More
    KreuLetërsiShënime mbi libraPetrit Palushi: Letërsia në zona të kontaktit

    Petrit Palushi: Letërsia në zona të kontaktit

    Vështrim krahasues: Ankthi i vdekjes në prozat “Prilli i thyer”, të I. Kadaresë dhe në “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” të G. G. Markesit

    Në prozat “Prilli i thyer”, të I. Kadaresë (1978) dhe “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”,  të G. G. Markesit (1981), rrëfehet për drama komplekse të personazheve mbizotërues të këtyre veprave, pikërisht pas njohjes së tyre me faktin e tillë: vdekja do t’i mbërthente në kohën sa më t’afërt. Këtë kohë të ndërmjetme, d.m.th., prej mësimit të faktit se vdekja për Gjorgun (“Prilli i thyer”) dhe Santiago Nasarin (“Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”) do avitej së shpejti, autorët e kanë dhënë si një kohë të zbrazët, të palëvizshme apo si kohë që po sosej njëkohësisht deri me fikjen e jetës së Gjorgut dhe Santiago Nasarit.

    Tek “Prilli i thyer”, një kohë e tillë është fiksuar prej 17 Marsit deri me 17 Prill, 31 ditë kalendarike që shkojnë ngjitmas pa e prishur rendin, pavarësisht nga përjetimet e Gjorgut:

    “Kryesorja ishte ajo që po ndodhte brenda tij. Dhe ajo që po ndodhte atje ishte e bukur dhe e frikshme njëkohësisht. Ai as vetë s’dinte ta thoshte se ç’po ndodhte atje. i dukej se zemra i kishte dalë përtej brinjëve, qe shtrirë gjërë e gjatë përreth dhe ashtu e përhapur siç qe, plagosej lehtë nga çdo gjë, gëzohej dhe hidhërohej fare lehtë, fyhej, dhembte, lumturohej, shkretohej nga një gjë e vogël ose e madhe, qoftë kjo flutur, gjeth, dëborë e paanë, apo shi i mërzitshëm si ky i sotmi. Të gjitha binin drejt e mbi të, qiej të tërë zbrazeshin dhe ajo i mbante të gjitha, madje mund të mbante edhe më”.

    Tek “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, një ditë jo e zakonshme për Santiago Nasarin, një ditë që do të kthente krejt përmbys frymën e tij, është shenjuar që në krye të veprës:

    “Ditën që do ta vrisnin, Santiago Nasari u ngrit më 5.30 të mëngjesit për të pritur anijen me të cilën vinte ipeshkvi”.

    1) Koha e ndërmjetme dhe koha reale

    Koha e ndërmjetme dhe koha reale shkojnë krejt natyrshëm në të njëjtin kah, por koha ndërmjetme funksionalizohet brenda kohës reale: kjo kohë e mat si me pikatore fikjen e shpirtit të njeriut. Si e tillë, koha e ndërmjetme modelon një realitet të veçantë brenda jetës së njeriut, pikërisht përjetimin e ndjenjës së vdekjes; me mbërritjen e saj koha e ndërmjetme mbaron së ekzistuari. E thënë pak më ndryshe, koha reale (kalendarike) rrjedh pa ndalesa, rrjedh pa e prishur formën e vet, por koha tjetër, koha e paracaktuar për të marrë frymë personazhet (Gjorgu dhe Santiago Nasari si katalizatorë të veprimeve), rrjedh si një kohë që do të kishte ndalesën e vet, ndalesë që ka të bëjë me sosjen e frymës së personazheve në fjalë.

    Prozat janë autentike për nga kompozimi i përgjithshëm artistik dhe lënda artistike që i është nënshtruar këtij kompozimi, zonat e kontaktit ndërmjet “Prillit të thyer” të I. Kadaresë dhe “Kronikë e një vdekje të paralajmëruar”, e G. G. Markesit, janë zona të dukshme. Por fijet që lidhin zonat e kontaktit janë më të dukshme sidomos në përshkrimin e ankthit të vdekjes, ankth i cili lëviz frymën e fundit të personazheve të Gjorgut dhe Santiago Nasarit.

    2) Përjetimi i ankthit të vdekjes

    Tek “Prilli i thyer”, ankthi është mbizotërues, një ankth që rrënon shpirtin e Gjorgut: njeriu merr pjesë në funeralin e vet, shikon dhimbjen, trishtimin apo dhe entuziazmin e të tjerëve për vdekjen e tij. Ai sheh një yll, shkurt, aty është fundi i tij, aty është caku i tij i fundit. Dhe fundin e tij apo fundin e mbramë, e pret pa alarm, pa britma, por me një qetësi mortore. Tek “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, ankthi është i shpejtë si në një garë vrapimi: vdekja përjetohet shpejt e shpejt, ngutshëm dhe është si të thuash si një vdekje me një frymë.

    Për Gjorgun, përjetimi i këtij ankthi përfshin një kohë prej 31 ditësh, ndërsa për Santiago Nasarin realizohet në një kohë prej pak orësh. Kjo do të thotë se vdekja u rri si kosë mbi krye, si njërit edhe tjetrit, por ndërsa Gjorgut për 31 ditë do t’ia bluante ditët një nga një, Santiago Nasarit, përkundrazi do t’ia mbyllte ciklin e ankthit për një kohë tepër të shpejtë. Ankthi pra është shtresuar në krejt qenien e Gjorgut, ndërsa tek Santiago Nasari as ka mbërritur të marrë formë. Tek “Prilli i thyer”, ngjarjet sillen brenda një strukture rrethore, saqë ia vlen të besosh se personazhi sillet e mbështillet brenda vdekjes së vet. Personazhi (Gjorgu) është parapa me vdekjen, është zhytur në dridhjet e saj, prandaj mbërritja e saj, është e ftohtë, e ftohtë akull. Personazhi ish ambientuar me vdekjen prej kohësh, prandaj shkrimtari e ka vendosur në një situatë ku kish filluar ritet e vdekjes shumë kohë para se të mbërrinte ajo (“Me ato vija të çjerra në faqe e ballë ata dukeshin si me maska. Gjorgu mendonte se si do të dukeshin vallë pas çjerrjeve të gjëmës njerëzit e fisit të tij”). Shkrimtari ka realizuar një vdekje së brendshmi: drama e vdekjes e ka brejtur njeriun pak nga pak dhe ia ka paralizuar pothuajse krejt gjymtyrët.

    Më sipër thamë që zonat e kontaktit ndërmjet “Prillit të thyer” dhe “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” janë në krijimin e situatave që sjellin në skenë ankthin e personazheve dhe konkretisht, të Gjorgut e Santiago Nasarit. Përjetimi i këtij ankthi, natyrisht është i ndryshëm dhe model në vetvete. Tek “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, shkrimtari ka realizuar një vdekje së jashtmi: një vdekje e atypëratyshme, kurrsesi e paraparë prej Santiago Nasarit:

    “Santiago Nasari ëndërroi me zë të lartë.

    – Kështu do të jetë edhe dasma ime, – tha.  – Një jetë e tërë s’do të më mjaftojë për ta rrëfyer”.

    Vdekja së jashtmi, ose vdekja që erdhi pa trokitur, ka të bëjë me faktin se vetë njeriu, të cilin do ta mbërthente vdekja, është ngritur për të përjetuar ditën e zakonshme të jetës në formën më të zakonshme. Prandaj ankthi i kësaj vdekjeje përtypet shumë më lehtë: njeriu është prezentuar pak kohë më parë me vdekjen që do ta merrte, dhe, megjithëse i duket si në ëndërr, mundohet ta përtypë sa më shpejt, ashtu rrëmbyeshëm dhe më ndryshe mund të quhej edhe si vdekje e rastësishme, pavarësisht nga rrethanat që sollën praninë e një vdekjeje të tillë. Në fund të fundit, shkrimtari ka krijuar një realitet që sjell aktin e vdekjes. Përjetimin e ankthit të vdekjes, shkrimtari e ka zhvendosur diku tjetër, në mjedisin përreth Santiago Nasarit, shumë orë më parë se ky i fundit të mësonte se ç’do të binte mbi të (tjetër gjë është indiferentizmi i këtij mjedisi ndaj asaj ç’po ndodhte).

    Te “Prilli i thyer”, vuajtja totale është e Gjorgut dhe jo e mjedisit përreth tij; mjedisi përreth duke e pasur, si të thuash, të ligjësuar një vuajtje të tillë si ajo e Gjorgut, e sheh vuajtjen e tij në mënyrën më të zakonshme, më të qetë, sikur të pranonte me fanatizëm dhe bindje të plotë zbatimin e një ligji të caktuar. Për mjedisin përreth Gjorgut, një vdekje e tillë shihet si normale dhe e zakonshme. Ia vlen të besosh se tek “Prilli i thyer”, kumti filozofik sikur vjen nga lashtësia, është ngjizur me kalimin e kohës dhe vdekja merr përmasat e një vdekjeje juridike; një vdekje nën normat dhe rregullat e caktuara dhe, në rastin në fjalë, të Kanunit.

    Tek “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, megjithësë realiteti artistik vendoset në një kohë moderne, shkrimtari ka ngritur një realitet të dytë artistik, atë të mosreagimit të mjedisit për çfarë po ndodhte. Mjedisi përreth Santiago Nasarit merr rolin e soditësit, më saktë, të vëzhguesit të ftohtë të skenës dramatike.

    3) Integrimi i aktit të vdekjes

    Tek “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, ndodhia zhvillohet si në skenën e një teatri, ku protagonistët e tjerë përreth Santiago Nasarit janë të gjithë në rolin e spektatorit, të cilët sodisin me krejt indiferentizëm. Kjo do të thotë se vdekja është integruar më parë vëmendshëm në sytë e spektatorëve se në trupin e Santiago Nasarit.

    Shkrimtari u ka rënë zileve të alarmit, por mjedisi është i shurdhët, tejet indiferent (“Vëllezërit Vikario ua kishin treguar planin e tyre më shumë se dymbëdhjetë vetëve që patën shkuar për të blerë qumësht dhe këta e kishin përhapur anembanë përpara orës gjashtë”).

    Te “Prilli i thyer”, akti i vdekjes është integruar më së pari në trupin e Gjorgut: informimi që mund t’i bëhej më mbrapa mjedisit, s’është gjë tjetër, veçse një akt formal, një akt që ka të bëjë vetëm me informimin. Prandaj shkrimtari i ka kushtuar shumë pak rëndësi dhe vend momentit të vrasjes së Gjorgut: rrëfimi mbyllet duke përcjellë para syve të lexuesit vetëm dy vetë, Gjorgun dhe vrasësin e tij. Personazhi i është nënshtruar fatit të vet, e ka parapa atë dhe çdo gjë rrjedh nëpër linjë, sikur t’ish vendosur me dorë.

    Në prozat “Prilli i thyer” dhe Kronikë e një vdekjeje e paralajmëruar”, realitetet artistike janë kompozuar sipas natyrës së stileve të shkrimtarëve; realitete të ndryshme në kompozime krejt e krejt të ndryshme.

    (Fragment nga një punim më i gjatë)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË