More
    KreuLetërsiShënime mbi libraOana Glasu: Mira Meksi - një restauruese e ikonave gjuhësore shqiptare

    Oana Glasu: Mira Meksi – një restauruese e ikonave gjuhësore shqiptare

    Shënime të përkthyeses në rumunisht të romanit “Diktatori në kryq”

    Përmes romanit „Diktatori në kryq” Mira Meksi i rikthen vendit të saj dhe universalitetit  një histori që nuk kishte të drejtë të qëndronte e varrosur, përtej çdo forme trillimi, si një mjet i domosdoshëm për ndërtimin e temës së librit.

    Në fakt, Mira shkruan si një piktor. Fjalët e saj nuk janë kode kuptimore abstrakte, pa ngjyrë, të thjeshta. Përkundrazi, ata kanë shushurima të qetë, pastel dhe magji. Fjalët janë plastike sesa teorike, përshkruese, jo analitike, të përshtatshme për pikturë, jo diskursive. Para se t’i mendosh frazat, reflektimet, hijet, mirazhet, skenat tashmë po shpërndahen në imagjinatën tënde. Pamjet marrin kontrollin e vëmendjes tënde përpara se të kuptosh se në cilën rrugë dëshiron të vazhdojë leximi yt. Imazhi shkon një hap përpara mendimit dhe kështu që  nuk lexon, por shikon një film. Dua të them se hapësira e rafinuar dhe e vizatuar me përpikmëri e fjalëve ka nevojë vetëm për durim, pasi nuk ka asnjë çelës për të lexuar, përveç rikompozimit mendor të një skenari nga personazhe, situata, korniza, peizazhe dhe rekuizita të paraqitura me saktësi fotografike.

    Pasi të lexohet, libri do të kuptohet dhe shijohet sepse është një trillim i thjeshtë, klasik, i qartë si një koleksion i ruajtur mirë i pikturave, me një higjienë leksikore e patëmetë dhe e gjitha, në ajrin e pandotur të një bote moderne fillestare. U kënaqa kur zbulova se Mira, nga një instikt i shëndetshëm për stabilitet, shmangu kompozimet komplekse të letërsisë së sofistikuar të shekullit të kaluar, duke na dhënë një libër të përsosur, por përcaktues, si për një letërsi thelbësore, por që lë hapësirë për një labirint, të cilit do t’i referohem më vonë. Do të ishte një gabim i imi të vendosja modele narrative, për sa kohë që, në realitet, këto modele bashkëjetojnë në hapësirën sistematike, anhistorike të kulturës. Miti, përralla, magjepsja, trillimi realist, magjia realiste, si çdo lloj tjetër i shkrimeve post-moderne, sado eksperimentale apo ekstravagante të jenë, bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë letrare, pa konkurruar ose anuluar aktualitetin e njëri-tjetrit. E megjithatë, është shpikja stilistike dhe kompozicionale që prodhon ndryshime, mënyra dhe modele të reja për ta bërë letërsinë. Rasti i librit të Mira Meksit, aq i shkëlqyeshëm sa një vitrinë e Bierdermeier na tregon se kemi të bëjme me një shkrim të mrekullueshëm të ri „të stilit të vjetër. Hartuar me artin e të shkruarit, duke vënë në lëvizje mekanizmat e përshkrimit linear dhe evokimit, me disa ndërhyrje psiko-afektive që sqarojnë në ndonjë rrethanë dhe dialogë absolutisht të domosdoshëm të zbatuar në mënyrë konjukturale.

    Për sa i përket temës, romani krijon një histori në dukje – të zakonshme, në realitet – tragjike, kur bëhet fjalë për simbole, mistere të lashta, të vërteta shqetësuese, personazhe magjepsëse ose veprime drithëruese. Por, sidomos, kur bëhet fjalë për diktaturën më të egër, si  regjim, që ndodhi në Shqipëri dhe rreth Enver Hoxhës, të cilën autorja e paraqet përtej çdo mistifikimi. Nëse për gjithë të keqen e prodhuar nga eksponenti i regjimit komunist, mund të shtrohej pyetja: ku ishte Zoti kur ndodhi e gjithë kjo?, atëhere kur, Enver Hoxha vendosi një botë dhune, terrori, urrejtjeje, frike, dyshimi, degradimi moral dhe emocional, zbrazëtia e brendshme dhe vdekja mendore dhe fizike, tradhëtia, kërcënimi dhe regresi drejt bishës, arestimi pa faj, tani, ja që, Mira e ekspozon këtë diktator, duke e treguar atë të zhveshur si në një mënyrë lutjeje përpara një Zoti të fshehur, në të cilin nuk beson, por nga i cili pret një shenjë. Dhe nëse jo për të përmirësuar jetën e tij, të paktën për të kuptuar se për çfarë paguan. Vuajtja të kishte një arsye, të cilën, në fakt, atij i kishte munguar përgjithmonë si individ, dhe e keqja e historisë kishte gërmuar në rrënjën e çdo të mire, madje edhe rrethanore.

    Heronjtë e Mirës kanë përtej angazhimeve themelore, simptoma të tilla si mospërputhja midis shpirtit dhe trupit, midis një njeriu dhe tjetrit, midis njeriut dhe botës dhe autorja realizon  me art të rrallë personazhe të gatshëm për të vërtetën, si një veprim i një guximi të madh. Ndoshta heroizmi qëndron në këtë; të luftosh për të vërteta që askush nuk t’i premton, të rrezikosh një drejtësi për të cilën askush nuk të mbështet, të komplotosh pa frikë për të mirën e dikujt të mundur nga makina e historisë, edhe pse kjo është e verbër dhe ndjek rruga okulte që shkel mbi kufomat, sepse gjestet e vogla mund të sqarojnë vetë kuptimin e botës, ashtu si në një pikë vese e gjithë universi mund të pasqyrohet. Por cila fuqi tjetër mund të ndalojë rënien e njeriut në fazën e kafshës, nëse jo kthimin në origjinë, domethënë në besim?!

    Pa dashur të ritregoj historinë, do të kujtoj vetëm se tema qendrore rreth së cilës ndërton autorja është kryqi i Labovës, që do të thotë jo vetëm lashtësi në kuptimin e objektit, por vërtetim i krishterimit mijëvjeçar në hapësirën shqiptare, dhe, përkatësisht këtu, Mira bën vend atij labirintit për të cilin përmenda, në antipolin e së cilit është kisha vertikale bizantine. Shkrimtarja është një pyetës i veçant i gjendjes njerëzore, e kodifikuar në art, dhe labirinti është një nga ngjitjet në atë besim fillestar, duke filluar nga kërkimi i Graalit të jetës së përjetshme, të cilin e marrim me vete përmes historisë. Etika e vetme e fortë në historinë e botës është ajo fetare, e bazuara në sisteme teologjike, në idenë e vullnetit hyjnor, por autorja lejon që vullneti i lirë të funksionojë ose të lejon të shikosh atë që nuk e kupton, të kërkosh ç’farë nuk ekziston, të injorosh atë që nuk të është fshehur, duke t’i vendosur të gjitha pjesët e rëndësishme në tryezë.

    Romani i Mirës, të paktën nga kjo perspektivë, është një konceptim i mrekullueshëm për botën dhe gjithashtu një mesazh. Do t’i lejoja vetes termin – humanizëm. Një humanizëm i rikuperimit të vetvetes në kushte ekstreme. Nuk është për t’u habitur që në një epokë të kujtesës së trishtuar mbizotëronte e keqja në botë, që të detyronte të jetosh me frikë, poshtërim dhe gënjeshtra, ku ruheshe  nga ai apo ajo që dashuroje ose i mbuloje veshët nga britma e vetëdijes; mahnitës është fakti, dhe këtë e dëshmon shumë mirë autorja, se ekziston gjithmonë dikush që nuk jep dorëheqjen lehtë, duke luftuar në një betejë që duket e humbur prej kohësh, dikush që e kupton se për të fituar dinjitetin njerëzor, lufta është më e rëndësishme se fitorja, akoma më shumë kur përballet me dikë të pathyeshëm. Në fund të fundit, në luftë me fatin, të cilën shpesh e ndihmon për të triumfuar, edhe përmes gjesteve që i kundërshton.

    Në përgjithësi, shkrimtarët shqiptarë më tërheqin dhe mahnisin me stilin e të shkruarit, por sidomos me gjuhën që ata përdorin dhe, sidomos në këtë drejtim  dua të shpreh konsideratat e mia. Si stil, Mira është një shkrimtare moderne, e tejmbushur në zgjedhjen e temave, në të cilat vura re mungesën e tabuve, në shprehje apo përshkrime, shpesh unike. Por mbi të gjitha, është një restauruese e fjalës origjinale shqipe. Ajo është krijuese e një ikone gjuhësore e rrallë që e hasa deri më tani ose në shumë pak shkrimtarë shqiptarë. Si e huaj, duhej të thelloja kuptimet e fjalëve që nuk i kisha hasur kurrë më parë dhe që e kisha të vështirë t’i gjeja përmes fjalorëve dhe jo sepse janë dialektore, por sepse janë origjinale. Të vjetra dhe të papërdorur, dhe merita e Mirës është aq më e madhe sa më shumë që i nxjerr ato në dritë. Dhe sa mirë tingëllojnë, dhe sa ngjyra i jep një teksti, pavarësisht nga tema.

    Që nga fillimi i leximit unë e trajtova autoren si një artist të përbërjes letrare, pa injoruar faktin se në fondin e saj mund të gjej ide të thella, intuita pjellore, një vizion të botës nga më të rafinuarit dhe këtë e bëra për të identifikuar stilin për të krijuar, edhe pse isha gjithashtu e tërhequr nga historia. Mira ka stilin e saj krijues, pa të cilin letërsia aktuale do të kishte ngecur. Nuk do të kishte përshkruar një histori, nuk do të kishte evoluar, dhe me evolucion dua të them përbërjen, arkitekturën narrative.  Nuk mund të komplimentohet më një shkrimtare e mirë, por vetëm t’i admirohet receta stilistike. Në librin e Mirës, ndërtimi i përrallës është pjesë e vetë historisë, duke pasur një rrëfim autoskopik, pra historinë që e sheh veten në ndërtim dhe merr shkrirjen e saj me sfondin epik. Kështu, ekziston një shpërndarje e vetes narrative në një mënyrë të tillë që secila pjesë të pushtohet nga një tjetër që vijon. Pasi vetja reflektuese ka shteruar përshkrimin e saj, një element i tij, qoftë një person ose një situatë e paqartë, kalon në sekuencën tjetër që ndriçon, duke i kërkuar të bëjë të njëjtën gjë, për të përshkruar vetveten. Çdo sekuencë përmban një prerje me dy hapje, në të cilën dialogët përmes të cilit bëhen personazhet, vijnë nga kujtimet e monologut dhe synojnë të sqarojnë një rrethanë.

    Për të parë librin e Mirës në tërësinë e saj, duhet studiuar me kujdes secila sekuencë, nga e para te e fundit, duke rrëshqitur nga njëra në tjetrën, pa ndërprerje, për të vëzhguar shenjën delikate që kalon nga një pikturë në tjetrën, në mënyrë që të të tregojë  kuptimin e misterit. Dhe pas kësaj, gjithçka duhet të ribëhet, duke fshirë ngjyrat nga personazhet për të qëndruar me filmin negativ të të gjithë librit. Të gjithë personazhet në libër janë të vetëdijshëm për rolin e tyre, duke mbajtur në mënyrë të barabartë një dinjitet auktorial. Askush nuk të kthen shpinën,  nuk bën sikur i përket një bote, për të cilën ti, lexuesi, nuk ke ide, por jeton me ty kënaqësinë e zbulimit të botës së tij. Konsideroj se kjo është prova e një përsosjeje të madhe letrare për të pasur sukses në thyerjen e cipës që ndan botën e librit nga bota e lexuesit.

    Trillimi luan një rol të barabartë me ngjarjet historike që ndryshojnë fytyrën e botës. Por, ai bën më shumë se kaq, përkatësisht legjitimon statusin funksional të librit. Dhe, praktikisht në botën e tregimeve nuk ka rastësi, sepse nuk ka kohë, por vetëm kuptim. Sharmi aromatik i erudicionit të autores e bën disi të komplikuar delimitimin midis trillimit dhe realitetit, sepse hasim një ndërthurje gati perfekte, në kufirin e lojës retorike, ku realiteti bazohet në elementet themelues të botës dhe civilizimit.

    Të gjithë e dimë që vetëm duke treguar, rrëfyer, mund të mbijetojmë, por të mbijetosh nuk do të thotë të tërheqësh zvarr jetën. Do të thotë gjithashtu të jetosh në një nivel më të lartë dhe e gjithë vepra e Mira Meksi është një histori që justifikon jetën, duke e armatosur atë me kuptim. Romani „Diktatori në kryq” që i solli shkrimtares çmimin e madh të letërsisë është afresku i restauruar gjuhësisht nga Mira, të cilin ajo e vendos në parajsën e letërsisë universale, nga e cila mund të mos jemi dëbuar kurrë, por vetëm ndonjëherë sytë tanë janë mbuluar që të mos mundemi ta shikojmë atë, por, është gjithashtu, arti që gjithmonë na mëson të shohim qiellin…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË