More
    KreuLetërsiShënime mbi libraOdise Kote: "Mossanga" - romani ndryshe i letërsisë shqipe 

    Odise Kote: “Mossanga” – romani ndryshe i letërsisë shqipe 

    Romani «Mossanga» i Fate Velaj – një shpërfaqje mahnitëse (si askush tjetër) e të vërtetave ekzistenciale të kohës së diktaturës, ja ka arritur që përmes dimensionit të sarkazmës në tejkohësi, narrativës plot «imtësi» befasuese e dinake me pikpyetje e qesëndi të shumta brenda tyre – të konfirmoj talentin e padiskutueshëm të shkrimtarit në hierarkinë e zërave më përfaqësues të prozës së sotme shqiptare. Romani i pestë i Velaj ngjan si shenjim, paralajmërim se proza e një “kohe tjetër” të palexuar më parë, ka mbërritur në letërsinë shqipe. 

    Ashtu si Milan Kundera me romanin “Shakaja”, Fate Velaj me «Mossanga», ja ka dalë t’i bëjë anatominë diktaturës komuniste dhe po i flet botës shqiptare dhe asaj europiane jo me atë “metodikën” e letërsisë së burgologjisë, denoncimit të torturave e vuajtjeve, por me gjuhën fshikulluese të ironisë, groteskut, thrillerit të pazakontë mbi banalitetin e sistemit komunist, një fenomen i paparë deri tani në anatominë e trupit të asaj diktature. (Çdo «indiferencë» ndaj këtij romani, do të jetë veçse një simptomë e ligësisë nga egomania personale si dhe nga mungesa e seriozitetit ndaj vetes, jo autorit). 

     Fate Velaj, e di mirë se humbja e kujtesës, më keq akoma (mos o zot: vdekja e saj) në të vërtetë është fundi, fundi i botës, i çdo qytetërimi e kombi. Ai na sjell Mossangën pasi beson tek fjalët e Umberto Eco-s kur paralajmëron humbjen e kujtesës: “Problemi është se asnjë qytetërim (në kuptimin antropologjik të fjalës, i kuptuar si një sistem dijesh, idesh shkencore dhe artistike, mitesh, fesh, vlerash dhe zakonesh të përditshme), nuk mund të ekzistojë dhe të mbijetojë pa një kujtesë kolektive”. 

     1- Ishte e hëna e fundit e korrikut të vitit 1966, kur në qytetin më të çuditshëm të një vendi të vogël komunist, në Vlorën e detit dhe historisë, mbërritën nëntë fëmijë të vegjël kongolezë, gjashtë vajza dhe tri djem. Vlora shquhet për shpirtin e saj kritik, rrebel, kokëmëvetësinë, ironinë, qartësinë e turbullt, kuptimin disaplanësh të së djeshmes por dhe të tashmes. Mbi të gjitha, Vlora ka aftësinë për të qenë gjithmonë një hap përpara. Nëntë fëmijët me ngjyrë sterë të zezë, ishin nga Kinsasha, kryeqyteti i Kongos, fëmijë të udhëheqësve revolucionarë kongolezë, të përfshirë në një luftë mizore, për triumfin e revolucionit komunist në vendin e tyre. Thashethemnaja e përhapur rrëfente se njëri syresh, Joseph Mossanga, biri i ministrit të mbrojtjes, gjeneral Frederik Mossanga, ishte mik i diktatorit komunist Enver Hoxha. Ata ishin takuar në Bruksel kur Enver Hoxha punonte në Legatën Shqiptare atje dhe më vonë, kur një delegacion i partisë komuniste kongoleze kishte vizituar Shqipërinë. Diktatori komunist Hoxha e kishte pëlqyer shumë gjeneralin Mossanga, tek i cili kishte varur shpresat se do të shndërrohej në një marksist – leninist fitimtar. Por nuk ndodhi ashtu. Revolucioni kongolez dështoi. Ra në diktaturë tjetër: nga e bardhë në të zezë, edhe më ç’njerëzore se ajo e kuqe. Nëntë fëmijët kongolezë mbetën në Vlorë. Askush nuk u kujdes për ta, veç komunistëve shqiptarë, administratës së diktaturës Enveriste për t’i edukuar siç «duhej», sipas modelit të njeriut të ri socialist. Një sërë ngjarjesh të pazakonta fillojnë të ndodhin pas vendosjes në Vlorë. Ashtu si në realizmin magjik, që le ta themi me fjalët e kritikut amerikan Seymour Menton se: “…realizmi magjik konsiston në paraqitjen e realitetit të përditshëm me një tingull magjik përmes pranimit pa emocione nga ana e protagonistëve të ngjarjeve të jashtëzakonshme”, Fate Velaj na rrëfen pas çdo faqeje po ashtu, egërsinë shtazarake, vulgaritetin e kotësinë, pabesinë, fatalitetin, injorancën e mungesën tragjike të prespektivës e shpresës për të nesërmen. “…mesa po kuptoj, kanë frikë të na afrohen. Ndoshta se mos vallë kemi sjellë ndonjë sëmundje afrikane me vete dhe mjektët këtu, jo vetëm që nuk e kanë idenë se’ç është, por nuk kanë as njohuritë për ta kuruar” – thotë Joseph Mossanga në bisedë me bashkatdhetarët e tij, pa e ditur nëse ajo që po ndodhte ishte një realitet, një imagjinim apo dreqi e di se çfarë po ju ndodhte si pasojë e të mallkuari moskuptim. Kjo është saga e tyre. Në fakt, kjo gjetje kaq e mprehtë e mjeshtërore, është në të vërtetë prizmi, kulmi dhe faqet e lëmuara të tij, në të cilat zbërthehet në formë spektrale gjithë absurdi komunist, thelbi i tij. Fate Velaj bën fije – fije, në mënyrën më të sofistikuar e inteligjente seriozitetin hipokrit të një regjimi, besimin në të pamundshmen, idolatrinë vrasëse të sistemit, butaforinë e boshësinë e tij, metodikën hileqare e makiaveliste, pa rënë pre e skematizmit propagandistik. Ai është kujdesur mjaft të japë esencën dhe imazhin e regjimit, pa dhënë riprodhimin kronologjik e historik të saj dhe këtë, me një ftohtësi klinike, kur në fakt, rreziku i rrëmbimit prej emocioneve të ndezura ishte prezent në çdo kapitull. «Rritja dhe edukimi komunist» i nëntë fëmijve kongolezë në Vlorë, saga magjepëse e tyre, me peripecitë, ngjarjet, të papriturat, paragjykimet e ngjyrës, e deri tek «përpjekja e shqiptarizimit» sipas modelit edukativ të njeriut të ri, përpos instiktit të mbijetesës është për ta udhëtim tragjikomik në rrethin e nëntë të ferrit (vini re numrat nëntë). Edukimin e kongolezëve autori e bashkëngjit me «kulturën masive» të bashkëmoshatarëve të tyre shqiptarë. Ai udhëferr i kongolezëve të vegjël, variacion stilistik i mirëgjetur, i ka dhënë romanit ritëm dhe një dinamikë të pabesueshme lëvizjeje e përfytyrimesh groteske. Po e gjithë narrativa ka një pritë ku kullon e filtrohet, është sarkazma e mirëstudiuar dhe e organizuar si duhet, deri në detajet më të imta, në mikrofabulat e përditshme të personazheve, në të gjithë rrjedhën kumbuese të saj. 

    2- Duke u rritur, Joseph Mossanga, fillon të kuptojë e të ndjejë përfundimisht «se Shqipëria mikpritëse, nuk ishte një vend me 28.000 km katror, por vetëm me 333. Një truall toke sa për të ndërtuar një godinë të bardhë me disa qeli te vogla, një dhomë pyetjesh e një torturash.” Këtë të vërtetë të hidhur ai e provon në lëkurën e vet, në moshë të re, gjatë jetës në Vlorë, në shkollën mjekësore, përndjekjes dhe arrestimit nga sigurimi i shtetit. Pasionet e mëdha, përkushtimi ndaj botës “open -source”, marrin goditje të rënda prej rregjimit që tashmë e kishte holluar së tepërmi maskën e vet. Kamzhikët e rregjimit që kishte provuar në Vlorë, i ndjen dhe në Tiranë, por në kryeqytet ai ndjeu peshën e rëndë, grushtin mizor të diktaturës t’i përplasej në fytyrë. Por sa më tepër rregjimi godiste, aq më e madhe bëhej mirënjohja dhe dashuria e Mossangës për Vlorën dhe Shqipërinë. Kjo dashuri gati profetike, (kudo ku shkonte prezantohej vlonjat, këndonte këngët e Vlorës, kompozonte mbi to, jetonte e fliste po si një vlonjat, ruante miqësinë me ta) e bën Joseph Mossangën të përjetojë një cikël ngjarjesh që kanë peshën e papërsëritshme të një eksperience e përvoje unike. Nga karakteri i vlonjatëve më shumë se skematizmi edukativ i njeriut të ri që kultivohej me zell në konvikte, shkolla e në jetën e përditshme, ai mësoi virtytin e skepticizmit, që nënkuptonte një sens humori të vazhdueshëm, për të vënë në pikëpyetje edhe gjërat në të cilat njeriu beson sinqerisht. Ndoshta kjo shpjegonte faktin se në shumë raste, bashkë me miqtë e tij, ai ishte tallur, apo kishte parodizuar, gjeste e gjëra të cilat nuk është se bëheshin me bindje të madhe. Të mos e marrësh kurrë veten shumë seriozisht, i ishte dukur gjithmonë qëndrimi i duhur. Ai e kishte kuptuar më së miri se e vërteta nuk mund të jetë kurrë e njëjtë, sepse ajo ndërtohet sipas një procesi interpretues subjektiv. Nuk e ngatërronte regjimin as me Vlorën dhe as me Shqipërinë. Por Joseph Mossanga e donte jetën, e donte dashurinë. I këndonte me kitarë në koncerte, mbrëmje vallzimi, në parqet e kryeqytetit. Kongolezi buzatrashë, flokëkaçurel që si shtroi dot asnjëherë, kishte një nur të parezistueshëm. Ka fytyra të shëmtuara që të bëjnë për vete kur i vështron, siç ka fytyra të bukura pa pikë shijeje. Mossanga iu dukej i bukur të gjithëve. Se ç’dreq kacurelash ndërlikseshin mbi ballë, vetulla mrekullisht të dendura e të gjata që ndërthureshin me shikimin e butë, rrudhat e holla mbi mollëza, të shtynin të ndjeje, të mendoje, që brenda atij balli duhej të kishte një sasi idesh që vlonin, të gatshme për të shpërthyer në çdo çast prej atyre sysh çuditërisht tejet të ndritshëm e depërtues. «Ai është i mahnitshëm – i tha të nesërmen e mbrëmjes Jasmina, Almës, shoqes së saj. -Ai e ka zërin më të bukur se Sammy që këndon të dielave në RAI». Kulmi mbërriti kur ai e gjen dashurinë e vet, tek një vajzë e emancipuar, mendje hapur, Jasmina, e bija e Lito Goçit, shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Por si mund të zhvillohej e pranohej prej rregjimit kjo dashuri, midis bijës së një drejtuesi të lartë të nomenklaturës komuniste me një të huaj që përndiqej nga sigurimi shtetit dhe në dosjen e tij mbizotëronin fjalët: spiun i perëndimit, agjent i shumëfishtë, i rrezikshëm, përhapës i veseve e ideologjisë borgjeze në Shqipëri. Por kjo dashuri e tij me Jasminën, kthehet në një monument homazhi i vetë ekzistencës së tij. Kjo dashuri shemb të gjithë idolatritë e paragjykimet. Ligjësia ciklike e ngritjes dhe rënies së idhujve është e vjetër sa vetë sajimi i tyre, por në situatën e Mosangës e Jasminës, shkëlqen pohimi amerikan që një idhull është njëfarë Zoti portativ, gjithnjë i disponueshëm. Ka gjasë që kushtin kësaj disponueshmërie, t’ia ketë caktuar më bukur se kushdo tjetër shkrimtari John Steinbeck: ”…kur një idhull rrëzohet e bie copash, i nuk përgjysmoheta, por përfundon në një varr plehurishteje, duke e bërë të vështirë ringritjen së rishti më këmbë dhe, në e ngritsh mbi piedestalin e tij të vjetër, do njolla që dëftojnë rrëzimin e tij të mëparshëm, nuk i shlyhen që nuk i shlyhen kurrë.” Drama e një ushtaraku madhor, bir i një heroi të luftës antifashiste të lidhur pazgjidhshmërisht me diktaturën, qënie në agoni, në të perënduar, diç që të kujton ekspresionistët gjermanë të stilit të Ernst Ludwig Kirchner, (Lito Goçi ati i Jasminës) për fajin e vetëm se e bija dashurohej me një kongolez, e që Ministria e Brendshme i kishte në përpunim aktiv 2A, mbetet nga skenat unike të romanit. Duke qenë i zhgënjyer me kohën, me veten, me idealin e tij të pamundur komunist, diç që të ndërmend vibrimin e akthit, përsëritshmërinë, një si nostalgji që qan me gjysëm ngashërime, Lito Goçi, i dërmuar prej gjyqit të vartësve e kolegëve të tij në organizatën e partisë, çmendet. Çmendja, marrja e rimarrja e të njëjtave kujtime dëshpërake, hedhja nga ballkoni, është rezonanca manjetike katërdimensionale që autori i bën regjimit. Ashtu fare thjesht, pa bërtitur, pa klithmat histerike, por me qartësinë e dëshmisë unike të një fati njerëzor që ishte kafshata e rradhës për një diktaturë. Por nuk mbarron me kaq. Donika, gruaja e tij, për të mos shfaqur aprovim me gjestin e të shoqit, çdo mëngjes, dilte në ballkon e veshur me rrobat më të mira, e lyer me buzëkuq e puder faqeve, dhe këndonte si e marrë këngën që vetë Lito, i shoqi i saj kishte kënduar përpara gje gjatë aktit të vetvrasjes, këngën që përlqente më shumë Enver Hoxha. E frikshme kjo skenë por, Fate Velaj, me një mjeshtëri unike, e ka sjellë të gjallë këtë akt funebër. Ngjarja e paralajmëruar, fundi i një personazhi të tillë, është parapritja e qartë e vdekjes, retrospektiva ku po e çonte rregjimi një popull të indoktrinuar, krejt pa sens të duruar e apatik. Pamundësia e jetës, e dashurisë së Mossangës me Jasminës, na rrëfejnë utopinë e lumturisë në një rregjim të tillë. 

     3- Saga e kongolezëve në Shqipëri është e ndarë dypjesësh, adoleshenca në Vlorë dhe rinia në Tiranë. Episodet rrëfyese të “kujdesit” të regjimit, si pjesë e proçesit të edukimit të njeriut të ri, ndonëse të ndryshme, kanë në thelb të njëjtën sarkazëm therrëse, me synim ekspozimin e kalbësisë dhe degradimin e pakthyeshëm të tij. Lehtësisht vëmë re se si komponentët e ndryshëm të rrëfimit janë të prirur në thagmën për të nënvizuar kuptimin e të parevokueshmes: përdorimi e vetës së tretë apo atë oshilacion të përhershëm midis së tashmes dhe së ardhmes. Takojmë mënyra të tilla konstruksioni: “Pranë bustit të Patrice Lumumba-s në Alarup, u rreshtuan fëmijët nga Kongo, tre drejtorët, përfaqësuesi kinez dhe inspektori i komitetit të partisë”. Fq.135 ose “Me vështrimin e përhumbur tek vrima zanore e kitares, me përqëndrimin më të madh që kishte pasur ndonjëherë kur këndonte ndonjë këngë të re a të vjetër, ai ndjente përgjegjësinë që kishte marrë”. Fq.327. Kështu atmosfera e arritur në këtë pikë, parapërgatiste një fat të pashmangshëm që i vinte rrotull protagonistit Joseph Mossanga. Rrëfyesi “di me saktësi çfarë do të bëjë Joseph Mossanga në Tiranë sepse ai tashmë e ka bërë në një ekzistencë të mëparshme, në Vlorë. Kështu, edhe pse rrëfyesi flet shpesh në kohë të ardhme, ai e tregon me një element të vendosur për të kaluarën; është një e ardhme e pashmangshme”. Koherenca psikologjike dhe i gjithë realizmi, ndërtohet pothuaj mbi këtë matricë dhe është i krahasueshëm vetëm me Marquez tek “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar,” apo me Carlos Fuentes tek “Shoqëri e Pashpjegueshme: Gjashtë Tregime fantazie – ose gjashtë variante të së keqes”. Tablo e kësaj sage, Vlorë – Tiranë që ka mbi krye rrezikun e zotëron shpërthimin e mundshëm, në fundin e saj na çon në zbulimin e mahnitshëm: personazhet janë të ngjizur që prej kohës që jetojnë. Në këtë vepër ndihet pesha e ndryshimit të personazhit dhe kjo, nën trysninë e ngjarjeve ditë pas dite e muaj pas muaji, si një fillim i përpunimit kulturor që lyp letërsia dhe sidomos në artin e fiksionit. Sigurisht, nuk është fjala për një konceptim keqdashës të kësaj, apo diçka që i kundërvihet së arsyeshmes letrare, por e kundërta: është grotesku i episodeve i kuptuar si një realitet tjetër, i ndryshëm dhe larg nga metodat shkencore; më pak i kuptueshëm e më pak ndriçues në fushën e njohjes. Pra, marrëdhënia e autorit me gjininë e groteskut është tepër e veçantë. Fate Velaj nuk i drejtohet groteskut si qëllim në vetvete; dmth, nuk e thërret atë si një model që të orientojë mënyrën e tij narrative, të njëkuptimshme. Prandaj, në historitë që rrëfen rreth rritjes së kongolezëve sa në Vlorë e në Tiranë, ndeshemi me modalitete të ndryshme, si në tematikë ashtu edhe në listën narrative. Duke ndeshur një botë të panjohur, shpesh gati – gati të pakuptimtë, tek kongolezët, përmes narrativës së autorit ndeshemi me obsesione të pafundme ku qëndrojnë – identiteti, koha, gjuha, raporti me rrezikun, me hapësirën dhe lirinë. Fiksionet e autorit luhen në tone aq të larmishme, saqë shkojnë sa nga narrativa në surrealizëm, apo nga tregimin gotik në realizmin magjik. 

     4- «E lirë dhe e shpenguar në sjellje, tek e shihje të shkonte në fakultet apo të shëtiste me shoqet në xhiron e madhe, ishte e pamundur mos ndesheshe me sytë e saj të mëdhenj e ngjyrë gri, në mesin e të cilave, qëndronte një pikë e zezë, më e madhe se ç’është tek njerzit e zakonshëm.” Kjo ishte Jasmina Goçi. “Përse je kaq e bukur?” – e pyeti ai përpara se t’i thoshte mirupafshim. Jasmina u skuq. Asnjë djalë nuk i kishte folur në atë mënyrë. Kishte dëgjuar me dhjetëra deklarata dashurie, përgjërime e lutje të pranonte kërkesën e tyre për dashuri, por asnjëri s’e kishte shprehur kaq bukur, kaq thjesht dhe kaq sinqerisht.” “Unë jam vlonjati Joseph Mossanga – tha dhe nisi të këndonte. Kjo mbrëmje ishte më e rëndësishmja sepse për herë të parë di t’i këndonte asaj.” Në Tiranën e viteve ’80, po niste një dashuri gati e pamundur. Hegel-i tërheq vëmendjen që të gjithë burrat janë të bukur vetëm nga e dashura e tyre, jo më nga gruaja. Joseph Mossanga kishte nur në çdo pjesë të trupit, në çdo lëvizje, në buzeqeshje, në mënyrën e të folurit, apo dhe si këndonte. Duhet të jesh në gjendje ta dallosh bukurinë nga nuri. Nuri është një cilësi e veçantë që s’ka asgjë të përbashkët me bukurinë apo shëmtinë. Po ta dinin studiuesit, do të përgadisnin një histori të nurit. Ai ka shumë gjëra të mistershme. Përmban lëvizje të parëndësishme, yçklina apo të tjera dukuri. Historia e dashurisë së Jasminës me kongolezin pediatër, por njëkohësisht dhe vlonjatin e këngëtarin Mossanga, është histori e denjë për çdo roman. Problemi më serioz me të cilin është përballur romancieri Fate Velaj është fakti se kishte në dorë një histori nga realiteti dhe i duhej shumë mjeshtëri për ta përpunuar në mënyrën më letrare dhe me një strukturë dramatike të denjë për roman bestseller. A e ka çuar deri në fund këtë ngasje…? Me bindje të plotë më duhet të them një PO. Ja ka arritur. 

     5- Në këtë roman, të gjitha të papriturat e protagonistit por dhe zgjidhja e tyre, janë të lidhura me një mosmarrëveshje të rrjedhur nga një fenomen që kërkon shpjegim: një atdhe i dytë që zbulohet “hap pas hapi”, një diktaturë mizore që shtyp çdo të drejtë dhe liri, dhe Vlora që protagonisti e dashuron marrëzisht. Edhe kur dëbohen kongolezët (viti 1990), Joseph Mossanga qëndron në Shqipëri. “Jam vlonjat” është refreni i tij. Madje edhe kur është në ditët e fundit të jetës, koha kur tumori i ka përfshirë gjithë trupin, ai vjen nga Brukseli ku ishte vendosur bashkë me Jasminën, (lë klinikën e tij stomatologjike) për t’i kaluar ditët e fundit të jetës në Vlorë. Madje shkon tek shtëpia e Petrit Pemës që e priti i pari me aq dashuri në vitin 1966. Atëherë, çfarë ndodh? Personazhi në roman do të duhet të sqaronte faktet. Joseph Mossanga bën një nga përnderimet më të ndjera ndaj miteve, legjendave, frymës e traditës mikpritëse të përjetshme vlonjate, që vazhdon të jetë e fuqishme edhe në jetën e pas viteve 1990. Si shpjegohet që letërsia e mirë, arti ka gjithmonë nevojë për të hymnizuar personazhin, për vënë në skenë të bukurën? Mosshpjegimi që vjen nga ky përnderim përbën esencën e fantastikes. Fantastikja pushton kohën dhe kokën e lexuesit. Përballë kësaj ndodhie të jashtëzakonshme, personazhi – dhe bashkë me të dhe lexuesi – do të futeshin në ndërdymje: si ta asimilojnë atë që nuk ngjan me veprimin normal të kësaj bote? Pikërisht te ky dyshim qëndron fantastikja. Tentativa për ta shpjeguar ngjarjen, përnderimin në fjalë, do të thotë ta prishim fantastiken. Tek fantastikja e krijuar mjeshtërisht prej autorit përmes lupës së imët të mikroskopit, dallojmë edhe shkrirjen e disa gjinive letrare. Ato ndihmojnë njëra-tjetrën. Megjithatë syri i stërvitur mirë në lexime, i sheh vijat e holla ndarëse të tekstit rrëfyes, tekstit eseistik, filozofik, habinë e ngrohtë të përrallës, mahnitjen e gjëagjëzave të mprehta, intertekstualitetin që bën lidhjen midis kohëve, por dhe ironinë intertekstuale për të ndriçuar vrimat e zeza të rregjimit. Fragmentarizimi i tesktit, realizuar përmes kronikës rrëfyese, e merr përdore lexuesin, duke e larguar nga realitetet e rëndomta, kakofonia e kotësisë, duke e orientuar e drejtuar drejt artit të madh, përmes magjisë së fjalës dhe strukturës zbavitëse të shndërrimit të ndërtuar imtësisht e me kujdes. Joseph Mossanga e ka kuptuar tashmë plotësisht se e kaluara peshon tmerrësisht, sepse, megjithëse rregjimi komunist ia kishte bërë fërtele fëmijërinë, traumatizuar adoleshencën dhe pëgjakur rininë, kishte triumfuar ai, mbi atë. Veçse, ai kishte triumfuar duke sakrifikuar, madje shumë pjesë e kujtime të tij kishin vdekur. Ai mbijetoi vetëm sepse u sakrifikua. Ai kuptoi më mirë se të gjithë se në Shqipërinë e kohës i vetmi qëllim që shpëtonte, ishte qëllimi i sacrificës. Ajo që i mbeti si dashuri, ishte Jasmina dhe Vlora … 

     6- Në vend të mbylljes, do të na trokasin ende pikëpyetje për t’iu dhënë përgjigje. Por themelore mbetet një: cili është vendi që do të zerë ky roman në hierarkinë kanonike të romanit shqiptar. Kjo histori e romanit Mossanga, ngjan se është “e vërtetë”, histori që përvijohet me kthesa të papritura dhe bëma ekstravagante. Me fjalë të tjera, edhe pse këtu nuk përdoret e jashtëzakonshmja, rrethana shkakton sensacionin e së zymtës, sipas stilit më të mirë të narrativës gotike. E zymta e diktaturës është ngjyra e vetme e romanit. Deri tani, në katër romanet pararendëse, Fate Velaj ka shkruar përgjithësisht brenda traditave më të mira e të pastra të romanit. Tek Mossanga kemi ekstravagancë stili dhe strukturë delikate, sarkazëm matanë limiteve, ambicie përkufizimi dhe përgjithësimi, gjallëri epike dhe pse jo, duhet pranuar: një pedagogji të fshehtë mbi letërisinë. Të gjitha këto, në një version të ri të traditës më të mirë të romanit të sotëm, e shprehur përmes një interpretimi të përveçëm të përvojës të romancierëve më të mëdhenj bashkëkohorë botëror.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË