Para se të lindja, iu shfaq sime ëme një dervish, në ëndërr.
– Po të vjen Hysen Efendiu, – i thotë.
Ajo kish trishtuar.
– Mos e kam vajzë, Baba Dervish?!
– Po vjen Hyseni, moj! – përsëdyti ai. – Djali i parë ndaj të iku… S’i vure emrin e të gjyshit.
Qe shpërgjumur prej halli ime ëmë dhe hyri në mendime të thella.
Zoti po i sillte djalë… “Të falem, o Perëndi!”… Po, emrin ia kish caktuar vetë… Nga Qielli… Lart…
E shkreta Ferije… Kish dhe të atin me emrin Hysen!
T’i thërriste djalit, në emër të babait?!
S’bëhej ajo punë!… Në Elbasan, jo njëherë!
Ëndrrën ia merr vesh i shoqi… Kish gajasur…
– Ku ta gjej të lindë çun!… Të më ngjallet plaku… Të vijë gjer aty puna- sa për emër, ia gjej lehtë vegjën.
Kur linda, ashtu bëri.
Mori “Hy”-në e Hysenit…. “Ni”, nga Efeni… Nxori “Hyninë”…
Kështu më kanë pas thirrur:
“Hyni”.
Meqë përmenda pagëzim, kjo ka pas qenë.
Për ceremoni, shtruan sofrën e madhe… Të hanin përshesh. Bukë misri me qumësht të valuar.
Të nesërmen, më futën nëpër letra… Hysen më regjistruan. Po, s’më thirrën ashtu!… I mbetej qejfi Cen Xhanit, gjyshit tim, nga nëna.
***
Haj-haj… shkoi kohë… U bëra dhjetë vjeç… Hyra në klasë të katërt. U burrërova.
Mos e kujtoni shaka burrërimin tim!
Kishim mësues Gani Daiun. Ai na merrte për të rritur e të pjekur. Seriozë!.. Në mësim, bisedonte, si i barabartë, me ne…
Nxënësi, objekt dhe subjekt i edukatës!… Metodat ak-tive të edukimit!
Qysh, atyre kohërave!!!
Ngjau dhe çudia… Pa shkuar gjashtë muaj, u rritëm. Jo nga shtati. Kuptohet! Nga zakonet e sjelljes… Lexonim romane, për shkollarë… Mbanim edhe veten: në veshje, në të folur…
Rrihnim mendime… Si gjithë të mëdhenjtë… Shkuar dhe atyre!…
U shpif dhe puna e emrit tim… Nuk di si qëlloi… Po, u acaruam… Shokët s’e pëlqenin… Zunë të ma përflasin…
– “Hyni”?!… “Hyni” – folje!… Merre foljen, bëje emër!…
– Hyni!… Jo, po doli!
– Hyni-doli…
Vërtet, isha burrëruar! Po, çne?! Me vite, s’bëja dot dhjetë… Kalama!
Si kalama, vura kujën.
Futet mësuesi në klasë, më gjen të përlotur…
– Ceka!… Ç’pati Ceka?!…
Fare s’iu përgjigja.
Shokët sqaruan po vetë… Fije e për pe…
***
Ç’ka qenë ai Gani Dai?! Gjeni, ore vëllezër!… Mendja i ndrinte dhe i vetëtinte.
E gjeti zgjidhjen. Në vend!… Për t’u habitur!
Nxori “Pelikanin” – stilografin, domethënë… Më erdhi mbi krye… Në mur kishim emrat, shkruar sipas bankave. Aty ndreqi “Hyniun”, e bëri “Hyjni”… Mes Y-së dhe N-së vendosi një J… Korrigjoi edhe në regjistër… Fletëpërfletë!…
Sa për vete, u qetësova. Dhe shokët e qepën gojën e s’u ndien më.
Mbeti… “Hyjni”, gjithandej… Në shkollë e në rrugë… Por, dhe në shtëpi, Hyjni më thirrnin. E them haptas, as më shkoi mendja ke origjina hyjnore e emrit… Mjaft që s’më përflitnin.
***
Kaluan vite e vite jetë… U ndreqa me grua – me fëmijë… Dhe rasti ma solli të shkoja dasmor.
Martohej Neritani… Siç e dini, merrte vajzën e Skënder Luarasit, mbesën e Petro Ninit.
Që në fillim, s’më pëlqeu renditja atje… Në ballë…
Kisha parë dasma, po, çifti në mes. Babai i djalit, në anë të dhëndërrit. Babai i vajzës, nga ana e nuses.
Në gëzimin e kushërinjve, asgjë se shkonte. Pleqtë më një anë, të dy. Çifti në krah tjetër.
***
Zevzek Skënder Luarasi… Në dasmë, dhe gjet rast të ngëcej.. O t’i piqte gjilpërat majë më majë, ai burrë, ndryshe, nuk përmblidhej… Fare!…
– S’ma kapte mendja, të lidhesha me elbasanas! – thotë.
– S’i dihet jetës! – iu përgjigj ky, imi.
– Jo! Na bashkuan pleqtë! – nguli këmbë kolonjari.
– Çifti, sikur, u ndreq vetë…
– S’është ashtu! Vajza, më pyeti…
Ndenji edhe pak…
– Ia dhashë nipit të Hysen Cekës… Ç’e di Hysen Efendinë?!
Pyeste birin, për të atin!
Hasan Ceka u bë hijerëndë.
Dasmorët zunë valle…
Pleqtë debatonin… Mes dasmës, bënin histori!
S’keni rastisur, kur merrte zjarr Skënder Luarasi?!… Digjej horë e ndizej flakë… Pranë tij, sazet nuk dëgjoheshin… Kumbonte! Veç fjalë atdhetare.
– Hysen Ceka, më i pari mësues shëtitës… Prej tij, mësuan dhe të tjerët.
… Vishej me rroba shpatarakësh dhe ngjitej, maleve përpjetë…Të përhapte “Abetaren e Stambollit”… Në ç’vend tjetër të botës, ka ndodhur kështu, more!… Brodhi Hysen Efendi Ceka… Shpat e Vërçë-Sulovë e Dumre… Hije rrapave-hije lisave… Mes bujqërve-mes barinjve… Dhe dërrasë e zezë, në ballë…
… Dhe fjala e bardhë shqipe-e shkruar…
S’u lodh nga gjithë ajo ligjëratë… Prapë ngiste birin për të atin.
– Hë, mo, ka ndodhur gjëkund kësifarësoj?!… Thuaj!… Kot nuk je arkeolog.
Hasani qeshej.
Skënderi, prapë, merrte vrull.
– Ia keni ruajtur fotografitë, të paktën?!
Hasan Ceka ngrinte supet.
– Çoç ju dija!… S’jeni gjë!… Ju, elbasanasit, s’jeni gjë!
***
Biseda e pleqve sikur u nde… Hasani ktheu më një anë… Skënderi, më anë tjetër… Thënë të drejtën, mendjen s’e kishin ke dasma.
Po, keni lexuar ndonjëherë për Skënder Luarasin… E njihni të paktën?
I rrihej pa debat?!… Sikur, një çast!
Qasi karrigen… U afrua me krushkun:
– Veç një mbret pat Shqipëria. Qe-si qe, ai mbeti… Kush e përgatiti se?! Hysen Ceka!… Flasim ç’të duam sot. Ahere, qe kohë mbretërish. Dilnim më vete-duhej mbreti… Ku kish shtete pa mbretër?!
Ndenj e ndenj. Ç’lodhej… Me gjithë atë barrë mendimesh, si nuk e vari, njeherë, kokën?!.. Balli përpjetë!
Nuk u bënë, as dy minuta… Nisi prapë… Prapë rrëmbimthi:
– Gjashtë vjet, në Sarajet e Burgajetit!… Lehtë të përgatitësh mbretër?!
Së fundi iu drejtua Hasanit:
– Nuk di ç’e pati atë kthesë?!… Nga “Mësues Shëtitës”- në “Mësues Pallatesh”… Nga Aristoteli, me siguri!… Atë ndoqi… Aristoteli edukoi Aleksandrin, Hysen Ceka- Zogun e shqiptarëve…
Debati u fut në historinë e Antikitetit… Qeshi Hasani… Ia kishin marrë domenet… Që të gjitha!
***
Po ku heshti njeherë Skënder Luarasi?!… U gjallërua… Shpërtheu e pyeti:
– Nga nipërit, kush mba emrin e Hysen Efendiut?
Im ungj bëri me dorë, drejt meje.
– Dale, njëherë!… Ngatërrove!… Tregove Hyjniun!
– Ai është… Në pasaportë, mba emrin Hysen…
…Bobo!… Bobo!… Bobo!
Kiamet, mes dasme!
S’iu ndenj… U çua…
M’u qas… Si xhind… Vetullat kreshpëruar… Flokët, derdhur për fytyrë…
– Ç’do të thotë ky emër që mba?!… Ç’është ky “Hyj-ni”?… Më thuaj?…
Trishtova!
Njerëzit lanë dasmën… Pushoi orkestra… Mbetën këngë e valle…
Skënder Luarasi buçiste… Ashtu e kish… Ligjëratë, me gjëmim…
– Në Stamboll, kur isha në “Robert Kolezh”… Nxënësit-krunde, birbot, merrnin emra “Kont” e “Dukë” – “Baron” e “Lord”… Hiqeshin fisnikë. Me demek… Ç’është ky “Hyjni”, more?!… Deshe të bëhesh qiellor?! Qiellor?…Veç Një!… Hysen Efendi Ceka!
Aty, mba mend, u tregova i matur… Gjithë atë rrëmbim të Profesorit, e prita me gaz e me të qeshur.
Ç’të bëja?!
T’i shpjegoja Skënder Luarasit tërë ngatërresat e emrit tim. Duhej nisur fill nga Baba Dervishi e Cen Xhani… E, të mbaroja, pastaj, me Gani Daiun…
Punë që s’bëhej!
Njerëzit kishin ardhur për t’u dëfryer…
Kthyem me shakara e rromuze…
Po, dini, që edhe Skënderi u zbut… U qetësua, në vendin e tij… Në ballë…
Dhe dasma vazhdoi.