More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Akri Çipa

    Poezi nga Akri Çipa

    Rënia e pikës së parë

    Na mbulon një humbëtirë mendimesh,
    A thua se nuk ka të dytë,
    Një mosbesim që lind papritmas,
    Na pulit sytë.

    Një mosbesim na qesh pareshtur,
    Pacipërisht, me ligësi,
    Në qiej endemi pa atdhe,
    Se aty ka hapësirë, por jo kufi.

    Butësisht afrohemi me natyrën,
    Por me të nuk njësohemi dot,
    Si erë shkundemi, si pendul,
    Një pendul që lavjerret kot.

    Me monotoninë pimë shpesh kafe,
    Shoqërisht, pa tjetër njeri,
    Si gjethe zverdhen ëndrrat tona,
    Si gjethja e vjetër e vjeshtës.

    Zemra kërcen ritmikisht, pa ndaluar,
    Profesionalisht, si një kërcimtar,
    Në qiellin e një bote me shi,
    Kumbon rënia e pikës së parë.

    Sentencë lamtumire

    Pelerinën e njëri-tjetrit hodhëm krahëve,
    Shkëmbyem aromën që kishim në shtrat,
    Do endemi labirinteve të botës,
    Ndoshta nuk takohemi më, ta dish.

    Tani që e thashë këtë sentencë,
    Dielli le të fshihet dhe furtuna të fillojë,
    Nuk ka rëndësi drita,
    Kur nata nuk mbaron.

    Ndërrojmë pelerinën, në fund të fundit është lëkurë,
    Kemi mësuar lëkurat t’i ndryshojmë çdo vit,
    Legjendat e moçme ua veshën gjarpërinjve,
    Por është i yni ky rit.

    Karrocat kalojnë, mesjeta ja ku është,
    Kont nuk jam, që me pajton të të marr,
    Nëse në tjetër kontinent do jesh,
    Mos u mërzit nëse vij thjesht me aeroplan.

    Shiu le të pushojë, furtuna të shkojë,
    Nuk e dua shumë diellin, por më pak akoma
    Dua një tjetër përmbytje biblike,
    Tashmë nuk do ndërtonim varkë, por anije kozmike.

    Ndonjëherë na mërzitet kjo tokë, kjo është e vërtetë,
    Por të iki, nuk dua, nga ky planet,
    Më e lehtë është të të kërkoj në shtatë kontinente,
    Sesa në galaksi mijëra vite dritë larg.

    Do endemi labirinteve të botës,
    Ndoshta nuk do takohemi më, ta dish,
    Por shpresoj të të gjej, përkundër premisave,
    Që sentencën…ta bëjmë hiç.

    Në tentativë dashurie

    Unë rri nga njëra anë e botës.

    Munguan përkëdheljet, truporet dhe fjaloret,
    Nuk njohëm puthjen, ushqimin e dashurisë,
    Nuk folëm kur rrugëve kalonim shkëmbyerazi,
    Çfarë tjetër mund të lindte nga kjo, veç mërisë?

    Ti po nga kjo anë, por na ndan një mur.

    Shikojmë njëri-tjetrin në distancë,
    Menefregist mbeti ky syri ynë,
    Çelësat e shpirtit nuk i kemi,
    Dot në shpirt të tjetrit nuk hyjmë.

    Titulli i historisë sonë do jetë:
    Historia e asaj që nuk ishte kurrë.

    Fernando Pessoas

    Labirinte borgesiane jashtë për sytë,
    Labirinte të errët brenda,
    Në mure personazhesh të shumëfishtë,
    Ndryshon entiteti, jo lënda.

    Ca vargje lexoj qetësisht,
    Të gjej dhe të humbas sërish.

    Në buzë lumenjsh iberikë,
    Nuk qasesh, nuk të takojnë,
    Pasqyrimet alternohen rregullisht,
    Me rrymën shkojnë.

    Pak gjë një emër tregon,
    Por shumë mund të thotë një emër,
    Univers apokrif.

    Një emër,
    Trinitet i fituar dhe i humbur sërish,
    Betejë mëvetësish.

    Në bibliotekë

    Revistat i grisëm për hir të konsumerizmit
    Dhe fletët e librave i çngjyrosëm
    Momentin për të lexuar nuk e patëm
    Se nuk e donim
    Momente patëm plot.
    E mira e ditëve të sotme
    Është që kemi shumë kohë për veten
    Por shumë pak kohë për të lexuar.

    Vdekja e gruas së bukur

    Një grua e bukur vdiq sonte.
    Një fytyrë më pak
    Një shpirt më pak
    Më pak puthje këtë natë
    Mëngjese më të vetmuar
    Në kafene vetmi gjithashtu
    Një kliente më pak
    Një vajzë më pak
    Një dashnore më pak
    Për disa, një kurvë më pak.

    Një grua e bukur vdiq sonte
    Një poezi më shumë.

    Ditënatë në Himarë

    Valët pleksen me mendimet e mia.

    Shkuma e ditëve shpërbëhet në eter,
    Syri hepon horizontin e pamatë,
    Koha është e pasur në vetvete,
    Kohëqënia, një pulitje sysh.

    Dielli pasqyrohet në sipërfaqen e detit,
    Larg në qiell, zogjtë buzagazen me ne,
    Në Tiranën e murtë, grija të rrethon,
    Me detin vetmia nuk është më e ve.

    Shkumëzimi i puthjes së detit me malin,
    Na përthith në breroren e çplodhjes,
    Duk notuar në ujin jonian,
    Përhumbim në vetveten e shkuar.

    Pash më pash, përplasje pas përplasjesh,
    Ngjyra joniane nxihet më keq,
    Notoj në ujërat ekzotike të detit,
    Sikur notoj në ëndrrat e mia, për dreq.

    Harku i qiellit përshkohet ngadalë,
    Shkëmbinjtë përflaken nën diell,
    I bukur është perëndimi në Himarë,
    Më të bukura retë e harruara në qiell.

    Përhumbshëm shikojmë detin tej,
    Sytë humbën në satelitin e hënës,
    Më bukur do ishte të dukeshin,
    Ëndrrat, satelitët e mendjes.

    Errësirë, errësirë, errësirë,
    Përplasje, pas përplasjesh në det,
    Në vijën e fshehur të horizontit,
    Humbasim si shikimet, për dreq.

    Vetmia nuk është më e ve.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË