me fund të lumtur. Pas aventurave e peripecive të panumërta, heroi a personazhi kryesor atje takon lumturinë: djali i varfër martohet me bijën e mbretit ose vajza protagoniste – me princin e kaltër; Qerosi i zgjuar del fitues mbi pasanikun dinak… Edhe në krijimet e kultivuara të letërsisë për fëmijë ndodh përgjithësisht kjo zgjidhje.

    Për ta ilustruar këtë dukuri mjafton të rikujtojmë nja dy shembuj nga letërsia klasike botërore për fëmijë, vepra shumë të njohura e të suksesshme: Pinokun e Kolodit, botuar më 1883, plot një shekull më parë se Shtrigat, apo Nisl Holgersonin (1907) e Lagerlëftit. 

     Në variantin e parë, që u botua me vazhdime në gazetën e fëmijëve, thuhet se Pinoku kishte një fund të dhimbshëm, ai përfundonte në litar nga kriminelët Dhelpra e Maçoku. Ky përfundim që binte ndesh me atë të përrallave, nuk u pëlqeu lexuesve të vegjël. Atëherë autori Karlo Kolodi e ripunoi, e ndryshoi dhe e solli në gjendjen që e njohim ne sot. Nga buratino, kukull prej druri, Zana e Kaltër e ktheu Pinokun në fëmijë të vërtetë me mish e me kocka. Ky fund i lumtur e gëzon lexuesin, ndaj u pranua nga të gjithë.

    Te Udhëtimet e mrekullueshme të Nils Holgersonit të autores suedeze Selma Lagerlëft, Nilsi, djalë 14 vjeçar, nga gishto, krijesë e vockël që udhëton kalurthi mbi shpinë të patave të egra, në fund kthehet në fëmijë të vërtetë: Baba, nënë, u bëra prapë i madh! U bëra prapë njeri! thërret ai i gëzuar.

     4.

     Të kthehemi tani te vepra që shqyrtojmë.

    Heroi kryesor, Çuni, ndonëse është kthyer në mi-njeri nga Shtrigëmadhja, bën një veprim humanitar. Helmon dhe zhduk të gjitha shtrigat që vepronin në Angli. Paskëtaj ne, lexuesit, presim një zgjidhje të lumtur, që Çuni të kthehet rishtazi në fëmijë i zakonshëm e të vazhdojë normalisht jetën e vet, por jo. Na drithëron zemrën fati i tij. Ai është i detyruar të bëjë jetën e miut-njeri. Të jetojë edhe jo më shumë se 9 vjet (pra, jo më shumë se në moshën 17-vjeçare) dhe pastaj t’i thotë lamtumirë asaj.

    A nuk është kjo një fatkeqësi. A nuk e trishton ky fakt zemrën e njomë të lexuesit të ndjeshëm. Përse kështu? Shkrimtari e ka në dorë lapsin dhe mund të gjinte patjetër një hepi end, një fund të lumtur, duke e kthyer në fëmijë të vërtetë Çunin.

    Por mendoj se zgjedhja e tij realizon disa qëllime.

    Së pari, atë artistik. E bën subjektin më interesant e më tërheqës me befasitë e tij. Lexuesi nuk mund ta parashikojë përfundimin e romanit.

    Së dyti, atë moral, duke transmetuar një përvojë të rëndë. Megjithëse jemi në një vepër fantastike, aty ngërthehet një problem jetësor. Autori sikur kërkon të tregojë se jeta nuk është gjithmonë fushë me lule; ngandonjëherë ajo mund të të godasë edhe me ndonjë grusht të rëndë apo “të të dhurojë” ndonjë gjemb helmues. Fati mund të tregohet kurnac i pamëshirshëm, duke të goditur rëndë, dhe të të japë një fatkëqësi të parikuperueshme. Dikush pëson një aksident, mbetet i gjymtuar për tërë jetën, dikush mund të humbasë dritën e syve, dikush dëgjimin… Atëherë si duhet të sillet ky njeri fatkeq në jetë?

    Protagonisti i këtij romani na sjell një përvojë humane. Çuni nuk kthehet në një qaraman, por e kap fatin për fyti. Nuk qaravitet për fatkeqësinë që e ka gjetur, për fizikun e tij prej miu apo për vjetët e paktë që i kanë mbetur për të jetuar, por shikon anën e mirë që ka ky transformim. Së bashku me gjyshen ai vendos të kryejnë një veprim humanitar të madh: të gjejnë folenë e grerëzave, vendet ku jetojnë shtrigat dhe t’i zhdukin ato. Ta shpëtojnë njerëzimin nga një e keqe e madhe. Të shpëtojnë fëmijët anë e mbanë rruzullit tokësor nga shtrigat kriminale. Kjo përvojë është shumë frymëzuese dhe edukative për mbarë lexuesit e njomë. 

    5.

    Kur e lexova romanin “Shtrigat”, sipas një zakoni të kahershëm, shkrova në faqen e fundit me laps mendimin tim: Autori ndoshta mund të kishte gjetur mënyrën për ta kthyer rishtazi në njeri “çunin”, personazhin kryesor të kasaj historie dhe jo “t’i jepte jetë” vetëm nëntë vjet, sa i kishin mbetur edhe gjyshes…

    Dhe, më tej, duke medituar rreth kësaj zgjidhjeje, erdha në përfundimin se Dahli e kish bërë me vetëdije të plotë këtë zgjedhje, në kundërshtim me “epi end”-in klasik dhe më lindi ideja për këtë shkrim. Po pasi e përfundova, më shkoi mendja se ndoshta mund ta gjija në internet edhe filmin e realizuar. Pas pak lundrimesh e kërkimesh, vërtet e gjeta dhe u shtrova ta shikoj me interes. Dhe më rrahu zemra, kur zgjidhja e filmit pajtohej me mendimin tim. Në skenën e fundit, një shtrigë e mirë me emrin Irvine, e kthente në djalë të vogël Lukën (me këtë emër quhej “çuni” në film)…

     Mandej, duke hulumtuar në VVikipedi përsa u përket ndryshimeve që i kishte bërë skenaristi romanit ku ishte bazuarhasa edhe në një shënim interesant: Libri nuk përfundon me një fund të gëzueshëm: djali mbetet mi në pjesën tjetër të jetës. Përkundrazi, në versionin kinematografik, zonja Irvine, një shtrigë e mirë, ndërhyn dhe kryen një akt humanitar. Kjo zgjidhje nuk u pranua kurrë nga Roald Dahli, i cili e kontestoi me forcë e në disa vende filmi përfundon më parë magjisë së shtrigës Irvine, duke e hequr fare skenën e saj…

     E pra, ky shënim vërtetonte edhe një herë se autori ishte shumë i vetëdijshëm për zgjidhjen që i kishte dhënë subjektit të tij. Ai e kishte braktisur vetë happy end-in klasik.

    6.

     Për të përforcuar tezën e shtruar në këtë studim, po sjell shkurt edhe një shembull tjetër. Në vitin 2006 u botua tek ne nga “Princi i vogël” libri “Princesha me fustan prej letre”, përkthyer nga Eleni Laperi. Për këtë vepër gazeta “New Jork Times” vlerësonte: “…është një nga librat më të mirë të shkruar ndonjëherë për fëmijë” (sipas parathënies së librit, f.2). Lexojeni dhe do të shihni që edhe ky krijim artistik për lexuesit e moshave të njoma ka një përfundim jo të gëzueshëm…

    2012

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË