More
    KreuLetërsiShënime mbi libraPierre Glachant: “Revolucion në një botë farsë dhe të pashpirt”, shkrim kritik...

    Pierre Glachant: “Revolucion në një botë farsë dhe të pashpirt”, shkrim kritik në revistën “Courrier des Balkans” mbi romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti”
    të shkrimtarit Ylljet Aliçka

    “Si është e mundur që një kryeqytet të ndryshojë kaq shumë dhe bashkë me të njerëzit”, Vladimiri kthen kokën pas, si i trullosur, mbi trazirat e paprecedentë që kalon Shqipëria dhe Tirana vetëm gati dy dekada nga rënia e komunizmit.

    Ndryshime të tilla, të vështira për t’u imagjinuar në Perëndim, ishin ndoshta edhe më të spikatura në Shqipëri në  krahasim me vendet e tjera të ish-bllokut sovjetik. Shqipëria ishte vërtet e shkëputur plotësisht nga bota për dekada nga një diktaturë e ashpër dhe është e lehtë të përfytyrohet se çfarë do të thoshte për shqiptarët hapja e vendit të tyre ndaj botës.

    NJË VEND “QË KA HUMBUR BUSULLEN”

    Pikërisht përmes humorit të zi, farsës dhe realizmit të hidhur, Ylljet Aliçka evokon këtë kohë të furishme për popullin shqiptar. Shoqëria e ka “humbur tërësisht busullën”,  thotë i zhgënjyer, një nga personazhet e librit. Qeshim,  shumë duke lexuar Metamorfozën e një kryeqyteti. Madje ndonjëherë, e qeshura bëhet dhe cinike.

    Secili përpiqet të dëshmojë rëndësinë dhe nivelin e tij në këtë roman: kryeplaku i paepur i fshatit malor krejt i pashpirt ndaj një intelektuali dërguar në fshat për shkak të një gabimi në poezinë e tij kushtuar “Udhëheqësit”, për të kaluar te  komunisti, i cili, pas vdekjes së Enver Hoxhës kërkon dëshpërimisht për t’u konvertuar në “eurosocialist”, një nocion i paqartë që ai vetë do ta kishte të vështirë ta përcaktonte, pa harruar oportunistin që sipas rrethanave shumëfishon kartat e anëtarësimit të partive të shumta gjatë foshnjërisë ekzotike të demokracisë shqiptare.

    Gjuha e Aliçkës është e drejtpërdrejtë dhe e thjeshtë. Ai nënvizon absurditetin e situatave dhe argëtohet shumë me personazhet e tij, të trishtuar apo provokues, duke vënë në pah marrëzinë, dhe ndoshta mbi të gjitha oportunizmin e frikshëm të qenies njerëzore.

    Ylljet Aliçka skicon portretin e gjithë shoqërisë shqiptare, nga klasa punëtore tek elita, konfliktet midis brezave, ato brenda familjeve, evolucionin e mentaliteteve. Ai e njeh vendin në të gjitha thellësitë e tij, sadoqë për një farë kohe  ka jetuar  jashtë vendit, veçanërisht në Francë.

    Është e gjitha aty në këtë libër prej vetëm dyqind faqesh. Vërtet një mjeshtër kur mendon se çfarë përjetoi Shqipëria në ato vite, historia e qindra mijëra njerëzve tek ikin drejt Italisë apo Greqisë, rishfaqja e fenomenit fetar, një jetë  politike e pasur në nuanca të shumta, shembja e skemave piramidale (Ponzi), një sistem financiar mashtrues, ku shumica e shqiptarëve humbën të gjitha kursimet e tyre, duke e tërhequr vendin në kaos. Të gjitha këto ngjarje përshtaten në mënyrë të përkryer në fillin narrativ të këtij romani.

    Faqet kushtuar kalimit të vendit, zhytur në anarki, hipur në një makinë funerali, në shoqërinë e një poeti të dështuar, shndërruar në specialist nekrologjish. Ndalesat e shpeshta nga  krerët e bandave, alibitë për të vazhduar rrugën, kufoma që pretendojnë se po transportojnë ndërkohë që  automjeti është bosh, e gjithë kjo merr frymë e vërtetësi, mbledhur nga dëshmi reale.. .

    “JONXHË DHE KONSULTA LIGJORE PER EMIGRIM NE KANADA”

    Për të kaluar më pas  te vështirësitë ekonomike të shqiptarëve, marifetet dhe dredhitë e tyre për të mbijetuar, si personazhi i Vladimirit, i cili krijoi një fondacion për “Rilindjen e vlerave kulturore kombëtare”. Ai u shet të huajve naivë apo të paskrupullt të bindur se mbajnë emrin e një krahine madhështore, tituj fisnikërie fallco. E tillë si ai i Dukeshës së Karavastasë, një zonë kënetore e humbur në qendër të Shqipërisë. Tepër anekdotike historia e dikujt, i cili merr një licencë për “shitje jonxhë dhe konsulencë ligjore për emigracion në Kanada”.

    “Ne nuk e dimë asnjëherë se çfarë na rezervon fati, nuk dua të  më gjej papritur pa gjë”, shpjegon biznesmeni vizionar.

    Metamorfoza e një kryeqyteti” na lejon të njohim Shqipërinë nga brenda, në mënyrë burleske dhe qesharake. Me gjasë Ylljet Aliçka ka vëzhguar gjatë bashkatdhetarë e tij, harruar nga koha. Pra, duket ai e ka pritur gjatë këtë roman. Fundja, siç bëjnë shpesh shkrimtarët.

    Ndodh që autori i shmanget ironisë së tij karakteristike, kur shpreh në gojën e një personazhi bindjet e veta reale: “Armiku më i madh i persekutorëve është kujtesa”, thotë Rudiani, ndërsa xhaxhai i tij, Beniamin Bendo, pretendon se  “në regjimin e mëparshëm, të gjithë kemi qenë viktima dhe të gjithë bashkëfajtorë”.

    A nuk është pikërisht kjo ide që i ve minat shoqërisëë shqiptare sot? Shqipëria po lufton të shkëputet nga e kaluara e saj, duke mbartur ende trashëgiminë e pesëdhjetë viteve të diktaturës komuniste. Ylljet Aliçka merret seriozisht me elitat e biznesit, që nuk reshtin kurrë së përballuri me njëra-tjetrën në betejat e pamëshirshme politike e që njëkohësisht pengojnë zhvillimin e vendit.

    Shkrimtari shqiptar e përshkruan me shumë kthjelltësi humbjen e koordinatave historike të një numri të madh vlerash në shoqërinë bashkëkohore shqiptare, të cilën, nga ky këndvështrim, e konsideron si një laborator të vërtetë, sa sociologjik aq edhe letrar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË