More
    KreuLetërsiShënime mbi libraPoetika e romanit "Nomeja e largët" në raport me metodën e realizmit...

    Poetika e romanit “Nomeja e largët” në raport me metodën e realizmit socialist

    nga Enton Bido

    Në parantezë një pasqyrë e vëllimeve me tregime dhe novela botuar në gjallje të Faik Ballancës:

     Rrëmbimi  – 1970

    Mbasdite të lagura – 1971

    Katër orë larg shtëpisë, I fundit, Shtigje me helm – 1972

    Pritësit e rrufeve – 1975

    Tregime të zgjedhura – 1976

    Nomeja e largët e autorit Faik Ballanca ëshë botuar si roman në 1989 nga SHB ´´Naim Frashëri´´ por është shkruar në 1976 dhe dërguar për botim një vit më vonë. Është kthyer dy herë sepse etiketohej me ndikime moderne. Fillimisht është punuar si novelë me titullin Katër orë larg shtëpisë. Kritika e kohës e fajësonte novelën për mungesë konflikti.1 

     Në parantezë një fakt jashtëletrar : romani u çua për botim në vitin 1975, pra dy vjet pasi censura qe ashpërsuar pas mbajtjes së Plenumit të 4-t të PPSh për letërsinë dhe artet dhe fjalës që Enver Hoxha mbajti aty. Ndërsa novela “Katër orë larg shtëpisë” është botuar përpara mbajtjes së këtij plenumi, më 1972, kur ende vazhdonte fryma e “liberalizmit” në letërsi dhe arte.

    Bendoja është një ushtar i huaj, i mbetur në Shqipëri nga lufta e dytë botërore. Është beqar dhe dëshiron të martohet, por ka humbur kujtesën.

    Romani, në dallim nga novela, është i ndarë në dy pjesë: 1. Re në sytë e një adoleshenti dhe 2.Enigma zgjidhet pa bujë. Ka një ndërkallje të herëpashershme futur mes kapitujve titulluar Secili tregon historinë e vet krye që shton zërat në vepër duke u vënë në efekt të polifonisë së romanit.

    Personazhi i Bendos apo i Bardhës nuk mund të klasifikohen si personazhe tipike të realizmit socialist. Ata nuk dallohen as për partishmëri, as për heroizëm. Tek Bendoja nuk shohim njeriun e ri të brumosur me idealet e larta të socializmit dhe mësimet e doktrinës partiake. Bendoja është një personazh atipik, i cili i përvidhet kornizave, nomeve të metodës zyrtare. Zhbirimet dhe analizat psikologjike që i bën autori janë në mos të huaja, të paparapëlqyera, të papërshtatshme për metodën në fjalë. Heroit socrealist thuajse i ndalohet të ketë brenga, mëdyshje, trishtim, pra luhatje të forta emocionale. Ai ose ajo duhet të ketë moral të lartë revolucionar dhe papërkulshmëri në çdo situatë jetësore, të mos bjerë në pesimizëm apo dëshpërim. Optimizmi i pandryshuar duhet ta dallojë në çdo mendim e veprim. Ai/ajo duket të ketë qëndrim klasor të përcaktuar qartë, të jetë pa mëdyshje zëdhënës i proletariatit ose fshatarësisë kooperativiste. Bendoja dhe zëra të tjerë në roman nuk karakterizohen nga këto tipare. Përkundrazi, ata qëndrojnë në anën tjetër të kësaj barrikade… Bendoja është një personazh,  i cili trajtohet së brendshmi dhe jo së jashtmi. Ndoshta edhe vënia në qendër e një personazhi me kujtesë të humbur është bërë enkas nga romancieri për të pasur dorë më të lirë dhe për tˇiu larguar skematizmit dhe dogmës zyrtare të realizmit socialist.

    Romani ka ndikime ekzistencialiste, por në tërësi nuk jemi të mendimit se mund ta përkufizojmë si vepër ekzistencialiste, siç është shprehur ndonjë studiues në ditët e sotme2.

    Faik Ballanca në këtë vepër nuk pasqyron besnikërisht realitetin dhe të vërtetën dialektike, që e parashtronin si kusht parësor që në krye të herës estetika e realizmit socialist. Ai në shpërfaqjen e rrëfimit ruan një lloj misteri gjë që dallohet edhe në tregime  tij. Kjo ˇfshehjeˇ , ky mister e shoqëron deri në fund edhe fatin vetjak të Bendos. Gjithashtu autori tregon një forcë të madhe njohëse rreth botës dhe historisë, Lufta e 2-të Botërore, lufta italo-greke, njohje të botës baritore, e sidomos e parapëlqyera e tij, bota e brendshme, kujtimet, ndjenjat, emocionet, shpresat dhe brengat që shpesh shfaqen në formën e monologut të brendshëm

    Është shkrimtar i mirëfilltë që vë parimin estetik para atij ideologjik. Kjo duhet nënvizuar, pasi është shumë e rëndësishme.

    Realizmi socialist e ka si veçori teprimin, ekzagjerimin e bëmave të njeriut të ri, gjegjësisht heroit pozitiv

    Te Ballanca ligjërimi nuk është i ngurtë, por i çlirët, i zhvdërvjellët dhe me ngjyrime stilistikore të spikatura.

    Te Realizmi Socialist si metodë kemi tri rrafshe epistemologjikë:

    1. Paraqitjen e personazheve,

    2. marrëdhëniet me realitetin

    3.aspektin formal-rrëfimtar.

      Mendimet dhe veprimet e Bendos nuk janë rezultat i direktivave që pushteti politik i imponon masës së njerëzve, nuk kemi të bëjmë me identitet artificial të njeriut të ri, himnizim të tij.. Mund të themi se autori u është shmangur me sa ka mundur skematizmit dhe klisheve. Pra, ka arritur të jetë origjinal, pa iu bindur ose pa ndjekur estetikisht parimet-bazë të metodës zyrtare.

    Madje mund të themi se te Nomeja e largët mungon heroi negativ. Ky ka qenë një nga kushtet e domosdoshme të realizmit socialist. Mungesa e përplasjes, e kundërvënies hero pozitiv – hero negativ, ku, thuajse gjithmonë fiton pozitivi, heroi i papërkulur me tiparet e njeriut të ri socialist, përbën një vlerë të veprës dhe është njëri nga aspektet që çon ujë në vërtetimin e tezës sonë se nuk kemi të bëjmë me një roman të realizmit socialist.

       Tipizmi dhe trajtimi i personalitetit të Bendos nuk i ngjan personazheve të tillë arketipalë të realizmit socialist shqiptar si Stavri Lara i romanit “Këneta” – Fatmir Gjata, apo Din Hyka të “Përësëri në këmbë” i Dhimitër Xhuvanit.

    Nuk hasim në roman deklarime ideologjike apo vetje vepruese me partishmëri të lartë dhe bindje të theksuara ideologjike. Kemi të bëjmë me një roman pothuajse jopolitik. Kjo ndodh pasi kryesor për këtë shkrimtar është humanzimi, jeta dhe fati i njeriut me uljet e ngritjet e veta, pa u përpjekur të idealizojë, siç bën letërsia konformiste e kohës. Nuk gjejmë në të as rolin e masave në ndërtimin e socializmit, as luftën kundër kultit të individit apo rolin udhëheqës të Partisë, kanone –bazë të realizmit socialist (megjithëse është quajtur edhe romantizëm socialist, neoromantizëm, etj). Edhe ai pak vend ku trajtohet lufta te digresionet e kreut Gjithsecili tregon një histori apo në kreun e fundit, në kreun përmbyllës të romanit, rrëfimi nuk është emfatik dhe hiperbolizues i bëmave të tyre. Dhe luftëtarët përshkruhen me tone realiste.

    Rrëfimi në roman është i shtrirë dhe fjalitë përgjithësisht të shkurtëra dhe të kursyera, përshkrimet dhe sfondi në rrëfim janë lirike dhe herë-herë me nota natyraliste, çka e favorizon edhe mjedisi baritor. Fryma e veprës, narrativa e saj anojnë kah subjektivja më tepër se nga objektivja, gjë që bie ndesh me metodën e realizmit socialist dhe filozofinë e materializmit dialektik marksist që objektivitetin e ka tiparin më të rëndësishëm, gati të shenjtë. Megjithëse historia e rrëfyer vendoset në fshat, ajo gati nuk përfshin fare përbërës nga jeta e fshatarësisë kooperativiste apo, thënë ndryshe, jeta e lumtur në fshatin socialist.

    Kemi një përplasje të fshehur mes Bardhës dhe Bendos, por nuk mund të quhet konflikt. Ky ishte dhe argumenti kryesor që parashtroi censura për mospranimin e botimit të romanit.

    Në mospranimin e fshatarëve për t´i dhënë Bendos nuse nga fshati i tyre kemi elemente të ksenofobisë duke qenë se ai është i huaj dhe nuk i dihet origjina, është rrënjëdalë siç shprehen ata.

    Mendojmë se edhe romani është në vazhdën e origjinalitetit dhe antikonformizmit të tregimeve dhe novelave të shkruara më herët. Guximi në trajtimin e temave të ndaluara apo të papëlqyera , tabu për kohën si shtatzania para martese e motrës dhe qëndrimi i vëllezërve tek tregimi Motra, çka është tregues antikonformizmi dhe lirie të mendimit dhe të krijimit të Ballancës.

    Vlen për tˇu nënvizuar leksiku i pasur, dialektizma, krahinorizma, aktivizon fjalor pasiv.: nome, bythopingë, feks, lera, shark, kreks, jatak leksik I lidhur me blegtorinë dhe bujqësinë.

    Si përfundim mund të themi se Nomeja e largët e largët është një roman realist me filozofi ekzistencialiste. Veçoritë e poetikës së tij nuk përkojnë me atë të metodës së realizmit socialist. Prozatori Faik Ballanca me këtë vepër, qoftë me cilësitë imanente të rrëfimit,  me jopolitizmin apo psikologjizmin përbën një përjashtim, por që bashkë me pak vepra të tjera të shkruara dhe pjesërisht të botuara në periudhën në studim,  përbëjnë shmangie nga kanoni socrealist dhe shfaqin një prirje të caktuar, por që gjithsesi mbeti e veçuar, e izoluar për shkak të refuzimit të censurës, heshtjes, apo interpetimit ideologjik të kritikës zyrtare të kohës. Studiuesve të sotëm të letërsisë u mbetet riinterpretimi i këtyre teksteve dhe autorëve me parametrat e kritikës bashkëkohore letrare dhe rivlerësimi i vendit që ato zënë në historinë e letërsisë shqiptare të periudhës 1945 – 1990.

    Referenca :

    Dilaver Dilaveri: Tri novela të Faik Ballancës.  – Nëntori,1973/ 8, f.99

    Vasil Premçi : Mbi prozën tregimtare të Faik Ballancës. – Milosao, Gazeta shqiptare, 25.12.2015, f.19

    Spiro Gjoni : Faik Ballanca – paradigmat e një krijimtarie. – Tiranë, Botimet Albanologjike, 2016

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË