Qe një nga ato ditët e bukura të majit që të mbushnin plot jetë, kur G. Kodra qe takuar, madje krejt papandehur, me njeriun misterioz, i cili me sa pati kuptuar Ai, quhej me një emër të çuditshëm Pellazgjik Koha
G. Kodra hyri në bufenë ‘’Anija aliene’’, në të cilën kishte vite e vite që pinte kafe. Rrallëherë ai ulej me dikë. Kafenë e pinte vetëm, por vetminë nuk e ndjente kurrë. Kridhej në botën e artit, filozofisë e misterit, aq sa koha 30 deri 45 minuta rëndom që kalonte aty, ishte sall një çast i bukur, në të cilin ndihej si zogu që ka dalë nga kafazi… G. Kodra rëndom nuk rrinte brenda Shtëpisë të quajtur trup që përbëhej nga eshtrat, mishi e gjaku, por dilte dhe as vetë nuk e dinte se kah shkonte, se kah bredhte. Mbase kjo i pëlqente; i pëlqente nga që në këtë udhëtim e ndjente vetën të shndërruar në ide; një ide gjeniale që ushqehej me ëndrrën e vet plot mister e dritë. Edhe ëndrrën edhe misterin e kishte të bollshëm. Ushqehej me të…
Një dit Kur G. Kodra po kalonte ca çaste në peizazhin plot mister, dritë e harmoni, në atë peizazh ku çuditërish edhe vetë ishte përbërje e peizazhit, e misterit, dritës dhe harmonisë, tek po rrinte bri lumit, me atë pamjen e tij të çuditshme që tregonte se këtu është gëzhoja, ndërkaq gjithçka tjetër ka mërguar diku në ato hapësira që i njihte vetëm ai dhe nuk i shpjegonte dot ose atyre që ua shpjegonte nuk e kapnin dot, madje edhe një segment të vetëm s’e kapnin. Gati qe kotur bri lumit kur butësisht e preku një dorë në sup. Ky u habit me praninë e atij që u gjend aty, nga që nuk e kuptonte nga erdhi ajo prekje. Pak çaste më parë kur thashë se aty bri lumit, ku edhe e kishte kaluar fëmijërinë G. Kodra, në këtë hapësirë plot hije që i thoshin Mriz; kur i shikoje, e para gjë që të kapte shikimi ishin sytë e tij, të largët e turbullt, mërguar diku në pafundësi kohe e hapësire…
– T’u ngjatjeta! – i tha njeriu i mistershëm…
G. Kodra ngriti kokën pak duke u mbrojtur me duar nga rrezet e diellit që në atë moment derdheshin nga zeniti, dhe pasi pa fytyrën e tij me një habi të pashpjegueshme, pas një mëdyshjeje të shkurtër të të menduarit se ku e kishte parë këtë fytyrë, ia ktheu paksa me frikë: ‘’T’u ngjatjeta!’’ Tek po ulej pranë G. Kodrës, njeriut të mistershëm i preku buza pak në gaz; ‘’po – tha – e di.’’ Njerëzit më shikojnë me habi, thua se tek unë shohin një jashtëtokësor, por ata nuk e dinë se edhe vetë janë të tillë’’. G. Kodra s’ tha gjë, megjithatë, fytyra e sytë shprehnin misterin e të panjohurës që ai e shihte te i sapoardhuri. Pas një mëdyshjeje që zgjati pak çaste, G. Kodra iu drejtu njeriut të mistershëm: ‘’Mos je ti ai njeriu i fëmijërisë sime që u pate shndërruar në Zog kur me nagant deshi të të gjuajë Martini i Gjelosh Ukës, pasi i pëshpëritën diçka në veshë hoxha, Mulla Janusi dhe pader Gjoni i Gegë Kodrës?!’’ Njeriu i mistershëm as nuk e pohoi, as nuk e mohoi. Shikimi i G. Kodrës tani më këmbëngulës u përplas në fytyrën e njeriut që ende s’ia mësoi emrin, por ky e shikoi disi me nostalgji dhe buza sërish i preku në gaz. G. Kodra, pasi u mendua ca, tash me një siguri më të madhe pohoi paksa mendueshëm: ‘’Ti duhet të jesh Ai! Atë botë isha vetëm dhjetë vjeç. Po, po… Ti duhet të jesh Ai!’’ Njeriu misterioz ia zgjati dorën dhe përmbysi heshtjen duke pohuar: ‘’po, unë jam ai…’’. Tash G. Kodra qe edhe më i habitur se pak më parë. Tjetri e vërejti habinë dhe në mes habisë njëfarë lloj frike të mistershme… Pas një heshtjeje bukur torturuese njeriu i mistershëm me një tis humori vazhdoi ‘’po, unë jam si Kometa e Halejit… Shihem njëherë në shtëdhjetë vite!’’ G. Kodra, mendoi me vete, ‘’po, tash po i shkeli të tetëdhjetat’’. Pasi u mendua ca i nëpërdhëmbi thellë vetes diçka… diçka me plot frikë e medyshje duke ia shtruar pyetjen ati pyllit të çuditshëm të mendjes: ‘’si është e mundur… ky njeri, të cilit ende nuk ia mësova emrin, të jetë po me atë pamje, po me atë moshë edhe pas shtatëdhjetë vitesh?!!! Njeriu i mistershëm, pas një heshtjeje torturuese, sikur e kapi frikën e mistershme të G. Kodrës, pasi i shkoi buza në gaz, u dëgjua një ‘’hi-hi-hi-hiiii’’ që i ngjante rrokullisjes së një orteku të largët, të largët, që s’e kap dot syri e megjithatë të sjellë mister, frikë e habi… Kur e ndali atë ‘’rrokullisje’’ të zërit shtoi: ‘’Po, unë jam Pellazgjik Koha, jam si Kometa e Haleit shihem njëherë në 65 -70 vjet dhe, sërish, por tash pazëshëm, preku në gaz.’’ G. Kodra e kuptoi se tisi idiot rrëfimit të njeriut misterioz nuk po dilte prej mjegullës së misterit, por përkundrazi misteri po bëhej më i mistershëm…
G. Kodrës, papandehur, i erdhi një mendim të ikte. Të thente qafën dikah, por ndjeu se për shkak të moshës s’do të mund të ikte. Pastaj iu kujtua se as atëherë kur ky ishte fëmijë, ky farë Pellazgjik Koha, të cili sot, rastësisht, ia mësova emrin, edhe pse atëbotë deshën ta vrisnin, nuk kishte shfaqur asnjë shenjë dhune, madje në vend të ndonjë veprimi agresiv, ai s’ kishte bërë gjë tjetër vese sa çel e mbyll sytë, ishte shndërruar në zog dhe ata që donin ta vrisnin i kishte kundruar nga maja e plepit. Tek sa qe zhytur ky në ujërat e fëmijërisë, i kujtohej se edhe hoxha Mulla Janusi, edhe pader Gjoni i Gegë Kodrës, shumë vjet më vonë kishin thënë se ai ka qenë marifet i djallit. Të dy këta, derisa i kishte mbuluar dheu i zi e kishin falendëruar Zotin që paskëshin shpëtuar pa therrë në këmbë.
(shumë kohë më vonë, G. Kodra do ta përshkruajë zotin Pellazgjik Koha kështu: ‘’ishte rreth të dyzetave. As atëherë, as më vonë nuk e kam kuptuar se si ka mundësi që njeriu që ka dyzet vite sot, edhe pas gati shtatëdhjetë vitesh, të jetë përsëris dyzet vjeç. Kurrë kësaj nuk ia kam gjetur fillin. Kurrë nuk i kam gjetur ndonjë shpjegim për të qenë. E kam ndier veten pafundësisht të vogl dhe kam ardhur në përfundim se dija e intelekti ynë nuk arrijnë larg. Ne nuk i njohim dijet e mistershme hyjnore dhe fenomenet që me vullnetin e Zotit ndodhin në pafundësinë e kohehapësirës…
Pellazgjik Koha kishte sy të thellë që të ngjanin në humnera ku shkëlqente një dritë e çuditshme si përzjarrje malli. Në kokë kishte një si lloj plisi, ndërkaq në pjesën që mbulonte ballin, në plis, kishte një sy që dukej si diell dhe dukej se nuk shikonte këtu, por diku tej, kryqetërthor kohës. Me një fjalë, gjithçka, fytyra, trupi veshja, ani se kamufloheshin, ishin të moçme sa vetë bota. Kur e pata pyetur ‘’sa vjeç je?’’ Ai pasi pati qeshur, pati shtuar. ‘’Ç’ të të them?! Ti nuk do ta besosh, siç nuk besuan të tjerët deri tani, megjithatë, lexoj mesazhin e habisë tënde, ndjej se në kokën tënde ke një pështjellimë rreth kohës. Unë nuk e di sa vjeç jam, mbi këtë përgjigje ka mbirë bari i harresës, por mbaj mend çastin kur zbritëm këtu në Tokë. Nuk e dini ju ç’ mallkim më zuri, të mbetem fillikat, pa askënd. Ju, miku im, kohën e ndani Para Krishtit dhe pas Krishtit. Edhe ajo Pra Krishtit edhe kjo Pas Krishtit për mua janë vetëm një çast. Unë jam shumë i lashtë. Jam nga Pellazgjia, nga kohët Pellazgjike jam… Artin e magjisë së shndërrimit në zog e kam mësuar pas sakrificave të shumta. Unë kam bërë krim që në Zanafillë. Këtë e pohojnë edhe librat e shenjtë. E krimi s’ pushoi kurrë! Kurrë!!! Por, kurrë nuk e kuptova nga erdhi mallkim. Nuk e kuptova nëse është kozmik apo tokësor. Mbase gjithçka u çrregulla nga që Zoti na la të lirë… Ne nuk e kuptuam Lirinë. Sado që të jetojë, mallkimi, patjetër do të marrë fund. Një ditë edhe unë do të vdes. Të përjetshëm, pafundësisht të përjetshëm janë vetëm Zoti dhe Koha… )
Ndërsa po bisedonim qetë dhe unë ia kisha ngulur syrit mu në mes të ballit, i cili më ngjante në diell, pata guximin ta ngris dorën për t’ia prekur syrin. Ai u shkri së qeshuri: ‘’hi-hi-hi-hiiii!’’ Nuk më pengoi, përkundrazi kapi dorën time, e ofroi te syri që i ngjante diellit. Mbase për shkak të parandjenjës se po preki diçka të zjarrtë, më qe dukur i nxehtë. Kur e largova dorën me shpejtësi, zoti Pellazgjik Koha qeshi ‘’hi-hi-hi-hi-hiiii!’’, pastaj shtoi: ‘’është Syri i Tretë! – Pas pak shtoi – ‘’Të gjithë e kanë. Edhe ti e ke. Por, yti rri fjetur, imi zgjuar. Me të shikoj thellë në kohë pas dhe përpara… Shikoj edhe atë që ende s’ka ndodhur… Shih ç’na ka dhuruar Zoti, mik!’’ Pasi u kredh në ujëra mendimesh të largëta Vazhdoi:
‘’Kur erdhëm këtu, Ai na tha: ‘’Ndërtojeni parajsen! Ndërtojeni atë sipas shijes suaj!’’ Dhe, na la të lirë. Ne, në vend të parajsës e bëmë ferrin! Gjatë gjithë ekzistencën sonë vetëm këtë bëmë…
(Shumë vjet më vonë, pak para se të vdiste, G. Kodra tregont zjarrshëm se ç’i kishte rrëfyer për Peridhën pellazgjike zoti Pellazgjik Koha: ‘’Ndërsa po bisedonim hetova se Ai qe zhytur në hon të një dhimbjeje… Pasi bëri një ‘’eh!…’’, pushoi ca dhe vazhdoi rrëfimin: Pellazgjia shtrihej përtej shtatë deteve. Në të vërtet pellazg ardhura nga Pella, janë të gjithë, përveç njeriut me ngjyrë për të cilin nuk e di nga ia behu. Sesa vend i madh ishte ju duhet ta kishit marrë vesh nga Konstandini i Ilirisë që qe zgjuar nga varri për të çuar në vend amanetin e zonjës Mëmë. Në baladën që e këndonin lahutarët e që edhe sot e këndojnë është një ndërhyrje. Këtë mund ta kenë bërë ata që gllabëruan nga Pellazgjia që më vonë u tkurr e u quajt Iliri. Aty s’ thuhet sa udhëtoi me kalë Konstantini vajtje-ardhje. Konstandini udhëtoi me kalë nëntë muaj vajtje-ardhje. Kaq ishte e madhe Iliria. Nëntë muaj udhë me kalë… Shiu nisi në Pellazgji, pastaj vazhdoi në Iliri… U frynë përroska lumenj, liqej, dete gjithçka e hëngër Kafsha e Keqe… U vodhë Dheu, u vodhën Mitet, Baladat, Simbolet, Këngët, Vajet, Fronet, Perenditë… Si të flasim pa fjalë O Zot, sa pak Iliri ngeli…)
Sa herë e deklamonte këtë tekst, të cilit gjithmonë ia çmjegullonte burimin, G. Kodra qante…
***
Do vjet pas vdekjes së G. Kodrës, miku i tij, arkeologu Artan Mokra kishte thënë në një ndejë mes miqsh kur qe zënë në gojë G. Kodra. Arant Mokra nisi rrëfimin kështu: ‘’Sa ka diçka të pakapshme, fantastike e misterioze në rrëfimet e G. Kodrës, po aq ka edhe të kapshme e konkrete…
Unë, Artan Mokra arkeolog, mik i G. Kodrës, vendosa ta çoja G. Kodrën për një kontroll në psikiatri, me që kohëve të fundit të jetës së tij, me sa kam vërejtur unë, në rastet më të shpeshta Ai as që e vërente praninë time. Nuk mund të thoshe se nuk ishte aty, mu pranë teje, por njëkohësisht shumë më pak mund të pohoje se ishte aty. Herë-herë në fytyrë kishte një ndriçim të pashpjegueshëm. Kur arrija, pas përpjekjeve të shumta, të komunikoja me të, më thoshte gjithmonë të njëjtën frazë: ‘’sapo erdha…’’ Kurrë s’ diti të më jepte ndonjë shpjegime për të qenë për frazën ‘’sapo erdha…’’ Gjashtë muaj para se të ikte nga kjo jetë, e pata dërguar G. Kodrën në psikiatri. Plot tridhjetë minuta psikiatri në zë, Driton Mazreku pati biseduar me të. Nuk kishte hetuar ndonjë devijim psikik pos një gjendjeje melankolie, shqetësimi e parandjenje se po vie fundi, gjë që, psikiatri Driton Mazreku pati thënë, se është e natyrshme për mosha të tilla. Të pasnesërmen, sërish e takova në zyrë zotin dr. Driton Mazreku. Biseduam gjatë. Ai tha se nuk kishte hetuar asgjë shqetësuese, pos një fantazie të bujshme që thënë të drejtën ngapak e shqetësonte… Me kaq e mbylli rrëfimin. Para s’e të ndaheshim më tha: ‘’megjithatë, a mund të shkosh deri te vendlindja e G. Kodrës, të hulumtosh mbi një ngjarje të pazakontë që sipas pacientit G. Kodra ka ndodhur kur ishte 10 vjeç, mbase diku para shtatëdhjetë e pesë vitesh. Mua m’u kujtua ajo ngjarje që G. Kodra ma kishte treguar shumë herë. Me një ndjenjë të ftohtë, thua se do të shkoja në botën e të vdekurve për të sjellë një lajm nga andej në botën e të gjallëve, megjithatë pohova me lëvizje koke dhe me një po të të mbytur.
Tri net bujta në katundin e mikut tim G. Kodrës. U kënaqa. Të njëjtën ngjarje e pohuan shumë nga bashkëvendësit e tij. Ngjarja ishte e moçme, ndaj i jepnin tone legjende. Para se të ikja shkova te pader Ndreu. Pasi i shpjegova qëllimin e ardhjes, Ai më dha një fletore në kopertinën e të cilës shkruante NGJARJE TË ÇUDITSHME. U mbylla në një dhomë dhe për orë të tëra, deri në muzg shëtita nëpër ngjarje që ngjanin në mite, balada e legjenda, dhe në fund, e gjeta po atë rrëfim që ma kishte treguar G. Kodra shumë herë. Gjithçka ishte siç e kisha dëgjuar. Bile nja dy-tri elemente që s’m’i kishte thën G. Kodra e bënin rrëfimin edhe më poetik; sikur diçka kozmike përlyhej me tokësore. Rrëfimi ishte firmosur nga pader Gjoni i Gegë Kodrës.