Nga Valerio Magrelli
Një raft. Sikur të më duhej të shqyrtoja rritjen e ngadaltë dhe të pandërprerë të trashëgimisë së lënë nga Pasolini, ndoshta nuk do ta bëja dot më mirë sesa me këtë imazh të thjeshtë. Në fakt, kontributet kritike për punën e tij (vargje, narrativë, eseistikë, teatër, kinema) zënë një metër linear të bibliotekës sime – biblioteka e një lexuesi që nuk është as italianist, as “pasolinolog”. Ndërsa shkrimtarë ndoshta po aq të mëdhenj sa ai kanë qenë objekt i pak studimeve të shkëlqyera (që nga Moravia te Parise, nga Ortese te Morante, për të mos folur për poetët tanë), Pasolini, bashkë me vëllain e tij rival Calvino-n, njeh tashmë një sukses mbarëbotëror. Me një dallim aspak shpërfillës: nëse autori i Marcovaldo-s ekziston vetëm në saje të shkrimit të tij, Pasolini është shndërruar në profet, martir, korsar, vizionar, politikan e besimtar. Sa për jashtë vendit, merreni me mend që vende aq të largëta mes tyre, si Franca dhe India, i kanë lënë një vend të vërtetë kulti kujtimit të tij.
Një prodhimtari e tillë esesh i ka rrënjët në karakterin rilindës të figurës së Pasolini-t. Pavarësisht çdo mase paraprake të nevojshme, nuk është e tepërt të pohojmë që “bilbili i Kishës katolike” (ashtu ai u vetëquajt), në të vërtetë, ishte një artist i ethshëm dhe i shumanshëm, i ngjashëm me Bembo-n (teoricien, kritik dhe poet), me Aretino-n (polemist dhe vargëzues), me Michelangelo-n (piktor, skulptor, shkrimtar), për të mos përmendur Leonardon (të cilin Paul Valery e vendosi me “engjëjve të morfologjisë”). Doemos, për morfologjinë, Pasolini ishte, në mos djalli sepse ishte i vendosur të provonte forma të reja shprehjeje me një pangopësi, krejt pa paragjykime dhe papërgjegjshmëri që të lë pa fjalë.
Si të mos kujtojmë, për shembull, dyshimin me të cilin Felini ndoqi debutimin e tij kinematografik. Bazuar në teza sa të pakundërshtueshme, po aq edhe të debatueshme, duke dalluar në artin e shtatë as më pak e as më shumë se “gjuhën e realitetit”, Pasolini u hodh me kokë në aventurën e regjisë, me një përgatitje thuajse inekzistente. Por, pavarësisht skepticizmit të madh, ai entuziazëm prodhoi disa filma që kanë lënë mbresa të pashlyeshme në shekullin XX. Sot, një mrekulli e tillë duket e harruar. Mirëpo, lypset të kujtohet që kalimi nga poezia, apo nga romani, në kinema, është pak a shumë si të shndërrosh një eremit (të vetmuar, me letrat e veta) në një dixhej (apo në një prijës, të rrethuar nga qindra ndihmës të devotshëm). Sepse, në fakt, dhe kjo është një tjetër kundërti tipike e personazhit, ashpërsia luteriane e moralistit u përplas me protagonizmin e një star-i, i aftë të sundojë mbi botën përrallore të celuloidit. Prej këtej rrjedhin edhe keqkuptimet që u përplasën mbi të në një fushatë të padëgjuar e të ulët shpifjesh, duke filluar që nga imituesit e shumtë televizivë të thirrur për të parodizuar kineastin dhe homoseksualitetin e tij që s’e fshehu kurrë. Mbetet për t’u përmendur aspekti i fundit i Pasolini-t “shenjtor dhe martir” (për të perifrazuar një libër të famshëm të Sartre-t për Genet-in). Ishte autor i mallkuar por i lëvduar, blasfemik por i nderuar. I mësuar të vërvitë provokimet e veta nga katedra e “Corriere della Sera”-s, Pasolini personifikoi figurën e viktimës-kurban, duke dëshmuar një vizion të botës që ende vazhdon të ndajë interpretuesit e tij. Kritik fort i guximshëm i një shoqërie të dominuar nga homogjenizimi dhe nga mendimi unik, apo trubadur nostalgjik i një ideali arkaik, baritor dhe joreal? Me gjasë, të dyja. Sidoqoftë, rëndësi ka trashëgimia e tij artistike, kaq pabesueshmërisht e ndryshme, komplekse dhe plastike, sidomos në kinema. Nga ky këndvështrim s’ka shumë për të diskutuar. Pa përmendur kryeveprat e tij më të njohura (Accattone, Il Vangelo secondo Matteo ose Mamma Roma), mjaft të kujtojmë bukurinë përvëluese të filmave me metrazh të shkurtër, Che cosa sono le nuvole? ose La ricotta, si dhe dokumentarët (?) La rabbia ose Appunti per un’Orestiade Africana. Regjisor i pashoq, Pasolini ndiqte mësimet e neorealizmit, duke marrë aktorë joprofesionistë: megjithatë, në vend që t’i merrte nga rruga, preferoi t’i merrte nga kritika, nga letërsia ose nga filozofia – në këtë periudhë u shfaqën në ekran Giorgo Agamben, Alfonso Gatto, Francesco Leonetti, Enzo Siciliano, Mario Socrate dhe shumë të tjerë. Me të njëjtën zhdërvjelltësi dinte të përdorte edhe një këngëtar të suksesshëm (Domenico Modugno), një atlet olimpik (Giuseppe Gentile) apo një soprano të jashtëzakonshme (Maria Callas), sigurisht pa harruar pikën kulmore të gjenisë së tij: shndërrimin e një aktori estrade, qoftë edhe sublim si Totoja, në një maskë të paarritshme tragjike. Skandal, skandal, skandal. Nuk ishte vetëm çështje zakonesh seksuale: Pasolini-t i pëlqente të shkelte mbi konformizmin mbytës të një borgjezie që ndoshta kishte mbetur më e vogla në Europë – jo më kot do të jetë pikërisht një nxënës i tij, Vincenzo Cerami, që do të shkruajë romanin me titull Un Borghese piccolo piccolo. Megjithatë, mjerë ata që duan ta mpakin thjesht në një trubadur që i këndon një realiteti të vetëm, kronologjik, gjeografik apo shoqëror. Regjisori i Mamma Roma-s, poeti i Moteverde-s, mësuesi i paharrueshëm i Ciampino-s, mbetet po ai autor që diti të aderonte si pak të tjerë qoftë në bukurinë shpirtçjerrëse të Italisë trivenetase (përqafuar nga gjuha e Casarsa-s), qoftë edhe në hirin e një vendi Gjerkë ndërkontinental (qoftë ai Jemeni apo Nju-Jorku). E njëjta gjë vlen për udhëtimet e tij përmes historisë dhe klasave që shkojnë nga Greqia e Lashtë (Mbreti Edip), tek Anglia e Chaucer-it (Rrëfimet e Kanterburisë), nga klasa drejtuese e përshkruar tek Teorema, deri tek tashmë legjendarët Ragazzi di vita. Kësisoj, në fund të shumë peripecive, s’na mbetet veçse të përshkojmë trashëgiminë e një vepre të pashoqe, të mahnitshme, “të përbindshme” në kuptimin letrar të fjalës.
Pasolini në shqip
Baro dhe Qesari sjellin përmbledhjen me poezi “Mish dhe qiell”
Dy përkthyesit, Aida Baro dhe Edon Qesari, propozojnë në shqip përmbledhjen me poezi të Pier Paolo Pasolini-t, botimet “Pegi”. Me anë të kësaj përmbledhje, përkthyesit kërkojnë t’u japin të rinjve një model të shkrimtarit të angazhuar, të parehatshëm me pushtetet, që ngriti zërin dhe parashikoi rrënimin e shoqërisë së konsumit. Në këtë arsye, Mish dhe qiell është përmbledhje me poezi kushtuar kryesisht të rinjve. Përkthyesit kanë bërë një përzgjedhje të kujdesshme dhe kuptimplotë, për t’i shoqëruar lexuesit dhe veçanërisht të rinjtë, në botën e poetit Pier Paolo Pasolini. “Përmes tyre del në pah fuqia e tij shprehëse dhe përfytyruese. Boshti rreth të cilit enden të gjitha poezitë është dashuria, si një fjalë kyçe drejt zemrës së rinisë, si dhe angazhimi qytetar, si shenjë e një vetëdijeje të pjekur shoqërore. Këto poezi mund të lexohen, të recitohen, të kopjohen, të dhurohen: për të gjithë të rinjtë që, falë një libri, arrijnë të shprehin ndjenjat e tyre më të thella dhe komplekse”. Libri është i pajisur me një indeks të përgjithshëm të veprave të Pasolini-t, në letërsi, kinematografi, teatër etj. “Vizioni im është apokaliptik. Por sikur pranë tij dhe ankthit prej të cilit lind, të mos kisha brenda vetes edhe një element optimizmi, domethënë mendimin se ekziston mundësia për të luftuar kundër gjithë kësaj, nuk do të isha duke folur këtu, mes jush”, – është një prej deklaratave më të forta të Pasolini-t, me vlerë të gjithkohshme dhe të përbotshme. “Pasolini […] ishte një figurë qendrore e kulturës sonë, poet që shënjoi një epokë të tërë, regjisor gjenial, eseist i pashtershëm”, – shkruan shkrimtari italian Alberto Moravia. Pier Paolo Pasolini ishte poet, shkrimtar, regjisor, skenarist, dramaturg dhe gazetar, një nga intelektualët dhe artistët italianë më të mëdhenj të shekullit XX.