Nga POL MILO
“Më jep një moment në kohë
Që unë të vrapoj me fatin,
Pastaj, në atë moment të kohës
Unë do të ndjej, përjetësinë!”
Whitney Houston
1. Një moment në kohë
Nëse do të kërkojmë një shpjegim për kohën, atë do ta gjejmë të përkufizuar si një progres i vazhdueshëm dhe i pafund i ekzistencës dhe i ngjarjeve në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen!
Ekzistenca dhe ngjarjet padyshim që zhvillohen sipas perceptimit tonë, të ndara në këto tre kategori të mëdha, të lidhura së bashku nga fija e padukshme e kohës. E të njëjtës kohë që ato i përkasin, por njëkohësisht edhe të ndara e të copëtuara në miliona momente, të fiksuara midis akrepave të orëve të varura pezull në ajër si re. Këto janë vetëm disa nga miliona copëza mendimi që të vjen në mendje kur futesh në një ekspozitë të veçantë si një laborator i kohës.
Të tillë e ka ndërtuar artisti bashkëkohor Oltsen Gripshi instalacionin e tij të quajtur “KOHA”. Mbi treqind orë qëndrojnë të varura pezull të ekspozuara në një muze të ri të pagëzuar me emrin MuzEH Lab, kuruar nga Dorina Xheraj Subashi, në një shtëpi të vjetër të një qyteti akoma më të vjetër, jashtë nga koha, jashtë nga dinamika e jetës së shpejtë aktuale, metropolitane e mondane, nga ku jeton dhe sundon mendja e botës.
Jetojmë në epokë virtuale kompjutetizimi masiv, larg nga epokat e vëzhgimeve të yjesive, galaktikave dhe ndikimit të perëndive, që na rritën e na mbikqyrën duke menduar se filluam te ecim me kembet tona. Por më pas rikthehemi te shprehja e Shekspirit kur thotë se: “E gjithë bota është një skenë, dhe të gjithë ne, burra dhe gra, jemi aktorët e saj.”
Po kur filloi koha për artistin Oltsen Gripshi? Kush është zoti i kohës? Çfarë bënte ai përpara se koha të fillonte? Këtu pyetjet, çuditë dhe të vërtetat ndërthuren, që nga fillimi i Big-Bengut deri tek hipotezat e Shën Agustini kur thoshte se ndoshta zoti përgatiti ferrin përpara se të bënte kohën, për tipa si puna jonë që bëjmë të tilla pyetje. Teksa mendon të tilla gjëra vijon të endesh në labirintet e këtij instalacioni intrigues si në labirintet e Babilonisë. Mijëra vite kalojne dhe ne ende nuk kemi vendosur për të kuptuar nëse bëjmë pjesë mes rrathëve të Dante Alighierit nga njëra anë apo në universin përhapës të Hubbleit nga ana tjetër. Kështu ngelim të ngërthyer në rrathët e kohës. Kujtojmë se jemi zotër të qiellit, të yjeve dhe universit, por nuk arrijmë kurrë të jemi zotë të kohës.
Këto orë qëndrojnë të varura si lavjerësa, duke matur kohën brenda kohës. Ato qëndrojnë të ngrira brenda hapësirës së një dhome fare të vogël nga ku duket sikur ka hyrë aty i gjithë universi. I ngecur aty, i buzëqeshur.
– Ky instalacion nuk është një rastësi – thekson Oltsen Gripshi, – ky është një mesazh kozmik, i parapërgatitur nga dimensione të tjera. Është vetë koha, nëpërmjet përthyerjes së saj, që e sjell në këtë mënyrë!
Ne dimë se ekziston vetëm e tashmja. Ajo është tani. Nuk ekziston as e shkuara as e ardhmja. Ato ekzistojnë vetëm në perceptimin tonë. Kur ora ndalon akrepat e saj në një moment ajo fle përgjithmonë në atë moment, jeton brenda atij momenti. Ndërkohë ne nga jashtë shohim vetëm dy numra pa kuptim mbi të cilën qëndrojnë akrepat e ngulur, pa ditur kurrgjë për të kaluarën e saj.
Në këtë instalacion mund të futesh midis orëve të varura ku të krijohet ideja e kalimit mes universeve paralele, si të hysh në portat nga ku fillojnë udhëtimet për të kaluar nga një hapësirë në një tjetër, nga një dimension në një tjetër. Këto porta imagjinare duket si portat ku Stephen Hawking tha se “mund mund të shkojmë deri në skajin tjetër të galaktikës dhe të kthehemi sërisht në shtëpi, në kohën e ngrënies!”
2. Misteri i sëndukut dhe Re të bardha
Në mes të dhomës me orë të varura qëndron një sënduk i vjetër, i rëndë. Duket sikur aty koha mbaron. Sënduku fluturues të çon në mëndje se pas udhëtimeve nga njëra orë te tjera, fluturimi i fundit është brenda tij. Por njëkohësisht ai përfaqëson gravitetin përthyes të hapësirës dhe të kohës. Ky është misteri i padukshëm. Kapaku i tij i hapur lë shteg kalimi për mendimin hermetik. E tashmja ngjyrë gri, një urë optimiste, lidh të shkuarën e kuqe të gëzuar me të ardhmen jeshile të shpresës.
– Një udhëtim në kohë, të lutem?
– Jo, më vjen keq, nuk është e mundur. Ende nuk e kemi shpikur makinën e kohës.
– Atëherë, përse të njëjtët sahatë mbi avionë apo mbi satelitë, lëvizin me shpejtësi të ndryshme nga ata që rrinë mbi tokë? Përse graviteti bën që një sekondë atje mos të jetë e barabartë me një sekondë këtu? A nuk do të thotë kjo “të udhëtosh në kohë”?
– Kjo është e vërtetë, por ky është një diskutim misterioz, i pamundur. Siç e shihni, këto orë kanë ngecur prej shekujsh. Njerëzit të cilët i braktisën ato, tashmë jetojnë në të tjera kohë. Gjithçka që mbetet është vetëm perceptimi ynë.
Mungesa e gravitetit është braktisja, zbrazëtia që qëndron pezull mbi re. Retë e bardha fluturojnë duke ndryshuar format e tyre në lumturi iluzive si peshat e rënda të pendimit. Ku flenë retë? Ç’gjumë bëjnë ? Përse ndryshon koha kur retë nuk janë e kur rikthehen sërisht? A nuk do të dëshironim edhe ne të qëndronim pezull në ajër si retë e bardha të kohës? Por ne kemi një fat. Ne jemi vëzhguesit më të mëdhenj të një kohe pafund, të ngadalësuar në spiralet e galaktikave rrethore, të ndriçuara me supernova gjigante të shpërthimeve diellore dhe të shuara brenda pikave të shiut të rëna nga retë tokësore! Ndaj vëzhgojmë qëndrimin dhe rënien, ndriçimin dhe shuarjen, qetësinë dhe zhurmën e hapësirës së jashtme dhe të ngushticës brenda vetes, e në fund përfundojmë tek shprehja e filozofit Berkeley, ku thotë se “objektet, hapesira dhe koha janë thjesht një iluzion i yni.”
3. MuZEH Lab, një muze guximtarësh
Duhet një guxim i veçantë që të krijosh një muze të tillë në një vend e në një kohë të tillë jashtë çdo normaliteti! MuZEH Lab herë ngjan si një pikë në oqean e herë duket sikur sfidon Muzeun e Artit Metropolitan të New Yorkut. Ai është krijuar në një vilë të ndërtuar gati një shekull me parë, mbi arkitekturën e një kohe që dikur influenconte stilin me të cilin jetohej, por që aktualisht nuk ekziston. Kështu ajo krijon një stil mbi një stilin, duke munduar të influencojë të painfuencueshmen. Kohën! Ajo është një perëndeshë ndërsa ne jemi skllevërit që përulemi përpara një përjetësie të ngurtësuar, që kurrë nuk do të shkrihet brenda qenieve të murosura në sekonda gurësh shekullorë. Tek ata gurë, tingujt duket sikur luajnë muzikën e kohës. “Muzika është një ushtrim i fshehtë aritmetik i shpirtit,” ka thënë dikur Laibnici.
Shumë vizitorë vijnë në MuZEH Lab. Normalisht që ato habiten por njëkohësisht edhe shijojnë stilin me të cilin ky muze prezantohet, që së bashku me këtë instalacion duket sikur krijojnë një mardhënie tokë-qiell. “Qielli është në një trafik absurd njerëzish me orë të ndalura, – thotë profesor Fatmir Minguli – ku ato orë ngjajnë sikur janë mendime të varura, por njëkohësisht edhe mendime të hapura! Ky muze është “Tjetër-Lloj” në kohën ku jetojmë, është vetë muze për vlerat e kohës!”
Instalacioni i artistit bashkëkohor Oltsen Gripshi, shumë përmasor dhe me mjaft përthyerje si një laborator, bën që të udhëtosh në kohët që ekzistojnë dhe që nuk ekzistojnë, në kohët e tanishme dhe të përtejmë, të shkuara e të ardhme, të arrira dhe të paarrira, si një rrëshqitje përgjatë tingujve të kitares, kur grupi i famshëm Pink Floyd këndon:
“dhe ti vrapon, e vrapon për të kapur diellin,
ndërkohë që fundoset,
e ai rrotullohet, për të dalë sërisht prapa teje”
Me diellin në rrotullim meriton të falënderohet Oltsen Gripshi si një artist me qasje konceptuale surrealiste, që përmes simbolikës së orëve, reve, sundukut dhe tri fjalëve E SHKUARA, E TASHMJA dhe E ARDHMJA arrin të zbërthejë qenien njerëzore nëpërmjet semiotikës së kohës, si fenomenologji e vetë ekzistencës.
Durrës, 14 Prill 2021