Nga BUJAR HUDHRI
Prej disa vjetësh kryesia e shoqatës së botuesve jep ditën e fundit të panairit disa çmime: për librin më të mirë nga letërsia shqipe, përkthimin më të mirë, letërsinë për fëmijë..
Por cila është procedura e dhënies së çmimeve.? Cili libër mund të fitojë çmimin e vitit? Për këtë po sjell në vëmendjen e lexuesit udhëzimet që vijnë nga sekretaria e shoqatës. Ja, tekstualisht:
“E drejta për konkurim u jepet vetëm botuesve që janë pjesëmarrës në panair. Do të përfshihen në konkurs të gjitha botimet pas Panairit të 20 të Librit (domethënë dhjetor 2017-nëntor 2018). Data e botimit duhet të vërtetohet nëse është e fundvitit 2017.”
Pyetja e parë, që del natyrshëm, është: si mund ta vërtetosh që ky libër është botuar në fund të vitit 2017?! Në të gjithë kohërat, në të gjitha gjuhët shënohet vetëm viti i botimit. Nuk ka një shenjë apo symbol tjetër që ta saktësojë ditën e javës, apo muajin e vitit kur del një libër. Sepse libri nuk është gazetë, apo jo?
Problemi tjetër që duket i pamundur të zgjidhet është se deri kur pranohen më librat për konkurim. Ja njoftimi që vjen nga kryesia e botuesve:
“Lutemi që të gjithë të interesuarit (pjesëmarrës në Panair) të dorëzojnë deri në datën 31 tetor nga një kopje të librit/librave që ata propozojnë për çmim. Libri duhet të jetë botuar detyrimisht brenda kësaj date. Libri ose librat që do konkurrojnë për çmim duhet të dorëzohen në sekretarinë e Panairit brenda kësaj date nga Botuesi, Autori apo Përkthyesi. Gjithashtu mund të dorëzohen libra edhe në formë elektronike apo dorëshkrim, por me kusht që të dorëzohet në formë librore deri më datë 31 tetor 2018.”
Pyetja që mund të shtrohet në këtë rast është thjeshtë. Nëse ditën e 31 tetorit vijnë 10 apo 20 apo kushedi se sa romane në dorëshkrim, a do t’i lexojë dot juria e përbërë prej katër vetash? A ka mundësi reale që t’i lexojë juria një për një, për të gjetur fituesin e merituar? Absolutisht që jo. A e di juria dhe kryesia e botuesve? Sigurisht që po. Dhe kjo histori e çuditshme vazhdon prej vitesh. Pra, librat nuk lexohen, por çmime jepen. Po si, në ç’mënyrë? Me çfarë ndërgjegje profesionale?
Do të fitonte shumë libri shqip, nëse këto çmime, tani e tutje, të mos jepeshin më.
I vetmi çmim që mund të jepet dhe është në nderin e Panairit të Librit të Tiranës, ky është vetëm një dhe quhet Çmimi i Karrierës për Autorin e Letërsisë Shqipe.