More
    KreuLetërsiShënime mbi libraParid Teferiçi dhe Mark Marku në një bisedë mbi përkthimin e romanit...

    Parid Teferiçi dhe Mark Marku në një bisedë mbi përkthimin e romanit të nobelistit Kazuo Ishiguro

    Mjeshtëria e përkthimit

    Parid Teferiçi: Në shqip është pak e vështirë për të kuptuar profesionin e mazhordomit, për shkak të konotacionit në gjuhën tonë që kanë marrë hyzmeqarët, shërbëtorët… pavarësisht servilizmit dhe nënshtrimit tonë proverbial…Por gjendemi në një shoqëri “të zgjeruar”, pasi rrëfyesi – mazhordom në roman thotë se të gjithë europianëve të kontinentit (përfshirë edhe irlandezët) u mungon një cilësi e domosdoshme për këtë profesion: vetëpërmbajtja. Meqë arritëm këtu, tek vetëpërmbajtja, duhet të kemi parasysh që autori ka në gen vetëpërmbajtjen tipike japoneze, meqenëse është i lindur në Japoni, Nagasaki, dhe më pas në moshën pesë vjeçare ndjek prindërit në Angli, ku jeton edhe më pas me vetëpërmbajtjen tipike angleze. Kështu që teksti i romanit të Ishiguros nuk është i zakonshëm. Jemi mësuar që në një roman duhet të kemi gjatë gjithë kohës zbavitje, ngjarje, përshkrime, dialogje, histori të ndryshme që e kërkojnë me zor empatinë e lexuesit. Ndërsa në romanin “Dita e mbetur” ndjekim përsiatjet e njëpasnjëshme të një mazhordomi plak, i cili, përgjatë një udhëtimi pesë, gjashtëditor, sheh në retrospektivë gjithë të kaluarën e vetdhjetravjeçare në profesion. Një udhëtim i sugjeruar nga punëdhënësi i tij, të cilin ai e shfrytëzon për “arsye profesionale”: niset në kërkim të ish-guvernantes që kishte pasur 30 vjet më parë, me të cilën, për hir të verbërisë së obligimeve “profesionale” nuk kishte arritur të kapte sinjalet e ndjenjave njerëzore. Ai qe përpjekur ta mbante marrëdhënien e tyre në «shtratin» e profesionalizmit. Ky njeri është kaq i mbyllur dhe i dedikuar ndaj profesionit të trashëguar edhe nga i ati, një tjetër mazhordom klasik britanik …
    Ata që do ta lexojnë librin do ta kapin menjëherë këtë fill të munguar mes të dyve dhe, të kuptojnë natyrën e çuditshme prej anglosaksoni, i cili merret me persiatjet, që ne na duken qesharake, por për një anglez janë shumë të rëndësishme si; mbi përkufizimin e dinjitetit, madhështisë…Këto janë sa qesharake kur i lexon aq edhe interesante për të kuptuar botën e ngushtë dhe klaustrofobike të këtij njeriu. Në thelb ky është mazhordom i një residence të madhe lukzose, i asaj të Lordit shumë influent britanik Darlington. Gjatë jetës së tij mediokre, brenda kësaj residence, ndodhin edhe zhvillime të tjera, të një rëndësie epokale për Europën – përtej këtyre historive “meskine” dhe një mikrobote të çuditshme të një njeriu të frustruar nga profesioni dhe nga pozita e tij sociale. Ai ushqen iluzionin se i përket sërës së “misionarëve të përparimit”, duke e kryer punën e kryeshërbëtorit në mënyrë të përsosur. Gjatë zhvillimit të këtyre persiatjeve mbi rolin e një shërbëtori, ndonëse të një niveli të lartë, kemi edhe ngjarjet që zhvillohen në Evropën e viteve ’20 dhe ‘30, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe ngjizjes së Luftës së Dytë Botërore. Pasi Lordi kishte luftuar me gjermanët në Luftën e Parë Botërore, kemi përpjekjet e vazhdueshme me stil tipik britanik duke iu ofruar kundërshtarit të mundur dorën e shtrirë ndërkohë, francezët krejt ndryshe nga anglezët insistojnë në vënien e kushteve të forta Gjermanisë. Kjo e çoi më pas në atë përshkallëzim nacional-socializmin në Gjermani dhe furinë hitleriane që iu vërsul pjesës tjetër të Evropës. Kemi praninë në rezidencën e lordit Darlington të shumë figurave të shoqërisë së lartë britanike dhe Evropiane të kohës dhe një nga këto infiltrime është figura e ambasadorit gjerman Ribentrop. Në thelb mazhordomi i shërben me zell lordit të tij, pavarsisht se ky i fundit po merret me një përpjekje krejt donkishoteske, me iluzionin e ndërtimit të paqes përmes bisedimeve sipas kodeve kalorsiake dhe fisnike. Mbërritja e një personazhi si senatori amerikan i qartëson Lordit dhe aristokratëve të tjerë: harrojini të gjitha virtytet e dikurshme kalorsiake, bota e sotme është shumë e shëmtuar për kësi iluzionesh.
    Përtej kësaj kundërvënie debatet që zhvillohen mes sërës së lartë të aristokratëve dhe debateve në sallën e shërbëtorëve janë të njëjtat. Në sallën e shërbëtorëve bisedohet mbi të njëjtat tema si në sallën e aristokratëve. Mbas kësaj është një mënyrë të shkruari ku është një regjistër i bazuar tek reminishenca që pasojnë njëra tjetrën. Besoj se rrjedhshmëria e librit më shumë vlerësohet për patosin që krijon, kjo mënyrë rrëfimi ku narrator mazhordomi Stivens duke folur për veten, dëshmon të gjitha difektet, mungesat, fiksimet, të gjithë botën e tij në 360 gradë. Dhe mbasi mbaron libri, një kritik britanik, thotë se duket sikur ke humbur një mik, pavarësisht se mazhordomi ka të mirat e të këqijat e veta. Por duket sikur realisht je ndarë me një person që do të doje ta ngushëlloje, ta përqafoje e t’i thoje se ke çuar jetën dëm

    Mark Marku: Unë e kam lexuar librin në anglisht. I vetmi detaj i subjektit është: mazhordomi i referohet vazhdimisht një manuali të vlerësimit, që përcaktonte se çfarë e bën një mazhordom të mirë. Pra, një shoqëri që ka manual etik për mazhordomet, mendoni se çfarë manualesh ka për letërsinë dhe cilat janë kriteret e saj. Është një shoqëri ndaj së cilës ne jemi shumë larg, në kuptimin e sensibiliteteve, strukturës sociale, të marrëdhënies së njeriut me letërsinë, të letërsisë me artet e tjera, të letërsisë me shoqërinë, të shkrimtarit me shoqërinë etj. Rasti është te vështirësia e leximit të asaj se çfarë është letrare për anglezët. Në fakt, jeta atje është letërsi. Të rëndomtën ata e lënë jashtë, nuk e përfshijnë. Nuancat e holla të jetës angleze mendoj se përbëjnë një lloj letërsie për ata që nuk e jetojnë atë, atje. E dyta, mendoj se ka dy vështirësi: Ishiguro është një shkrimtar anglez, modern, bashkëkohor, por është edhe shkrimtar me ndjesi japoneze; pra është një përzierje. Mbi të gjitha, mendoj se letërsia është edhe ndjeshmëri, mënyra se si shkrimtari reagon ndaj gjërave. Bashkimi i sensit anglez me atë japonez tek Ishiguro krijon sensibilitetin hibrid, me kultura shumë të largëta. Kjo reflektohet jo te mënyra si e shkruan tekstin, ndërsa e shkruan si anglez, nuk ndërlikon, nuk bën lojë me tekstin letrar. Problemi është te nuancat. Gjithë romani është te nuancat; nëse nuk e kupton romanin, praktikisht mu për këtë arsye nuk e kupton atë. Duke luajtur me titullin, “Mbetjet e ditës”, nuk të mbetet asgjë, për shembull nëse e lexon siç e tregoi Paridi, libri në gjykimin tim nuk ka sens. Është gjëja më pak e bezdisshme kur njeriu lexon Ishiguron, për mua është libër më esencial se sa “Never let me go”, që është bërë hit ndërkombëtar. Ky roman thjesht duhet lexuar në një atmosferë të veçantë. Është përvojë shumë e mirë leximi. Mendoj se Paridi ia ka arritur në mënyrë perfekte, siç ia ka arritur romanit “Gruaja e togerit frëng”, duke krijuar kështu një përvojë të vështirë, por me autorë shumë të mirë. Nuk mund të them se është një libër shumë i lehtë për t’u lexuar. Një lexues klasi nuk i fut frikën kur i thua se është një tekst shumë i nuancuar, i stërholluar, duke menduar se ata që lexojnë vërtet letërsi, këtë lloj letërsie duan. Libri është shumë i lehtë për t’u lexuar, por problemi qëndron te fakti se çfarë marrëdhënieje krijon me këtë lloj leximi, se kush mund ta lexojë… Madje, një kamerier mund ta lexojë si histori të jetës së vet, pra nuk është ky problemi, por çfarë nënkupton nga gjithë ajo ndjeshmëri, nuancë. Paridi i ka ruajtur këto dhe mendoj se ka kaluar një sprovë shumë të vështirë. Ky është një lloj shërbimi për letërsinë shqipe, sepse në momente të caktuara të kulturave, qofshin dhe ato të mëdha, përkthimet shpeshherë luajnë më shumë rol se autorët origjinalë. Kur ka një lloj boshllëku, unë s’jam për atë që s’ka letërsi të re.
    Ka letërsi të re, shumë më e mirë se e vjetra, por ka raste që nuk i përmbush nevojat për lexim. Vetë leximi kthehet në një akt të brendshëm kulturor nga një akt i jashtëm, që të vjen si vlerë e një kulture tjetër, duke e bërë pjesë të kulturës tënde, në thelb bën një akt kulturor, emancipon shoqërinë, mendoj edhe komunitetin e shkrimtarëve e të artistëve. Ne jemi me idenë e një lloj klasicizmi kulturor që na ka bërë të jemi pak si provincë e provincës, provincës së provincës…

    Titulli i librit “Ditë e mbetur”, filozofia dhe përplasja?

    Mark Marku: Në italisht, ky titull mund të tingëllojë perfekt, por nga ajo çka mbetet nga dita në shqip, unë e kisha pa “ajo”… Kur ti mësohesh me titujt origjinalë, apo me titujt që janë botuar në vende të ndryshme, derisa mësohesh, titulli nuk të duket normal. Kjo është si puna e emrit; po të na vendosnin emrin kur ne të ishim të rritur, do na duhej dy-tre vite për t’u mësuar me të. Por na vendosin emrin kur nuk e kemi vetëdijen e tij. Edhe me titujt e përkthyer ndodh pak a shumë kështu. Në shqip e përkthen thelbin kuptimor të gjithë librit, gjë që varet sipas nesh. Unë kam qenë për variantin italian të shqipëruar: Ç’ka mbetet nga dita.

    Parid Teferiçi: The remains of the Day ka një spektër kuptimor shumë të gjerë. Kam diskutuar me Markun edhe për versionin frengjisht që është “Les vestiges du jour”, si të thuash: mbetjet e Napoleonit, apo mbetjet e Lumo Skendos, eshtrat që mbërritën në Shqipëri…Versioni francez iku, edhe pse ishte shumë poetik. Versioni “ç’ka mbetet nga dita”, bëhej pak shumë i zhavorrshëm…Titulli duhej të ishte atletik siç ishte dhe proza e autorit. Dhe erdhi natyrshëm gjetja, që nuk është identike me origjinalin. Duket si jo “besnike” por është shumë më besnike se sa përkthimi literal…dhe kjo më erdhi gjatë përfundimit të kapitullit të fundit kur ai thotë: të marr më të mirën nga dita ime e mbetur. Dhe do të rëndohej po të thuhej: çka mbeti nga dita ime. Me Markun kemi diskutuar nëse “mbetja e ditës” e jepte kuptimin e precipitatit që lë në kujtesë një jetë njerëzore. Dita, në thelb, është jeta e këtij njeriu. Dita e mbetur, duke respektuar versionin shqip kur themi: gjella e mbetur apo, buka e mbetur…“vera e mbetur” – jep njëherësh edhe verën e pirë edhe atë pak verë që ka mbetur në shishe dhe po kthehet në uthull. Duke tejkaluar këtë ngërç semantic që kisha me punën e titullit, që më ka shoqëruar nga fillimi deri në fund, do dëgjoj vazhdimisht njerëz që do ankohen pse nuk është ruajtur ndonjë version tjetër. Në thelb kam bërë prerje të fortë, por më duket më besnike kjo “tradhëtia” ime. Dita e mbetur, përveç konotacionit të parë ka dhe diçka tjetër, pasi nënkupton një ditë tjetër që të ka mbetur, e nesërmja – e lë edhe këtë në mënyrë evazive, për ta nuhatur këtë iluzion. Dhe në fakt, kështu mbyllet udhëtimi i mazhordomit: të nesërmen ai do të kthehet në vendin e tij të punës dhe zotohet se do të stërvitet për të bërë shaka…ku me humorin anglez thotë: do të stërvitem për t’i bërë punëdhënësit një suprizë të këndshme.

    Shkrimtari – teksti – lexuesi

    Parid Teferiçi: Ishiguro nuk është ai lloj autori që të jep zgjidhje. Ai të gjitha romanet që ka, i mbyll me problematikë. Nuk kanë përfundim të lumtur dhe as të trishtë. Të gjitha janë në një tis paqartësie e melankolie. Gjithmonë nuk i jep vetes të drejtën të japë përfundim, këshilla apo mënyra sjelljeje. Sa i përket etiketës tipike britanike, për dikë respektimi i deontologjisë së profesionist është jeta e tij, në rastin konkret. Pasi dhe të atit, mazhordom, krejt papritmas i thuhet se ti nuk do të shërbesh më me tabaka. Këtu i përfundoi jeta, i ra krejt papritmas së bashku me tabakanë. Është dinjitet në lartësinë e detyrës. Përtej kësaj, duke iu referuar një mënyre trajtimi të të jetuarit të jetës, si ajo britanike, është edhe ndjenja e paqartë nëse duhet të ndihet fajtor apo jo, meqë i ka shërbyer dikujt, në thelb, duke bashkëpunuar me të ligën. Duket sikur në mënyrën e narracionit të Ishiguros dalin në pah vetë defektet e personazhit. Sikur kërkon shfajësime, justifikime. Unë doja ta lidhja këtë me paaftësinë shqiptare; me ata që i shërbyen një regjimi, të cilët nuk kanë kërkuar falje. Kur një mazhordom ka skrupuj, e gërryen vetveten, pse të kërkojë falje?! Kështu pikëpyetjet etike që ngre Ishiguro me prozën, që na duket e thjeshtë, janë shumë më të mëdha sesa ajo që duket në sipërfaqe.

    Mark Marku: Po ta lexosh Ishiguron, se çfarë thotë Ishiguro, kam përshtypjen se do ishte një zhgënjim shumë i madh, pasi ai nuk është një autor që kërkon të hedhë disa ide. Për mua, ai është autori i detajit. Për shembull, në romanin “Never let me go”, që është një roman shumë i rëndë, në kuptimin psikologjik, sentimental etj., ai nuk të tregon melankolinë, por të çon deri në fund, duke të treguar detajet e jetës së atyre bartësve të klonuar që trajtoheshin për t’u përdorur… Ai të lë melankolinë, trishtimin dhe mua më rrallë më ka ndodhur që një libër të më lërë ndjenja se çfarë po ndodh, e jo vetë leximin. Kam lexuar pafund gjëra filozofike, si: a mund ta përsërisni veten, si do jetë raporti mes asaj që krijohet dhe përdorimit të tij për diçka që e ka krijuar Zoti apo njeriu etj., të gjitha po t’i fusësh në planin e ideve se çfarë thotë, atëherë mund të them se për të shkuar tek idetë, s’kam nevojë të lexoj një roman. Nuk thotë asgjë, por të nxit. Ishiguro nuk është shkrimtari që bërtet. Në këtë rast, ndjesia që kisha nga leximi është kjo: kam punuar gjithë ditën, por rri diku pranë bregdetit, apo në shtëpinë time… jam vetëm dhe po bluaj gjëra që më kanë mbetur nga dita. Në njëfarë mënyrë, kjo i ndodh çdo njeriu. Gjërat e jetës ai i vë në një udhëtim gjashtëditor. Është një truk që të shtyn në reflektim kur ti mund të mos mendosh fare për gjërat e atij, librit, as për mazhordimin, dhe askënd. Por mendon për veten: çfarë jam unë që punoj gjithë ditën? Si e bëj diçka bëj mirë apo keq? Dhe ajo çfarë ngelet, duke qenë vetëm për vetëm, duke mos pasur ngutin të bësh diçka tjetër, është se ti je aty duke menduar për gjërat që të kanë mbetur në kujtesë Ishiguro luan shumë me kujtesën që lidhet me diçka sentimentale.
    Të gjitha janë ngjarje që nuk lexohen për të kuptuar gjëra madhështore. Nuk është ai nga ata që duan romanin epokal, të përplasjes, tragjizmit etj. Ai i shpërfill fare këto, dhe për mua ai është artist i pastër. Nuk abuzon me asgjë. Nuk është patetik. Jemi më patetik ne, që flasim për të, sesa ai vetë. Ishiguro rrëfen thjesht. Për mua një libër monoton është shumë i mirë. Rrëfimi letrar ngjan dhe me atë të përditshmin. Ai ka thënë një gjë shumë normale, pa dalë asgjëkund. Duhet të mësohemi me këtë lloj letërsie, është shumë emancipuese për të lexuarit e të shijuarit.

    Kazuo Ishiguro
    “Ditë e mbetur”, për mungesën e kurajës


    Çfarë vlere ka të shqetësohemi kaq shumë për atë që mund ose nuk mund të bënim për të kontrolluar drejtimin që mori jeta jonë? Doemos që, për ata si ju dhe si unë, është e mjaftueshme të paktën të përpiqemi të japim kontributin tonë të vogël në shërbim të diçkaje të vërtetë dhe me vlerë. Dhe nëse disa prej nesh janë të gatshëm për sakrifica të mëdha në jetë për të arritur këto aspirata, kjo në vetvete përbën, pavarësisht rezultatit, arsye për t’u ndier krenarë dhe të kënaqur. Romani “Dita e mbetur” e nobelistit Kazuo Ishiguro është përkthyer në shqip nga Parid Teferiçi. Nën logon e “Botimeve Pegi”, romani sjell një rrëfim të qetë dhe të shtruar mbi mungesën e kurajës për të bërë zgjedhjet, që mund të vënë në rrezik jetën e kontrolluar dhe të planifikuar për ne nga të tjerë. Kritika perëndimore shkruan se kjo vepër është historia e një dashurie të patreguar, për këdo që “i ka fshehur” ndjenjat e veta. Kryevepra e shkrimtarit rrëfen agonitë e një burri që po plaket, që kupton tanimë se e ka lënë dashurinë e tij të madhe të shkojë. Ishiguro ia del të na bëjë të ndiejmë se kemi në duart tona jetë njerëzore. Peter Beech nga “The Guardian” shkruan se kur libri mbaron, sikur ke humbur një mik. Ai shton më shumë se një herë që ka dëgjuar që, në mënyrë që ta bëjë lexuesin të qajë, një shkrimtar duhet t’i mbajë personazhet me sy të tharë. “Gjendemi përballë imazhit vërtet të plotë të një burri që orvatet dëshpërimisht t’i mbajë përbrenda emocionet e veta. “Dita e mbetur” bën gjënë më të mrekullueshme që mund të bëjë një vepër letrare: të ndiesh që ke ndër duar jetën e dikujt. Dhe kur i afrohesh fundit, të duket vërtet se po humb një mik; në këtë rast, një mik që kapardiset në mënyrë qesharake, tepër serioz dhe konformist, por një mik sidoqoftë. Do të doje ta përqafoje, vetëm se atij nuk do t’i pëlqente aspak”, – thotë ai në “The Guardian”. Ngjarjet e këtij romani rrëfehen nga mazhordomi Stivens, i cili për më shumë se tridhjetë vjet ka jetuar në Darlington Holl, rezidenca madhështore e lordit Darlington. Stivensi rrëfen një pjesë të jetës së tij, diku nga mesi i viteve ’30, një periudhë e ngarkuar për të personalisht, por edhe për historinë e Anglisë dhe të Europës. Punëdhënësi i tij është një personazh publik, tejet i angazhuar edhe politikisht. Stivensi, nga ana tjetër, nuk ka njohuri të thella mbi çështje të ndërlikuara politike. Ai është njeri i përmbajtur, i cili krenohet me sjelljen e tij prej xhentëlmeni të mirëfilltë dhe si të vetmen përparësi ka t’i shërbejë sa më me dinjitet punëdhënësit të tij.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË