More
    KreuLetërsiBibliotekëPoetë botërorë

    Poetë botërorë

    në shqip nga Arben Bllaci


    Walt WHITMAN
    1819 – 1892

    KAPITENI IM

    Kapiten!
    O kapiteni im! Udhëtimin e frikshëm e mbaruam,
    Mes dallgësh e stuhish, çfarë deshëm e fituam.
    Në port s’përmbahet turma, kambanash qielli gjëmon
    Tek shohin zemërngrirë anijen që zymton.
    Por, o zemër, zemër, zemër,
    O sumbulla të kuqe gjaku!
    Kuvertës shtrirë kapiteni im,
    I vdekur, ftohur, bërë akull…

    Ah, mor kapiten! Ngrehu, dëgjo kambanat,
    Për ty valojnë flamujt, ngado gjëmojnë boritë.
    Në brigje të pret turma, me lule, me kurora,
    Oqeani njerëzor vërshon e s’t’i ndan sytë.
    Kapiteni, baba i shtrenjtë,
    Më kryet vënë krahut tim të zgjatur.
    Oh, ç’ëndërr! Ti dergjesh mbi kuvertë
    I vdekur, ftohur, bërë akull…

    I flas e s’bëzan kapiteni, meit e krejt i ngrirë,
    Krahun nuk ma ndjen, pa jetë e pa dëshirë…
    Shëndoshë e mirë anija në brigje ka arritur,
    Misionin ne e kryem me nder e faqendritur!
    Bini, o kambana! Brigje, ngazëlleni
    Unë i përzishëm nxij si shakull,
    Endem kuvertës ku shtrihet kapiteni
    I vdekur, ftohur, bërë akull…


    Giovanni PASCOLI
    1855 – 1912

    LISI I RARË

    Ku hapej hije e tij, tani shtrihet i vdekur,
    Në paqe, më s’do ndeshet me erën, me stuhitë,
    Themi tek e shohim: “Me ç’qiej qe përpjekur!”

    Aty – këtu kurorës i varen aq përzishëm
    Folezat e pranverës të thara si meitë.
    E shohim dhe themi: “Oh, ç’shpirt i madhërishëm!”

    E mburrim, e bëjmë ashra… Ylli e ndriçon,
    Sekush e bën një barrë nga të tijat drurë,
    Një bilbil në qiell vjen rrotull e vajton

    Për folenë e vet që s’do ta gjejë më kurrë…


    William BLAKE
    1757 – 1827

    ***

    Kurrë mos e shpallni dashurinë
    Nëse është s’ka nevojë të thuhet.
    Ashtu siç është dhe endet lehtë-lehtë
    Flladi që as ndihet e as duket…

    Unë i thashë, i thashë sa e desha
    Ia hapa zemrën time fletë – fletë.
    Dhe pashë sesi u drodh e u bë akull
    Si shkoi e trembur e më la të shkretë.

    E pak pasi më la mua të mjerë
    E poqi udha me një shtegëtar.
    Ashtu pa dukur fare, pa u ndjerë,
    Pa një pa dy, ai e kish përlarë…


    Robert BERNS
    1759 – 1796 

    TRËNDAFIL I KUQ

    Oh, dashuria ime, trëndafil i kuq
    që në qershor zë lulëzon me ëndje!
    Dashuri e bukur, e brishtë si burbuq,
    melodi që tingull bën në mëndje.

    E dëlirë krejt, o mikja ime e bukur,
    me ty jam kok’ e këmbë në dashuri!
    Pa fund do të të dua, lulja ime, flutur
    dhe në u bëfshin detet shkrumb e hi!

    Gjersa mos mbetet det pa mbetur shkretë
    dhe asnjë shkëmb me diellin pa shkrirë,
    do të të dua këtu e n’atë jetë,
    do feksëtij shkëmbejve shkulm i ngrirë!

    Pra, lamtumirë, o dashuri pa shoqe!
    po shkoj e mall e brengë po marr me vete.
    Do të më grishë që larg aroma jote,
    do vij dhe në u dashtë të kaptoj dete…


    Gabriele D’ANNUNZIO
    1863 – 1938

    SHI…

    Bie shi
    shtrydhen retë e hapërdara,
    mbi mëllagat e njelmëta,
    të përzhitura,
    mbi pishat boçendehura,
    mbi boronicat hyjnore,
    mbi zjarrin e lulimit të gjineshtrave,
    mbi dëllinjat bymyer
    nga mirësi e përkëdheljes…
    Bie shi!

    Bie shi
    mbi fytyrat tona si mbi pyje,
    mbi krahët tanë të zhveshur,
    mbi petkat tona të petalta,
    mbi mendimet e ajërta
    që shpirti lajmëron,
    mbi përrallën e bukur
    që dje ty të gënjeu,
    që sot mua më gënjen
    bie shi,
    Ermionë!…


    Octavio PAZ
    1914 – 1998

    ERË, UJËRA, GURË

    Ujërat gërryejnë gurë,
    era fryn e ngre ujërat,
    gurët stoikë i rrinë erës.
    Ujëra, erë, gurë…

    Era gdhend gurët,
    gurë – kupë për ujëra,
    ujërat ngrihen me erën.
    Gurë, erë, ujëra…

    Era fryn – shfryn e këndon,
    ujërat mërmërijnë tek rrjedhin,
    gurët heshtin si gur.
    Erë, ujëra, gurë…

    Të njëri – tjetrit janë e nuk janë
    një është, nuk janë të tjerë;
    kotësisë enden e treten.
    Ujëra, gurë, erë…


    Guillaume APOLINER 
    1880 – 1918

    ***

    Dashuria në krahë ta la frymën e mekur,
    Kujtimi gozhdë në tru të rri mbërthyer.
    Përsëfundi ja, po të fanitet e vdekur,
    Erdhi meit të të përqafojë përdëllyer.

    Mbetur shkretisë një tjetër pranverë,
    Kujtimesh të ëmbla, ikjeve shkretë.
    Lamtumirë stinë që vej e vini ngaherë,
    Më i ëmbël kthimi do të jetë!


    Rupi KAUR

    Nuk jemi më të lumtur, as të qetë,
    po prapë nuk heq dorë asnjeri.
    Vazhdojmë në heshtje hamë njëri – tjetrin
    dhe mizorinë ta quajmë… dashuri!


    SERGEI ESENIN 
    1895 – 1925

    ***

    Përpara se kambana të bjerë për gjëmë
    ti hajde e zgjomë nga gjumi, o Mëmë!

    Kur ty edhe botës t’u kem lënë shëndet
    do takoj vëllanë që përjashta më pret…

    Era n’ëndërr ia ngrinte pallton në prag,
    Engjëlloren fytyrë kish fshehur nën jakë.

    Në këmbë të priste atje, në dëborë,
    pluhur tetori duke shkundur me dorë!

    Po dal… Vëllai me vete do më marrë,
    ndoshta gjejmë kocka të hënës së vrarë.

    Tok të ngarendim rrugë e pa rrugë,
    përkrah njëri-tjetrit në agim e në muzg…

    Mëmë, nesër zgjomë pa aguar,
    flak’ e kandiles ende pa u shuar.

    E nëse të thonë: Poet qe yt bir,
    shuaj kandilen, bëj kryqin më mirë…!


    Pablo NERUDA
    1904 – 1973

    ***

    Sa më pëlqen kur hesht si e paqenë,
    kur s’më dëgjon, po ma ndjen zërin që tutje.
    Duket sikur sytë – çift zogjsh fluturojnë,
    duket sikur të ka mbyllur gojën një puthje…

    Më pëlqen kur hesht, kur je si e largët,
    kur bën sikur ankohesh – flutur në pezhishkë.
    Më ndjen që tej dhe pse s’ma arrin zërin,
    në qetësinë tënde më lë të hesht me frikë…

    Me lër ta bëj gjuhë heshtjen tënde
    të qartë si llambë, si unazë të thjeshtë.
    Je si natë pa zëra, qiell me yje shkruar,
    lërmë me qetësinë tënde të hesht.

    Sa më pëlqen kur ndihesh si e paqenë,
    e largët, e dhembshme, si ikur nga kjo jetë.
    Atëherë mjafton një fjalë, një buzëqeshje
    të lumturohem që kjo s’është e vërtetë…


    Xhon KITS
    1795 – 1821

    PSE QESHA

    Pse qesha sonte? S’dëgjoj që të më flasë,
    As zoti e as djalli që fare s’ta përton.
    Nuk pres që të bëzajë as ferr e as parajsë,
    Po zemra prej njeriu, ajo ndoshta tregon;

    Pse veç, pse trishtë, zemër, as ti s’ma thua dot?
    O dhimbje që më vdes, më thuaj psenë tënde!
    Dhe ferri, dhe parajsa heshtin si të kotë,
    O natë e o terr, po s’fole do të çmëndem!

    As tokë e as qiell pse qesha s’thonë gjë,
    Ëndërroj pa fre, me ngazëllim të marrësh.
    Të prehem këtë natë unë mund megjithatë,
    Flamurë lecka-lecka t’i shoh ëndrrat gjithfarësh.

    Vargje e famë e hire kjo jetë i ka tundim,
    Por vdekje e papërmbajtur është më i larti çmim!


    Konstantinos P. KAVAFIS 
    1863 – 1933

    MURET

    Pa menduar, pa turp, pa iu dhimbsur
    Ngritën mure, më mbyllën në rrethim.
    Dergjem tani rob këtu gremisur
    Dhe truri rri e bluan fatin tim.

    Tek rropatesha të bëja shumë gjëra
    Ata ngrinin mure e unë nuk i pashë.
    S’dëgjova zhurma ustallarësh, zëra,
    Si më përzunë nga bota, më lanë jashtë…!


    Federico García LORCA
    1898 – 1936

    SONET

    Kam frikë mos ndoshta ikën e më lë
    Magjia e syrit tënd prej monumentësh.
    Dhe faqeve se mos nuk do ta ndjej më
    Frymën – trëndafil fillikat mes netësh.

    Kërcu në këtë breg dhimbja më këput,
    M’e thella breng’ që shpirti mund të ndjejë;
    Jam shkret’, pa degë, pa lule, pa një frut,
    Pa dhé, që krimbn’ e dhimbjes ta ushqejë.

    Po ishe ti vërtet thesari që s’shoh dot,
    Kryqi im, dhimbja që s’ka të shëruar.
    Po isha unë qeni që ngordh për tënzot,

    Mos lër t’i humb të gjitha ç’kam fituar.
    Stolise lumin tënd qetësiplotë
    Me gjethet e vjeshtës sime të trishtuar…


    Edgar Allan POE
    1809 – 1849

    ANNABEL LI

    Shumë vite e mote të shkuar
    Buzë detit qe një mbretëri.
    Jetoi atje një vajzë, ndoshta e dini,
    E quanin Anabel Li.
    Vetëm një mëndim kishte në kokë;
    Si të ishim tok në dashuri.

    Fëmijë unë, ajo dhe më fëmijë
    Buzë deti në atë mbretëri.
    Më shumë se dashuri qe dashuria
    Ime dhe e Anabel Li.
    Po ç’e do, engjëjt krahëqiellt
    Na ishin ziliqarë e smirëzi,

    Sa ende pa e mbushur vitin,
    Buzë detit, te kjo mbretëri
    Stuhi nga retë derdhën e ma mardhën
    Të bukurën Anabel Li.
    Të afërmit e saj erdhën, ma morën
    Dhe kurrë më s’e panë sytë e mi
    Thellë atij varri ku po prehet,
    Në mbretërinë me detin përbri.

    Sa ne të lumtur engjëj s’kish parajsa,
    Që lartë na shikonin plot zili.
    Dhe prandaj, siç e di kushdo
    Në mbretërinë me detin përbri,
    Një natë nga retë shfrynë suferinë,
    Ma ngrinë, ma vranë Anabel Li.

    S’qe dashuri si gjithë dashuritë;
    Ajo e pjekur, ne fëmijë pa faj,
    Ku mendja jonë, ku mençuri e saj…
    As engjëjt që lart, nga kaltërsitë,
    As djajtë nga të zezat thellësi
    S’mund të ma shqisin kurrë shpirtin
    Nga shpirti i Anabel Li!

    S’feks kurrë hëna pa ma prurë ëndërr
    Të bukurën Anabel Li.
    Veniten yjet, shoh si shndrijnë sytë
    E të bukurës Anabel Li.
    Dhe kështu e shtyj natën e nxirë,
    Pranë të shtrenjtës sime dergjur shtrirë
    Ndanë varrit të saj atje, në breg,
    Ku deti shfryn e valët i përpjek…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË