More
    KreuLetërsiBibliotekë“Papastasët” tregim nga Aleko Likaj

    “Papastasët” tregim nga Aleko Likaj

    Papastasët ishin shpërngulur prej më shumë se një gjysmë shekulli nga Maqedonia Lindore pranë kufirit bullgar e ishin vendosur në qytet një fillim pranvere si muhaxhirë. Thuhej se ishte bërë shkak një vrasje për çështje nderi. Gjyshi i Lef Papastasit, Nikolla, kishte gjetur një bujar nga Leskovaci, Darko Pandureviçin, në krevat me të shoqen e tij. Thonë se serbi, që ishte mik shtëpie me Papastasët, bënte tregti të madhe. Por nuk i kishte rezistuar bukurisë së gruas që të grish në një qytet të vogël si Kumanova, në punët e seksit që janë dhe mbeten për cilindo të fshehta e në mister të plotë. Gjëja e parë që bënë sapo mbërritën në Liqenas, Nikolla me të shoqen ndërruan mbiemrin nga Grigorov në Papastathi, por gjindja aty në qytet ua thoshin mbiemrin Papastasi. Kishte shërbyer një mbiemër i Jani Papastathit, avokatit më në zë të Selanikut të asaj kohe, me të cilin Nikolla fitonte gjyqet me partnerët e tij grekë, kur këta ia dridhnin në punët e bisnesit të miellit. Për grek e mbante veten sllavi shqipfolës e hiqej si i afërt i avokat Janit. Këtë e bënte edhe për t’u maskuar dhe humbur gjurmët nga frika e hasmit serb. Në Liqenas askush nuk ia dinte origjinën e vërtetë, edhe pse ishte bërë shumë shpejt i afërt edhe me kishën. Në të njëjtën rrugë kishte shkuar edhe i biri, Anastasi, por edhe i nipi, Lefi. Ndërsa Anastasi ishte bërë orëndreqës, i biri i tij, Lefi, ishte shndërruar në argjendarin më të madh të Shqipërisë së Mesme. Që të dy zanatet i kishin marrë në Selanik te miqtë e Nikollës, hebrenj që nuk e harronin asnjëherë, sidomos edhe për paratë dhe florinjtë e grumbulluara që derdhte si dhurata për ata gjatë viteve që djali në fillim e më pas edhe nipi i tij, përgatiteshin për t’u bërë ustallarë e zanatçinj të zot. Anastasi solli një vajzë të bukur e shumë të hijshme, Maria Hararin, të bijën e Zaharias, që ishte vëllai i Moshesë, orëndreqësit më të mirë që kishte Selaniku në atë kohë, flokët e së cilës shkonin prapa deri në mes të trupit të kolmë vajzëror dhe që me bukurinë e saj e çmendi gjithë qytetin dhe e ruajti atë për shumë vite. Lefi shtiu kurorë me greken Dhespina Faranduri nga Kavalla në kishën “Shën Thanasi”. Maria mbylli sytë nga një goditje zemre në ditën që i biri i saj, Lefi, kreu ceremoninë. Dasma u kthye në mort. Por edhe Dhespina kishte një bukuri të veçantë, saqë e admironin që të gjithë në Liqenas. Vajzat e reja kërkonin që t’i ngjanin asaj e ndonjëra prej tyre vishte edhe rroba si ajo. Vetëm Hedija, vajza e Mahir efendiut, thonin se e konkurronte për bukuri greken e bukur. Të gjithë ishin të mendimit se e bija e imam Mahir Sulejmanit kishte si avantazh njomështinë e moshës dhe një tridhjetëvjeçare si Dhespina nuk mund të matej asnjëherë me një tetëmbëdhjetëvjeçare që i ndriste fytyra si një hënargjend e plotë. Mirëpo Anastas Papastathi la pas edhe dy djem e një vajzë. Edhe ata, pas Lefit, i nisi në shkollat greke në Greqi. Këtë herë që të dy në Athinë me dy vite diferencë, se ashtu kishin ardhur në jetë. Në fillim Minella ishte rregjistruar në universitet për doktor dhe tregojnë se në tre vitet e para kishte qenë nxënësi më i shkëlqyer i kursit. Pastaj ishte njohur me vajzën e profesor Themistokliut, një nga kirurgët më të mirë të kryeqytetit grek e më gjerë, nami i të cilit kishte zënë me kohë gjithë Ballkanin. Po të zinte me dorë doktor Mistoja, vdekja trembej menjëherë, thonin ata që e kishin njohur dhe ia dinin mirë historitë e shpëtimit të jetëve njerëzore atje në “Kalithea.” Por e bija, Aliqi, zor se mund të qëndronte vetëm me një mashkull. Pas disa muajsh në lidhje dashurie me Minellën, afër një mëngjesi pa hënë, iku e çau detet duke e lënë në shtrat e në një gjumë të thellë studentin nga Liqenasi. Pas ca ditësh i dërgoi një kartë nga Barcelona duke i thënë se ishte e lumtur me të dashurin e saj të ri spanjoll. Fqinjët e doktorit treguan pastaj se kishte qenë një kapiten vapori që ia kishte prishur mendjen Aliqit. Një miku i Mistos në policinë e Pireut u tha në shtëpi se Hozia ishte një cigan nga Sevilja dhe se prej kohësh ndiqej si trafikant e kontrabandist i Mesdheut. Kishin qenë afër arrestimit, por ai u kishte lënë pendët në dorë, përpara se prokurori të nëshkruante fletën e arrestit. Kaq iu desh Minellës që të dashurën e tij me të cilën jetonte në një dhomë që prej tre muajsh nuk e kishte kuptuar dot, ndaj dhe u marros. Kishte bërë plane profesionale të mëdha për të qëndruar në Athinë si grek e si mjek, ndihmës i kirurgut të famshëm Themistokli Papas. Ky po ia hiqte edhe shpenzimet e shtëpisë në bashkëjetesë me të bijën. Por nuk qe e thënë. Kështu mendonte edhe vëllai më i vogël, Jani i Papastasëve, që kishte një vit aty në Athinë si student në financë, por që nuk e kishte fare për zemër shkollën. Shoqërohej me disa djem e shkonte shpesh në shtëpitë e tyre për darka dhe orgji. Kishte zënë edhe një dhomë me njërin prej tyre. Tek i vëllai vinte rrallë. Nuk kishte nevojë për para, as për ato që ia niste Anastasi nga Liqenasi, se shumicën e shpenzimeve ia paguante shoku me të cilin jetonte. Aliqi dy herë i kishte thënë Minellës se i vëllai ishte ndryshe. Nuk i ngjante për burrë dhe se dyshonte se ishte homo. Studenti i mjekësisë nuk e besoi dhe i tha asaj që të mos ia përmendte më këtë muhabet tjetër herë.

    Pa u mbushur java e largimit të Aliqit, Minella u bë keq. Doktor Mistoja e shtroi në klinikën e Onasios, te një mjek neurolog e psikiatër me emër në profesionin e tij në atë spital. Ai u kujdes për dashnorin e së bijës, por u trishtua kur mësoi se sëmundja kishte përparuar shpejt. Nuk ia tregoi as edhe letrën e së dashurës që mbërriti nga Barcelona . Nuk bëhej më ajo punë. Djali kishte humbur edhe vetëdijen dhe shpresat për një rikthim në gjendjen e mëparshme ishin shumë të pakta, për të mos thënë aq shpejt, fare. Por si mjek duhej të priste. I dërgoi lajm Anastasit të Papastasëve në Liqenas dhe u përkujdes për Minellën. Shkonte çdo ditë në klinikën e Onasëve, sapo mbaronte vizitat e tij në spital. Kur mbërriti i ati i studentit që u marros për vajzën e tij i, tha se do të bëhej gjithçka për të sëmurin dhe se shpresa vdes e fundit. Ndërsa darkonin në verandën e shtëpisë së tij, doktor Mistoja, bisedën e çoi te djali tjetër i familjes së Papastasëve, që e kishte braktisur shkollën e nuk donte t’ia dinte për atë. Kish zënë rrugën e qejfeve dhe gjithmonë e shihte rrugicave të Athinës me djem. Madje edhe duke u puthur. “Merre për zverku e hiqe që këndej. Është bërë prostitutë. Këtë ta them si mik”.

    Këto ishin fjalët e fundit në atë mbrëmje të ngrohtë athinase me aromë limoni e qitroje, që vinin nga kopshti përpara shtëpisë, i mbjellë me agrume dhe ku yjet dukeshin lart si një grusht xixëllonjash të cilat flakëronin si fenerë që po u mbarohej fitili.

    Orëndreqësi e takoi të birin, Janin, vetëm pas tri ditësh. Djali nuk pranoi që të kthehej më në Liqenas. Iku dhe e la babanë vetëm para kafeteri “Kretës” në Pire. Dy ditë më vonë Themistokli Papa e rregulloi me policinë, që ta çonin të lidhur deri në kufi. E gjetën me dy partnerë lakuriq në dhomën ku banonte prej një viti e ca. Ligji grek nuk e dënonte, por policët e akuzuan Jani Papastasin për prishjen e qetësisë publike. Kishte qenë në orgazëm.

    Anastasi iku me mendjen prapa e me një hidhërim të madh në kraharor për rrugën që kishte zënë djali i vogël. Qau në atë udhëtim të gjatë që zgjati disa ditë dhe ashtu me zemër të vrarë mbërriti në Liqenas. Të birit, Janit, i tha se do t’i jepte zanatin e tij dhe se Papastasët nuk mund të jetonin dot, nëse nuk kishin midis tyre një orëndreqës dhe një argjendar që po përgatitej në Selanik.

    Kur kaluan tetë muaj, në molin e Pireut u shfaq portreti i një gruaje të imët që zor se ia dalloje fytyrën, e cila fshihej pas flokëve të verdha e të palara që shtriheshin deri në gjoksin e saj të fryrë. Poshtë tij, një bark i rrumbullakosur që binte në sy, ta jepte menjëherë përshtypjen se kjo femër e vetmuar përballë detit që shkumbëzonte nën beton, ishte shtatzënë dhe pritej shumë shpejt që të bëhej nënë. Nëntori po shkonte drejt mesit të tij me erë që shfrynte kudo. Lart, një qiell i plumbtë nuk jepte asnjë shpresë se do të kishte ndonjë ditë me diell dhe se në mol do të pakësoheshin anijet e barkat që do të sillnin dhe do të merrnin mall për në udhët e detrave të tjerë.

    I pari që e njohu gruan mbi mol ishte një punonjës i kapitenerisë së portit. Lart në një zyrë të godinës nga dritarja e dalloi, ndërsa era ia mori shallin e zi dhe në xhamin e rrumbullakët të dylbisë iu shfaq qafa e hollë dhe e bardhë e ish shoqes së klasës në lice, Aliqi Papas. E admironte dhe e dëshironte atë kohë vajzën e doktorit, por ajo nuk e kishte mendjen tek Teofil Manalaqi.

    Në mbrëmje i bënë vend në shtëpi. Dukej se ishte kthyer nga një tjetër botë, e lodhur e rraskapitur dhe krejtësisht e përçudnuar. Brenda saj mbante një krijesë për të cilën tha se ishte e Minellës. Por askush nuk e besoi. Madje nuk e pyetën se si iku, pse dhe me cilin. E shpërfillën… Ajo e kërkoi studentin, por as edhe për të nuk i tha kush se ku ndodhej. Në mesnatë i ati, Mistoja, e dërgoi në Korinth dhe që andej në Salaminë me një barkë të një peshkatari vendës . Thonë që e mbylli në një spital. Atje lindi dhe krijesa që doli në dritë. Ishte vajzë. Nënë e bijë nuk u kthyen më te Papasët dhe për Aliqin e historinë e saj në Spanjë e në Greqi askush nuk mësoi gjë.

    Nga mesi i pranverës, kur lulet e të gjitha ngjyrave të ylberit ndër saksi kutërbonin dhe jarganvanët e Athinës çelën përsëri sytha për të rifilluar nga e para ciklin e tyre të jetës, Themistokli Papas i dërgoi fjalë Anastasit të Papastasëve në Liqenas që ta merrnin Minellën, të pashëruar e të sëmurë dhe ta kthenin në vendin e tij, pa shpresë se mund ta rikthenin në normalitetet njerëzore. Mjekët e kryeqytetit grek ishin treguar të pafuqishëm për të çrrënjosur marrosjen e studentit. Por babai i të dashurit të vajzës së tij nuk u nis më për udhë. Thonë se i kishte rënë damllaja dhe se familja kishte porositur Lefin, që kish mësuar tashmë zanatin e argjendarit atje në Selanik. Do të ktheheshin të dy në shtëpi, në Varosh, në lagjen e sipërme të qytetit buzë liqenit, por Anastasin atëherë do ta gjenin nën dhe. Një javë më parë kishte mbyllur sytë duke lënë Marinë të vetme e të ve në atë qytet.

    Por edhe kjo do të kishte një fat të tillë.

    Disa muaj më vonë i biri, Lefi, këtë herë do t’i sillte nusen, Dhespinën, që kishte shkuar e ta merrte në Kavalla.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË