Kreu Letërsi Bibliotekë "Një pemë ulliri në Londër", poezi nga Rudolf Marku

“Një pemë ulliri në Londër”, poezi nga Rudolf Marku

Ky cikël poetik përfshin poezitë e shkruara gjatë muajve të fundit, Dhjetor 2022- Janar 2023

NJË NATË

Natyrisht, nuk kishe asnjë plan paraprak,
Se si t’u ikje rojeve të Emigracionit në La Mansh
Me pasaportën tënde  pa vizë. Mjaftonte veç ankthi jonë,
Që e ndjenim se do të vdisnim pak nga pak, po të mos shiheshim atë çast,
Dhe ti- një entangled  neutron-, i pakuptuar mirë dhe nga vetë fizikantët,
Erdhe tek unë, në shtratin tim, në mesnatë.
Përkule mbi fytyren time, si mbi një tastjerë pianosh, gishtat e gjatë
Për të lozur requiem-in e fundit të jetës tonë të përditshme;
E di se do të kthehesh pas, fshehur në një rreze drite,
Ashtu siç erdhe, do ikësh në pafundësi vitesh larg.
Në ç’shekull u pamë, në ç’muaj, në ç’javë, në ç’ditë?
 
O njerëz, që ende besoni te kalendarët- paganë a gregorianë,
Si mund të matet koha kur veç ajo natë,
  zgjati një miljon vite,
E pashënuar në kronikat e vedave  të murgjëve budistë a modern,
 
Vetëm për të qënë  edhe një herë së bashku pranë?


METEOR

Çdo ditë të mendoj përherë e më shumë,
Grua që erdhe papritë në jeten time,
Si një meteor që nuk arritën as asteorologët ta parashikojnë,
I frikshëm dhe joshës. Nuk di nëse do përplasesh tek unë,
Apo do të ikësh  duke shmangur planetin me një lëvizje plot elegancë?

Unë vetë ëndrroj përplasjen e meteorit në  tokën tonë të ashpër,
Teksa ti, çveshur nga shtërngatat,  do mbulosh gjoksin e çveshur me duart e tua të bardha,
Si në një pikturë të bukur në Renesansë!


NË KËTË QYTET

Vij në këtë qytet me rrugë  të  gjeometrisë së padëshifruar
Të vetmisë së njeriut-   rrugë që të çojnë gjithmonë drejt kurthit të mbyllur të trishtimit.
Jam një busull që lëviz krahët drejt teje
pa e ditur saktësisht se ku je;
 
Ulem si atëhere kur rrinim bashkë,
I njejti vend. I njënjti ankth nëse nuk do vish.
I njënjti kamarier që veç këtë herë nuk më njeh.
                                                                                     
Derisa pa pritë  dritat priten, errësira mbulon qytetin sakaq.
 
O njerëz pa kujtesë- vetë e përzutë dashurinë tonë,
Që do ta mbante ndriçuar këtë qytet dhe njëmijë vite pas!!                                                                                                                                        
 
UDHËTIM

Fatorino e pa me dyshim bileten,
Te shkallët e trenit. Megjithat’ më lë të ngjis shkallët,
Dhe të ulem në një vagon pa njerëz. Duke shmangur refleksin tim në xhamat e mjergullt,
Shoh peisazhin , pemët, shtëpitë jashtë,
Derisa shfaqen  kuajt në fusha, të qetë e të papërfillshëm
Si Zota të lashtë.
 
Bileta nuk thotë se në cilin stacion do të ndalem,
Sepse asnjë Tren tokësor nuk i arrin stacionet qiellore,
Atje ku kuajt hyjnorë më presin, solemn dhe  kokulur,
Mbështjellë me mantelin perandorak të mjegullës së bardhë!


NË AVENJUNË SLOAN

në nderim të Jorgo Seferis

Edhe sot kalova në Avenjunë Sloan,
Pranë pllakës që shkruan më gërma të vogla
Se në këtë shtëpi ka jetuar një poet grek;
Kaloj pothuajse çdo ditë në këtë rrugë. Dhe gjithnjë,
Shoh nga dritaret e ulëta se mos të shoh ty,
Rastësisht, si një argonaut të cilin dallgët e detit
Me urdhër të një Poseidoni zemërak e kanë hedhur në brigjet e Albionit.
 
Sa fat i keq! Askush nuk të njeh. Kalimtarët as pllakën s’e lexojnë,
Nxitojnë me gazetat e tyre drejt stacionit,
Që të kapin lajmet e fundit të bi-bi- si-së.                                                                        
Me frikën e panikshme të vdektarëve se mos bëhën vonë!
 
Sirenat kanë kohë që lexojnë lajmet. Nga ekranet e mëdha
Thonë se njerëzit kurr s’kanë qënë më të  sigurt,
se  tani, kur askush nuk lexon më poezi !
 
Kalimtarët janë të verbër, askush nuk sheh se si, papritë,
Në Avenjunë Sloan, një karrocë e praruar zbret lehtë nga qiejt,
Dhe një Zot tremijë vjeçar, me një mjekërr të bardhë, si Kashta e Kumtrit
ardhur nga Malet e Olympit
Me pyet për adresen tënde, në një gjuhë të kuptueshme Perendish!


NJË TREN QË NUK NDALET

Nuk mbaj mënd
Kur hypa për herë të parë në këtë tren,
Që nuk ndalet kurrë në asnjë stacion, në asnjë vend!
 
Ngase është një tren që nuk ndalet kurrë,
Nuk mund ta shohësh  Konduktorin asgjëkund
Askush nuk thotë emra stacionesh , të njohur a të humbur
 
Jashtë shohim stinët që ndrrohen më shpejt se në kalendar,
Në një orë  shohim dëborën e Malit të Kilimanxharos
Në orën tjetër na përshendet përtej dritareve  rëra në Saharë
 
Ndonjëherë qyteti i lindjes shfaqet si një vegim,
Na bëhet të thërrasim emrat e të njohurve të fëminisë,
Por dhe këtu treni nuk ndalet, të thërrasish nuk ka  kuptim
 
Fëtyra jote prej vajze, siç të pash për herë të fundit
Më shoqëron në të gjitha udhëtimet , që nga ditë e parë
Je brënda a në tren? A mijëra kilometra larg?
 
Ky tren kurr nuk do të ndalet në asnjë vënd,
O vajzë që u deshëm  kur besonim se do ishin si vetë Perenditë
Ndoshta pas vdekjes mbi një re të bardhë  do të udhëtojmë sërish
 
Më shpejt e më larg se në të gjithë trenat elektronikë!


NË RRUGËT TËRË PLUHUR

Në rrugët tërë pluhur të Tiranës,
Më kot përpiqemi të ringjallim Krishtin e kryqëzuar prapë.
Kemi ardhur nga larg,
Për të qetësuar kujtesen tonë të plagosur që rrjedh gjak.
Jemi ngjitur Golgotës, dhe i kemi pranuar kunorat me gjëmba
Dhe fishkëllimta tallëse të fitimtarëve,
Nën urat e Lanës numërojnë fitimet, nën tingujt e Hosanave modern,
Një xhaz, blues, hard metal a rock and roll.
Na thonë se Krishti ka vdekur, na thonë se kot presim ringjalljen,
Na tregojnë çeqet me firmat  e pathara me bojë,
Mund t’i kthesh në cash brenda ditës nëse je tip që nuk beson;
 
Ngjitemi Golgotës, dhe tre shtyllat  e kryqëzimit janë bosh,
Shohim njëri-tjetrin , e dimë se çdo të ndodh
Jemi unë dhe ti dhe dashuria e plagosur
E dimë se tani është koha që të  na  kryqëzojnë,
me dashurinë, si Krishtin,  në mesin tonë.


NË KORÇË, NJË DITË VJESHTE

Ditët ishin të zakonshme, kafetë e mbushur me njerëz,
Një kitarist i vetmuar që këndonte për të dashuren e  vdekur,
Kalimtarë që na shihnin vetëm pasi u kishim kaluar pas,
Vetmia e Sheshit të Katedralës, dyqane boutique me shitës të mirësjellshëm,
Dhe Shtëpia ku Seferis ka jetuar gati një shekull më parë,
E rrënuar, me rënkimet e vargjeve të dashurisë, poshtë trarëve të rënë
Dhe dita që nxitonte të ikte aq shpejt prapa malit të Moravës.
E dinim se pas ditës do vinte Nata. Por askush nuk e kish marr me mënd,
Se në dhomën tonë të Hotelit, afër Metropolitisë
Do vinin Ikonat  të na gjenin.
Po ato ikona që i kishim parë gjatë ditës
Në  Muzeun pak të njohur mesjetar.
I gjithë Hoteli u mbush me dritë
Ardhur nga larg. Murgjër të veshur me pelerinat e  vjetra
Ecnin kokëulur dhe mospërfillës.
Erdhën në dhomën tonë
Duke pëshpëritur një lutje nën zë;
Piktorë të vëmendshëm, me penelat e zhbërë, bënin figura në ajër
Në kanavacën e natës! Kavaletet e ngjyrave ishin vetë yjet,
Që kishin zbritur pa i thirrur askush!
Konstelacionet vëzhgonin si spektatorë me fat,
Se si bota po bëhej nga e para,
Me lulet që çelnin së pari, me lumenjt e pastërt, dhe zogjt qiellor të pafajshëm,
Pa u trembur nga askush, me luanin dhe qëngjin të bërë bashkë,
Dhe me Kainin që ende nuk kishte njolla gjaku në duar!
Me malet mistike,
Dhe me ligësitë njerëzore tretur, tretur!
 
Në ditën e neserme, turmat e njerëzve  filluan  të na  ndiqnin pas,
Nga  shkelqimi i pazakontë me të cilin qemë mbështjellë
a nga  pelerinat e murgjëve që  mbanim veshur.


FREDERIK RESHPES

Poet skandaloz, rebel, i lirë si një zog,
Të ngritën kurthe kafazesh- burgjesh kudo,
Dhe ti që përherë i injorove zingjirët, qelitë, gardianët
Kurr nuk e përmende  vetminë sa një kontinent të Poetit,
Ti që talleshe me kafazet, që pëlqeje t’i vije në një rrjesht
Gjahtarët, kritikët, lavdikërkuesit, mediokrit dhe kostumet e lakuriqsisë së Mbretit;
Asnjë rresht për vitet e burgjeve,asnjëherë
Pa të shkuar ndërmend t’i ktheje vuajtjet në dyqane shkëmbimi valutor
Në poste ambasadorësh, lavdi të rreme, reçensione – Hosaná,
Në dyqane spekulative ku shesin lirinë.
Ty të mjaftonin veç  krahët e mëdhenj,
që të arrije përjetësinë.

Krahët e tu prej aeroplani qenë tepër të mëdhenj për kafazët,
Le të rrijnë aty gardalinat vajtuese, të verbëta
Që brenda kafazeve me dyer të çelura vazhdojnë të presin lavdinë!


NJË PEMË ULLIRI NË LONDËR

Vite më parë, një bisk ulliri solla nga larg,
Për kopshtim tim të vogël, në Londër,
Botanistët e ditur më udhëzuan se duhej të kisha kujdes,
Se duhej ta mbroja biskun në ditët e para
Derisa rrënjët e pemës të mendonin se ishin në vendin e vet.
Çdo mëngjez zgjohesha heret dhe shkoja te ulliri- nuk e kisha ditur
Se dhe pemët kanë kujtesë. Refuzonte të rritej,
Në mënyrën më kapriçoze. Veç në praninë time
Përpiqej t’i jepte trupit lart,
Si fëmijët kur sapo zgjohen nga gjumi në mëngjez,
Vetëm kaq!…
Kanë kaluar vite – tridhjetë a më shumë vjet-
Në kopshtin tim pema e ulllirit ka lëshuar rrënjë,
Gjethet janë në ngjyrë të gjelbert, të thellë
Dhe trungu i saj ka formuar dhe gungat e para
Vazhdon të rritet, siç e kanë ullinjt, me kujdes,
Por asnjë zog nuk ulet në degët e ullirit,
I shmangen si një gracke dinake, dhe ikin lart,
Dhe vetë milingonat, buburrecat, hardhucat dredhojnë rrugën para saj
Si para një humnere të lajmëruar më parë
Dhe asnjë kokërr-frut nuk japin degët e saj të gjatë,
Që vazhdojnë të rriten-dhe pse ngadalë-
Në një sterilitet që shtypi modern  e mirëkupton menjëherë.

Botanistët e ditur vijnë prapë e më këshillojnë,
Këtë rradhe pa pagesë,
Se nuk mund të këmbëngul te fertiliteti mbirës
Si në një kulturë maço të kohërave të errta në Mesjetë!

Teksa unë pëshpëris në  përçartjen time se ullinjt paskan kujtesë!

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Dr. Elsa Skënderi: Diskursi dashuror i Zejnullah Rrahmanit në veprën “Deti i Zi”

Libri “Deti i Zi”, i Z. Rrahmanit është një ndër shfaqjet më të epërme të diskursit të dashurisë në letërsinë shqipe. Diskursi...

Ermira Godo: “Shekspiri” u shkrua nga Hygoi në mërgim kurse në shqip u përkthye në internim nga Abdulla Rami

Më 29 janar përkujtohet 50 vjetori i vdekjes së Abdulla Ramit. Një bisedë me mbesën e tij, Ermira Xhomaqi...

Luran Osmani, autori i grafikës: Në një çast meditimi te shtatorja e Skënderbeut në Shkup, lindi kjo grafikë

Bisedoi Nurie Emrullai Artisti ka rol kyç në shoqëri sepse atij i duhet të mbajë gjallë kujtesën historike. Përcjellja...

Kosta Nake: Drama lindore e miqësisë perandorake

(Ismail Kadare, “Sorkadhet e trembura”, Synops për një tjetër art, Vepra 20, f.517) Fati i grave të ish-kampit...

KATEGORITË