Shkrimtare dhe përkthyese argjentinase. Pizarnik zhvilloi një ndër veprat letarare më origjinale dhe të habitshme të shek. XX. Vargjet e saj janë në një tension ndërmjet automatizmit dhe surrealizmit dhe ekzaktësisë racionale, tejkalojnë edhe vet jetën e poetes, duke na ndërfutur në nostalgjinë e saj të fëmijërisë së humbur, tërheqjen ndaj vdekjes, intimitetit të thellë dhe dëshirës për të qenë e dashur dhe e njohur.)
Solli në shqip nga origjinal Manjola Brahaj
REMINISHENCAT
Dhe koha e ngulfati yllin tim
katër numra enden të maskuar
duke i nxirë ëmbëlsirat
dhe koha e ngulfati yllin tim
ecte i fyer mbi pusin e errët
shkëlqimet qanin në gjelbërimin tim
e unë shikoja e shikoja
dhe koha e ngulfati yllin tim
të kujtoj tre klithje të
tokave të maleve dhe radio të errëta
dy gota të verdha
dy fyte të çjerrur
dy puthje komunikuese të vizionit të
një ekzistencë në tjetrën ekzistencë
dy premtime vajtuese të
shkëlqimeve tmerruese të panjohura
dy premtime për të mos qenë për të qenë për të mos qenë
dy ëndrra duke luajtur pusinë e fatit në
rrethrrotullimin e një kozmosi prej
shampanje të verdhë në të bardhë
dy shikime duke siguruar lakminë e një
ylli të vogël
dhe koha e ngulfati yllin tim
katër numra qeshin në rrotullime të neveritshme
vdes një
lind një
dhe koha e ngulfati yllin tim
kërcime zambakësh ujorë të zjarrtë
shkëputin hijet e mia të ardhshme
një mjegull enigmatike rimbush
qoshkun e vetmisë sime
hija e diellit shtrydh
sfinksin e yllit tim
premtimet mpiksen
përballë shenjave të yjeve të ngulfatur
dhe koha e ngulfati yllin tim
por esenca e tij do të ekzistojë
në brendësinë time të pavdekshme
shkëlqen esenca e yllit tim.
ZGJIMI
León Ostrovit
Zotëri
kafazi është bërë zog
e ka fluturuar
e zemra ime është çmendë
sepse ulërin deri në vdekje
e u qesh pas erës,
delireve të mia.
Çfarë do të bëj me frikën?
Çfarë do të bëj me frikën?
Tani nuk kërcen drita në buzëqeshjen time
as stacionet nuk djegin
pëllumba në idetë e mia.
Duart e mia janë zhveshë
e kanë shkuar ku vdekja
mëson si të jetojnë të vdekurit.
Zotëri
Ajri më dënon qenien
matanë ajrit ka përbindësha
që pijnë nga gjaku im
Është shkatërrimi
është koha e boshit pa boshësi
është çasti për t›u vënë çelës buzëve
t’i dëgjosh të denuarit duke bërtitë
duke vështruar secilin prej emrave të mi
të mbytur në asgjë.
Zotëri
I kam njëzet vjet
edhe sytë e mi i kanë njëzet vjet
e megjithatë s’thonë asgjë.
Zotëri
kam sosë jetën time në një çast
Pafajësia e fundit shpërtheu
Tani është, asnjëherë o kurrë
ose thjesht, iku.
Si nuk vetvritem para një pasqyre?
e të zhdukem për t’u rishfaqë në det
ku një varkë e madhe do të më priste
me dritat e ndezura?
Si nuk i zhgul venat
e të bëj me to një shkallë
për të ikë në anën tjetër të natës?
Fillimi i ka dhënë dritë fundit
Gjithçka do vazhdojë njëlloj
Buzëqeshjet e harxhuara
Interesi i interesuar
Gjestet që imitojnë dashuri
Gjithçka do vazhdojë njëlloj
Por krahët e mi insistojnë që të përqafojnë botën,
sepse ende nuk ua kanë mësuar
që tashmë është tepër vonë
Zotëri
Hidh arkivolin e gjakut tim.
Kujtoj fëmijërinë time
kur unë isha një plakë
Lulet vdisnin në duart e mia
sepse kërcimi i egër i gëzimit
ju shkatërronte zemrën.
Kujtoj mëngjeset e zeza të diellit
kur isha vajzë
si të thuash dje
si të thuash para shekujsh.
Zotëri
Kafazi është bërë zog
e ka përpirë shpresat e mia.
Zotëri
Kafazi është bërë zog
Çfarë të bëj me frikën?
PAFAJËSIA E FUNDIT
Me u nisë
me kurm e shpirt
me u nisë.
Me u nisë
me i heqë qafe shikimet
gurë shtypës
që flejnë në fyt.
Duhet me u nisë
jo ma inerci nën diell
jo ma gjak i shtangun
jo ma me formue radhë për me vdekë.
FERRI MUZIKOR
Godasin me diej
Asgjë nuk lidhet me asgjë këtu
E nga kaq shumë kafshë të vdekura në varrezat e eshtrave të mprehtë të
kujtesës sime
E nga kaq shumë murgesha që si sorra nguten për të luajtur mes
këmbëve të mia
Shuma e fragmenteve me shqyen
Dialog i papastër
Një projektim i dëshpëruar i materies verbale
E liruar nga vetvetja
Duke u ngulfatur në vetvete