More
    KreuOpinionOrhan Pamuk: Si hoqa qafe disa nga librat e mi

    Orhan Pamuk: Si hoqa qafe disa nga librat e mi

    Gjatë tërmetit të dytë, nga këta dy të fundit, ai që goditi Bolu-në në nëntor, u dëgjua një zhurmë si trokitje nga një qosh i bibliotekës sime; pastaj për një kohë të gjatë, si asnjëherë më parë, raftet e librave kërcitën dhe rënkuan. Isha shtrirë në shtrat, në dhomën e pasme, me një libër në dorë, dhe po shihja si llamba e abazhurit po lëkundej sipër meje. Që biblioteka ime duhet të bëhej pjesë e zemëratës të tërmetit, se duhej ta pranonte dhe t’i jepte dinjitet mesazhit që ai përcillte, më frikësoi, dhe aluzionet apokaliptike më inatosën. E njëjta gjë kishte ndodhur gjatë tronditjeve të pas-tërmetit gjatë javëve të kaluara. Prandaj vendosa të ndëshkoja bibliotekën time.

    Kjo ishte arsyeja pse me një ndërgjegje çuditërisht të qartë, mora 250 libra nga raftet dhe i asgjësova. Tamam si sulltani që ecën midis një turme skllevërish, duke veçuar ata që duhen rrahur me kamxhik, si kapitalisti që tregon se cilët shërbëtorë duhen pushuar nga puna, bëra zgjedhjen time aty për aty. Ajo që po ndëshkoja ishte e kaluara ime, ëndrrat që kisha ushqyer kur i gjeta për herë të parë këto libra, i mora, i bleva, i çova në shtëpi, i fsheha, i lexova, dhe u mundova mbi to me aq dashuri, duke imagjinuar se çfarë do të mendoja kur t’i lexoja në të ardhmen. Po të reflektoje, kjo dukej më shumë si çlirim se sa ndëshkim.

    Lumturia që më dha kjo gjë? Epo është koha të diskutoj për librat dhe bibliotekën. Dua të them disa gjëra për bibliotekën, por s’dua ta lavdëroj siç bëjnë ata që shpall dashurinë për librat, vetëm për të treguar se janë të jashtëzakonshëm, më të kulturuar shijehollë se ju. Dhe s’dua të dukem si ata libërdashësit mburracak, të cilët thonë se gjetën një vëllim që ishte kështu e ashtu dhe shumë i rrallë në një librari të dorës së dytë, në rrugët periferike të Pragës. Prapëseprapë, jetoj në një vend që e shikon moslexuesin si normë dhe lexuesin si të papërsosur, kështu që s’mund të mos i respektoj aspektet, idengulitjet dhe mëtimet e një grushti të vogël lexuesish që lexon dhe krijon biblioteka në këtë gjendje letargjike dhe armiqësore ndaj librit. Por pavarësisht nga kjo, çështja që dua të diskutoj këtu s’është se sa i dua librat, por sa nuk i dua. Mënyra më e mirë dhe e shpejtë për ta treguar këtë histori është të kujtoj se si dhe pse shpëtova prej tyre.

    Meqenëse ne i organizojmë bukur bibliotekat deri diku që miqtë t’i shohin librat ashtu siç duam ne të shihen, një mënyrë e thjeshtë për të vendosur rregull është të pëcaktojmë se cilat libra do të parapëlqenim, le të të themi, t’i fshihnim ose t’i hiqnim, dhe miqtë të mos i shihnin fare. Mund të flakim një numër të madh librash, kështu askush s’do ta merrte vesh se dikur keni marrë seriozisht libra të tillë pa vlerë. Ndërsa kalojmë nga fëmijëria në adoleshencë dhe nga adoleshenca në rini, kjo idengulitje e veçantë bëhet e fuqishme. Kur vëllai im i madh më dha librat për të cilin i vinte turp që i kishte lexuar kur ishte fëmijë, bashkë me koleksionet e detyruara të revistave të futbollit (si Fenerbahçe) të cilat s’i ngjallnin më interes, ai po vriste me një gurë dy zogj. Përdora të njëjtën teknikë për të hequr qafe shumë romane turke, romane sovjetike, përmbledhje me poezi të dobëta dhe tekste sociologjie, për të mos përmendur shembuj të ndritshëm të letërsisë së fshatit, pamfletet majstise që i kisha mbledhur njëlloj si arkivisti tek “Libri i zi”. Po kështu veprova me librat popullorë shkencorë të blera rregullisht, ato me kujtime të kota dhe librat si u bëra, kështu e ashtu i suksesshëm, të cilët s’i lexoja dot, dhe vepra të ndryshme të pornografisë së stërholluar, pa ilustrime, në fillim duke i hedhur gjithë ankth në një qoshe të fshehtë para se t’i flakja përfundimisht.

    Kurdo që kam vendosur të heq një libër, ndjej emocionin drithërues të maskës qëdua të vë për shijen e dikurshme të zvetënuar dhe ndjej një lloj ankese të padukshme që s’e vë re aty për aty. Ajo që është zvetënuese s’është mendimi shqetësues që ky libër (një rrëfim politik, një përkthim i keq, një roman në modë, përmbledhje ku të gjitha poezitë janë njësoj dhe si të gjitha poezitë e tjera) është në bibliotekën time, por ideja që ka qenë një kohë kur e kam marrë aq seriozisht këtë libër sa kam paguar para për të, e kam mbajtur në raftin e bibliotekës për vite me radhë, madje kam lexuar goxha shumë nga ai. S’më vjen turp nga libri, më vjen turp që dikur ai libër i dobët ka qenë i rëndësishëm për mua. Kjo na sjell tek çështja e vërtetë: Biblioteka ime s’është burim krenarie por vetë-hakmarrjeje dhe shtypjeje. Ashtu si ata që krenohen me arsimimin e tyre, edhe unë nganjëherë marr kënaqësi kur i shikoj këto libra, i kaloj nëpër duar dhe disa prej tyre i marr për t’i lexuar. Në rininë time, e imagjinoja veten duke pozuar para librave të mi, pasi të bëhesha shkrimtar.

    Por tani kam vetëm sikletin dërrmues që kam investuar kohë dhe para tek to, që i kam sjellur në shtëpi si hamall dhe më pas i kam fshehur dhe ajo që më bën më të mjeruar është vetëdija se u jam “përshtatur” atyre. Ndërsa rritesha, mbase kam filluar të flak libra si mënyrë për të bindur veten se kam atë lloj mençurie që pritet nga pronari i një biblioteke, ku ka libra që ai vetë i ka lexuar. Por vazhdoj të blej libra me ritëm më të shpejtë se sa i flak ato. Dhe kështu, nëse do ta krahasoja bibliotekën time me atë të një miku të lexuar në një vend të pasur perëndimor, në bibliotekën e tij do të kishte shumë më pak libra se sa e imja. Për fat të mirë, për mua e domosdoshme është jo të kem libra të mirë, por t’i shkruaj ato. Përmirësimi i një shkrimtari varet në një shkallë të madhe nga leximi i librave të mirë. Por të lexosh mirë nuk do të thotë të kalosh sytë ngadalë dhe t’i përqendrosh mendimet me kujdes mbi një tekst: do të thotë të bëhesh njësh plotësisht me shpirtin e atij libri. Kjo është arsyeja pse dashurohemi vetëm me disa libra në jetë. Edhe biblioteka personale më e përsosur ka disa libra që janë plotësisht në garë me njëri-tjetrin. Xhelozitë midis këtyre librave i i ngjallin shkrimtarit një lloj trishtimi. Flauber-i kishte të drejtë kur thoshte se nëse njeriu lexon dhjetë libra me kujdesin e duhur, ai bëhet i mençur. Si rregull, shumica e njerëzve as që e kanë bërë këtë, dhe kjo është arsyeja pse mbledhin libra dhe vënë në dukje bibliotekat e tyre. Meqenëse jetoj në një vend pothuajse pa libra dhe biblioteka, të paktën kam si shfajësohem. Dymbëdhjetë mijë librat në bibliotekë janë ato që më detyrojnë ta marr seriozisht punën time.

    Midis tyre ka ndoshta dhjetë ose pesëmbëdhjetë libra që me të vërtetë i dua, por nuk jam sentimental ndaj bibliotekës. Si imazh, një koleksion mobiljesh, një grumbull pluhuri si barrë e prekshme, s’më pëlqen aspak. Të ndjesh një intimitet me përmbajtjen e saj është sikur të kesh marrëdhënie me gra, virtyti kryesor i të cilave është gatishmëria e përhershme për të na dashur. Gjëja që dua më shumë tek librat e mi është se mund t’i marr dhe t’i lexoj sa herë që dëshiroj.

    Për shkak se kam frikë nga “përshtatja” po aq sa kam nga dashuria, mirëpres çdo pretekst për të hequr qafe librat. Por në dhjetë vitet e kaluara kam gjetur një shfajësim të ri, diçka që s’më ka ndodhur kurrë më parë. Autorët, librat e të cilëve i kam blerë në rininë time, i kam mbajtur dhe ndonjëherë edhe i kam lexuar, sepse ata ishin “shkrimtarët e kombit”, dhe madje mjaft nga shkrimtarët që i kam lexuar në vitet e mëpasme, gjatë viteve të fundit kanë bashkëpunuar për të mbledhur prova se sa të dobët janë librat e mi. Në fillim isha i lumtur që më morën kaq seriozisht. Por tani jam i lumtur që kam një pretekst edhe më të mirë se një tërmet për pastrimin e tyre nga biblioteka ime. Kjo është mënyra se si raftet e mi me letërsi turke po humbasin shpejt veprat e shkrimtarëve gjysëm të talentuar, mediokër, mesatarisht të suksesshëm, tullac, meshkuj të zvetënuar midis moshës pesëdhjetë e shtatëdhjetë vjeç.

    Kliko për ta blerë

    Mbi leximin: fjalët ose imazhet

    Të mbash një libër në xhep ose në çantë, veçanërisht në kohë trishtimi, do të thotë zotërosh një botë tjetër, një botë që mund të të sjellë lumturi. Gjatë rinisë sime të palumtur, mendimi për një libër të tillë, një libër që mezi prisja ta lexoja, ishte ngushëllimi që më ndihmoi gjatë ditëve të shkollës, pasi gogësija aq shumë sa sytë më mbusheshin me lot, kurse më vonë në jetë, kjo më ndihmoi të shtyja deri në fund takimet e mërzitshme ku më duhej të merrja pjesë ngaqë isha i detyruar ose nga dëshira për të mos u treguar i pasjellshëm. Më lejoni të rendit ato arsye që e bëjnë leximin për mua atë që është, jo për shkak të punës apo për të më ngritur moralisht, por për kënaqësi:

    1. Është tërheqja ndaj asaj bote tjetër që përmenda më herët. Mund ta shihni si arratisje. Edhe nëse ndodh vetëm në imagjinatën tënde, është sidoqoftë arratisje e mirë nga trishtimi i jetës së përditshme dhe mundësi për të kaluar ca kohë në një botë tjetër.

    2. Midis moshës gjashtëmbëdhjetë dhe njëzet e gjashtë vjeç, leximi ishte thelbësor në përpjekjet e mia për të krijuar diçka nga vetja, për t’u bërë më i vetëdijshëm, dhe kësisoj për t’i dhënë formë shpirtit tim. Çfarë njeriu duhej të isha? Cili ishte kuptimi i botës? Sa larg mund të arrinin mendimet, interesat, ëndrrat e mia, tokat që mund të shihja me sytë e mendjes? Ndërsa ndiqja jetën, ëndrrat dhe përsiatjet e të tjerëve në tregimet dhe esetë që shkruanin, e dija se do t’i ruaja ato që lexoja si përjetimet më të thella të kujtesës time dhe kurrë s’do t’i harroja, ashtu si një vogëlush s’harron kurrë çastin kur sheh për herë të parë një pemë, një gjethe, një mace. Me njohuritë që grumbulloja nga leximet, do të përvijoja rrugën time drejt moshës madhore. Duke përqafuar një optimizëm të tillë fëminor për ta krijuar dhe formësuar veten time, leximi gjatë atyre viteve ishte veprimtari e dendur dhe e gjallë e cila ma nxiste fort imagjinatën. Por tani pothuajse nuk lexoj kurrë në këtë mënyrë, dhe mbase kjo është arsyeja pse lexoj shumë më pak.

    3. Një tjetër gjë pse leximi më jep kaq shumë kënaqësi është vetëdija. Kur lexojmë, është një pjesë e mendjes tonë që bën qëndresë ndaj zhytjes totale në tekst dhe na lavdëron që kemi marrë përsipër një detyrë kaq të rëndësishme dhe intelektuale: me fjalë të tjera, leximin. Proust-i e kuptoi shumë mirë këtë. Ekziston, ka thënë ai, një pjesë e jona e cila mbetet jashtë tekstit për të soditur tryezën në të cilën jemi ulur, llambën që ndriçon pjatën, kopshtin përreth nesh, ose pamjen më përtej. Kur i vërejmë gjëra të tilla, në të njëjtën kohë po shijojmë vetminë dhe fuqinë e imagjinatës tonë dhe lavdërojmë veten që arrijmë të zotërojmë thellësi më të mëdha se ata që nuk lexojnë. E kuptoj se si një lexues, pa e tepruar, e lavdëron veten, por nuk i duroj shumë ata që vetëlëvdohen me krenari.

    Kjo është arsyeja pse kur flas për jetën time të leximit, duhet ta them menjëherë: Nëse kënaqësitë që i përshkruaj si 1 dhe 2 ishin kënaqësi që mund t’i gjeja në një film, në televizion apo media të tjera, ndoshta do të lexoja më pak libra. Ndoshta një ditë do të jetë e mundur. Por mendoj se do ta kisha shumë të vështirë. Kjo sepse fjalët (dhe veprat e letërsisë që ato krijojnë) janë si uji apo si milingonat. Asgjë s’mund të depërtojë në të çarat, vrimat dhe zbrazëtitë e padukshme të jetës kaq shpejt dhe kaq plotësisht sa fjalët. Janë këto të çara ku para së gjithash gjendet thelbi i gjërave, gjërat që na bëjnë kureshtar për jetën, për botën, dhe është letërsia e mirë që i zbulon para së gjithash ato. Letërsia e mirë është si një këshillë e mençur që duhet të jepet, dhe si e tillë ajo ka të njëjtën brerorë të nevojës që kemi për lajmet e fundit; kjo është kryesisht arsyeja pse ende varem prej saj.

    Por mendoj se do të ishte e gabuar të flisnim për këtë kënaqësi, si kundërvënie ose garë me kënaqësinë e shikimit, të të parit. Kjo mund të ndodhë sepse, midis moshës shtatë dhe njëzet e dy vjeç, kam dashur të bëhem piktor dhe i kalova ato vite duke pikturuar në mënyrë të ngulmët. Për mua, të lexosh do të thotë të krijosh versionin tënd të filmit mendor për një tekst. Mund ta ngremë kokën nga faqja për të çlodhur sytë në një foto mbi mur, në një peizazh jashtë dritares ose në pamjen më përtej, por këto gjëra s’hyjnë tek mendja jonë: Ne jemi akoma të pushtuar nga filmimi i botës imagjinare të Librit. Për ts parë botën e imagjinuar nga autori, për ta gjetur lumturinë në atë botë tjetër, duhet të vihet në lëvizje imagjinata. Duke na dhënë përshtypjen se nuk jemi vetëm spektatorë të një bote imagjinare, por deri diku krijuesit e saj, një libër na jep lumturinë e krijuesit të veçuar nga bota. Dhe është kjo lumturi e veçimit që e bën leximin e librave, leximin e veprave të mëdha të letërsisë, kaq ngashënjyes për të gjithë dhe kaq thelbësor për shkrimtarin.

    Përktheu nga anglishtja: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË