KreuLetërsiBibliotekëOdhise Çerkezi: Musineja (Tregim)

Odhise Çerkezi: Musineja (Tregim)

E pashë për herë të parë nga dritarja e hotelit të punëtorëve, siç e quanin, ku më kishin caktuar të banoja. E shihja pothuaj çdo ditë, madje dhe dy herë në ditë.

Ishte një grua e imët, fytyrëzbehtë, me një triko të gjatë, e thurur me dorë si ato të nënave gjirokastrite, me pantallona të zbërdhylura dhe çizme punëtorësh prej llastiku.

Ishin ditët e para që gjendesha në Rrëshen, i transferuar nga fshati Lufaj dhe i emëruar në shkollën e mesme të qytetit. Ditën tjetër u përballëm në hyrje. Kishte një fytyrë mjaft simpatike, me rrathë mavi nën sy. U bëra gati ta përshëndesja, por ajo uli sytë dhe më parakaloi me hap të shpejtë, sikur donte të shmangte çdo mundësi komunikimi.

Pyeta veten kush ishte kjo grua që banonte në një hotel punëtorësh, me një bukuri që të detyronte ta ndiqje me sy kur kalonte dhe me atë hije trishtimi në fytyrë që vetëm një intelektuale mund ta mbante.

Në atë kënd verior me malësorë fisnikë mora shpejt hijen e vendit. U njoha me shumë njerëz dhe më përshëndesnin jo vetëm ata që jetonim nën të njëjtën çati, por edhe drejtuesit e pushtetit në rreth. Vetë kryetari i Komitetit Ekzekutiv, jabanxhi siç na quanin atje, i ardhur edhe ai nga një qytet i jugut, kishte djalin në vitin e tretë dhe ishte interesuar personalisht për mua.

Në qytetet e vogla të njohin të gjithë. Je si kau balash, siç thonë. Me dy a tre prej mësuesve u miqësuam shpejt. Me të ardhurit lidheshim më lehtë, sepse hanim bashkë drekën apo darkën. Kisha krijuar miqësi edhe me Kryetarin e Punëve të Brendshme. Shpesh bënim shëtitje deri te ura e Fanit dhe bisedonim gjatë me miqtë.

Një natë, Kryetari i Punëve të Brendshme, adhurues i Dantes, më hodhi krahun dhe, duke recituar vargje nga Dante Alighieri:

“O ti toskan që në qytetin zjarr…”

shkuam për të ngrënë darkë. Më tregoi se gjyshi i tij kishte studiuar në Itali dhe se tercinat që recitonte i kishte përkthyer vetë ai.

Në një çast, sikur u kujtua befas, tha:

‒ Ah, si më paska dalë nga mendja! Ke një armike atje në hotel.

‒ Ç’armike? Ç’thua? Ç’duan armiqtë në hotelin e punëtorëve?

‒ Një grua. Patriotja jote është. Musine e quajnë. Nuk e njohe? Është e internuar. Nga Gjirokastra është.

‒ Ah, thashë, ajo punëtorja… ma ka zënë syri, por nuk më dha të njohur.

‒ Ki kujdes, tha. Armiku është dinak, sidomos një grua si ajo. Është shkrimtare dhe, me siguri, do të përpiqet të kontaktojë sapo të mësojë se edhe ti shkruan.

Më mbetën në mendje fjalët e tij dhe përpiqesha të merrja sa më shumë informacion për të. Mësova se kishte studiuar në Itali dhe ishte kthyer në atdhe me ide të përparuara për një shoqëri demokratike, me liri të individit dhe parti opozitare.

Po afronin pushimet e fundvitit dhe, dy ditë para se të nisesha për në Gjirokastër, binte një shi kiamet. Para meje ecte ajo, Musineja, pa ombrellë. Diçka mbante nën sqetull. Duke nxituar, pakoja i ra përdhe. U përkul ta merrte dhe u plandos edhe vetë.

Mbeta në mëdyshje: ta ndihmoja apo të kaloja sikur nuk e pashë. Jo, thashë me vete, duhet ta ndihmoj. E

kapa nga bryli dhe e ngrita. Mora edhe pakon.

‒ Ah, m’u morën mendtë… Faleminderit, tha dhe bëri të largohej. Faleminderit. Me një buqeshje që i jipte një shprehje fëminore fytyra e saj.

‒ T’ju mbuloj me çadër, thashë. Shkojmë bashkë deri në hotel.

‒ Jo, jo, tha. Shkoni. Jam mirë. Shkoni… mund t’ju bëjnë keq.

‒ Le të më bëjnë, thashë. Nuk bëra ndonjë faj fatal. Ndihmova një njeri, një grua të sëmurë.

‒ Armikut duhet t’i japësh shkelmin, jo dorën.

E tha me zë të ulët dhe me një buzëqeshje të tillë, sa dhimbja i jepte një ëmbëlsi të plagosur, një peshë njerëzore të papërshkrueshme.

Më vonë, kur i njoha veprën qëndrimin ekstrem të udhëheqësit ndaj saj, do të kuptoja mirë gjithçka që fshihej pas asaj egërsie.

“Kishte të drejtë Enver Hoxha që u dashurua pas saj”, më kaloi rrufeshëm nëpër mend, “dhe mohimi i saj e tërboi si demin në arenë”.

Nuk e harrova kurrë atë buzëqeshje, atë trishtim universal. Një dialog i shpejt sa për dhjetra orë.

‒Jam nga Gjirokastra, i thashë.

Sytë i morën një shkëlqim, që rrallë kam takuar në njerëz.

‒Nga ç’fis? pyeti.

‒Çerkezi, thashë. Si origjinë jam nga Poliçani.

‒Njoh një orëndreqës, Çerkezi në Gjirokastër. Më ka ndrequr sahatin që kisha sjellë nga Italia, më kishte rënë në ujë. Madje ma bëri falas. Je mësues në shkollën e mesme, besoj. Sytë e tu të kaltër më thonë se shkruan poezi.

‒Të faleminderit, je kaq fisnik, tha kur hymë në hollin pa njeri dhe më përqafoi. Do doja të rrinim e të bisedonim gjatë. Më mungojnë njerëzit dhe akoma më tepër ata të profesionit tim. Të lexoja dhe diçka prej teje. Por do të të lutem shumë t’u shmangesh takimeve me mua, se do të të bëjnë keq. Nuk më njeh, nuk më ke parë kurrë. Harroje dhe emrin tim.

Nuk do ta harroj, thashë. Sapo kisha botuar një cikël poetik në gazetë dhe një natë ja hodha nën derë.

Disa ditë rresht e shihja që donte të më thoshte diçka kur kryqëzoheshim, por nuk guxonte. Një natë tek po punoja mbi makinën e shkrimit pashë një fletë blloku që rrëshqiti nën derë. E rrëmbeva menjëherë.

‒Mora një copë jetë nga një shpirt i dlirë. Një duhmë pranvere shtyu derën dhe më rrëmbeu në krahë. Të falendëroj, të përgëzoj ishte një mrekulli. Një tufë poezish me një brengë Rilkeje, si një tufë rrezesh të ngrohta që më buzqeshën në burgun tim. Të lutem, moj e bëj më këtë faj. Harromë. Harromë për hir të zotit! Të përqafoj! 

Nuk e harrova kurrë, atë fytyrë kaq shprehesë plot mirësi të gdhëndur nga vuajtjet, brengat dhe ngazëllimin fëmijror që shprehnin sytë e saj. Hidhja vështrime vjedhur dhe hulumtoja atë dritë që rrinte ndezur deri vonë në dhomën e saj të ftohtë dhe thoshja: “Ç’bën ajo? Ç’shkruan vallë? Dhe i gëzohesha asaj përshëndetjeje të lehtë me lëvizjen e qepallave sa herë që kryqëzoheshim.

 2024

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË