Labirinti i Shpirtrave është romani i katërt i tetralologjisë së Carlos Ruiz Zafón-it, që zhvillohet në universin letrar të Varrezave të Librave të Harruar. Në libër rimerren temat dhe personazhet e njohura edhe në romanet e mëparshme, ndërsa vjen si një risi që i përcjell vlera të reja romanit, epërsia e një femre fatale, e cila sfidon maskilizmin e fshehtë të tri romaneve të fundit. Alisia Gris është detektive e policisë sekrete spanjolle dhe përfaqëson gjithçka që një grua në Spanjën e Frankos nuk duhet të ishte: autonome, seksi dhe gjakftohtë, edhe në situata të rënda. Përmes Alisias, Labirinti i Shpirtrave shtron një pyetje të rëndësishme: kush është përgjegjës për “korrigjimin e gabimeve” të nesërmen e rënies së një regjimi politik të korruptuar?
Në fillim të Labirintit të Shpirtrave, Ruiz Zafóni shpjegon se ai i shkroi romanet e sagës Varrezat e Librave të Harruar, në mënyrë të tillë, që të lexohen në çdolloj radhe. Qëllimi është të lejojë lexuesit “të eksplorojnë labirintet e historive përgjatë rrugësh të ndryshme që, kur kryqëzohen, të çojnë në zemrën e rrëfimit.” Hija e erës është romani i parë i kësaj sage, që ndjek historinë e Daniel Semperes, teksa heton për një autor misterioz të Barcelonës, me emrin Hulián Karaksi. Libri tjetër, Loja e Engjëllit, zhvillohet afërsisht një brez më parë dhe përqendrohet te David Martini, një shkrimtar i shkëlqyer, por mendërisht i brishtë. I burgosur i Qiellit është libri i tretë në këtë seri. Është historia e Fermin Romeros, një personazh popullor nga Hija e Erës, i burgosur politik në kështjellën e Montjuicit.
Labirinti i Shpirtrave zhvillohet në vitin 1959-60 në Spanjë, kryesisht në Barcelonë, e cila mbizotëron gjithë skenën, ashtu siç ndodh në çdo roman tjetër të kësaj sage. Zhdukja misterioze e ministrit të Kulturës, Mauricio Vallsit, në nëntor të 1959-ës, është “preteksti” nga merr jetë gjithë ngjarja. Alisia Gris është ngarkuar ta hetojë këtë çështje, së bashku me një polic të quajtur Huan Manuel Vargas. Puna e tyre si detektivë i çon nga Madridi në Barcelonë, ku zbulojnë sekretet e harruara prej kohësh, me ndihmën e familjes Sempere. Labirinti është organizuar sipas kronologjisë alternative të titulluar sipas lutjeve liturgjike dhe meshës së rekuiemit katolik: Dies Irae, Kyrie, Agnus Dei, Libera Me dhe In Paradisum. Kjo strukturë tregon me forcë mënyrën se si e kaluara është ende e pranishme për personazhet në roman.
Një mënyrë për të lexuar Labirintin është ta shohësh atë si një koment në lidhje me rolet e leximit dhe të shkrimit. Jo vetëm autorët dhe lexuesit figurojnë dukshëm në roman, por edhe librat. Në këtë mënyrë, romani na jep plot mençuri këshilla për leximin në universin e Varrezës së Librave të Harruar: duhet të jesh një detektiv letrar, për të bashkuar të gjitha historitë së bashku.
Një mënyrë tjetër për të lexuar romanin është të kujtosh një pyetje që lind shpesh në veprën e Ruiz Zafónit: kush është përgjegjës për gabimet e së kaluarës? Personazhet në Hijen e Erës, Lojën e Engjëllit dhe I Burgosuri i Qiellit shpesh janë në mëshirën e entiteteve të fuqishme si të aristokratëve të pasur, zyrtarëve të korruptuar të qeverisë dhe konvencioneve shoqërore prepotente. Labirinti i Shpirtrave paraqet personazhe që jo vetëm luftojnë pabarazinë, por edhe e demaskojnë atë. Në fund të romanit, Alicia Gris merr si dhuratë një penë të bukur e të çmuar, që sipas gjasave, duhej të kishte qenë e Viktor Hygoit. Ajo e përdor atë vetëm dy herë. Herën e parë, ajo shkruan emrin e saj në një dokument. Herën e dytë e përdor si thikë, duke goditur dikë. Asnjëherë citati i famshëm i Edward Bulwer-Lytton “pena është më e fortë se shpata” nuk ka qenë më i vërtetë dhe, mbase, më i domosdoshëm.
Labirinti i Shpirtrave dhe e gjithë kjo sagë është tashmë në duart e lexuesit shqiptar. Ky roman brilant, model i një stili të pakrahasueshëm, shkruar nga autori më në zë bashkëkohor spanjoll është botuar nga shtëpia botuese “DITURIA”, si pjesë e projektit “Histori fatesh njerëzore”, realizuar me mbështetjen e programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian.
Elisa Cogbill-Seiders
Universiteti i Nevadas, Las Vegas
(Përktheu Ana Sheldia)