More
    KreuLetërsiBibliotekë"Nuk e di", tregime nga Esmeralda Shpata

    “Nuk e di”, tregime nga Esmeralda Shpata

    SILUETË ME FLOKË

    U afruan atypari, për të treguar seriozitetin e pandehmës se ajo siluetë me flokë donte të ndante me ta diçka të fshehtë, si me thënë, intime.

     Çudi, ndodh që njeriu i zakonshëm skicon ca vija skajeve të veta dhe afrohet të dëgjojë ç›po kurdiset rreth tij. Ulet në gjunjë dhe duke përfituar nga rasti merr frymë me gojën hapur më shumë për t’i treguar grupit që e vështron se frika nuk është e ndaluar në kësi rastesh të rralla.

    Megjithatë, përfytyrimi i këtyre njerëzve, të cilët presin me padurim ta lënë vetëm, të braktisur mes bulevardit, nuk është i ngutshëm dhe nuk priret t’ua prishë hovin, pra t’i lërë në rrugë.

    Herën e parë që ia kishte qejfi të dilte si një skicim i vetes ia kishte ënda të merrte dhe flokët. Kaq duhet për t’u prishur të gjitha planet e të jetuarit me kokëçarje dhe me frikën se do të njihesh me sytë e parë që do të shkëmbehesh. Sakaq, ndodhi.

    Një turmë njerëzish iu vunë pas, në krye i prinin fytyra të njohura e zëra miqsh. Rrugicat e errëta po mbusheshin edhe ato (fytyrat), po i futnin hundët aty ku nuk duhej. Kaq u desh, dhe, me një të shtyrë gremçin e mendjes u zhduk. Humbi me një të lëvizur të kokës në errësirë, atje ku gjente paqen dhe i jepej çdo gjëje të thukët. U çlodh, u çmpi dhe pas disa orvajtjesh të frytshme u shfaq.

    Kur po kthehej, natën vonë, e gjeti veten duke parë lloje të shumta yjesh, të cilat në një lloj kuptimi jo vetëm i bënin dritë, por më së shumti i përkisnin.

    Tashmë mendja dhe shpirti i kishin konturet me ngallmime, nga njëra anë donte më të mençurën e botës së saj, nga ana tjetër donte më kafshëroren dhe të rëndomtën që kishte njohur.

    Po mos e kryqëzoni kaq shpejt, nuk ishin burra, as dy njëherësh, por megjithatë, ky nuk është favor që mund t’ia ndreqë sado pak gjendjen ku ndodhet. Ajo i ka marrë parasysh skajet dhe grisjet që u janë bërë atyre. Jeton paralelisht më dysh, me njërën di të flasë me frymë rreth e qark, me tjetrën di të përjetojë çdo çast, duke u mbajtur pas parmakut nga dhimbja se arsyeja nuk do ta lejojë ta ketë më.

    Mbas përpjekjesh të shumta për ta kuptuar një siluetë, jo rastësisht me flokë, nuk u arrit asnjë marrëveshje ose mirëkuptim, kjo për faktin se ata, domethënë të tretët, jetojnë në një shoqëri të largët, ishullore e të pabanuar me njerëz.

    Pasioni për skicat dhe grafikët mbase nuk është aspak gjë e re, por të merresh kaq shumë me një zë që as e dallon dot se i cilit është, besoj se të bën mirë ta shohësh gjatë shpinën e duarve.


    NJË GUR KOKËS

    Atëherë, unë, isha një strall i vogël që më morën me shkelma dhe më çuan duke më gjuajtur deri në qendër të qytetit, te sheshi para Bashkisë. Deri në zgjedhjet e tjera zor se do t’më lëvizë njeri nga vendi. 

    Çdo mëngjes shoh një polic i cili ruan ndërtesën e restauruar me fondet që kaluan në Këshillin Bashkiak dy-tre vjet më parë. Ai kur nuk e sheh njeri, shkon te kioska në të majtë të sheshit, blen një sanduiç dhe e ha duke u mbytur. Pasi lëpin buzët mirë e mirë zë e këndon “Leskovik, o gur i thatë, trima burrat, trime gratë.”

    Përreth  njerëzit bëjnë ecejake me hallet e tyre.  Nga dera kryesore del kryetari, zakonisht shoqërohet nga një grup i vogël njerëzish të besuar, të cilët e mbajnë një distancë prej dy metrash me të.  Unë shoh çdo gjë. I ndjek me përpikmëri të gjitha lëvizjet e të gjitha ditëve, me gjithë këmbënguljen e njerëzve për të më shkelur e gjuajtur me këmbë diku më tutje. Me vendosmëri gjendem në një cep të volitshëm për të parë më mirë, nga kjo pikëpamje e kam kokën gur.  Qytetarët të entuziazmuar presin që i pari i godinës të nxjerrë ndonjë thesar nga mendja apo nga dyert e fshehta të Bashkisë. Asgjë nuk ka aty.

    Një ditë sapo doli dielli, dolën të gjithë punëtorët jashtë, më saktë e gjithë administrata dhe shikonin me admirim sesi një çift qensh të ngatërruar me njëri-tjetrin as nuk u fshiheshin syve njerëzorë, të paktën deri te lulishtja që u bë me fonde të veçanta, jo më shumë se para një viti, e miratuar unanimisht njëzëri po nga ky këshill. Nga të qeshurat u rrëshqitën gurët nga tëmthat, ec e gjeje ç›ka për të qeshur në atë çiftëzim qensh. Kjo që pashë nuk ka pse të vihet në dyshim, dhe kryetari e ka më mirë të marrë një gur e t’i bjerë kokës sesa të spekulojë mbi këtë ngjarje.  Unë nuk jam një rrasë varri, për besë i kam parë të gjitha seç ndodhin në këtë qendër administrative. Gazmendi për qentë nuk ndalte. E qeshura iu qep dhe mureve, gati sa nuk ra në tokë ndërtesa. 

    Për dreq kryetari më pa. Nga çudia ngriu në vend, u bë gur kur e pikasi që unë e   pashë seç fshihte në zemër për gjindjen përballë. As që i bëhet  vonë fare për ta, merakun e ka me mua, si t’i gjejë  këmbët që më sollën  në qytet sepse pashë  ç›bëhej me pushtetin. E di që s’do lërë gurë pa lëvizur për të më zhdukur si zallin në lumë.


    E KULLUAR

    Kur po kthehesha në shtëpi, pas një ditë të lodhshme në punë më ndaloi Fana, në fakt u çudita, njiheshim, por nuk kishim shkëmbyer kurrë ndonjë fjalë.

    Zili e pata pasur, veç shoqeve sillej, mërzitesha kur nuk e shikoja për ditë e javë të tëra, ama sapo më shfaqej fytyra e saj i harroja të gjitha pritjet e vuajtjet e mia. Ka kaluar shumë kohë që atëherë.

    Unë kisha ca muaj që isha larguar nga kjo botë, mbase kjo ia bëri më të lehtë të më dilte para syve e të më fliste.

    -Ndjesë që ju dola kështu papritur, -foli duke iu marrë pak goja,- por nuk mund të mos e them atë që mësova për ju, për familjen tënde.

    -Më falni, çfarë po kërkoni të më thoni se sinqerisht asgjë nuk po kuptoj?!

    -Më vjen keq vërtet,-vazhdoi ajo,- iu luta Ebës, meqenëse është farefisi juaj, t’i tregonte të gjitha, kam kohë që e bëj këtë, që atëherë që u fol për vdekjen tuaj. Ajo e kishte të vështirë, nuk deshi të përzihej dhe gjërat rrodhën kështu, ti ike.

    Nuk e di pse më buisën djersët dhe po shtrëngoja grushtet, zëri po më pengohej derisa doli pak i mekur nga buzët.

    -Mëë thuaaj, sii është puna?!

    -Oh, sa të vështirë e kam të të shprehem, po ja, më duhet t’ju them se gruaja juaj,- nisi duke çuçuritur, -po ja, gruaja  juaj nuk është.

    Nuk di si t’jua shpjegoj më thjesht, gruaja juaj nuk ekziston me të vërtetë, ju bëtë gjithë atë zhurmë, bëtë një ceremoni  madhështore, u martuat në kishë, ishit ngulur te altari dhe nuk shqiteshit që aty derisa morët bekimin.

    Unë i ndiqja e përlotur të gjitha këto dhe të urreja ty dhe veten që s’ishte dasma jonë, por iku kjo tani, tani ti je martuar me të, por ajo s’është me ty.

    -Fana, të lutem, nuk e di ç›të ka gjetur, nuk di as si të të ndihmoj, por kjo që po thua është një lajthitje e pakëndshme, nuk dua të të fyej, ik të lutem!

    Ika. Nxitova hapat për mos t’ia dhënë mundësinë të fliste sërish, rrëshqita në errësirë dhe mora rrugën drejt shtëpisë sime.

    Hapa derën, ime shoqe rrinte ulur në një pup afër sobës, sapo më pa m’u afrua duke qeshur  dhe më përqafoi. Doja ta hiqja mendjen nga biseda e çuditshme me Fanën, e putha në ballë gruan time dhe mbase mora një qendrim të qortueshëm.

    -E paske mësuar, – më thotë ajo me fjalë të kursyera,- më duhet të të rrëfehem.

    -A të kujtohet si u njohëm?! Në mes të të gjithëve, ti me një lëvizje të kokës më përzgjodhe mua, me gjithë këmbënguljen e mundimshme të vajzave, nuk i le gjërat siç ishin. U martuam. Mbështetur te shpinoret në kishë ti më preke mua që s’isha, s’ekzistoja.

    Mendoj se po e parandien çfarë do të të them. Unë nuk jam. Meqenëse kaluam bukur  për ca muaj, shkunde mendjen tënde të trazuar dhe nxito për te Fana. Ajo nuk ka reshtur së shpresuari se ti do ta merrje fatin tënd. Nuk pres ngushëllime dhe keqardhje, tek e fundit unë nuk mundem të jem.

    -Nxito! Ik tani, më duket se ke vdekur. Ta dish, as lindja e diellit, as selvitë e larta rrëzë kodrës që t’i kap syri sapo zgjohesh, as ëndrra që të lëshon e të fut një shkelm vitheve për t’u çuar nga shtrati e për të dalë nga dera, asgjë pra, asgjë nuk e ndreq dot më.


    NUK E DI

    Rruga, atje kundruall botës, kërkon ta ruaj njëfarë dinjiteti. 

    Burri që më vështron nga cepi i saj, më duket i aftë për shumë të liga. Ai ecën si kafshë e bukur me këmbët e pasme, më përndjek dhe më nderon njëkohësisht me sy.

    Shikimi im squllet nga frika se diçka mund të ndodhë midis nesh. Unë nuk jam e lirë, nuk do të mundem kurrë t’ia afroj mendjes atë që shkon në një vend me emër të çuditshëm dhe të pistë. Nuk e di, madje, në rrugën në fund të botës nuk qëndron asnjë burrë me vështrim të çuditshëm.

    Rruga që lidh pamjen time me qendrën është gjithë baltë dhe, nuk e di. Vetëm për dinjitet nuk bëhet fjalë aty. Ajo ul supet e poshtëruar, sepse asnjë burrë i çuditshëm nuk ka ndaluar në cep të saj. Asnjë nuk është ulur mbi një gur, apo mbështetur pas një peme që të prodhojë mendime të liga.

    Mëkatet e veprës dhe të mendimit do t’i rëndonin në zemër një gruaje që ndiqte me sy cepin e rrugës për të kaluar ai. Nuk e di këtë.

    Mundet të jetë dikush nga ne gratë (mund të jem edhe unë) që i ngrejmë gracka vetes. Mendimi im i shkëlqyer për të pasur pikërisht atë, më bën të prek mollëzat me mollëza.

    Unë arrij t’i flas.

    E pyes me zë të hollë dhe i jap vetes një rëndësi të madhe për zbulesën.

    Mundësia jonë për të puthur fjalët çdo natë krijohet. Me përjashtim të ca hollësive shumë elegante nuk ka ndonjë dialog për të lënë në paqe instinktet e mia prej gruaje.

    Është paraqitur një rast. Nuk e di, por…

    Rrugëzgjidhjet nuk entuziazmojnë dot njerëzit.

    Burri u kthye me fytyrë nga ne dhe më zgjodhi pikërisht mua.

    Kisha kohë që kisha pritur një ndukës. Nuk e kuptoj, por mendimi për të takuar një të tillë ma kalon.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË