More
    KreuIntervistaParadhomat e “Dhomave pa mure” - Bashkëbisedim i shkrimtares Mimoza Hysa me...

    Paradhomat e “Dhomave pa mure” – Bashkëbisedim i shkrimtares Mimoza Hysa me autoren e librit, Arta Markun

    Një libër si ngrehinë me hapësira të mëdha ku ka një holl mikpritës, një paradhomë-parafjalë, mirëfilli një ese. Po në stilin e esesë janë dhe paradhomat-parafjalë të secilës intervistë. Mund të qëndrojnë shumë mirë më vete. Siç qëndrojnë në librin eseistik “Nga njëra dhomë në tjetrën” të gazetares dhe shkrimtares Grazia Livi. Edhe në këtë libër flitet për dhoma, por shkohet përtej dhomave të shkrimtareve, përtej dhomës më vete me derën paksa të hapur të Virxhinia Ulfit. Flitet, por për dhoma pa mure. Shkrimtari është vendosur në një hapësirë nga ku mund ta shikojnë të gjithë, pa sekrete. Portreti i secilit prej tyre vizatohet me delikatesë, duke zbuluar detaje që kërkojnë një sy të vëmendshëm dhe një mendje të mençur, rrëfyer me çiltërsi dhe sinqeritet, siç është domosdoshmëri në fushën e letrave. Një hyrje në majë të gishtave, pa u ndier, por që është vendimtare për t’u dhënë jetë personazheve.

    Arta Marku është një njeri i letrave: gazetare, përkthyese dhe shkrimtare. Në këtë libër shpërfaqen të trija këto mjeshtri: ajo pyet si gazetare, lexon dhe interpreton në thellësi si përkthyese, shkruan si shkrimtare. Kjo ndërthurje vërehet edhe në vëllimin e saj me tregime “Kthinat e kujtesës” ku vizatohen personazhe reale në situata të trilluara. Libri “Dhomat pa mure”, gjithashtu ka personazhe reale, që kësaj here janë shkrimtarë që merren në intervistë. Po për të shkuar tek intervista, do të duhet ta njohësh më parë personazhin-shkrimtar të ndërtuar nga pena e Arta Markut.

    E nderuar të jem e përzgjedhur në këtë galeri të shkrimtarëve të paraqitur, kam kureshtjen të marr rolin e gazetares për të kuptuar më tepër nga ky libër.


    -Arta, ky libër flet për ju në 360 gradë, për kureshtjen tuaj si gazetare, për leximet, përjetimet dhe shijet tuaja. Nuk ka arte që qëndrojnë në hierarki, nuk mund të thuhet se poezia është më e mirë se proza, as se eseja është më e mirë se romani. Ka vetëm shkrimtari a krijimtari të mirë ose jo të mirë. Ka krijimtari që realizon ose jo kënaqësinë e leximit. Parafjalët e librit tuaj janë një kënaqësi leximi, ku shkrimi popullohet nga personazhe të kapura në karakter. A keni qenë e vetëdijshme për formën e paraqitjes dhe hartimit të këtij libri? Si lindi ideja e kësaj forme intervistash-ese?

    Nuk ka një moment të përcaktuar qartë për të shpjegur vetëdijen e lindjes së këtij libri. Është një proces. Gjatë punës sime si gazetare, sa herë intervistoja dikë, nga bota e letrave ose jo, vija re se disa biseda nuk ishin aq efemere sa për të humbur me gazetën e ditës ku botoheshin apo me transmetimin gjatë një programi televiziv. Më rezultonte se më së shumti në këtë kategori hynin intervistat me shkrimtarët. Para pak kohësh u përpoqa të sistemoj shkrimet e mia përgjatë 30 vjetëve, nëpër dosje të veçanta dhe në disa raste disa shkrime a intervista më habitën. I kisha harruar fare aq sa fillova të dyshoja mos ishte bërë ndonjë gabim shtypi. Por nuk më rezultonte të kisha harruar, pothuaj në asnjë rast, intervistat me shkrimtarët.

    Mund të mendosh se arsyeja janë librat e tyre. I kam në bibliotekë e sa herë shkoj e vij m’i kap syri titujt dhe emrat. Mund të mendosh se shkak është lidhja e vijueshme me ta qoftë edhe si lexuese. Ata gjithnjë botojnë një libër të ri. Edhe pa i intervistuar, me gjasë librin do ta lexoj. Sigurisht këto janë arsye që e ndihmojnë  kujtesën ose luftojnë harresën, por unë besoj se arsyeja e vërtetë është gjetiu: te vetë intervistat. Ato të shkrimtarëve janë mbresëlënëse. Të denja për t’u renditur në bilbliotekë bashkë me librat e tyre.

    Nga ana tjetër mua më pëlqen shumë të lexoj intervista shkrimtarësh e ata shpesh i gjen edhe të përmbledhura në libra.

    Kështu, nisa t’i mbledh intervistat diku rreth viteve 2004-2005 kohë kur fillova programin Bibliotekë në një TV të vogël privat. Por ideja e përzgjedhjes dhe përfshirjes në një libër u konsolidua pak nga pak në kohë. Po ashtu edhe forma e paraqitjes.

    -Jemi mësuar ta kornizojmë letërsinë, të kemi një listë emrash të mirëpranuar, të kemi një kanon skolaresk për shkrimtarët më të shquar të letërsisë. Ndërkohë në librin tuaj ka një përzgjedhje vetjake. Cila është mënyra e përzgjedhjes: i ke përzgjedhur ngaqë librat e tyre i ke lexuar pa zor, nisur thjesht nga kënaqësia e të lexuarit, apo ngaqë janë personazhe që intervistohen pa zor, personazhe të këndshme në bisedë?

    Po, është e rëndësishme të thuhet se është një përmbledhje vetjake. Nuk kam bërë një libër shkolle. Nuk kam pasur aspak parasysh programet mësimore. Nuk ka lidhje “Dhomat pa mure” me ndonjë lloj historie të letërsisë shqipe të një kohe të caktuar.

    Në bosht të përmbledhjes është njohja ime vetjake. Padyshim që e para është njohje e letërsisë, qoftë edhe e një libri që ka nxitur intervistën konkrete. Por kjo është vetëm njëra anë. Duhej apo doja të përmblidhja në një vëllim autorët me të cilët kisha njohje të drejtpërdrejtë, dhe jo vetëm një takim në studio për intervistën. Duhej t’i kisha takuar, të kisha biseduar me ta edhe për gjëra përtej letërsisë. Zbulimi i tyre duhej të fillonte nga unë.

    Kujtoj se diku rreth viteve 2007-2008 pati dalë një libër i jashtëzakonshëm me titullin Biseda në Paris (Onufri 2007). E pata lexuar librin me një këshëri të madhe. Autorja, edhe ajo një intervistuese shkrimtarësh, kishte përmbledhur në libër bisedat që kishte bërë me disa autorë jashtëzakonisht të mëdhenj. P.sh., kishte intervistuar Borgesin, Joneskon, Umberto Ekon, Durasin… Çfarë fati, por edhe këmbëngulje. Por, teksa lexoja intervistat ndieja se diçka mungonte. Isha shumë kureshtare të dija diçka përtej intervistave, por Bogavac pothuaj ishte kufizuar te pyetjet dhe përgjigjet. Fare pak, në ndonjë rast, kishte rrëfyer për përjetimet ose perceptimet e veta. Për çfarë do të më vlenin? Besoj se do ta kishin bërë vizatimin më të pasur. Ndoshta Bogavac ka bërë ndonjë botim tjetër, ndoshta ka ditarë, dosje plot më shënime e mendon të bëjë diçka me to. S’e di. Di vetëm një shkrim, të cilin e kam lexuar e ku ajo përshkruan se si e ka takuar dhe intervistuar Kadarenë, nisur nga hera e parë, kur krejt rastësisht e pa në një metro (gjithnjë një Paris) dhe mori guximin t’i fliste, me gjithë dilemat dhe pasiguritë nëse ishte duke bërë apo jo gjënë e duhur. Mes informacioneve kureshtjendjellëse padyshim janë edhe interpretimet sipas këndvështrimit të Bogavacit. Më pëlqejnë të tilla gjëra.

    Gjithsesi për t’u kthyer te “Dhomat pa mure” unë zgjodha autorët që pasi i lexova “pa zor” siç shpreheni ju, i takova dhe bisedova po aq “pa zor’, i ritakova e sërish i ritakova dhe pastaj bëra një kroki, krokinë time, që i parapriu asaj që më thanë ata nëpër intervista.

    Kam intervista të tjera nëpër dosjet kompjuterike. Disa janë shumë të mira, disa të tjera jo edhe aq, por i kam lënë të presin. Dhe në disa raste është njohja ime e varfër lidhur me shkrimtarët, ajo që më ka imponuar t’i lë në pritje. Le ta pranojmë, ka edhe raste kur jam ndikuar nga zbulimi i disa karakteristikave që nuk më kanë lënë mbresa të mira. Disa prej shkrimtarëve as që dua t’i njoh më shumë se ç’i njoha gjatë intervistës. Madje as dua t’i takoj sërish.

    -Ju keni vënë në pah tipare të veçanta te gjithsecili, duke i vizatuar si karaktere, si për shembull drejtpeshimin te Besnik Mustafaj, buzëqeshjen e çiltër te Fatos Kongoli, tëhuajëzimin tek Ervin Hatibi, energjinë e brendshme te Luljeta Lleshanaku, feminitetin te Mira Meksi, e kështu me radhë. Por, a kanë qenë për ty të gjithë lehtësisht të kapshëm në karakter? Të ka shërbyer më tepër vepra e tyre për t’i njohur në këto veçanti, apo njohja e drejtpërdrejtë?

    Për të vizatuar karakterin e tyre, nuk më kanë shërbyer librat. Shpesh mendojmë, teksa lexojmë, për personazet që shkrimtarët krijojnë. Është prirje e natyrshme e lexuesve për të zbuluar pas një personazhi vetë krijuesin e tij. Rrijmë e vrasim mendjen se mos ndoshta këto tipare, këto mendime, janë të shkrimtarit apo jo. Por nuk mund ta gjejmë dot kurrë nëse nuk e njohim shkrimtarin. Ndoshta mund të na ndihmojnë libra të tjerë të shkruar për ta, intervistat, apo interpretimet e studiuesve, por jo librat e tyre. Së paku kështu mendoj.

    Pra, vizatimet e karaktereve që unë i kam bërë, i kam bërë duke u mbështetur në njohjet e drejtpërdrejta.

    Tek shkruaja, ndaloja dhe pyesja veten: “A jam e saktë?” Ndoshta kam qenë, ndoshta jo. Por bëhet fjalë për interpretime bazuar në perceptime vetjake. Dhe perceptimet mund të ndodhë që të mos përputhen. E ndoshta më së shumti nuk përputhen. Nuk di pse më erdhën në mendje portretet që Pikaso i ka bërë Dora Maarit. Nuk janë riprodhime realiteti, janë këndvështrimet e artistit. Ama është Dora Maari. Nuk po heq paralelele, thjesht po flas për këndin e shikimit që ështe gjithnjë i ndryshëm mbi një objekt a subjekt.

    -Parafjalët-ese të intervistave më sjellin në mendje përmbledhjen tuaj me tregime “Kthinat e kujtesës” të botuar në vitin 2014, me gjashtë tregime për Edi Luarasin, Margarita Kristidhin, Kel Kodhelin, Maja Luarasin, Maks Velon, Anita Taken, pra me personazhe reale. Në të njëjtën mënyrë janë plazmuar këtu dhe shkrimtarët-personazhe. A mendoni se trillimi në shkrimtari përmes historive me personazhe reale është një zgjatim i shkrimit gazetaresk apo një ndërthurje mes shkrimit të trilluar (fiction), dhe atij gazetaresk? Sa të ka ndihmuar shkrimi gazetaresk në ndërtimin e personazheve?

    Gazetaria më ka modeluar. Shkrimi gazetaresk më ka ndikuar më shumë sesa ndihmuar. Kur pata botuar “Kthinat e kujtesës”, dikush shkroi se libri nuk është letërsi, por gazetari. Dhe ndoshta kishte të drejtë. Personazhet e mia mundet që ishin thjesht “personazhet” e një gazetareje. Në fakt mendoj se i kam krijuar edhe pse modelet reale më kanë tërhequr. Më vjen në mendje një bisedë me Petrit Palushin. Ai më tha se të shkruash për ngjarje e njerëz të vërtetë është më e vështirë se të trillosh. “E vërteta është si një morsë”, më tha ai. Unë nuk e kam përjetuar kështu, megjithatë.

    Tani, te “Dhomat pa mure”, jemi në një kontekst krejt tjetër, por sërish shkrimtarët e librit janë “personazhet” e mia. Këtu trillimi nuk hyn. Por po flasim në përgjithësi për trillimin (fiction-in) dhe rrëfimin gazetaresk, ndarjen apo ndërthurjen, apo zgjatimin siç thatë ju nga gazetaria te letërsia.

    Them se trillimit i duhet dhënë aq vlerë sa meriton. Nuk mendoj se sa më shumë trillim aq më i mirë një libër. Një libër i mirë mund edhe të mos ketë fare trillim. Nganjëherë trillimi as që nuk i lipset. E kam diskutuar këtë me disa shkrimtarë. P.sh., me Visar Zhitin, pasi shkroi “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”. Atij nuk i lipsej trillimi në një rast të tillë se ka rrëfyer veten, ama letërsi e quan dhe letërsi është. E kemi diskutuar këtë temë edhe me Fatos Kongolin me ç’rast ai më foli për dallimin mes historisë dhe letërsië. “Letërsia – më tha, – fillon atje ku mbaron historia”. Siç e kam lexuar unë këtë konkluzion: letërsi nuk do të thotë doemos shpikje, fantazi, trillim. Letërsi është edhe këndvështrimi i njeriut që shkruan mbi diçka a dikë.

    Sa për tekstet e mia, qoftë te “Kthinat e kujtesës”, qoftë te “Dhomat pa mure”, lexuesi t’i lexojë si të dojë, mjaft t’i lexojë. Për më tepër nuk mendoj se lexuesit i interesojnë shumë kategorizimet.

    -Personazhi yt vizatohet përmes parafjalës tënde, përgjigjeve të pyetjeve të tua, por edhe nga një zgjedhje estetike pikture dhe titulli. Arian Leka thotë diku që titulli nuk është gozhda ku var pikturën, është vetë piktura. Si i përzgjodhet titullin?

    Titulli ishte një rrugëtim i gjatë. Sepse, siç më tha edhe Arian Leka të cilin keni zgjedhur ta citoni: titulli i librit nuk është një gozhdë e praruar në mur ku varet një kornizë e zbrazur. Në aspektin formal u magjepsa nga ajo që më tha Ariani, në aspektin përmbajtësor e kisha menduar gjithnjë, pikërisht ashtu. Ju i referoheni Arian Lekës, por si shkrimtare përvojat pa dyshim ju përputhen. Nga ana tjetër, si lexuese, a nuk ju ka ndodhur t’i jepni vëmendje titullit të librit që blini? Mundet që të jetë i tillë që ju tërheq si magnet. Pra titulli flet. Nganjëherë titulli dhe përmbajtja qëndrojnë në raport të zhdrejtë. Por më së shumti pas titujve të mirë fshihet një përmbajtje e mirë. Jo më kot unë i pyes shkrimtarët edhe për titujt.

    Kështu, unë pasi gjezdisa në dhjetëra ide, papritmas m’u shfaq togfjalëshi “Dhomat pa mure” që m’u duk i duhuri për përmbajtjen e librit. Në fakt isha duke parë, nuk e di me ç’qëllim, një faqe arkitekture. Aty flitej për heqjen e mureve të brendshme të një banese, gjë që do të krijonte idenë e një hapësirë të madhe e të bollshme sado që funksionet do të ishin të ndara në anë të ndryshme të së njëjtës hapësirë. Njeriu ka nevojë për hapësirë. Krijon ndjesi lirie, ndjesi frymëmarrjeje. Edhe Fatos Kongoli, për t’u kthyer te letërsia, e ka titulluar një nga librat e tij “Jetë në kuti shkrepsesh” (Toena 2007) duke dashur të përçojë nëpërmjet tij ndjesinë psikologjike të zënies së frymës, në shtëpitë e ngushta, në të cilat jetonim përgjatë diktaturës.

    Kështu pra, teksa shikoja ato hapësira pa mure në faqen kushedi se cilës studio arkitekture, m’u vizualizuan studiot e shkrimtarëve.  Por në vend të mureve të brendshme mendova ato të jashtme. Nëse do të mësosh se ç’ka brenda, si sillet shkrimtari në hapësirën e vet ekskluzive, lipsen mure transparente. Besoj është e qartë që nuk po flas për studiot fizike: një bibliotekë sa tri faqe muri, një tryezë druri, një abazhur mbi të… Edhe pse nuk mungojnë detaje si këto, fokusi kryesor është tek aspekti virtual, pra shohim shkrimtarin në komunikim me fantazmat e tij teksa u jep formë duke u shndërruar në personazhe romanesh. Muret e këtyre dhomave jam përpjekur të rrëzoj.

    -Por libri nuk ka vetëm një titull: imazhet gjithashtu janë konceptuar si tituj- tabllo paraprirëse për secilin shkrimtar. Si janë përzgjedhur imazhet?

    Sa për titujt e tjerë, që identifikojnë gjithsecilin shkrimtar janë nxitur nga ata vetë, nga librat e tyre më së shumti apo bisedat që kemi bërë…

    Edhe për imazhet më pëlqen të flasim:

    Titulli i pikturës në kopertinë është “Bashkëbisedim”, autori është im shoq, Gëzim Qëndro. Dy silueta përballë, duket qartë që bisedojnë. I përfytyrova si shkrimtarët e mi përballë meje.

    Imazhet e tjera në brendësi janë fotografi të Amantia Kapos. Ia pëlqej shumë fotografitë, kanë detaje ngacmuese. Më ndodhte shpesh që teksa ia kisha ngulur sytë ndonjërës prej tyre më vizualizohej një prej shkrimtarëve që i kisha bërë bashkë në dosjen e parashikuar për botim. P.sh., kur pashë foton e një burri që përçonte një siklet të madh, dhe kishte përballë siluetën e zezë të një burri tjetër, m’u vizualizua Besnik Mustafaj në kohën kur ndihej në faj pse kishte braktisur letërsinë, e cila pothuaj ishte kthyer në një hije që e përndiqte.

    Në një tjetër foto, dy karrige qëndronin të heshtura përballë një tryeze të zbrazur dhe m’u vizualizun dy personazhet e librit tuaj, “Bijat e gjenaralit” (Onufri 2019), Marina dhe Martina, identike në pamje si binjaket e një veze, por kishin këndvështrime të ndryshme mbi realitetin. Edhe karriget, njëra i qëndronte tryezës përballë e tjetra ishte e kthyer nga rruga.

    Disa përkime mund të kenë nevojë për shpjegim, disa të tjera flasin në mënyrë më të drejtpërdrejtë, si p.sh., fotoja që paraqet dy duar gruaje që kanë kapur me një gjest dëshpërues një skarë hekuri që më solli ndërmend telat me gjemba. M’u duk sikur pashë Vera Bekteshin në vitet e internimit që i ka përshkruar te “Vila me dy porta”. Edhe Visar Zhitin e pashë te një foto tjetër, ku pas një të çare të vogël rrethore në mur dukej një copëz e një dritareje të mbyllur, pas së cilës kishte errësirë.

    -A ka një kontradiktë mes shkrimtarit njeri dhe shkrimtarit krijues? Njohja me shkrimtarin ta përforcon idenë që ke krijuar për të përmes shkrimit apo ndodh të jetë takimi zhgënjyes?

    Ndonjëherë ka kontradikta. Ndodh që takimi të më përmbysë ide që i kam krijuar nga librat. Nganjëherë takimet mund të jenë zhgënjyese. Ndonjë intervistë mund të ketë mbetur pa u përfshirë në libër pikërisht për shkak të zhgënjimit tim. Njeriu është qenie e papërsosur. Po flas për papërsosmërinë time në këtë rast, që më imponoi përjashtimin e ndonjë autori vepra e të cilit nuk do ta kishte merituar.

    -Ka edhe një vizatim të vetes, një nostalgji e mall për kohë të shkuara në këtë libër. A kanë qenë këto intervista, rikthimi i tyre edhe një mënyrë për të kujtuar dhe risjellë në vëmendje punën tënde, jetën tënde si gazetare?

    Herë me nostalgji e ndonjëherë me dhimbje për copëza të së shkuarës që ka ikur në pakthim, unë jam shumë e pranishme në libër, te përshkrimet e shkrimtarëve. Në këtë rast nuk po flas për këndvështrimin, por për copëza autobiografike. Nganjëherë mendoja se mos nuk duhej të isha kaq e pranishme. Madje kam bërë konsultime për këtë gjë. Por mora inkurajim. Dhe pastaj, jo vetëm që libri jam unë, por edhe ato copëza të vetes që i kam zbuluar aty, kanë ardhur kaq natyrshëm. Pra nuk i shkruaja, shkruheshin. Në proces redaktimi i hiqja, por në një redaktim pasardhës e gjeja veten duke i shkruar sërish, të njëjtat gjëra, me me të njëjtën natyrshmëri të herës së parë. Shpresoj të mos e kem shpërqendruar lexuesin nga shkrimtarët.

    -Cili është sekreti apo metodika e punës në ndërtimin e një interviste të mirë? Si punoni ju për ndërtimin e një interviste?

    Sekreti, besoj, qëndron te dëshira. Duhet që ta dua, ndoshta jo shkrimtarin, ndoshta jo librin. Duhet të dua të bëj disa pyetje që më duket sikur doemos kërkojnë përgjigje. Nuk besoj se kjo vlen vetëm për mua që pyes, shpresoj të vlejnë edhe për ata që dëgjojnë a lexojnë intervistat. Edhe ata kanë pyetje. Gjithnjë gjatë leximit të një libri lindin pyetje. Ndonjëherë, pyetjet e mia mund të përputhen me pyetjet e lexuesve të tjerë. Ndonjëherë jo. Por pyetje ka gjithnjë dhe sa mirë që ka. Le të përpiqemi të marrim disa përgjigje.

    -Cila është vështirësia më e madhe në ndërtimin e një interviste? Sa ndihmon vetë i intervistuari në realizimin e një interviste të arrirë? Dhe kur ju e quani një intervistë të arrirë?

    Nganjëherë i intervistuari nuk të ndihmon fare. Ndoshta nuk do që të përgjigjet. Mbase i duket sikur zbulon sekrete që është më mirë t’i mbajë për vete. Ndoshta kërkon të bëhet pak misterioz. Ndoshta nuk i pëlqejnë pyetjet. Kur jam e pakënaqur nga intervista më duket sikur e përçoj. Pra më duket sikur tjetri përballë e kupton dhe nuk ndihem shumë krenare nga kjo gjë. Por, me gjasë kështu më duket mua dhe, ndoshta, kam arritur ta mbaj brenda pakënaqësinë.

    Por, ka edhe raste që pasi nuk dal e ngopur nga intervista, madje ndiej një lloj nervozizmi nga përgjigjet, kur e shoh pastaj në transmetim, ose kur e lexoj të zbardhur, më krijohet një përshtypje krejt e ndryshme. Ndoshta pakënaqësia ime ka pasur të bëjë me mua, me një gjendje të caktuar pa lidhje me intervistën, me të intervistuarin apo librin e tij. Nuk di ta them. Por ajo që di me siguri është se të gjitha intervistat e “Dhomave pa mure” më kanë shijuar mua në fillim, asnjë vështirësi, vetëm kënaqësi.

    -Cili mendoni se do të jetë lexuesi i këtij libri? Kujt mendoni se do t’i shërbejë ky libër?

    Lexuesi i këtij libri është dikush si unë. Pak a shumë, Besnik Mustafaj më ka treguar se ajo që shkruan duhet t’i pëlqejë atij më parë. Madje sa herë fillon të ketë ndjenja pakënaqësie ndaj një personazhi ai e braktis. E lë librin. Se sado që shumë shkrimtarë, të të gjitha kohëve, e konsiderojnë aktin e shkrimit si një mundim (ndonjëherë kanë parasysh mundimin fizik, orë të tëra të ulur në karrige) ai duhet të jetë, para së gjithash, një kënaqësi.

    Së paku, me mua kështu ka ndodhur.

    Lexuesit e këtij libri janë ata që e perceptojnë si kënaqësi njohjen e shkrimtarëve shqiptarë, si autorë të veprave, por edhe përtej veprave së tyre.

    Do të më kish pëlqyer shumë që lexuesit të ishin edhe shkrimtarët këtu të pranishëm. Mbase u mbetet pak kohë mes shkrimeve.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË