Shkëlzen Halimi u lind në vitin 1961. Është diplomuar në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Fakultetin Filologjik në Shkup. Ka punuar në gazetën Flaka, Bota sot, Fakti. Aktualisht punon në gazetën Koha. Ka botuar veprat “Ujem dashurie” (poezi), “Qeshje pa zë” (poezi), “Beti blu në Bit Pazar” (poezi), “Rruga kobër” (poezi), “Lule në shkretëtirë”(poezi), “Agshol i grisur (tregime), “Vdekja e Vincentit” (tregime), “Oda e rrëfimit” (tregime), “Kthimi” (roman) etj. Shkëlzen Halimi ka shkruar edhe disa drama që janë inskenuar në Tetovë, Shkup e Kumanovë.
UDHËTARI I VONUAR
E ndjej, është aty
I fshehur pas hijes sime
Dhe zvarritet mureve plot lagështi
S’ më vjen më as zëri i largët, as kujtimi i humbur
As loti në ëndërr
Veç klithmës me jargët plot helm
Më është zbehur ëndrra për pullazin e jetës
Për një sy gjumë në truallin që s’lëkundët
Për derën që hapet krah më krah
Nëpër të cilën kalojnë lindja, vdekja,
Gëzimi, dëshpërimi
Dhe udhëtari i vonuar
BARKA
Me barkën prej letre dhe dritën e hënës
Me valët e fjetura dhe vetminë e Kruzos
Të erdha në ëndrrat e trishtuara
Tavernë e tymosur, fytyra të mërzitura
Vite të rrudhura pashë mbi supe
As hanë, as pinë, kufoma të gjalla
Dasmorë që erdhën me heshtjen muzikë
Rrugëve të qytetit pa drita, kujtime të përthara
Dhe muzgu i zymtë me korbin pullaz
Pllakëza hiri rrugëve me fanarë të fikur
Shtëpi pa dritare, dyer të gozhduara
Askund hija, lule në saksi, kambanë e shurdhër
Do të kthehem me barkën prej letre
Me dasmorët kufoma të gjalla
Pa dritën e hënës
Që do të zhytet në përrallat e dimrit
Në legjendat e ringjalljes, në njëmijë e një net pa gjumë
Mbylli sytë dhe mos u bë bukuroshe e fjetur
Mbylle dritaren para stuhive e rrëmetit
Mos kafsho kërpudhën me buzët pranverë
Ma shtro dyshekun nëse vij i rraskapitur
Nën kulmin e lodhur
Dhe më mbulo me heshtjen e vetmisë
Oh, kur të zgjohem do ta shkundi pranverën
Nga buzët plot shkrim
LEGJENDË E HARRUAR
Hije harrese ka mbuluar odën e vetmisë
Nata s’zhduket nga dritarja e vogël
As vaji i qyqes që paralajmëron stinën e vonshme
Dhe trokun e kalit të zi që hingëllon
Në legjendat e harruara
Për Doruntinën dhe Konstandinin
KAMBANË
Ja edhe kjo ditë po ik si çdo ditë tjetër
Makthi i mëngjesit mbulohet me terrin e natës
Që lëshohet para syve tanë
Më vjen pas krijesa që s’i besoj
Edhe në këtë udhëtim pa fund
Ja tek shfaqesh në formë hije
Me kambanën e vdekjes
Rrugëve të humbura
Ku heshtja vret pa mëshirë
PËRBALLË VDEKJES
Të zgjon vaji plot pikëllim
Si kënga e mërzisë pa fund
Pranë varrit të ushtarit të panjohur
Ku vasha ia miklon plagët, shembjen
Perëndimin e diellit
Dhe ditët pa mëngjese që i vijnë stinës pa emër
I kishte dalë përballë vdekjes
Dhe i kishte thënë: merrmë me gjithë botën time
Të vogël
NDARJA
Në një mëngjes të zymtë të stinës pa emër
Në Taksim të Stambollit u shkreha në vaj
Nga shakaja e fatit që lundronte grykës së Bosforit
Jashtë shiu mbulonte gjurmët
E dhembjes që kishte marrë rrugën
Të më takonte sërish në atë stinë të zymtë
kur duhej t’i dorëzohesha ndarjes