More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Ermir Nika

    Poezi nga Ermir Nika

    DRURËT

    Çdo natë shoh në ëndërr drurë të vetmuar
    me degët rëgjuar prej shirash të përkohshëm,
    indiferentë nga zhurma e pyjeve, dihasin 
    kur mbrëmjeve britmën ia mbysin trumcakët.

    Druaj se një ditë do ta humbas ligsht këtë trill,
    grishur nga retë e rënduara të dimrit polar
    drerët e dëborës, dënesin heshtur udhëve paskaj 
    larguar trisht, prehjes së gurtë prej njeriu.

    RAPSODI

    Diku nën retë e thyera, shtegtari nëmur nga erërat e djerrinës
    endis të kaluarën me shikimin djegur nga shkretimi i qytetit.
    Përherë i trandur nga dimrat dhe mëkati i parrëfyer i gruas
    këndon lavdinë e pararendësve nga perënditë tradhëtuar.
    Frymon syrgjynosur në prehjen mekur kohërave ti,
    hero i tokës, nën peshën e së shkuarës i pashpresë endesh
    me harpën këputur dhe vështrimin qiejve përhumbur,
    në këtë mot të vjeshtës, të shoh, tek çapitesh udhëve të botës.
    Ndonëse hijëzon sfilitur, si një dru i moçëm viteve krusur,
    me ngjan më madhështor, kështu, me pak verbëri ndër sy.

    DESTIN

    Pandeha se hiri përkund zjarret në Olimp, e kjo natë josh
    për pak t’i vidhemi destinit të orakujve Artemisë,
    mbi krye shquaj edhe një vjeshtë për të jetuar
    deri kur një mot, t’i falemi kurmit të tokës, qiellit.

    Friguar netëve gjurmojmë hapat e shiut
    era shpërfill fjalët, nën plusk largohet vrik
    kur perëndimi i jepet përbindshëm dritës
    me flokët shpurpurisur nën re si arlekinët.

    Një grimë hutuar udhëve rendjen humbasim
    fushës së shkundur dimrit nga dëborërat,
    nanuritur barërat na përhumbin në zbrazëtirë
    kur fillikatë në planet delirojmë zanafillën.

    Ja, skajit brejti dhe i fundit mirazh Artemisë!
    Tradhëtuar nga mjegullat tej mureve të qytetit,
    muzgjeve, ngrirë nën anën e thyer të pergamenës
    që ruan shenjtërisht në sqetull udhëtari bohem.

    FYTYRA IME

    Mbi shtrat kris e plasaritet fytyra ime,
    si afresk i nëmur po bie pjesë – pjesë,
    shpërbëhet ligsht ashtu nën rënkime
    copëtohet e thyhet si qelq mbi nënkresë.

    Nga dyert lënë hapur dimrave harruar
    shquaj mëkataren tek flatëron si shpezë,
    mbi flokët shpupurisur e shqisat rrënuar
    ulet dhembshur t’i mbledh vrik më fshesë.

    Papritur vitet rrëzohen vranët në muzg,
    mbi degët e rrahura në acar e suferi
    hapat shkujdesur humbën si Bermudë
    në parkun e braktisur ku më s’dukesh ti!

    FËMIJËT

    Andej ndihen fëmijë të lodrojnë hareshëm muzgjeve,
    shkujdesur flladet përkundin zërat, flokët e djersur
    stepave, vesa një pas një të vjetrit rrallon, netëve.

    Tutje fëmijët i këndojnë orëve mbi rrafsh, yjet
    përqeshin pse hijet matin në mbarimin e ditës
    dhe rendin bashkë me erën kur mjergullat bien.

    Si ndjekin xixëllonjat, harrojnë udhën e kthimit
    pas perdes heshtur dihas, me drojë avitem në largësi
    dhe ashtu nëpër brymë, befas njoha njërin prej tyre.

    EKLIPS

    Ah, kjo natë e gjatë shkoi përmbi stepë
    trajta e njeriut përhumb në eklips,
    përreth, asnjë gjurmë perëndie.

    KUARTETI BOHEM

    Çastit dëgjoj zërat e shiut mbi xhamat hijëzuar reve,
    trembur frymët mbyten mbi avujt e rrugës, diku
    flirti rrëzohet mbi dhomën e fshikur nga era
    mbi lëkurë lënduar ndiej gjurmët e natës së fikur.
     
    Nën qepalla harresa rishtaz shkruan vetveten,
    dhe flokët shpërbërjen hedhin mbi nënkresë,
    ashtu si degët e shelgut që na fshinte dikur
    nga zbrazëtia e një vjeshte ende të pajetuar.

    Në një tjetër stinë qelqet e thyera s’prapsin largimin,
    helikën e këputur të avionit në qiej haluçinant,
    pritja ngrin mbi heshtjen e mermerëve të vdekur,
    kur mbi ne, trandur do të zhurmojnë gjurmët e botës.

    GURI I TROJANIT

    Kur skalionet e fundmë lanë pas qytetin e shkretuar,
    flakët mëkojnë vështrimet, kujtesën shenjuar mureve
    stërkala gjaku dremitin tradhëtisht shpinës së prijësit,
    të fundmit trojanë tirren të rrokin një tjetër perëndim.

    Humbës lundron nëpër lumenjtë, fushat e lëna djerrë,
    përkulet dhembur mbi varret e të parëve hijëzuar reve
    kalëroi në delir ditëve të fëmijërisë, krehur lëndinash
    ngazëllyer mbi trokun mërmëritës që prin të panjohurën.

    Gjurmët hedhur bujtinash, përkundet e shtiret me kurtizanet,
    ndërmend kotur platenë e braktisur, dhomën e nderë të senatit,
    tutje shembur, ndali kreshtës së fshikur nga erërat e lindjes
    mandej pushoi mbi një plis të pashkelur, plogëtisht i dënesur.

    Hukat lirës himnin e të rënëve fushëbetejave, flijuar motit
    kurmin mbështet mbi gurin e ftohur ligsht prej dimrash,
    dhe nën një flatër të brejtur shpiponje endur lartësive
    me kamën rrahur shkëmbinjve, heshtur krijoi një Trojë!

    PSALM PER GRUAN

    Nuk druhem kur një grimë parafytyroj heshtur
    çastin kur Zoti të rinisë rishtas dishepujt ndër njerëz,
    të predikojnë në rrugëtimin tokës një tjetër Dhjatë,
    ku gruaja të lutet sërish me përgjërim
    për Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë!

    DJALOSHI I VEÇUAR

    Diku tej mbi rrafsh pikas një çun të vogël
    tek dënes strukur nën strehët vjeshtës,
    timbre të mekura tirren ashtu nëpër degë,
    deri kur erërat shtyhen ndër të tjera vise.

    Përtej një siluetë humbet disi në qiej të krisur,
    notat e ujrave si një sinfoni pastorale rrëzohen,
    zëri i djaloshit ngrihet mbrëmjes mbi arkipelag
    dhe ashtu si rastësisht, tremb shirat e botës.

    FUNDIT

    Dhe në fund mbi botën do të zbresë sërish perëndimi
    kur britmat e të humburve të shuhen bashkë me dritën,
    pluhurit, të shfaqet si rastësisht lahutari i nëmur me art!

    Prehur nën mugëtirë i fundit luftëtar deliron udhëve,
    breron shpërfillës përmes mbretërisë së ngrirë ku ndal
    përjetësisht mbi kryqin që farkëtoi drithmën dhe fjalën!

    S’di pse qytetin hijerëndë e kundron rishtaz një kalorës,
    rasash njerëzit rendin, e në padije nëpërkëmbin kujtesën
    kur fshehur barkut të kalit ndër shekuj dremit tradhëtia!

    Joshur të prekë në dihatje muret dhe largimin e gruas,
    mohuar nga perënditë lundron bezdisur yjeve, deri kur
    skajit të epërm të rreshtë frymën e t’i falet nënshtrimit!

    Puhitë po tranden hënës së shuar, pyllit rënë në pendesë,
    lutjet mërmëritur ndjellin grahmat e kohës nderur në lirën,
    rënkuar për heronj dhe tempujt e Trojës tek bie në
    amëshim.

    Cikël nga vëllimi poetik “Kuarteti bohem”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË