More
    KreuArte pamoreOltsen Gripshi: Fenomenologjia e imazhit arketip bashkëkohor

    Oltsen Gripshi: Fenomenologjia e imazhit arketip bashkëkohor

    Asnjëherë më parë marrëdhënia midis njeriut dhe natyrës nuk është bërë një çështje qendrore (absolute), si në debatet shkencore, ashtu edhe në ato estetiko-artistike në krijmtarinë e artistëve. Gjithnjë e më shpesh, në përputhje me ndjenjën e përkatësisë së epokës aktuale, të së tashmes, bashkëkohores, artistët e mbështesin kërkimin e tyre artistik dhe filozofik-konceptual në zbulimin e marrëdhënies midis njeriut dhe natyrës. Një ndërthurje nocionesh e botëkuptimesh, njeriut dhe natyrës, që ka magjepsur gjithmonë antropologët, biologët, natyralistët dhe studiuesit e artit të interesuar për të kuptuar këtë lidhje të çuditshme, por thelbësore, e cila shumë shpesh kthehet edhe në konflikt mes tyre!

    Vetëkuptohet, aty ku hapet një reflektim mbi qenien njerëzore hyn në lojë gjithmonë arti, si një përmasë nëpërmjet së cilës qenia njerëzore shkëputet nga realiteti, duke lundruar brigjeve të imagjinatës. Kështu individi artist, apo artisti individ përpiqet të trajtojë çështjet kyçe të kohës së tij, me mjetet dhe gjuhën që zotëron. Megjithatë, do të ishte gabim të mendohej se arti vetëm tani ka filluar të merret me botën natyrore, me thelbin e qenësishëm të vetë ekzistencës së tij, duke e vendosur atë si një objekt artistik. Përkundrazi, mund të thuhet se që nga zanafilla e tij ka pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të ngushtë mes artit dhe natyrës.

    Një marrëdhënie, që gradualisht ka marrë formë gjithnjë e më shumë përgjatë historisë së artit. Padyshim me themelimin e artit konceptual e për rrjedhojë të land art, vëmendja e artistit u përqendrua tek natyra, duke e ngrituar atë në shkallë sipërore. Natyra nuk shihet dhe as nuk perceptohet më si plotësuese e realizimit artistik në vetvete, por si subjekt qendror i përmbajtjes së veprave të artit, si rrjedhë e reflektimit mbi qenien njerëzore pjesë e pashmangshme dhe e pandashme me natyrën. Në këtë botëkuptim fenomenologjia e imazhit është ajo situatë në të cilën një objekt i mirëpërcaktuar siç është fotografia ngjall ndjesi, emocione, humor dhe reagime që shkojnë përtej materies përbërëse të objektit. Një ndjesi të tillë e perceptojmë, e shohim dhe e prekim në fotografitë e Peter Wagner, i cili kërkimin e tij artistik e ka përqendruar në zbulimin e të pazbulueshmes, atë që gjendet përtej materies, mureve të arkitekturës bashkëkohore, sikur ata të merrnin frymë dhe jo të ishin të ftohtë pajetë. Ndaj arkitektura urbane në fotografitë e Peter Wagner-it merr një tjetër rol, atë të protagonizmit, ku secila fotografi ka një marrëdhënie të ndryshme me këndvështimin se si ai e shikon atë dhe me skenën që përfaqëson. Ajo që është më e rëndësishmja në fotografitë e Peter Wagner është se asnjë prej tyre nuk mund të jetë kurrë e “klonueshme”.

    Marrëdhënia individuale me imazhin është e drejtëpërdrejtë, origjinale dhe jo e riprodhueshme si kundër ndodh në fotografitë e Christian Strassegger, i cili në të kundërt nga Peter Wagner, kërkimin e tij ndjesor e ka zhvendosur nga zhurma dhe arkitektura e qytetit bashkëkohor në periferi të tij, në fshat. Aty, ku artisti Strassegger ka hulumtuar falë fotografisë marrëdhënin e ngushtë midis njeriut dhe natyrës, ku herë triumfon njeriu mbi natyrë e herë natyra mbi të. Imazhet e përftuara nga fotografitë e Strassegger-it ngjasojnë me një realitet sa real, aq edhe surreal, pasi artisti brenda një kompozimi mbivendos ndjesi, situata, skena dhe dinamika në trajta vegimesh. Një lloj muzealizimi të natyrës brenda hapësirës së fotografisë.

    Imazhet jo gjithmonë e shpjegojnë imagjinatën si një proces. Paraqitjet vizuale kryqëzohen me ato të mendjes të cilat nga ana tjetër shpërfaqen në imazhe mitike dhe poetike, ashtu siç i shohim në veprat e piktorit Helidon Haliti. Vepra të cilat paraqesin një botë të trazuar brenda artistit. Një e vërtetë e të vërtetës reale zhytur në ankthe, pasiguri dhe klithma të një lufte në kufinjtë e Evropës. Piktori Haliti ashtu si në të gjithë krijimtarinë e tij kërkon të “shpirtëzoj” ëndrrën mbi kanavacë, ku në rastin konkret nëpërmjet simbolikës së shimpanzes filtron ndjesitë e tij. Majmuni, mishërimi i shfrenimit seksual për të krishterët dhe i pjellorisë për kulturën hindu, është një simbol alkimik i shndërrimeve, dialogut midis shtresave të sipërme dhe të poshtme të ndërgjegjes së qenies njerëzore sipas dinamikës së lidhjes midis shpirtit dhe trupit.

    Ëndrra dhe metafora e ekzistencës është gjithashtu thelbi i pikturës së Dastid Milukës. Veprat e tij nuk e njohin trishtimin, vetminë e dimrit të murrmë, as dhimbjen e as të keqen. Artisti Miluka duket sikur jeton në një paralele të kohës, të vetë ekzistencës së tij, pasi na shfaq imazhe sa imagjinare të një bote krejt ndryshe nga ajo që realisht jetojmë, aq dhe të mbushura plot hare, dritë verbuese dhe entuziazëm për jetën. Në veprat e Dastid Milukës realiteti fizik filtrohet për t’u shndërruar falë interpretimit estetik-stilistik në një tjetër realitet, në atë të një libri shumëngjyrësh me përralla.

    Një shndërrim të materies e gjejmë edhe në veprat e Michaela Knittelfelder-Lang, e cila realitetin e interpreton sipas ndjeshmërisë së saj. Tingujt dhe imazhet duket se i përkasin dy formave thellësisht të dallueshme të përvojës së saj njerëzore. Dy regjistra ndjesor autentikë, që korrespondojnë me dy dukuri që mund të gërshetohen, por kurrë nuk bashkohen plotësisht, atë brenda dhe jasht qenies së saj. Artistja i trajton subjektet e saj me një gjuhë të çiltër e plot dëlirësi, gati me një naivitet fëmijëror.

    Krejt e kundërta ndodh në pikturën abstrakte të Admir Përvathit, brenda së cilës ka gjasa që teoria e kaosit ka gjetur terrenin e vet më të përshtatshëm, aq sa imazhet që ai krijon duken si shëmbëlltyrat e çrregullësisë nga ku ka zanafillë rregulli i kozmosit. Një pikturë brenda së cilës ekziston një organizim i mirfilltë i kaosit, i cili i lejon çrregullësisë kaotike të ngjyrave të prodhojnë e shpërfaqin skema të rregullta të cilat përsëriten ashtu si në rregullësinë e përsosur të Univesit.

    Me të njëjtën trajtesë shfaqet edhe krijimtaria e Gilbert Kleissner-it, i cili në dallim nga kaosi harmonik i Përvathit, atë e shndërron në një eufori shpërthyese në formë vorbulle. Një siprale thithëse, e cila refuzon çdo rregull dhe klishe të njohur në pikturën klasike, aq sa refuzon edhe të tashmen e shoqërisë pseudo “borgjeze”, duke e zhvendosur të gjithë kërkimin e tij artistik tek shpejtësia dhe agresiviteti i gjurmës së bojës mbi kanavacë. Veprat e tij shfuqizojnë poezinë nostalgjike, për t’i lënë vend vazhdimësisë së lëvizjes së futuristëve dhe energjinë së pashtershme shpërthyese të vorticistëve.

    Ndryshme dhe me një grishje dramatike shfaqen tablot e artistit Naim Spahiu. Vepra të cilat dëshmojnë për përjetime gjurmëlënëse, të mbartura nga frika dhe pasiguria për jetën e jetuar gjatë fëmijërisë së tij në qytetin e Mitrovicës, në veriperëndim të Kosovës nën diktatin e represionit serb. Në këtë këndvështrim vepra e Spahiut na shfaqet si shëmbëlltyrë e gjendjes së tij psiko-shpirtërore, ku vuajtja është objekt i vetë ekzistencës së tij si qenie dhe si artist. Krijimi i imazheve me personazhe të pa identifikueshëm, hijet dhe drama e të cilëve përcillet tek publiku nëpërmjet këtyre tablove rrëfimtare, si rezultat i një procesi në të cilin ndërlidhet ndjenja për jetën, plaga e shkaktuar nga vuajtja e Luftës së Kosovës për liri dhe nevoja për të dalë nga forca asgjësuese e dhimbjes.

    Në gjurmim të fenomenologjisë së qenies njerëzore është edhe kërkimi artistik i Elisabeth Gschiel, e cila hulumton raportin midis hapësirës dhe zhvillimit urban pa kriter. Vepra e saj ngre shqetësimin mbi spekulimet e pasurisë së paluajtshme, ku investitorët e rinj kërkojnë ta “gllabërojnë” atë për përfitimet e tyre, duke injoruar tërësisht marrëdhënien jetike të njeriut me pronën e tij dhe natyrën që e rrethon. Një hulumtim artistik ky, që dëshmon për vetëizolimin e qenies njerëzore, duke e çuar atë drejt një “vetëvrasjeje” të pashmangshme përballë mjedisit. Mënyrë kjo për të shprehur revoltën që mbart në vëzhgimin e realitetit, si pjesë e fenomenologjisë së imazhit të diktuar dhunshëm tashmë prej vitesh, nga marrëdhënia e zhdrejtë midis zhvillimit urban dhe natyrës.

    Për jetën dhe mbi jetën shfaqen edhe veprat konceptuale të Adriana Marku Sedaj. Një cikël përjetimesh vetjake të shndërruara në imazhe, ku artistja zgjedh organin gjenital femëror (vaginën) si semiotikë të protestës së saj ndaj abuzimit seksual dhe shfrenimit të një shoqërie agresive. Dashuria, gruaja dhe jeta është trinomi mbi të cilën Adriana ngre të gjithë qasjen e saj konceptuale, duke zbuluar vepër pas vepre të vërtetën e shoqërisë bashkëkohore në të cilën bëjmë pjesë të gjithë. Vagina nuk konceptohet nga artistja vetëm për natyrën e saj fiziologjike sesa nën petkun e simbolikës si busull emocionale dhe si hapësirë ​​dashurie, nga ku lind jeta.

    Jeta si fenomenologjia e imazhit arketip i bashkëkohësisë në të cilën jetojmë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË