More
    KreuLetërsiBibliotekëPaul Lynch: Kënga e profetit

    Paul Lynch: Kënga e profetit

    Fragment nga romani, Albas
    Përktheu: Loran Gami

    Nata ka ardhur dhe ajo nuk i ka dëgjuar trokitjet, tek qëndron te dritarja duke vështruar kopshtin. Si i mbështjell errësira pa u ndier pemët e qershive. I mbështjell gjethet e fundit dhe gjethet nuk i rezistojnë errësirës, por e pranojnë atë duke pëshpëritur. E lodhur, me ditën thuajse pas krahëve, gjithçka që do bërë para gjumit dhe fëmijët e rehatuar në dhomën e ndenjjes, e kaplon një ndjesi prehjeje për një çast ndanë xhamit. Sheh kopshtin që bie në errësirë, një dëshirë për t’u bërë njësh me këtë errësirë, për të dalë jashtë dhe për t’u shtrirë në të, të shtrihesh me gjethet e rëna dhe ta lësh natën të të kalojë, të zgjohesh pastaj me agimin dhe të çohesh e këndellur me mëngjesin që ka ardhur. Por këto trokitjet. Ajo i dëgjon teksa i përcillen në mendim, çokitja e prerë, këmbëngulëse, çdo trokitje krejt nën kontrollin e grushtit që e drejton, aq sa ajo fillon të rrudhë vetullat. Pastaj edhe Bejli troket në derën e qelqtë te kuzhina dhe i thërret, mami, duke bërë me gisht nga korridori pa i hequr sytë nga ekrani. Ajlishi e gjen veten duke lëvizur drejt korridorit me foshnjën në krahë, hap derën kryesore dhe përballë xhamit të verandës qëndrojnë dy burra gati pa trajta në errësirë. Ndez dritën e verandës dhe ata mund t’i njohësh menjëherë nga mënyra si qëndrojnë, ajri i ftohtë i natës psherëtin teksa ajo hap derën e verandës, qetësia e lagjes së periferisë, shiu që bie thuajse pa asnjë tingull në rrugën Shën Lorenc dhe mbi makinën e zezë të parkuar përballë shtëpisë. Çudi se si e mbartin me vete ata të dy ndjesinë e natës. Ajo i vështron që brenda instinktit të vet mbrojtës, i riu në të majtë pyet nëse e ka të shoqin në shtëpi dhe ka diçka në mënyrën se si e sheh, vështrimi i largët por zhbirues, që ngjan sikur përpiqet të mbërthejë diçka brenda saj. Sa hap e mbyll sytë ajo e ka kontrolluar rrugën majtas e djathtas dhe sheh një njeri që ecën i vetëm me çadër duke shëtitur qenin, shelgjet i tundin kryet shiut, në shtëpinë e Zajacëve kundruall shihet regëtima e dritës nga një ekran i madh televizori. E mbledh veten dhe gati lëshon një të qeshur, një lloj refleksi universal i ndjenjës së fajit kur të vjen policia në derë. Beni zë e përpiqet në krahët e saj dhe polici i veshur civil në të djathtë, që është edhe më i vjetër në moshë vështron fëmijën, fytyra sikur i zbutet, prandaj ajo i drejtohet atij. E kupton se edhe ai është baba, të tilla gjëra kuptohen gjithnjë, ai tjetri është shumë i ri, shumë i mbajtur dhe truplidhur, ajo nis të flasë dhe papritmas ndien t’i merret zëri. Do kthehet shpejt në shtëpi, për nja një orë, doni që ta marr në telefon? Jo, nuk ka nevojë, zonja Stak, kur të vijë në shtëpi mund t’i thoni që të na marrë në telefon sa më shpejt që të mundet, ja dhe kartëvizita ime. Më thërrisni Ajlish, ju lutem, mund t’ju ndihmoj unë me ndonjë gjë? Jo, nuk ma do mendja, zonja Stak, është diçka për bashkëshortin tuaj. Polici më i vjetër në moshë po i buzëqesh me plot gojën fëmijës dhe për një çast ajo i sheh rrudhat rrotull gojës, një fytyrë e çuar dëm nga solemniteti, nuk është fytyra e duhur për këtë punë. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, zonja Stak. Pse duhet të shqetësohem, nga Garda[1] jeni? Po, ashtu është, zonja Stak nuk duam t’ju lëmë akoma këtu jashtë dhe, kështu siç jemi qullur ne duke vajtur derë më derë, do ta kemi të vështirë të thahemi në radiatorin e makinës. Ajo e tërheq derën e verandës duke mbajtur në dorë kartëvizitën dhe qëndron aty duke parë dy burrat që kthehen te makina, sheh makinën që largohet në rrugë, frenon te kryqëzimi dhe dritat e pasme ndriçohen më shumë dhe marrin pamjen e dy syve të flakëruar. Ajo e hedh edhe një herë vështrimin nga rruga që tani i kthehet qetësisë së mbrëmjes, ndien afshin që vjen nga korridori ndërsa futet brenda dhe mbyll derën, pastaj qëndron një çast duke këqyrur kartëvizitën dhe e kupton se gjatë gjithë kësaj kohe e ka mbajtur frymën. E kaplon një ndjesi se diçka është futur brenda në shtëpi, kërkon të ulë foshnjën, do që të ngrihet dhe të mendojë, duke parë se kjo gjë ndenji jashtë me ata dy burrat dhe pastaj u fut vetvetiu në korridor, diçka e paformë e megjithatë diçka që ndihet. Ajlishi e ndien teksa i përvidhet pranë ndërsa lëviz për te dhoma e ndenjjes pranë fëmijëve, Molli po mban telekomandën mbi kokën e Bejlit, duart e tij përplasen lart dhe ai kthehet nga ajo me sytë që i luten. Mami, thuaji ta kthejë te filmi im. Ajlishi mbyll derën e kuzhinës dhe e vendos foshnjën në djepin lëkundës, bën të largojë nga tryeza laptopin dhe ditarin e vet, por ndalon në vend dhe mbyll sytë. Kjo ndjesi që u fut në shtëpi e ka ndjekur nga pas. Sheh telefonin dhe e merr, dora ngurron, i dërgon një mesazh Lerit, e sheh sërish veten te dritarja duke vështruar jashtë. Atë kopsht që po bie në terr nuk e dëshiron më tani, ngaqë diçka prej asaj errësire ka hyrë brenda në shtëpi.

    Leri Staku baret nëpër dhomën e ndenjjes duke mbajtur kartëvizitën në dorë. Ia ngul sytë duke rrudhur ballin, pastaj e vendos në tavolinën e mesit dhe tund kokën, lëshohet në kolltuk, me dorën që i mbërthen mjekrën teksa ajo e vështron në heshtje, duke e studiuar në atë mënyrën e vet të zakonshme, pas njëfarë moshe burri nuk mban më mjekër që të quhet burrë, por që të ndahet me të ritë e vet, nuk i kujtohet më se si duket i rruar. E sheh teksa këmbët i kërkojnë shapkat, fytyra i bie në qetësi ndërsa prehet në kolltuk, po mendon për diçka tjetër siç duket, derisa vetulla i tendoset dhe fytyra i ngryset dalëngadalë. Përkulet përpara dhe e merr sërish kartëvizitën. Ndoshta nuk është asgjë, thotë. Ajo e përkund fëmijën në prehër duke e vështruar ngultas. E si nuk qenka asgjë, Leri? Ai lëshon një psherëtimë dhe e kalon kurrizin e dorës në gojë, duke u ngritur nga kolltuku zë e kërkon nëpër tavolinë. Ku e vure gazetën? Lëviz nëpër dhomë duke hedhur sytë as andej-këndej, por pa arritur të shohë, ndoshta e ka harruar fare gazetën, po kërkon diçka brenda hijes së mendimeve të veta dhe nuk arrin t’i bjerë në të. Pastaj kthehet dhe këqyr të shoqen teksa kjo mënd foshnjën në gji dhe kjo pamje e qetëson, një ndjesi jete e ngërthyer në një imazh që e përjashton çdo ligësi dhe mendja fillon e i shpihet. Lëviz drejt saj dhe i afron dorën, por tërhiqet kur ajo e shënjestron me sy. Zyra Kombëtare e Shërbimit të Gardës, thotë ajo, ZKShG-ja, nuk janë dokudo ata, një inspektor te dera e shtëpisë, ç’punë kanë ata me ty? Ai tregon me gisht nga tavani, a do ta ulësh atë zërin? Futet në kuzhinë duke shtrënguar nofullat, merr një gotë nga mbajtësja dhe e lë rubinetin të rrjedhë, duke vështruar jashtë përtej pasqyrimit të vet në errësirë, qershitë janë të vjetra dhe një ditë do të kalben, ndoshta do na duhet t’i presim në pranverë. E rrëkëllen gjithë gotën dhe shkon në dhomën e ndenjjes. Dëgjo, thotë, dhe sikur e ndien zërin t’i mehet në një pëshpërimë. Asgjë s’do të jetë, me siguri. Ndërsa i thotë këto fjalë, ndien këtë besim që ka në vetvete t’i rrëkëllehet sikur uji i gotës t’i derdhej nëpër gishta. Ajo sheh se si i lëshohet sërish kolltukut, trupi që epet, dora që lëviz automatikisht kanalet e televizorit. Ai kthehet dhe e gjen veten të mbërthyer nga shikimi i saj dhe pastaj përkulet përpara dhe lëshon një psherëtimë, e tërheq mjekrën si të donte ta shkulte nga fytyra. Shiko, Ajlish, ti e di si veprojnë ata, se çfarë kërkojnë, mbledhin informata, e bëjnë me kujdes dhe, dashur padashur, edhe ti detyrohesh t’u japësh ç’të kërkojnë, pa dyshim që po mbledhin të dhëna për akuzat që po ngrihen ndaj ndonjë mësuesi, prandaj dhe ka kuptim që duan të flasin me mua, po na njoftojnë paraprakisht, ndoshta përpara se të bëjnë ndonjë arrestim, shiko, do t’i marr në telefon nesër ose pasnesër që të shoh se çfarë duan. Ajo e sheh në fytyrë e vetëdijshme për një ndjesi hiçi në thelb të qenies së vet, mendja dhe trupi kërkojnë sundimin e gjumit, pas pak do të ngjitet e do të veshë teshat e gjumit, duke parë orën të kalojë derisa të zgjohet foshnja për t’u ushqyer. Leri, i thotë ajo, ndërsa ai prapset sikur ajo t’i kishte kaluar rrymë elektrike nëpër duar. Ata thanë që t’i marrësh sa më shpejt që të kesh mundësi, merri tani në telefon, numri është te kartëvizita, tregoju që nuk ke asgjë për të fshehur. Ai vrenjtet në fytyrë dhe pastaj merr frymë me ngadalë si të ishte duke matur diçka që i përvijohet kërcënueshëm përpara syve, kthehet dhe e sheh Ajlishin drejt e në sy, me sytë e picërruara nga inati. Ç’do të thuash tregoju që nuk kam asgjë për të fshehur? E kupton se ku e kam fjalën. Jo, nuk e kuptoj se ku e ke fjalën. Shiko, përdora thjesht një shprehje, Leri, të lutem shko dhe merri në telefon tani. Pse tregohesh gjithnjë kaq e vështirë, ta marrë dreqi, thotë ai, dëgjo, nuk do t’i marr në telefon në këtë orë. Leri, merri tani, të lutem, nuk e dua hijen e ZKShG-së prapë te dera e shtëpisë, e ke dëgjuar se ç’thuhet, gjërat që flitet se po ndodhin këta muajt e fundit. Leri përkulet përpara në kolltuk dhe duket sikur nuk arrin të çohet prej andej, vrenjtet dhe pastaj lëviz drejt saj e ia merr foshnjën nga krahët. Ajlish, të lutem, më dëgjo pak, edhe ata duhet të tregojnë respekt ndaj meje, ata e dinë që unë kam angazhime, unë jam zëvendëssekretari i përgjithshëm i Sindikatës së Mësuesve të Irlandës, nuk pres të marr urdhra prej tyre. Ti mirë e ke, Leri, por atëherë përse të erdhën në shtëpi në këtë orë dhe nuk erdhën në zyrë ditën, pa më thuaj pak. Dëgjo, zemër, do t’i marr në telefon nesër ose pasnesër, tani, e mbyllim këtë muhabet se është natë? Trupi i qëndron përpara saj, megjithëse sytë i ka kthyer nga televizori. Është ora nëntë, thotë ai, dua të dëgjoj se ç’thonë lajmet, pse nuk është kthyer Marku në shtëpi? Ajo sheh nga dera, dora e gjumit i sillet rrotull belit, shkon te Leri dhe ia tërheq foshnjën nga krahët. Nuk e di, i thotë, nuk i vete më pas atij, kishte stërvitje futbolli në mbrëmje dhe mbase ka ngrënë darkë në shtëpinë e ndonjë shoku ose mbase ka shkuar te shtëpia e Samantës, nuk ndahen nga njëri-tjetri kohët e fundit, nuk e marr vesh se ç’i pëlqen asaj vajze.


    [1]  Në Republikën e Irlandës, Garda Síochána i referohet Policisë së Shtetit. Në këtë libër do të përdoret termi Garda.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË