More
    KreuLetërsiBibliotekë"Nuhatja e një peshku të kuq", tregime nga Esmeralda Shpata

    “Nuhatja e një peshku të kuq”, tregime nga Esmeralda Shpata

    Trigjethësh i gjelbër me bojëra uji

    Ndodhem në një ëndërr. Jo në ëndrrën time.

    Jam veshur me të bardha dhe po grindem me një grua të veshur po si unë. Ajo ka një çelës në dorë. Më tërheq për flokësh dhe më mbyll në një raft muri. Ngjan me musendrat që mbajnë erë tërfili të thatë. Rafti ku më kanë burgosur vjedh pak dritë ngjyrë vjollcë.

    Iu luta të më shkonte një kryq mbi trup më mirë. E pashë në sytë e saj që donte t’më vriste. E nuhata se ajo po përgatitej. Nuk më kujtohet mirë si munda të shpëtoj.

    Të dyja spekuluam në ëndrrën e tij.

    Fytyrën e kam të butë, të bardhë si të larë me qumësht . Buzët më djegin nga puthjet e egra. Ai më mban për dore, më tërheq drejt vetes. Ajri është elektrizuar, në ëndërr ai mbaron.

    Dua të dal nga ëndrra e tij, të kthehem në shtëpinë time.

    Nuk më le të iki.

    Ma shtrëngon dorën, sytë i ka të lagësht dhe më lutet. Ka përgatitur një kanistër të vogël me kuvertë të leshtë dhe më shtrin atje. Unë s’dua  të jem një kotele. As ajo.

    Nuk shmang dot as të qarat e saj. Mua nuk më kanë pëlqyer  lidhjet e lehta. Gris një copë të fustanit tim të bardhë, ia fshij lotët. Më duket sikur ajo  qan me lotët e mi. Duhet të bëhemi gati. Ëndrra ngazëlluese. Asnjëri nga ne nuk është mjaftueshëm mirënjohës.

     Ja kështu!

    Më duhet ta përqafoj dhe jashtë. Punën e kam më të vështirë sesa duket. Pres të zgjohet. Jam ngushtë në ëndrrën e tij. Do të mundohem të plotësohem.


    MË BËHET SIKUR BIE

     Mbrëmë më vajti ters e nuk të prita dot.

    Ca të pathënave nuk u jap dot trajtë, i shpërbëj e i fsheh nëpër mendje  aq thellë, saqë po të mendoj se duhen zbardhur, dridhem. Me siguri rrethanat e pafavorshme për t’i dalë faqebardhë jetës vijnë e më takojnë kur vjen rasti i pavolitshëm.

    Si nuk më mbetet gjë tjetër për t’ia dalë hullisë që kam ndërtuar vetë, gatuaj. Ah, kujdesi im, në krahasim me atë që duhet të bëj, ka një shije të stërholluare gruaje!

    Një dridhje e dukshme nxjerr në pah merakun e vjetër se papritur mund të vdes. E marrtë djalli njeriun fytyrngushtë, i cili nuk le kuptim pa shkoqitur dalldinë e  çdo lëvizjeje të sajuar nga vogëlsia e jetës që ka bërë.

    Unë dua ta gëzoj jetën së tepërmi, por kryesisht nuk më ecën siç e përfytyroj.

    Mbrëmë nuk  kishte ujë. Një pompë e vjetër që kishte ndërruar ngjyrë  nga vitet bënte zhurmë brenda kokës sime. Mendimet m’u çoroditën dhe u ktheva më këmbë nga vendi ku kisha ndërmend të nisesha. Si mundem ta përshkruaj  se mes gjithë atij turbullimi të brendshëm më duhet  të mbaj një qendrim të përzemërt me zhurmën dhe me etjen që ndiej. Kam jetuar me një farë krenarie të paarsyeshme dhe në një vështrim të parë dukem e lumtur.

    Mund të sillem sipas qejfit tim, por kjo nuk është aspak një padjallëzi e çiltër, vetja më bën shpesh shërbime të fshehta të cilat nuk kam si të mos i pranoj.

    Ndonjëherë, siç e thashë më parë, kur mbaroj dënimet që i jap vetes, gatuaj. Vetëm duhet ta ndiesh se ç’efekt më jep të gatuarit.

    Që atë çast nanuris një supë. Dikush mund të përqendrohet në një soditje të papërfillur, punë supe. Unë trazoj e përqendruar supën e kobshme, megjithëse të tjerët nuk rrinë dot pa shprehur një farë habie për përkushtimin tim të denjë me gjeste të ëmbla gruaje.

    Ky mister i supës, i gatuar me rrepa, halle e dëshira të fshehta, qepë e karota të freskëta toke, më josh. Të gjitha këto perime të zymta  e gënjeshtare ziejnë e fjalosen me njëra-tjetrën dhe më lënë pa mend. Trupi im i kolmë, i ri, me gjak të pastër, me lëkurën që ndrin nga shëndeti, bie.

    Në tenxheren time shfaqen vegime të tmerrshme të së ardhmes. Të vdekurit kanë bërë gati lugët dhe presin të hanë supën.


    NUHATJA E NJË PESHKU TË KUQ

    E priti dy orë të gjata, sa katër iu dukën, pranë stacionit ku ajo ndalonte. Autobusi erdhi, njerëzit vraponin për t’u shpërndarë si në arrati nëpër qytet. Ajo doli, një xhup të lehtë mbante në dorë. Shikonte majtas e djathtas për ta gjetur. U panë.

    Ai u ul në gjunjë, nuk ishte aristokrat i shekullit XVIII, i puthi dorën e më pas e përfshiu në gjoks.

    Sado i përmbajtur të  jetë një burrë, kur vjen puna për mos  të treguar ndjenjat e veta, ai është një peshk i kuq.

    – Të dua moj kumbull lojcake!-i tha.

    Ajo u turbullua, as hapat nuk po hidhte dot më tej.

    Burri hapi  krahët e tij gjigand, e përfshiu për beli dhe e puthi fshehurazi në kokë.

    Një lot iu rrokullis faqeve, nga ata të nxehtit, që djegin nga malli për dashuritë e thella.

    Këtë herë e kapërdiu trishtimin. I paraprirë nga një mendim , se padashje mund të prishet gjithçka, e fshiu  lehtë me kurrizin e dorës dhe vazhdonte ta puthte në flokë të dashurën.

    Ajo një natë më parë kishte vrarë veten.

    Dhimbja therëse ndërsa shihte thikën të lyer me gjakun e saj të ngrohtë, u përhap me shpejtësi në të gjithë trupin. Sapo pa njerëz që e rrethuan lotët i rrodhën çurg, aq sa ndjeu veshët që lageshin. E ëma i mori kokën në prehër dhe pandehmat se u çmend, ditë më pas, dolën të pavërteta.

    I ati, një burrë i errët dhe i heshtur, uli kokën mbi të dhe me ata gishta të akullt po shtypte me mollëza të çarën nga ku po derdhej gjaku me forcë.

    Shyqyr, fati e deshi që nuk kishte motra, ato do ulërinin nga dhimbja, po të ishin. Koha do t’i shëronte, por më mirë që nuk ekzistonin fare.

    Përnjëmend, deri këtu ishte gjithçka në rregull me vetëvrasjen. Një fakt tjetër, po aq kryeneç, kishte një fytyrë me historinë e saj, kishte tre fëmijë të mitur. I shoqi pati ngrirë me duar të mbërthyera, nuk qe i zoti të nxirrte nga gjoksi asnjë tingull. Lotët ishin aq të nxehtë sa mend vragat e tyre nuk u fshihen faqeve sa të jetë.

    Mësymja e beftë e gjithë kësaj pamjeje ia ndryshoi mendimin për vetëvrasje, me një tufë psherëtimash e futi thikën e mishit në sirtar dhe doli nga shtëpia.

    Si u përqafuan atje afër asaj ndërtese fatakeqe, ai e kapi për dore dhe mori drejtimin në një rrugicë ku ishin parkuar taksitë. I zgjati një kartmonedhë shoferit dhe adresën për diku, gjetiu.

    E ndihmoi gruan të ulej në sediljen e pasme, u gjend pranë saj dhe ia mblodhi duart e ftohta me duar. U frynte me buzë, i shtrëngonte, i ngrohte me sy. Nuhaste thellë me hundë. Tendosja e trupit ndihej, xhamat e taksisë u veshën me avuj nga  atmosfera. Si rastësisht i prekte gjunjët dhe gishtin e madh  ia shëtiste poshtë mëngës së trikos.

    “Hyjneshë”, i pëshpëriti pas qafe.

    Me një dridhje të thellë i përgjigjej ajo dhe  sakaq, shoferi reshti së ekzistuari.

    Buzët e tyre u bashkuan, ajo pastërti mishërash i ktheu  në një përpëlitje të vetme që vibron, kushedi nga çfarë ngërçesh të çliruara në thellësi të trupave të tyre.

    Puthjet  qenë të shthurura, të bukura e përvëluese, duart e tij rrëshqitën me vrull drejt gjinjve.  Ato u kapërthyen në një  plotësi të mrekullueshme.  Ajo dridhej, i merreshin mend dhe dëshira e fortë e çonte në yje. Ai çmendej  nga kënaqësia. Kur ajo i kërkoi mëshirë, kërkesa ishte e tmerrshme, e tërbuar, e panginjur, një kafshë e lashtë sa bota.  Akti dashuror, përmbushja, psherëtimat dhe amëzat e thella i kaluan skajet. Brenditë shpërthyen në spazma të forta kënaqësie, nga ato të provuarat rrallë ose fare.

    Ai i puthi sytë, e donte femrën shumë më shumë pas. Pa asnjë pozë ceremoniale ia vuri duart në buzët e nxehta dhe i tha “Të kam!”.

    Shoferi parkoi në një vend dhe kohë të papërcaktuar, pa diell dhe ujë, aty ku  s’mund të jetë askush që s’ndien.


    POTHUAJSE TY

    Para meje je ti. Kam gjithë jetën që dua të të takoj. Dua të takoj patjetër. Fytyra jote tani ka marrë një fizionomi të qartë, kjo u ndodh burrave, ata dallojnë pas kësaj moshe. Ka dhe një detaj tjetër, i cili të shpërfaq, vërshimi i dritës dhe ajrit të freskët.

    Ty nuk të  duhet çfarë mua më shkon, ndaj druhesh të më zgjasësh dorën. Më thua se unë jam një blasfemi. Arsyen nuk ma thua. Dua të jem e bukur dhe e ndjeshme  për ty, në mënyrë që të kesh një arsye të fortë për të më parë.

    Unë dua t’ua kaloj të gjithave. Edhe për këtë kam arsyet e mia.

    Unë kam ndërtuar një skemë në mendje, ajo është me tre lëvizje, parë nga jashtë duket trekëndësh barabrinjës, kur ndodhesh brenda, ( unë ndodhem brenda), këndet ngushtohen sa të marrin frymën. Unë prirem të kafshoj, i ngul dhëmbët këndit ku ndodhem dhe e brej aq sa të mundem të hap një shteg.

    Në këtë mënyrë unë pa e kuptuar kam ngrënë brinjët e mia, kjo është një mënyrë jodjallëzore që të hapem me botën.

    Moti jashtë është i shkëlqyer, por jo skema që unë kam ngritur. Ajo tani është një figurë e grisur, pa kulme.

    Nuk kam ç›të them për jetën që bëj. Gjithmonë që kam menduar ta njoh më ka pushtuar frika dhe jam tulatur.

    E pranoj që prita gjatë të të gjeja, kjo është  sprova  ime e të gjeturit. Më duhet ta pastroj shpirtin tim me gjuhë ashtu si gjirafa veshin.

    Kush është i pavëmendshëm mendon se po përsiat për një temë të humbur  dashurie.

    E vërteta është se nuk kam ç›të them për këtë, nuk jam unë e detyruar ta kuptoj pozicionin ku ndodhem. Mua më duhet të zhytem te skema që kam mbetur peng.

    Me frikë të madhe dhe jo pa admirim, nuk mundem të rri pa thënë ca të vërteta tronditëse që sapo i zbulova, sigurinë e të qenit e vëmendshme dhe zemërimin tim të vjetër.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË