U mahnita nga leximi i romanit “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve”! E kisha paragjykuar nga titulli, ç’është e vërteta, por paskam gabuar dhe, veç ditën kur më thanë se tanimë gjendej në “Netflix” dhe më ftuan ta shihja, i kushtova aq rëndësi sa të nxitesha për të lexuar pak rreth tij. Thuajse të gjitha përshkrimet në shqip, anglisht dhe italisht mu duken të mangëta, të çala. Prandaj po shkruaj unë, për ta mbushur një hapësirë ku do ta lexoja atë çfarë kërkoja.
Në një bisedë mes Elena Ferrantes dhe Marina Abramović për FT Weekend Magazine, dhe botuar në “ExLibris” nr. 150, dt. 2 tetor 2021, Ferrante e çel bisedën duke nxjerrë në pah ndryshimin thelbësor mes asaj dhe Abramović: Në rastin tonë, ndryshimi më i dukshëm është ky: për më shumë se 30 vite unë kam vendosur të shfaqem vetëm me shkrime; ju, për 50 vite, e keni vendosur veten me gjithë trupin tuaj, gjithë personin tuaj, me kurajë në qendër të skenës. Me “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve”, Ferrante duket sikur bën pikërisht këtë, me kurajë e vendos dikë në qendër të skenës. Ky person, Xhovana, është kaq e thjeshtë, pa asnjë tipar të veçantë, e njëllojtë me moshataret e saj, e njëllojtë me bashkëkohësit e saj, në Napolin e ’80… Po atëherë, përse ajo meriton të vihet në qendër të skenës?
Së pari, pikërisht pse është e atillë, pra pa ndonjë tipar unik. Sado që shoqëria vendos dhe mendon se do t’ja dalë ta çngjyrosë murrëtimin e vet dhe të kthehet sërish në lëndën e tejdukshme me të cilën u krijua, personazhe të tilla treten si pikla të zeza në të për të treguar se ne jemi ashtu dhe kurrësesi as nuk duhet, as nuk kemi pse të hiqemi si tjetërçka, si tjetërkush. Xhovana është ndërgjegjja jonë, ajo që sa herë mohojmë vetveten me papërkryerjet tona, ngre krye për të na thënë se jo vetëm nuk jemi të përkryer, por jemi aq të brishtë, të thyeshëm përballë boshllëkut që e mbushim edhe me më shumë boshllëk.
Nuk ka kuptim të tregoj subjektin apo ndonjë nga linjat e tij, por do të rrekem në përshkrimin e nyjeve të përdorura për t’i lidhur ato linja. Sipas meje, janë tre:
a) Nyja psikologjike
Secili prej personazheve duket sikur mendon shumë. Në fillim të librit, kryesori ndër to, vajza me emrin Xhovana që jua prezantova pak më heret, është e mahnitur nga sa shumë mendonin të tjerët. Studimi i pareshtur i të atit dhe korrigjimet e bocave të romaneve prej së ëmës, frika dhe aftësia për t’ju përshtatur asaj, magjia ndaj së panjohurës dhe mungesa e njohjes së magjisë… Gjithçka e mrekullonte dhe këtë mrekullim e tregon nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë, prej fëmije, me leksik të kufizuar, pafajësi të qashtër dhe mënyra shprehjeje infantile. Por mandej, gjatë shpalosjes së fabulës, kuptojmë se ajo që mendon më shumë është Xhovana e cila, teksa rritet, ndryshon tërësisht ligjërimin që fillimisht ngadalë e mandej me forcë, gati me dhunë, humbet gjithë atë që e karakterizonte në fillim. Mënyrat për realizimin e kësaj lidhen me nëpërmjet nyjes pasardhëse:
b) Nyja logjike
Kemi të bëjmë me një rend të përkryer shkak-pasojë i cili asnjëherë nuk e humbet natyrshmërinë dhe mbi të gjitha, këtë natyrshmëri të përhershme e ruan pa thirrur kurrë në ndihmë zgjidhje a zgjedhje të tipit deus ex machina. Çaste që mund të sillnin çfarë do lloj gjëje, e pasojnë fillin e historisë të bërë top pikërisht aty ku ka më shumë të ngjarë të lind ndonjë kacafytje kuptimore, por jo, kuptimi butësisht shtrin degën e tij edhe në një tjetër hapësirë akoma të paeksploruar, dhe këtë e bën me kalime të lidhura me atë nyjen e fundit:
c) Nyja kronologjike
Historia nuk ka një A dhe një Z, mes të cilave të realizohen B, C, D apo A1, B1,2,3, Cçfarë do numri qoftë etj. Ajo ka vetëm një A, me në të majtë minus infinit dhe në të djathtë, plus infinit. Litari që i lidh dy polet kalohet vetëm duke ecur nga e majta në të djathtë, asnjëherë ndryshe, përkundrazi rrëzohesh. Romani kështu e përdor gjuhën dhe autorja, tejet e kujdesshme, duket se e ndjen frikën, ndaj edhe nuk gabon asnjëherë. Kujtesa nuk thirret në ndihmë prej personazheve; ajo shërben si kataklizëm për përshepjtimin e tëhuajsimit të pashmangshëm.
Në emocion e përjetim, më risolli rizën e një shtresëzimi të lehtë të “Përçmimi” nga Moravia. Ndoshta pikërisht pashmangshmëria e këtij tëhuajsimi dhe ritmi me të cilin arrihet drejt tij, jokonstant, jokonsistent por përherë i pranishëm, në një formë abstrakte (si frymë, gjendje…) apo konkrete (detaji artistik shumë i gjetur, ai që e furnizon romanin me ngjarje, byrzylyku).
Kur mbarova së lexuari, mu kujtua “Faji në yjet tanë”. Hezëll Grejs, personazhi kryesor i atyshëm, kishte lexuar një libër me titull “Një dhimbje perandorake” dhe kërkonte me ngulm të takohej me autorin. Ja doli. Cila ishte arsyeja? Për ta pyetur çfarë ndodhte pasi mbaronte libri, sepse sipas saj, hsitoria s’mund të ndërpritej aty, ashtu, aq papritur, si me sëpatë. E ngjëjta gjë ndodhi dhe me mua kur mbarova “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve”, doja shumë të takoja Ferranten e t’i kërkoja vazhdimin, ose ta nxisja për t’i bërë një mbarim, mbyllje të rrethit. Por ja që Ferrante është pseudonim, e meqë edhe Noeh Pantalija s’dihet ç’është, ka të ngjarë të takohemi në botën ku pseudonimet do të na fshihen pas identiteteve tona të vërteta.
Gjithsesi, nuk rri dot pa e thënë në fund një halë që të mbetet në fyt gjatë leximit në shqip: leksiku. Xhovana është në kalimin prej fëmijërisë në adoleshencë, moshë kur, në asnjë rrethanë, dikush nuk përdor në shqip fjalë si palavi e të tjera, krejt të papërshtatshme me gjuhën e tyre cool apo tërësisht jashtë kontekstit që i mban brendashkruar adoleshentët. Por ndryshe nga raste të tjera, këtu leximi bezdiset nga këto fjalë, nuk pengohet dhe mund të ecë edhe rrjedhshëm, pra një kollitje dhe hala kalohet.
Dhe pak fjalë për filmin
Sipas “Netflix”, vetë Ferrante e përpunoi librin e saj për ta kthyer në skenar filmi, bashkë me Francesco Piccolo dhe Laura Paolucci. Regjizor është Edoardo De Angelis për punën e të cilit, revista Elle në redaksinë e saj italisht, shkruan:
De Angelis bën bashkë disa seri të pasura në parmbajtje e skena përmes një vështrimi regjizorial ambicioz e intrigues, por ndonjëherë ritmi bie, duke e bërë përfshirjen të vështirë. Në veçanti, episodi i parë nuk ka fuqinë e një piloti që mbërthen vëmendjen dhe të bën të vazhdosh, por pas tre episodeve të para ja del të hysh në jetën e Xhovanës dhe marrëdhënien e sajë me hallë Viktorian dhe pastaj lëviz nga aventura e thjeshtë njerëzore me përvijme që nuk janë të mirëpërcaktuara.
Nga pikëvështrimi im, duhet thënë se më së pari skeleti i subjektit ruhet. Ngjarjet kryesore nuk hiqen për t’u zëvendësuar me të tjera dhe, ata që shtohen nuk sfumojnë botën e as nuk ndryshojnë boshtin. Adaptimi i “Netflix” dalë vetëm pak ditë më parë në atë platformë i qëndron shumë mirë kohës së ngjarjes, Napoli është vërtetë i të njëjtëve vite dhe problematikat gjithashtu, por si vendi, ashtu edhe ngjarjet nuk lëvizin, ata zvarriten!
Edhe Xhovana bashkë me shoqet e saj ngjajnë më të rritura se te libri. Në film, bie shtresa e pafajnisë fëminore që të shoqeron gjatë leximit të librit; duket sikur zanafilla është në adoleshencë.
Detaji artistik qendror, byrzlyku, ruhet dhe rëndësia e tij bymehet: filmi çelet me të, ndërsa në libër, ai del në një pikë të caktuar, pasi jemi njohur me historinë. Pra në libër, historia na shpie të byrzylyku, ndërsa në film ndodh e anasjellta.
Bashkimi i pjesëve të filmit ndodh më një lehtësi që, po mos ta kesh lexuar librin, të ndjell, ama nëse e ke lexuar paraprakisht, të lodh aq shumë, saqë të bëhet sikur në atë ingranazh mungon lubrifikanti, ndaj edhe ngecje të herëpashershme janë të pritshme deri në atë pikë sa po të mos ndodhin, fillon e shqetësohesh.
Praktikisht, kureshtja për ta parë filmin pasi ke lexuar librin të bie ndjeshëm dhe, nëse më përpara ke parë filmin, librin me patjetër do ta gjykosh si të dobët. Është rast klasik ky për adaptimet e librave nga kinematografia, Portreti i Dorian Gray-y; Dashuri në kohërat e kolerës e sa e sa të tjerë formësohen njëlloj.
Mbyllje
Historia e jetës së gënjeshtërt të të rriturve në sytë e fëmijës dhe zvëtnimi i tij për hir të këtyre gënjeshtrave… Kjo mund të jetë pasqyrë e fëmijërisë së gjithsecilit prej nesh, por në të njëjtën kohë, ekran ku na shpalosen mundësitë për të rënë padashur në gabim gjatë prindërimit tonë. Ose historia mund të mos mëtojë asgjë, përveç se të na këndellë. Këtë besoj se e ka bërë e do ta bëjë. Jeta e saj në libër e kinematografi duket, duhet të jetë e gjatë.