U nis sapo ra muzgu. Bert Vangjeli priste tek hyrja e pallatit me një xhip të vjetër. Karakatinë.
Do mbetemi rrugës, – tha me zë të ulët sapo hyri brenda.
Të gënjen pamja shefe, – ktheu kokën pas, – këtë xhip do ta donte për gara edhe vetë Shumakeri.
Ishte mjeshtër për të thënë kur se prisje, fjalët më çoroditëse.
Herta Kurtiza hoqi kapuçin, liroi shaminë maskuese dhe mori frymë disi e lehtësuar, vetëm kur xhipi doli jashtë kryeqytetit, kohë kur xhipi iu drejtua rrugës së panjohur për Ilarishtë. Për rreth njëzet minuta xhipi fluturonte mbi asfalt, më pas gomat nisën të bënin atë zhurmën karakteristike të rrugës së pashtruar dhe pluhurit që nuk të shqitej. Deri në mbërritje, duheshin të paktën dhe dyzet minuta të tjera.
Në Ilarishtë e këshilloi të shkonte Ralf Veleshnja. Kishte kohë që në biseda, takime, në perdet e dritaret e zyrës, sikur daravitej një hije misteri, një komplot i padukshëm, gjersa një mbasdite teksa punonte tërë pezm mbi një projekt – ligj, (përse e kanë shkruar kaq keq, shkel e shko, që të më mërzisin?) i mbiu në kokë një pyetje e habitshme: përse atëherë nuk kishte frikë?
Po pse nuk ndjente brenda vetes asnjë klithmë të llojit e zezë është nata dhe korbat janë shtuar atje mbi hon?
Ose ndonjë yrt të shkretë, plot mjegull e mister, ku askush nuk e besonte dhe puna shkonte huq, pa u vënë re e pa lavdëruar kërkënd. Do të ishte gjysma e të keqes sikur mërzia të kishte mbetur vetëm e saj. Ajo vizatohej më shumë në fytyrën imcake të drejtorit të mardhënieve me publikun, mikut intim të ministres, Ralf Veleshnja. Administrata e ministrisë, publiku, mediet, vartësit në terren kishin kohë që pëshpërisnin një fjalë të vetme që të ngjethte mishtë: E ka një hall ministria, duket!
Ky lepurush ia bën performancën ministres? S’ka një tjetër?
Të dy ndjenin se drejtorët, inspektorët, njerëzit e asministratës, vartësit poshtë tyre shtireshin sikur ua dëgjonin fjalën, ndërkohë që mezi prisnin t’u nxirrnin gjuhën pas krahëve kur ata të iknin. Ishin hapur edhe fjalë se ajo, ministria, nuk gëzonte më besimin e shefit të madh, dhe ditët ishin të numëruara.
Ralf Veleshnja, me një mendje dinake, shpuzë, pa kufizime, gjithnjë në punë, ishte thuajse në një mendje me shefen e vet se; hë për hë, duhej hequr dorë nga dredhia e kërkimi i burimit të përhapjes së thashethemnajës. Fillimisht duhej shëruar e keqja, ajo që mund të mahisej e të bëhej plagë e pashërueshme: mërzia që kishte rënë si mort!
Ranë dakort për mospërmendjen në asnjë rrethanë të fjalës mërzi. Pak orë më vonë Ralfi hyri në zyrën e ministres me lajmin shpëtimtar: zgjidhja ishte gjetur. Do të shkonte tek shëruesja popullore Rebanie! Fundja atje shkon e gjithë dynjaja e gjen derman!
Ministria me sytë gjysmë të mbyllura nga miklimi, po aq sa dhe nga moskuptimi, e pazonja për një dinakëri kaq të hollë, pyeti se ku gjendej kjo shpëtimtare e zonja. Ralf Veleshnja nuk u përgjigj menjëherë. Ai e dinte mire se Herta Kurtiza ishte nga ato gra që në mbrëmje duan të shijojnë gotën e verës me një copë ëmbëlsirë dhe muzikën në sfond. Me fjalë të ngadalta, por i sigurt se ato do të përndiznin mendjen e saj, Ralfi i tha se për këtë gjë, duhet të shkonin në Ilarishtë. Atje lart, afër malit, ku ndahen dy rrugë, njëra që shkonte në klinikën e Rebanies dhe tjetra në Teqenë e baba Hekuranit.
Shëronjësja popullore Rebanie, siç dëshironte ta thërrisnin, më tepër se sa shëruese, ishte dhe fallxhoria e rafinuar Rebanie, që i bënte punët e bekuara vetëm në klinikën e saj. Nuk zbriste në kryeqytet.
‘’Atje janë bërë bushtrat si milingonat’’ – thoshte herë pas here, dhe pas kësaj fjale, asgjë e mirë nuk pritej. Nuk dihej pse e kishte inatin me femrat dhe jo me meshkujt. Ndoshta, ngase prej disa vitesh, pesha prej njëqind e dyzet kilogramësh dhe gjerësia sa një trung rrapi e mesit të saj, i kishin thënë lamtumirë përfundimisht seksit dhe lojërave të epshës.
Shkuarja e ministres Herta Kurtiza në Ilarishë do të bëhej ashtu siç e kërkonte sëra e saj, në fshehtësi të plotë. U përgatit një plan që u mbajt top sekret. Siç shpjegoi Ralfi, ishte marë vesh me shëruesen popullore Rebanie, që atë mbrëmje, nuk do të kishte asnjë këmbë njeriu tjetër, veç asaj, klientes që po i dërgonte ai. Nuk do të kishte as ‘’sanitaret’’ atë natë. ‘’Për këtë shërbim, do të paguhesh si askush tjetër, – i kishte thënë Ralfi, pas një bisede kokë më kokë. Dhe kuptoje se kjo është çështje e sekretit shtetëror.’’
Ajo e vështroi me sytë e saj të çelët, dhe ia krisi të qeshurit: ç’i ke këto fjalë? Kujt ia thua këto broçkulla? Ka farë kopili në bark dhee ka frikë se e zhduk burri pasunar brenda sekondës … hahaha. Sill paratë shpejt pa do ta bëjmë sakrificën, kishte mbyllur pazarin shëronjësja popullore Rebanie.
Më mirë kështu, – u ndje i kënaqur Ralfi, i bindur se: sado që fallxhores i pëlqen të mendojë se e dinte se ç’plan kishte ai, askush nuk mund ta dinte kurrë se ç’bluhej në kokën e tjetrit.
I vetmi shqetësim për realizimin e planit top sekret mbetej shoferi.
Gëk. Dëgjove gjë? Gëk. Sakën se të nxjerr gjuha ndonjë tingull se t’i tordha ato …, – i tha shoferit, Bert Vangjelit, – të cilit iu morën mendtë nga fjalët që dëgjoi.
E qepur shefe! – dhe bëri shenjën që i plqente asaj, gojëmbylljen.
Xhipi mori kthesën majtas, aty ku ndaheshin rrugët dhe u fut në një lirishtë me ferra, bimë e pemë të shkurtra, derisa doli matanë. Pesë minuta më pas ndaloi para derës së klinikës ku priste shëronjësja popullore Rebanie. Klinika ishte një ndërtesë dykatëshe, me oborr, ndërsa pas saj binte thikë faqja e malit, që fillonte me një pyll të dendur. Xhipi u fut në oborr dhe Bert Vangjeli nuk doli prej saj deri sa ministria të mbaronte atë punën e saj misterioze. Edhe atij mendja i shkonte tek ndonjë abort, askund tjetër.
Herta Kurtiza sapo zbriti prej xhipit, hyri menjëherë brenda. I trembej ndonjë kamere të vendosur në ambjentet e jashtme të oborrit ose hyrjes së klinikës. Shoqëruar prej shërueses Rebanie, u fut shpejt e shpejt brenda. Dritat ranë mbi të. Ajo u ul e drojtur, në vendin ku e drejtoi Rebania, hoqi kapuçin, shaminë maskonjëse, xhupin dhe ndenji në pritje. Ky ishte veçse fillimi i habisë. Shëronjësja popullore Rebanie u kthye pas pak, veshur me përparëse të bardhë dhe me mjetet e saj të punës.
Ua, po ti qënke si një lule e mbirë në ferrë, – shpërtheu adhurimin shëronjësja.
Sytë e Herta Kurtizës, të pamësuara me atë ndriçim, ende me gjurmë mëdyshjeje, u përpëlitën si të trembur.
Pa zhvishu, zhvishu pak të të shikoj, – urdhëroi Rebania, duke e shtrirë në krevatin e vizitave, në mirëkuptim të drojën e saj. Në ishin shtrirë më pare dhjetra të tjera, që vinin thuajse çdo javë për të abortuar apo për këshilla e terapi të specializuar.
Herta u shtri me kurriz dhe u zhvesh instiktivisht. Ajo i uli poshtë tutat dhe të mbathurat.
E paske si luleshtrydhe, – i tha ngadalë duke ia fërkuar e rrahur lehtas me pëllëmbën e dorës.
Ku i di ti këto gjëra? – nuk e mbajti dot veten Herta, – ku e di ti se ç’është seksi, dashuria?
Jepe, jepe luleshtrydhen, – bëri se nuk e dëgjoi shpotinë shëronjësja.
Ashtu?
Jepe sa më shumë luleshtrydhen se korbat do ta hanë, balta do ta tresë, – përsëriti gjithë qejf trashaluqja idenë e saj, duke i shkuar mendja në gjithëfarë aventurash erotike.
Herta, që ndonëse kapte veç pjesën anësore të herëpashershme të shikimit të shëronjëses, e ndiente se ai shikim megjithatë ishte i butë, lodrues, mbështetës.
Kam përshtypjen se jeni keqkuptuar në… – nuk arriti të mbaronte frazën.
E di ti si i këndoj unë vetes time? Nuk e di: ‘’jeta tënde shkoi e vate/t’u mbush varri manushaqe.’’
Dyshimi se mos shëronjësja zemërohej, e ligështoi disi, dhe ndonëse atë çast mendoi të ngrihej, të ikte, një shtysë e brendshme i tha prit, mos u ngut. Ktheu plotësisht kryet nga ana e saj dhe pa se shëronjësja ishte e çelur në fytyrë. Nuk kishte pse i kërkonte ndjesë, hyri drejt e në temë: dua të më shëroni nga mërzia, ankthi, stresi! E bëni dot!
Ç’është kështu o zot, – tha me vete, – edhe kolerën sikur të kisha, nuk do të më shihte ashtu.
Ah kështu qënka puna? – dhe si të ishte një punë e thjeshtë, të zbrazej koka nga ca mendime, për t’u mbushur me ca mendime të tjera, ajo i nduku dy fije floku Hertës, dhe iku të sillte ca nishane e shenja që i duheshin për fallë e magji. Nuk u vonua shumë, bashkë me shenjat e saj, solli dhe një filxhan kafeje.
Pije dhe ktheje, – iu drejtua Hertës, si të ishte e sigurt se do t’i zhvendoste të gjithë mjegullimet e deriatëkohshme, për t’i parë qartë shkaqet e mërzisë e anktheve.
Herta u bind. A nuk kemi ndonjëherë dëshirë t’i kujtojmë me një nënqeshje tallëse rravgimet tona, mllefet, përplasjet, komplotet që na bëhen, gjoja aleancat kundër, interesat, mospëlqimet? Të kuptojmë mirë se sa të përkohshëm jemi? Disa kanë padurimin t’i denoncojnë, të hakmerren sa më parë,ndërsa ca të tjerë i kujtojnë sepse nuk jetojnë dot pa to.
Priti me durim procedurën e fallxhores Rebanie duke e pirë me nge kafen e gurit. I shijoi. E mirë. Iu kujtua babai, Nexhmedini, që deshi të varrosej në fshatin e gruas në Qeparo, jo në fshatin e tij, dhe të kishte mbi varr një fjalë të vetme: Paqe!
Përse e donte atë epitaf dhe jo diçka tjetër? Mos vallë ngaqë jeta e tij atje kishte qënë shumë e trazuar, apo ngase e brente papushin ndërgjegjia e s’kish si të kërkonte falje. Këtë gjë nuk do ta mësonte dot kurrë. Kishte frikë se mospranimi i faljes e kishte rrzëuar gjithë jetën e tij.
Priti deri sa fallxhorja Rebanie lexoi nuskat e saj, hapi dorën që ajo të shihte shenjat e vizatimet e zotit, dhe qetësisht i zgjati filxhanin e kafesë. Fallxhoria nuk u nxitua. Donte t’i shihte me kujdes të gjithë provat e saj dhe pastaj të fliste. Heshtja herë nxinte e herë ndriste ngazëllueshëm. Ajo shenjë që i rrëfente fatkeqësi e humbje, pak çaste më vonë kthehej në mundësi e guxim për shpëtim, kapërcimin e atij grethi ku kishte rënë humori dhe vetëdija.
Mërzi e tepruar, – foli ngadalë, – mospërshtatje, por dhe tradhëti e pabesi. Shenjën e saj e dalloj fare qartë. (Ajo nuk i kishte shprehur asnjë fjalë, nuk i kishte lënë të kuptonte asgjë se po komplotonin kundër saj.) Fallxhorja ndau besimin e trishtueshëm se një prej njerëzve më të afërt të Herta Kurtizës, po aq sa e dashuronte, aq dhe e urrente. Ajo komplotonte natën dhe bënte dashuri ditën. Dhe ishte grua. Grua. Eh dhe lezbike!
Herta ndjeu se pikërisht atë moment ishte nën goditje. Nën një fokusim që e tret njeriun, e bën fije, fije.
Kjo lojë, – i tha ajo, – nuk do të zgjasë pafund. Zilia dhe smira po gëlltisnin gjithçka.
Një dritësim i pabesueshëm, si një gazvaj po vinte nga përbrenda saj.
Është e vërtetë? – fallxhoria Rebanie vërejti se brendia e saj, ajo që mbahej fshehur, kishte nisur të zbërthehej. Ajo po i rrëfehej vetvetes, në atë terrin e kaosin ku kishte rënë dhe kjo ishte më e mundimshme se çdo krusmë. Mendimet e pasistemuara, të çoroditura po bëheshin fir me ngut. Ajo nuk duroi dot më, dhe i tha fallxhores: mjaft! Ti e zbulove thelbin, gërnajën e mërzisë së padurueshme. Pushteti dhe paraja.
Unë do të të mbroj, – i tha fallxhoria Rebanie, – do të mbroj se je si lulja e mbirë në ferrë.
Dhe i dhuroi tri nuska t’i mbante me vete.
Vendet ku do t’i vësh i mer vetë me mend …?


