More
    KreuLetërsiBibliotekë"Për gjysmën tjetër të hënës", poezi nga Nurie Emrullai

    “Për gjysmën tjetër të hënës”, poezi nga Nurie Emrullai

    pritja

    ma thuaj cila pritje
    e ka ba njeriun me buzëqeshë
    e me ja gëzu shpirtin?

    ma thuaj cila pritje
    s‘ka hap varre nëpër kujtesë
    për t‘i mbush ata me andrra t‘lana n‘gjys?
    ma thua dot?

    cila pritje nuk ngjan me orën e kurdisun
    që t‘zgjon me u ba gadi, e ti s‘din për ku?

    cila pritje nuk t‘ka mbajt me kokën ngjeshur n‘orë,
    e ora vërtetë s‘ka pas randësi

    cila pritje nuk t‘ka çu me pa kalendarin
    t‘çdo nate që pjell diell të ri.

    cila pritje nuk ka ngjarë n‘krakëllimë korbi
    i mbështetun n‘degë t‘pritjes,
    me prit me ia nis kangës, mbase…

    ma thuaj cila pritje
    t‘ka ba me besue n‘premtime
    që s‘kanë qenë veç dalldisje çasti.

    e ty t‘them që pritja
    asht ma e fortë se harrimi…

    po cila pritje ka ba njeriun me buzëqeshë
    e prap’ me e lanë t‘harrojë


    requiem për hiperbola relative

    Ka qenë përherë i njëjti qiell
    Që kamuflon mërzinë e sfilitur të ditëve po të njëjta.

    I njëjti që ka pa lemerinë e njerëzve që u ngjizën lehtë, të lindur nga njerëz pa brenga.
    Edha ata shohin plot ëndrra
    Po mëngjeseve nuk gjejnë dot
    fjalët e duhura për t’i rrëfyer.

    Është e sigurt- njeriu nuk ia fal njeriut veç ëndrrat.
    (Si t’i falin ata ëndrra ku njohin lumturinë,
    Atje ku hanë bukën e bardhë,
    Ku kapin fluturat, hipin mbi krahët e tyre
    Dhe kalojnë mbi vendet që me dritë i ëndërrojnë).
    (Prandaj fjalët mungojnë…)
    Por kjo zgjat pak, se gjumi është i shkurtër
    dhe nata e gjatë.

    Qiellit nuk i lejohet të mbajë aq shumë ëndërrimtarë.
    Toka nuk mund të ushqejë aq shumë zogj.
    Prandaj, kjo zgjat pak, për shembull njësoj si shpresa.

    Ka qenë përherë i njëjti qiell
    E njëjta hapësirë e vogël, por jo për ne.
    Koka e rënduar mbet strukur mes supeve dhe hijerëndë përplaset mbi pasqyrat që krijon shiu rrugëve.
    Të njëjtat mjegulla mbulojnë mendimet e njëjta,
    E njëjta dritë zgjat hijet e njëjta.

    Garta, është vonë,
    Bota s‘duhet të di se ti jeton.

    Është qielli i njëjtë,
    Paçka se ndryshe mund ta shohim,

    Të gjithë janë në gjumë
    Dhe në gjumë dëshirojnë të ëndërrojnë
    Janë në jetë dhe brenda jetës duan prapë të jetojnë.

    Është qielli i njëjtë për të gjithë.
    Dhe e kaltërta u duket veç ngjyrë.


    pa ngjyra

    I thurëm ëndrrat në ditë të zakonshme,
    Duke pirë kafenë në një qosh fshehur nga bota.
    Dimri na kishte veç ne,
    Ne kishim veç ëndrrat atëherë
    Dhe njëri-tjetrin.

    I thurëm ëndrrat duke folur për gjëra të rëndomta,
    Ti the: “Moti ka qenë më i butë sivjet”.
    Unë s’fola. Ç’të shtoja pas atij pohimi?
    Sikur vera erdhi pas dimrit, sikur çdo gjë u gjallërua.
    Unë dhe ti në një qosh të braktisur
    koha na vdiste përnjëherë.

    I thurnim ëndrrat bashkë,
    Por jo të bashkuar,
    Duke qenë unë-unë dhe ti-ti…
    Asnjëherë nuk ishim më afër se atëherë kur i ëndërronim,
    Asnjëherë nuk jemi më larg se tani që i jetojmë.


    ureolë

    Eja të zhvishemi tani
    Ta shqyejm lëkurën.
    Është kaq i trashë petku që mbështjellim shpirtin.
    Zhvishu, mos druaj të tregosh jehonën e shpirtit.
    Fol. Fol.

    Botës varja.
    Bota është miope.
    Bota s’do t’ia di për ne, as për zë e shpirt.
    Gjaku është ujë për të
    E trupi zgavër.
    Eh, varja.

    Eja këtu para këmbëve të mia të thata.
    Që abstraktësisht po mbajnë një shpirt.
    E shpirti mban të tjerë brenda.
    Edhe ma t’mëdhenjj se ai.
    T’nënës, t’babës, t’motrës. Kush do t’ia dijë. Ti e di ç’flas.
    Kaq frikë, kaq dashuri, kaq pytje mbi këto këmbë thatuqe.
    E prapë ecin.
    Shkelin mbi botën që i thur mite t’kaluarës.

    Zhvishmu ti i tëri ashtu siç je. I pari.
    Më lejo të hy nëpër kangjellat e shpirtit tënd.
    Ndoshta s’më nxë,
    Po shpirti futet aty ku ka dritë.

    Më lejo.

    Eja të zhvishemi të dy.
    S’dua të më mbajnë ngrohtë rrenat,
    Fjalëkryqet me besime e gjykime t’kota.
    Zhvishu. Më zhvish. Të t’bie në gjunjë?

    Me lejo të zhvishem dhe unë.
    Dhe ta heq këtë tokë t’kadifenjtë
    Ndoshta kështu lulet do të shpërthejnë.
    Lejo dielli të futet aty ku unë s’di se marr frymë.

    Eja tani t’i nxjerrim shpirtrat n’dritë.
    Janë kaq të vegjël n’këtë tokë t’sëmurë për naltësi.

    Është kaq terr dhe ne jemi kaq t’bardhë…

    Zhvishu, hidhe lëkurën n’tokë, kapërce pragun,
    Zgjatu, më jep dorën dhe…


    për gjyshen, nanën dhe mue

    U linda femën.
    Më pagëzuen me emën,
    Ngadalë hoxha t‘u ma thanë ndë vesh.

    Dhe aq.

    Festë nuk u bâ për mue,
    Veç uronin nji djal’(bekim) pas meje të vjen…

    Pastaj,

    ma vonë,

    Filluen me m‘tregue
    Si duhet unë me qenë vajzë.

    Si duhet sytë t‘i mbaj…
    Hapat si duhet me i bâ…
    Dhe kryet si me e mbajt…
    Kur dikush âsht n’sy t’u t’fol.
    Qésh e vogël atëherë,
    Po duhej vajzë me qenë, thanë!

    Pastaj,

    ma vonë,
    Më urdhnonin
    Si duhet femën me u bâ,
    Për sy të tjetrit,
    Për nder të familjes,
    E asgjë të times…

    Pastaj,

    ma vonë,

    Mue,
    nanën,
    mikeshat e mia,
    Kanë me na varros
    Njí metër ma thellë se tjerët

    Veç se ishim gra…

    lidhur pas hëne

    Hëna m’ka lidhë pas saj..
    Unë si e çmendur
    Kërkoj të më lëshojë…
    “Me lësho!”- bërtas
    “S’të dua!”
    Kurrë s‘kam dashur në jetë.
    Veç njëherë!
    Atëherë thanë se isha fëmijë
    (Ku merrja vesh nga dashuria?!)

    Mos ndriço dhe ti.

    Lërmë të zhytem në thellsinë e natës…
    S’të dua as ty, as botën,
    Në jetë veç një herë më kanë dashur
    (dhe nuk e mbaj mend)
    Atëherë isha femijë…

    Hëna m‘ka lidhë pas saj..
    Unë si e çmendur
    Kërkoj të më lëshojë…


    thellësia

    Po flejnë qetë ata që harruan kohën,
    E ata që i harroi koha, s’flejnë, ëndërrojnë.

    Është kaq e madhe bota.
    E s’ka vend për të marrë frymë.
    Është kaq e shpejtë koha,
    E për t’harruarit që presin nuk shkon.

    Na lindin t’i varrosim
    Lindim t’na varrosin.


    gjurmëve të gjetheve

    Kthehem këtu për të të gjetur
    Por asgjë nuk mbeti pasi ti shkove.

    Kthehem këtu për të ndjerë erën e duhanit mbi gushë
    Por asgjë nuk ka veç bishtash të vjetëruar cigareje.

    Kthehem këtu për të ta dëgjuar zërin
    Po asgjë s’dëgjoj pos këtij uji
    Që s’u ndal edhe pas ikjes sate.

    Kthehem këtu për të të gjetur
    Dhe krejt çka gjej është unë.


    Parathënie nga Vjollcë Berisha për librin e Nurie Emrullai

    Mund të ndodh që si në një dhomë të zbrazët t’i dëgjosh vetëm hapat e tu tek nxitojnë të japin sa më shumë në betejën për të shpëtuar të bukurën. Këtë ndjesi mund ta ketë dhe domosdo e ka pasur secili që e mban dashurinë për artin pak më lart se koka e vet dhe që gjithherë mendon se po bëhet fort pak për të, se askush më s’po ia var veshin bukurisë së fjalës, vezullimit të artit të vërtetë, se përditë po bien yje në terrin e madh teksa shkëlqejnë reflektorët e rrejshëm të instalacioneve të reklamës, shou-it, qilimit të kuq të fotografimit e të glazurës në përgjithësi.
    Në mesin e këtyre shfaqjeve brejtëse, në fluksin e botimeve të përditshme pa ndonjë kriter të mirëfilltë, të librave të shumëzuar në aq kopje sa i kënaq vetëm dëshirat egoiste të autorit, të cilit po i mbushet mendja top se po bëhet shkrimtar, të përurimeve e recensioneve tautologjike, në mesin e një grumbulli veprash efemere, s’do mend që trazohet e rremja me të vërtetën dhe mu kjo e dyta, e vërteta, si gjithmonë e heshtur, e pafjalë, ndodh të humbet, të mos duket, ose të duket me shumë vonesë.
    Ndonëse e kemi kuptuar mirë se s’kemi si ta bëjmë zap shfrenimin e botimeve si kërpudhat pas shiut, as ti ndjekim e të themi një fjalë për të qenë për to a për këtë dukuri të rëndë në përgjithësi, duhet të kemi kujdes që ta bëjmë si duhet të paktën betejën për ta shpëtuar të bukurën, për t’ia hapur rrugën, për ta ndarë nga egjri letrar dhe për t’i bërë vend në sistemin e vlerave. E tërë kjo duke lexuar diçka të duhur, duke folur e shkruar për të.
    Një nga këto shfaqje jo të shpeshta në letrat tona qe edhe Nuria-poete, e cila, ende pa e parë emrin e vet mbi një kopertinë libri vjen e formuar si krijuese, me trastën plot vargje e poezi që e mbërthejnë secilin lexues dhe bëjnë ta ndjejë drithmën e atij që sapo ka shijuar diçka të bukur. Nuria erdhi si poete shumë më përpara se libri i saj i parë, aq sa krijon përshtypjen se do të jetë ajo që do ta drejtojë librin e ri te lexuesit e vet, siç bëjnë rëndom shkrimtarët e njohur, e s’do të jetë libri ai që do ta njohë shkrimtaren e re me publikun. Kjo flet për një ulje këmbëkryq të kësaj poeteje në odën e krijuesve që kanë audiencën e vet dhe që mund t’i shtrohen qetë e me vetësiguri fjalës së bukur.
    Për gjysmën tjetër të hënës titullohet vëllimi poetik i saj, i cili tingëllon si një blatim mistik që ia bën autorja figurës kryesore të librit – hënës. Një blatim në vigjilje të shpërthimit poetik. Të tëra vjershat përjetohen si një këngë e gjatë që i dedikohet gjysmës tjetër të hënës, asaj që nuk që nuk shihet, asaj që nuk përjetohet, por që e dimë se është aty. Ky titull është i pari që na determinon ta lexojmë këtë libër si një këngë, si një përkushtim, e herë-herë edhe si një lutje e gjatë.
    Në një pistë tjetër leximi ky vëllim do të receptohej si pëshpërima a përgjerimi zëulët i një gruaje që dashuron, i një gruaje që i ka mësuar të gjitha përgjigjet në jetë dhe tani mban frymën te strehëza e qetësisë së vet, që rreket ta përshkruajë anën e padukshme të gjërave, atë anën e vështirë e më të thellë të tyre.
    E tërë poezia e Nuries është në thelb dashuri, një dashuri që e shumfishon veten. Madje edhe zgjatimet e inatit e protestës ndaj mendësisë “maçiste”, ndaj fatthënës kursimtare kundruall gruas, s’janë veçse prodhime të një dashurie elementare, të një dashurie që e sheh me keqardhje botën e dalë boje e që vjen si grumbullim i vjetër, i brezit të gjyshes, i brezit të nënës, e madje edhe i vetë subjektit lirik, kësaj çupëline që duhet të ketë qenë e rritur përpara se të zvogëlohej.
    Bie në sy lehtësia me të cilën Nuria i ngre shtatoret e veta, që shenjojnë situata e përjetime të rënda, aq sa shpesh të duket se po lexon një zezonë me një melodi ritmike në sfond, e cila s’të lë të përqendrohesh kryekëput në dhimbje. Ky është kurthi që e përgatit poetja për lexuesin e vet që të mos e sharrojë në pezëm e mendime të liga. Është shpëtimi perfid që ia bën atij që me titullin në dukje romantik, por tepër të errët në thelb, e për të vazhduar më pas me vjersha që flasin për shembje ëndrrash, për toka të humbura kaherë, për dëshira që s’kanë për të ngritur krye kurrë…
    Edhe strukturimi grafik i librit është në shërbim të kësaj koniukture konceptuale. Mesciklet janë shestuar si purgatorë të vegjël, pa asnjë shenjë të dukshme se cila nga portat të shpie në parajsën e lumtur, e cila të takon me ferrin famëkeq. Mu këto vargje të pakta, që ngjajnë si shkëputje nga ndonjë vjershë, janë strumbullarët e vegjël tematikë, ku vijnë vërdallë ciklet me poezi.
    Vatra kuptimore ËNDËRR merr në këtë vepër një peshë tjetër, ndoshta ngaqë e krijon tërë atmosferën poetike të vëllimit, duke e bërë atë të tingëllojë gjysmëreal, jo të njëmendtë, e gati-gati të përhanshëm, gjë që e bën krejt të natyrshme lidhjen në një fill të vetëm të të gjitha krijimeve të bukura të këtij libri. Shpeshherë i gjejmë në opozicione ëndrrën dhe jetën. Për Nurien, ana tjetër e segmentit të jetës nuk është vdekja, por ëndrra. Ëndrra dhe jeta janë antonimet e kësaj poezie. Jeta është realja, ajo që mundemi, ajo që na jepet dhe na duhet ta ndjekim verbërisht deri në skaj, ndërsa ëndrra është ajo që mund ta kishim jetuar, ajo që s’na u premtua nga askush, ajo që e dëshiruam, ajo që e ndërtuam së largu ashtu të plotë siç do ta donim e siç nuk do ta shijonim kurrë.
    Asnjëherë nuk ishim më larg se atëherë kur i ëndërronim/ Asnjëherë nuk jemi më larg se tash kur i jetojmë
    thotë poetja në njërën nga poezitë, ku i vë përballë ëndrrën e madhe dhe jetën si realja tjetër e së mundshmes. Kjo poete është ndoshta zëri më origjinal që i ka përcaktuar edhe përmasat e ëndrrës si apostulat i së qenmes, kur thotë: Merre është e jotja (për ëndrrën), provoje a të nxen. Ky hezitim, kjo dilemë përpallë ëndrrës, të cilën kaherë e kemi pranuar si gjigante, të pakufishme, e cila mund të rrokë gjithçka brenda saj, na shfaqet krejt papritur e gati-gati i papranueshëm për mendësinë tonë. Na ndjell dhe pak frikë, ne të vegjëlve që jemi mësuar me idenë e ëndrrës së madhe e që na bën të ndjejmë pasiguri e vetmi kur na e sjell në mend poezia se edhe mund të ndodhë që ajo të na vijë e vogël. Një lexues i vëmendshëm mund ta dëgjojë edhe një qortim të lehtë në skajet e këtij vargu, një qortim që i drejtohet atij që harroi ta ujisë ëndrrën apo që e lejoi veten të guliverizohet pa bërë asnjë matje përreth.
    Zëri që flet, që këndon është femër, jo pse këtë e determinon gjinia e autorit, po pse ndihet zëri i hollë mezosopran i një uni lirik të mençur, të dëlirë, të thellë që i ka rënë kryq e tërthor ndjenjave njerëzore dhe tani e thotë këngën e vet. Është gruaja që dashuron. Gruaja që ia ka caktuar kaherë vendin burrit dhe lutet për të. Është gruaja që nuk e mundin harrimet, vetmitë, as krenaritë e kota prej llastice. Gruaja e Nuries është pasqyra përmes së cilës lexuesi gjen burrin, kërkesat, mendësitë, mënyrën si dashuron ai dhe krejt papritur e ndesh perin ku rri varur ai, fillin e së cilës e mban Ajo (gruaja) dhe s’e lë t’i rrëshqasë as kur i gjakosin duart nga lodhja.

    E shef?
    Pak gjana du pi jetës.

    Me qenë yll,
    me u shue.
    Me ra prej qielli
    Me t’u plotësu ty nji dëshirë…

    Ja ku shfaqet altruizmi me emrin grua në këtë vjershë antologjike të Nurie Emrullait (Dëshira t’marra), shfaqje kjo që e qarkon si një tis i hollë tërë vëllimin me poezi. Prania e të gjitha grave të këtij libri përpjestohen mu me këtë zë bujar që dëgjohet te strofa e mësipërme. Sadoqë gratë janë më shumë në numër (nëna, gjyshja, vazja që flet, shoqja, fëmija i palindur, i cili çuditërisht imagjinohet të jetë femër), burri është pika ku synojnë shigjetat tematike, figurative dhe të gjitha grimcat e ndjeshmërisë së këtij vëllimi. Po a s’është kjo më e natyrshmja dhe më e bukura? Fundja, përqasja është rruga më e saktë e më poetike e përshkrimit.
    Me këtë libër Nuria vjen në letrat shqipe nga dera kryesore. Bota e saj e ndjeshme, dhuntia krijuese, shtresimi i kulturës së saj, gjuha e pasur poetike, figuracioni i bujshëm, laryshia tematike, e hap krah më krah këtë derë që me veprën e parë të botuar, duke na bërë ne spektatorë të shpirtit të saj poetik tek i sulet botës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË