Një shkrim i botuar në World Literature Today
Anton Çehovi, në tregimin komik “Kryqi”, shkruar më 1883, e vendos skenën e ngjarjeve në një sallon të shoqërisë së lartë të Moskës, ku shumë Moskovitë elegantë mblidhen grumbull rreth një poeti i cili, me sa duket, sapo ka marrë një medalje për veprën e tij. A është një Kryq Stanislav për vlerën e librit më të fundit me poezi? A është Urdhëri i Kryqit të Shën Anës për strofat patriotike në shërbim të Rusisë Perandorake? Tensioni rritet deri sa poeti ngre lart librin dhe të ftuarit shohin kryqin e madh të kuq të Zyrës së Censurës të Carit. Libri më i fundit me poezi i poetit është ndaluar. Syri i censorit perandorak ishte i rreptë dhe disa nga censorët e tij, të tillë si Ivan Goncharov, ishin njerëz të famshëm të letrave për shkak të talentit të tyre unik. Të gjithë autorëve të mëdhenj të kanonit letrar rus të shekullit të nëntëmbëdhjetë – Pushkini, Dostojevski, Gogoli, Çehovi – iu desh të vendosnin penën mbi letër me kujdes sipëran për të shmangur kryqin e kuq të Censorit dhe andrallat që mund të vinin më pas. Secili prej tyre zhvilloi një mënyrë personale vetë-censurimi, një mënyrë për t’i thënë gjërat pa i thënë shkoqur, ndoshta duke kaluar herë pas here vijën e kuqe, por në mënyra që ishin krijuar për t’iu shmangur syrit të censorit.
Nëse shkrimtarët në Rusinë perandorake dridheshin para censorit të Carit, sundimi i Stalinit që filloi një dekadë pas Revolucionit Bolshevik solli një përmasë të re alarmi dhe terrori tek censura, me përndjekje, burgosje, vite pune të rëndë dhe ekzekutime. Dhe atë që filloi Stalini në Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha, diktatori Stalinist i Shqipërisë e përsosi gjatë viteve 1941-1985, duke zhvilluar strategji më mizore për të censuruar dhe ndëshkuar shkrimtarët shqiptarë që shiheshin të dilnin dilnin nga rreshti. Stalini ishte përballur me një pengesë me të cilën Hoxha nuk u përball. Stalini kontrollonte një të gjashtën e sipërfaqes së tokës së tokës, ndërsa Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ishte njëzetë e tetë mijë kilometra katrorë, më pak se një e katërta e madhësisë së Nju Jorkut. Kësisoj, Hoxha e kishte më të lehtë se Stalini për të mbikëqyrur dhe kontrolluar çdo formë të të shprehurit. Autorët shqiptarë po kështu s’mund të ishin kurrë të sigurtë se në cilin drejtim mund të vinte urdhri për t’ua ndaluar veprën. Edhe pse të gjithë librat që botoheshin shqyrtoheshin me kujdes për ndonjë shmangie ideologjike të hapur ose të perceptuar nga kryeredaktorët e shtëpive botuese shtetërore të Shqipërisë (nuk kishte shtyp të pavarur ose privat), librat e botuar ishin gjithashtu subjekt i censurës ose ndalimit arbitrar nga Seksioni Ideologjik i Komiteti Qendror, Ministria e Arsimit, madje edhe Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, e cila s’kishte njohuri për teknikat e stërholluara letrare.
Ismail Kadare arriti moshën madhore në vitet e para pas vdekjes së Stalinit më 1953, kur Hoxha po shtonte programin e tij Stalinist në Shqipëri. Libri i parë me poezi, Frymëzime djaloshare, u botua në vitin 1954, kur ishte tetëmbëdhjetë vjeç dhe menjëherë i dha autoritetin e një zëri të ri të rëndësishëm letrar. Në dy dekadat e ardhshme Shqipëria do të bëhej vendi i vetëm më i izoluar në botë, kufijtë e saj u vulosën pasi Hoxha prishi lidhjet me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën Komuniste që, sipas tij, po bëheshin tepër liberale. Në këto rrethana të censurës së skajshme totalitare, Kadare përsosi një stil vetjak të shkruari që ishte i pakapshëm dhe megjithatë jashtëzakonisht i drejtëpërdrejtë.
Peter Morgan ka përmbledhur saktë aftësinë e jashtëzakonshme të Kadaresë për të ngadhënjyer: Kadare krijoi disa nga veprat më të shkëlqyera dhe kundërtotalitare që dolën nga Evropa Lindore socialiste. Vepra iu përzgjodh për botim pasi ai ishte anëtar i njohur i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe i Partisë. E bënë deputet të Kuvendit Popullor dhe mund të udhëtonte jashtë vendit. Ai arriti të shmangte burgun, kampet e punës ose format e tjera të ndëshkimit që u jepeshin atyre që dilnin nga rreshti.
Unë u bëra një nga përkthyesit e Ismail Kadaresë në fund të viteve 1990-të. Diktatura Socialiste e Shqipërisë kishte rënë. Ismail Kadare tani jetonte në Francë dhe i çliruar nga rreziqet e censurës së Enver Hoxhës, dhe filloi një periudhë të re të mahnitshme krijuese. Dy shqetësimet kryesore të veprave në vitet 1990-të ishin diktatura shqiptare, për të cilën tani mund të shkruante më drejtpërdrejt pa u ndëshkuar, dhe kriza e Kosovës që kishte vazhduar të përshkallëzohej që nga viti 1989 kur Kuvendi i Serbisë vendosi ta pushtojë Kosovën, e cila kishte qenë krahinë autonome e Jugosllavisë e populluar në pjesën më të madhe nga shqiptarë etnikë. Në vitin 1998-të kriza e Kosovës u shndërrua në një luftë totale.
Veprat që Kadare shkroi gjatë viteve të para jashtë vendit – Piramida, Spiritus, Shkaba dhe Tri këngë zie për Kosovën – ishin më të drejtpërdrejta dhe flisnin më hapur se kryeveprat që i kishin sjellë që në krye të herës famë botërore gjatë viteve të diktaturës. E megjithatë këto vepra të reja kanë ruajtur cilësinë e jashtëzakonshme Kadareane të të thënit shumë dhe me shumë qartësi, por në një mënyrë të pakapshme, të tërthortë dhe alegorike.
Tri këngë zie për Kosovën (anglisht: Elegji për Kosovën), të cilën përktheva në vitin 1999, është një nga romanet më të shkurtër të Kadaresë, por pavarësisht shkurtësisë (120 faqe), jetëson një hulumtim të thellë dhe të gjithanshmëm letrar të konfliktit që ka pllakosur Kosovën që nga epoka mesjetare kur u aneksua nga Perandoria Bizantine, pastaj nga Perandoria Serbe, dhe më pas nga Otomanët. Ai jep një çelës për të kuptuar më thellë rrënjët e konflikteve etnike në Kosovë sot. Sipas Stendalit, “Politika në roman është si një krismë revolveri gjatë një koncerti, është diçka tejet e ashpër”. Megjithëse ky është një roman shumë politik, nuk ka politikë në të, as ashpërsi. Në qendër të romanit është Beteja e Kosovës e vitit 1389, një ngjarje që ndër shekuj ishte shkaku i ngjizjes së shumë legjendave heroike në të gjithë gadishullin ballkanik. Ishte një betejë e kobshme për të gjithë ata që ishin pjesë e saj: një konfederatë e trupave ballkanike u përball me ushtrinë pushtuese otomane të udhëhequr nga Sulltan Murati I. Po ta shohësh nga një këndvështrim historik, asnjëra palë nuk fitoi. Sulltani otoman u vra, ashtu si edhe Princi Llazar, komandanti i forcave ballkanike, por beteja shënoi fillimin e pushtimit otoman të Ballkanit që do të zgjaste deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë.
Legjendat heroike më domethënëse për këtë betejë që janë ruajtur, janë serbe, dhe këto legjenda, në formën e poezive, këngëve dhe baladave, kanë luajtur një rol jetësor në përpjekjet bashkëkohore të Serbisë për ndërtimin e kombit. Tri këngë zie për Kosovën hedh poshtë perceptimin se beteja ishte një ngjarje thjesht serbe dhe otomane dhe paraqet imazhin më të larmishëm të një ushtrie që s’ishte vetëm serbe dhe otomane por një bashkim trupash me ushtri të serbëve, shqiptarëve, boshnjakëve, rumunëve, kroatëve dhe hungarezëve – një ushtri ballkanike. Kadareja sfidon përvetësimin serb të betejës dhe ideologjinë nacionaliste që ka përdorur rrëfimet e trilluara të legjendave serbe për të legjitimuar formimin e një rendi të ri politik dhe programin për të pushtuar Kosovën.
Si në shumë këngë epike ballkanike të kësaj treve – si shqiptare ashtu edhe serbe – rrëfimi i romanit fillon me princërit që mblidhen në gosti në prag të luftës. Beteja që pasoi është kaotike dhe vdekjeprurëse, dhe dy rapsodë, protagonistët e romanit, arrijnë të ikin nga masakra dhe enden drejt veriut duke kënduar këngët e tyre epike tradicionale në shtëpitë e kryezotëve dhe në kështjella. Ata janë shokë të pangjashëm – njëri rapsod është serb dhe tjetri shqiptar, secili është sjellë në fushën e betejës për të kënduar epet e vjetra që lavdërojnë luftëtarët e vendeve nga janë dhe për të krijuar këngë të reja që do të përjetësojnë princat e tyre. Megjithëse rapsodët janë shokë dhe miq, baladat që ata vazhdojnë të këndojnë para fisnikërisë evropiane e përjetësojnë armiqësinë e kryehershme.
Njëri pas tjetrit, nën peshën e një heshtje të rëndë, ata kënduan këngët e tyre, të lashta dhe të ftohta si guri, secili në gjuhën e tij: “Mjegull e madhe Fushën e Mëllenjave e mbuloi,/ Ngrehuni serbë, se Kosovën e mori shqiptari”, “O seç ra një mjegull e zezë/ Çohuni, shqiptarë, se në Kosovë ra shkjau”.
Fisnikët e Evropës Veriore në fillim mbesin pa fjalë, pastaj tërbohen. Trojet e Ballkanit do të sundohen nga Otomanët, dhe megjithatë ende këta popuj të nënshtruar, të cilët tani duhet të jetojnë nën zgjedhën otomane, po e mbajnë gjallë armiqësinë e tyre tradicionale. Përleshjet vazhdojnë në këngët e tyre. Ata s’mund të çlirohen nga shtrëngimet e traditave të tyre luftarake. Kadare i paraqet këto skena por nuk komenton drejtpërdrejt. Lexuesit nuk i thuhet, por mund të nxjerrë përfundimin se kjo është rrënja e pavdekshme e problemit që mundon Ballkanin. Megjithatë, kur rapsodëve u kërkohet të rrëfejnë legjendat më të lashta të tokave të tyre – me të folur, jo me këngë – këto legjenda hapen dhe marrin përmasa homerike: “Është i njëjtit pluhur diamanti, e njëjta farë… Ca si grimca nga kulmorja e rrëzuar e qiellit të vjetër”. Armiqësia e ashpër zhduket.
Nga këndvështrimi i Kadaresë, kjo armiqësi e ashpër është tragjedia e vazhdueshme e Ballkanit. Fryma dhe historia epike e popujve të tyre të çojnë mbrapa në kohë në një epokë homerike të bronzit, por këngët dhe baladat epike mesjetare që kanë dalë para dhe pas betejës së Kosovës kanë përjetësuar armiqësinë e tyre fatale. Evropa Veriore, në epokën e saj të errët të luftës dhe murtajës mesjetare, ka humbur të gjitha lidhjet me të kaluarën e saj; Ballkani është shtegu i vetëm për tek ajo kohë antike.
Përktheu: Granit Zela
Peter Constantine është profesor i Studimeve të Përkthimit në Universitetin e Connecticut-it. Përkthimet e fundit të Peter Constandine përfshijnë vepra të Augustinit, Rusos, Makiavelit dhe Tolstoit. Për arritjet akademike dhe krijuese është shpërblyer me bursën Guggenheim, me Çmimin e PEN-it për përkthimin e Gjashtë tregime të hershme të Tomas Manit, dhe me Çmimin Kombëtar të Përkthimit për studimin Çehovi i pazbuluar.