More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNoel Boci: Realiteti “i çmendun” nën optikën shimborskiane

    Noel Boci: Realiteti “i çmendun” nën optikën shimborskiane

    Në poezinë “Realiteti”, poetja polake Visllava Shimborska (Wislawa Szymborska), fituese e çmimit Nobel për letërsinë në vitin 1996, e vendos lexuesin në kufi mes vetëdijes dhe nënvetëdijes, të ndërgjegjshmes dhe të pandërgjegjmes, e natyrisht, realitetit dhe ëndrrës. Kjo poezi ndërtohet pikërisht mbi bazën e kontrastit të fortë mes këtyre dy të fundit, duke përcjellë idenë e misterjozes dhe ndjesinë e frikës dhe të ankthit që ngërthen kjo botë reale.

    Realiteti s’ka si me t’u përvjedhë,

    Siç përvidhen andrrat.

    Asnjë shushurimë, asnjë tringëllimë

    Atë s’mund me e trembë,

    Asnjë brimë, asnjë buçimë

    Prej tij s’kanë me shkepë.

    Përplasja mes ëndrrës dhe reales figuron që në strofën e parë. Në qoftë se njeriu e ka mundësinë (dhe nëse mund të themi, fatin apo luksin) t’i shpëtojë një ëndrre, qoftë kjo e bukur apo e keqe, me realitetin ndodh ndryshe. Sado që mund ta dëshirojë njeriu, shpëtimi nga realiteti nuk i vjen dot kur është e nevojshme. Në të vërtetë, ky shpëtim nuk është fare i mundur, dhe as përpjekja më e vogël, si e jashtme, ashtu edhe e brendshme, nuk e largon dot realen. Realiteti s’ka si me t’u përvjedhë. Nëse mjafton një ngacmim i jashtëm (si p.sh. një zhurmë ose drita) apo një sens i brendshëm i frikës dhe i vetëdijes gjysmë të fjetur e gjysmë të zgjuar për ta shpëtuar njeriun nga makthi ëndërrimtar, prej makthit real duket se nuk e shpëton gjë (Prej tij s’kanë me shkepë).

    Të turbullta e shumëkuptimëshe

    Janë imazhet në gjumë,

    Mundesh me i shkoqit ato

    Kështu e ashtu.

    Realiteti don me thanë – realitet,

    Dhe bash këtu ma ke enigmën.

    Për andrrallat ka çilësa.

    Realiteti hapet vetë,

    Dhe dot s’ia del me e mbyllë.

    Poetja e përball lexuesin me një paradoks, me një propozim në pamje të parë të çuditshëm, por që mbart në thelb një dilemë njerëzore; një pohim me shumë pyetje përbrenda. Ëndrrat, këto forma alternative të nënvetëdijes sonë, na shfaqen të turbullta e shumëkuptimëshe, plot paqartësi dhe ambiguitete. Megjithatë, po t’u hyjmë thellë këtyre copëzave të së pandërgjegjshmes së shtypur, të veshura e të maskuara me një vel fantazie dhe imagjinate, mund t’ua shkoqisim këtë domethënie të fshehtë, t’ua heqim maskën që na mbron nga sekretet e nëntëshme të ëndërrimeve. Për andrrat ka çilësa shkruan Shimborska, dhe për më tepër që andrrat s’kishin mujtë me ekzistue pa ne, duke na mundësuar që t’u ngrihemi kundër këtyre “andrrallave”. E tërë kjo vetëm në sajë të të kërkuarit thellë brenda vetes; brenda reales sonë të brendshme.

       Nga ana tjetër, ndonëse realitetin arrijmë ta përkapim përmes secilës prej shqisave tona, duket se ai mbetet një enigmë për mendjen tonë. Njeriu, sidomos ai i kohëve moderne, e gjen veten në mes të kontradiktave, të paradokseve, të kontrasteve. Nuk i shpëton dot debateve dhe konflikteve të jetës reale, qofshin ato kolektive apo personale, politike apo kulturore. Në një shoqëri kinse “moderne”, një shoqëri të dehumanizuar ku objektet e pajeta dhe ideologjitë e paqena kanë më shumë pushtet sesa qenia njerëzore dhe ku paqja e mirëqenia zëvendësohen me terrorin dhe fatalitetin, realiteti përfundon duke mos qenë më shumë se një pikëpyetje e madhe, e ndërtuar mbi shumë atribute dhe aksioma të cilat jemi mësuar t’i marrim për të mirëqena dhe mbi saktësinë e të cilave na kanë mësuar të mos dyshojmë kurrë. Një pikëpyetje kjo së cilës nuk i japim dot përgjigjje.

    Nuk janë andrrat të çmenduna,

    I çmendun ashtë realiteti,

    Ma s’paku kokfortësia,

    Me të ciliën ai mbahet

    Pas dromit të ngjarjeve.

    Ëndrra në vetvete, në sajë të “nonsensit” të vet alla Lewis Carroll, shpesh na krijon vërtet idenë e së çmendurës, të palogjikshmes dhe absurdes. Kushedi sa herë mund të jemi zgjuar e të kemi thënë me vete: “Ç’ishte ajo ëndërr e marrë?”. Gjasat janë që do e kemi harruar ëndrrën. Megjithatë, kjo “pa-ose jokuptimësi” ngërthen në vetvete një shumëkuptimësi jo dhe aq të painterpretueshme sa e mendojmë ne. Jo më kot Shimborska konstaton se për andrrat ka çilësa.

        Çmenduria e vërtetë qëndron pikërisht në botën reale; në realitetin e trishtë dhe të zymtë; në atë realitet ku njerëzit, duke pasur mundësinë të jetojnë në paqe, të mirëkuptojnë dhe të respektojnë “tjetrin”, të mbushin kohën me art, letërsi, dashuri, etj., ata zgjedhin të urrejnë, të shkatërrojnë, të dhunojnë dhe të përdhunojnë, të shkaktojnë luftëra dhe gjenocide. Kjo është vërtetë çmenduria për poeten: tmerri i historisë së qenies njerëzore, një histori kjo që pikon gjak e lot, e shkaku i së cilës është vetë homo sapines-i, krijesa gjasme “e zgjuar”, që zgjuarsinë dhe imagjinatën e vet e përdor për të përdhosur e për të shkelur çdo gjurmë sado të vogël bukurie e pafajësie.

    Për të mos lënë pas dhe faktin që gjurmët e ëndrrës, herë sapo zgjohemi e herë pas ca kohe, në më të shumtën e rasteve, vjen momenti e zhduken. Edhe nëse nuk zhduken, ato mbesin te ne thjesht si imazhe, si figura që nuk na shqetësojnë dot më. Kurse vula e realitetit, kjo damkë turpi që herët a vonë shenjon çdo qenie të caktuar njerëzore, zor se zhduket ndonjëherë. Ne mund ta fshehim atë, ama ajo vazhdon të qëndrojë aty dhe ne nuk shpëtojmë dot prej saj. Ndaj dhe poetja shkruan:

    N’andrra asht ende gjallë

    I sapovdekuni ynë i mbramë,

    Gëzon shëndet të plotë

    Dhe një rini t’gastartë.

    Realiteti vê para nesh

    Korpin e tij të vdekun.

    Realiteti nuk ban asnjë hap mbrapa.

    Andrrat janë efemere,

    Kujtesa ato i fshin me lehtësi.

    Realitetin dot s’e harron.

    Ai është i pakapërcyeshëm.

    Na peshon mbi qafë,

    Na shtyp zemrën,

    Na bie ndër kambë.

    Bota do të vazhdojë të ecë me ritmin e saj, në valën e pambarimtë të çmendurisë e të marrëzisë, në një rrëmujë të përhershme. Ajo të përball me terrorin e vërtetë pa iu dridhur çerpiku: terrore të tilla janë më se normale për të. Realiteti nuk pret që ti ta pranosh dhe nuk pretendon që të të përshtatet. Ai vetëm të vë para dilemës së pazgjidhshme: “m’u përshtat ose së shpejti do të jesh ti korpi i vdekun!”

       Realiteti na rri sipër si vdekja, veshur me një mantel të zi e me kosë në dorë. Realiteti kthehet në diktatorin e plotfuqishëm që merr me vete çfarëdo që t’i dalë përpara, aq sa lind pyetja paradoksale: është vallë vërtet njeriu ai që e krijon realitetin që e rrethon, apo është realiteti ai që e kushtëzon njeriun? Apo mos vallë ekziston një grup personash të fuqishëm që ngrihen mbi njerëzit e që krijojnë vetë një realitet aq të shëmtuar e aq të pashpresë sa njerëzit nuk kanë asnjë rrugë shpëtimi përveçse t’u nënshtrohen urdhrave të tyre? Sido që të jetë e vërteta, realiteti kthehet në një sëmundje që kap këdo e nuk lëshon askënd:

    Asht e pamundun me ikë prej tij,

    Ai ka me kênë gjithkund me ju.

    Në të gjitha rrugët e hetimeve tona –

    Nuk ka ndonjë stacion të tillë –

    Ku mos me na pritë ai.[1]

    Duket se ëndrra mijëravjeçare e njerëzimit për t’i shpëtuar realitetit me çfarëdo mënyre nuk është më shumë se një iluzion i rremë, një zhgjëndërr, një klithmë e mbytur në fyt pa pasur guximin të dalë, një lot i gëlltitur që të djeg sytë e t’i vesh me një cipë të turbullt që vetëm sa e shëmton realitetin, pamjes së të cilit as i verbri nuk i shpëton dot.

    Njeriut s’i ngelet asgjë tjetër, veçse ta pranojë realitetin siç është e të mundohet të ruajë e të fshehë mirë të paktën atë pak vetvete autentike thelbësore që realiteti nuk ia sheh e nuk ia shndërron dot.


    [1]  Poezia e përkthyer prej origjinalit nga: Agron Tufa

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË