More
    KreuLetërsiBibliotekë"Po sikur të kem qenë spiun?", tregim nga Stefan Çapaliku

    “Po sikur të kem qenë spiun?”, tregim nga Stefan Çapaliku

    Dukej si një ditë e zakontë. Lëvizje të njohura, të ngathta. As ftohtë dhe as ngrohtë. Një ditë, kur dimri s’ka ikë dhe pranvera s’ka ardhë. Kisha nevojë për pak diell, sa me të ngrohë kurrizin dhe për pak hije sa me të fresku kokën. Shkurt, një ditë e përsosur për ta çu dëm.

    Kështu ka qenë ajo ditë e këtij fillim marsi kur mësova se, për të aplikuar në atë vend pune, duhej të paisesha veç tjerash edhe me një vertetim se nuk kisha qenë bashkëpuntor i sigurimit të shtetit.

    Se çka më duhej edhe mua ajo punë, hajde mere vesh?! Boll mirë isha këtu në kateder, ku kam një jetë që punoj.

    Mirëpo, ja. Kisha në dorë aplikimin, që sapo e kisha shkarkuar nga interneti, kur u ula në një kafene, diku përkundruall ndërtesës së Autoritetit të Dosjeve. Ky institucion qe ndërtuar tani vonë, domethënë shumë kohë më mbrapa sesa të rrëzohej sistemi. E thënë ndryshe, që ndërtuar tani, që thuajse nuk i duhej askujt, përveç meje apo ndonjë kuriozi tjetër, që donte të dinte nëse kishte qenë ndonjëherë ndën përgjim. Mund t’i duhej edhe ndonjë historiani, që kujdesej individualisht për restaurimin e kujtesës kolektive.

    Përndryshe viktimat e komunizmit kishin vdekë ose ishin në të vdekur, të paktën prej kësaj pandemisë së fundit. Xhelatët gjithashtu po rënkonin në të veten. Pra historia po pastronte vetveten si ky kamarieri, që po dëlirte tavolinën, ku kishin pirë kafe disa të tjerë para meje.

    Kamarierit, një djali me puçra, i kërkova një kafe dhe një stilopals, sepse formulari duhej plotësuar me dorë.

    Megjithëse në kafene s’ishte pothuajse askush, unë i ktheva shpinën të vetmit klient të ulur diku nga fundi i lokalit, që dukej se priste dikë. M’u duk se kur kamarieri solli kafen, qe më i shkurtër se më parë. S’di pse mu duk se ai i hodhi një sy edhe letrave, që sapo kisha vënë mbi tavolinë. Interesant. Njerëzit, sado analfabet të jenë, prapëseprapë mbeten kuriozë. Aty anash filxhanit qe një copë pusull, që ia sillnin të gjithë klientëve. E hapa edhe unë. Zakon dreqi ky, të lexoj gjithçka. Te pusulla ime qe shkruar “Kush vrapon pas së vertetës nuk lodhet kurrë.”

    Kur isha në Pragë, si student pasuniversitar më 1993, dëgjoheshin gjithfarë lajmesh, për njerëz që thërrisnin me të madhe nëpër kishat e Çekisë se kishin qenë spijunë. Kjo ndodhte kryesisht të dielave dhe më së shumti në kishat e fshatrave dhe qytezave periferike. Aso kohe shihej qartë se po ndodhte një katarsis kolektiv. Ata gjenin vendin më të përshtatshëm për t’u rrëfyer dhe për të kërkuar falje në sy të gjithëve. Kishte prej atyre që kërkonin edhe ndëshkim.

    Ndërkaq shkrova emrin me germa kapitale: STEFAN ÇAPALIKU. Atësia LAZER. Amësia ELEFTERIA. Ditëlindja: 10. 03. 1965.   

    Kurse në vendin tim në Shqipëri, aso kohe pata marrë vesh se presidenti pat deklaruar se ne qenkërshim të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor. Mua më dukej se ky qe një sinjal i qartë për t’i bërë me dije gjithë xhelatëve, se nuk ishte nevoja të prishnin qetësinë publike nëpër kisha dhe xhamia, si në Çeki, por të rrinin rehat nëpër shtëpitë e veta, se askush s’kishte për t’i ngacmuar.

    Më poshtë vinin me radhë disa opsione që duheshin të klikoheshin, të tipit, arsyeja e paraqitjes së kërkesës për informim mbi dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit: “Për të qartësuar fatin e të vdekurve a të zhdukurve”, “Për të vertetuar se nuk keni qenë bashkpunëtor”, “Për t’u informuar nëse keni qenë ndonjëherë i survejuar”

    Fillimisht mendova të klikoj vetëm mbi pikën e dytë se nuk kam qenë bashkëpuntor, por mandej thashë se s’kishte me qenë keq me marrë vesh edhe nëse kam qenë në survejim. Dikur, sidomos kur qeshë student, kam pas llapur pak si shumë.

    Erdhi prapë kamarieri dhe më tha se kafen e kisha prej atij burrit në qoshe.  Ktheva kokën ta përshëndesja, por ai as që m’i hodhi sytë. Atëhere u ktheva edhe njëherë te formularët me një farë çudie se ku e njihja atë njeri. Por, do ishte e mira të shkoja diku tjetër. Në një kafene tjetër ndoshta. Nuk po e kuptoja. Në të vertetë diçka po ndodhte brenda meje. Atëhere, do të paguaj stilolapsin, i thashë kamarierit. Më duhet, se fillova të punoj me të dhe ndoshta nuk ishte e mira ta ndërroja. Pse më kapi kjo ndjesia e të mos ndenjurit gjatë në një vend?! Kamarieri ma fali stilolapsin, si të mos e kishte kuptuar gatishmërinë time për ta paguar.

    Dola. Plot njerëz në rrugë. Vëreja se formuloja ca si buzëqeshje kote dhe të pangjyra dhe se ia tundja kokën me një mirësjellje të shtirur gjithë fytyrave që shikoja rrotull.

    Kur ra komunizmi unë sapo kisha mbushur të 25 vjetët. Pra në një farë mënyre pata qenë në një moshë kur mund të hamendësohej mospërlyerja, por nga ana tjetër asgjë nuk e përjashtonte mundësinë teorike që edhe të kisha qenë ndën vëzhgim apo prite Zot edhe bashkëpuntor.

    Pra me pak fjalë qeshë nisur të shkoja në një vend të pazakontë. Dakort se i pazakontë, dakord edhe se veç njëherë në jetë shkoje në të, por ç’e kisha atë si farë sikleti në fund të barkut?! Unë në fund të fundit thjeshtë po çoja kërkesën për të vertetuar pastërtinë e figurës sime, gjatë periudhës së diktaturës. Kaq. Asgjë më shumë e asgjë për t’u çuditur… Pastaj kur unë isha student komunizmi kishte marrë fund de facto. Nuk kishte kurrfarë mundësie të merrej me ne, të rinjtë…

    Me siguri që të nesermen e asaj ditë kur presidenti tha se të gjithë kishim qenë bashkëvuajtës dhe të gjithë bashkëfajtor, një pjesë e shoqërisë shqiptare ka pasur një çlirim të madh, si të ishin këmbë që çliroheshin nga një palë këpucë fort të ngushta apo kasnakë, që pushonin në paqe mbas heqjes së protezave të dhëmbëve. 

    Të kisha qenë ndën vëzhgim do kishte qenë mirë dhe njëfarë mënyrë edhe mund ta përdorje si një kartë desidence, por të kishe qenë bashkëpunëtor, atëhere ishte ç’ishte. Imagjinoni ta marrin vesh fëmija se i ati kishte qenë bashkëpuntor në krim, qoftë edhe i bërë me forcë apo ndën presion?! E tmerrshme.

    Por unë nuk kisha kurrfarë frike të kisha pas qenë spijun. Unë nuk kisha qenë kurrë spijun. Kjo është e qartë. Por…, por, ku i dihet. Po sikur të kisha qenë? Si të kisha qenë, kur unë nuk e dija të kisha qenë?! Ç’flet kështu?! Je në vete?! Gjithçka bën vaki. Në këtë vend, bën vaki gjithçka, gjithçka… Po sikur të më kishin rekrutuar, ashtu pa e dijtë unë, pa qenë i ndërgjegjshëm domethënë. Kushedi se si kishte qenë puna. Si kushedi?! Po unë e di. Si nuk e ditkam.

    Dhe kjo mëdyshje u zgjua dhe mori krahë sapo takova Markun. Markun e takova sapo hyra në katin e parë të ndërtesës, aty te recepsioni…  Dhe e dini se ç’më tha Marku, duke dashur të më jepte zemër? Se ai në fakt duhet të ketë ndjerë një farë ankthi, që kisha brenda vetes. Sepse ndoshta se kisha vetëm brenda vetes. Si duket më kishte dalë edhe jashtë. Dhe Marku me të drejtë e kishte vënë re.

    Një shok i tij, piktor, më tha Marku, doli spijun pa pas qenë. Si doli spijun pa pas qenë, e pyeta unë i çuditur. Po, tha Marku, i kënaqur prej kuriozitetit tim. Po, atij i kishin dhënë aso kohe një studio pikture. Ndaj dhe një ditë, një i njohur, që paska pas qenë oficer sigurimi, ia kishte kërkuar çelësin. Kurvar i madh, pati menduar piktori dhe ia kishte dhënë çelësin e studios pa një pa dy. Mirëpo ai zotëria, në vend që të fuste në studio një femër, paska pas futë një rrezikzi, për ta rekrutuar e për ta bërë informator. Mandej në darkë ka shkruar një raport mbi rekrutimin e këtij informatori të ri, duke nënvizuar se takimin me rishtarin e kishte realizuar te një bazë, siç qe studioja e filan fistekut. Kësisoj emri i piktorit rezulton në listën e bashkëpuntorëve të sigurimit, a po më kupton, më pyeti Marku, me një nëntekst, që dreqi e di se ku të çonte.

    Hej more dreq… Nejse. Lashë aplikimin atje dhe ika. Ajo zonja te recepsioni më tha se po të kisha klikuar vetëm opsionin “nëse kisha qenë bashkëpunëtor”, përgjigja vinte për dy javë, por meqenëse unë kisha kërkuar të dija edhe se a kisha qenë në survejim, atëhere kjo e zgjaste procedurën, që mund të shkonte deri në një muaj a më tepër.

    Po sikur unë të kisha qenë në vëzhgim atëhere kjo donte të thoshte se kishin qenë shokët e mi ato që më kishin paditur. I kujtova me radhë ata që kisha pasë në fakultet, sepse në gjimnaz, vështirë t’i ketë rënë ndër mend njeriu për mua. Po sikur ndonjëri prej tyre të dilte spijun? Dy prej tyre unë i kisha dhe i kam si vëllezër.

    Ika. Po jetonim kohë të mbrapshta. Te puna ime kishin lajmëruar se së shpejti do fillojmë e vaksinohemi kundër koronavirusit. Ne profesorëve universitarë do na vaksinonin me një markë të dyshimtë “AstraZeneca”. Unë jam njeri që besoj te shkenca. Nuk kam dyshime për këtë. Por “AstraZeneca” ka pasë disa kontestime të tipit: nuk lejohet mbi 65 vjeç se të trashë gjakun dhe rrezikon për tromboza apo se janë numëruar edhe të vdekur në radhët e atyrë që e kanë bërë.

    Nuk di njeriu i shkretë me kë të merret më parë: me të shkuarën apo me të ardhmen e vet. Shpesh e shkuara përcakton të ardhmen, por këtu te ne mundet që edhe e ardhmja të të përcaktojë të shkuarën.

    Në kthim ndalem ta pyes atë kamarierin, ku piva kafen e mjesit, se kush ishte ai tipi që më qerasi. Është burrë i mirë, më tha kamarieri, jeton këtu mbi klub, në katin e tretë. Të gjithë flasin mirë për të. Ka qenë operativi i lagjes gjatë kohës së komunizmit dhe tani në demokraci ka punuar si inspektor në Shërbimin informativ kombëtar. Ashtu?! Po ç’ne që më pagoi kafen, i thashë kamarierit. Ia pagova profesorit, më tha, se kam shumë respekt për të.

    Dola me vrik. Zot, çfarë qefi! Po, a ishte mirë që një ish operariv të kishte respekt për ty?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË