Kreu Letërsi Bibliotekë "Një mik i Kafkës", tregim nga Isaac Bashevis Singer

“Një mik i Kafkës”, tregim nga Isaac Bashevis Singer

Kisha dëgjuar për Kafkën shumë vite më parë se ta lexoja. Më kishte folur për të miku i tij, Zhak Kohn, një aktor i dikurshëm i teatrit jidish. Them “i dikurshëm” sepse në kohën që u njoha me të ai e kishte braktisur skenën. Kjo ndodhi aty nga vitet 1930, kur teatri jidish i Varshavës kishte filluar ndërkaq ta humbte publikun e vet. Zhak Kohn ishte një njeri i sëmurë, i rrëgjuar. Ai vazhdonte  të vishej si një dendi, por rrobat e tij ishin të vjetra si mos më keq. Ai mbante një monokël në syrin e majtë, një qaforezë të ngritur dalëmode, këpucë llustrafine dhe një borsalinë. Në Klubin e Shkrimtarëve jidish të Varshavës, ku ne bënim pjesë të dy, cinikët e kishin mbiquajtur “im zot”. Edhe pse shpina e tij po kërrusej çdo ditë e më shumë, ai ngulmonte t’i mbante supet drejt. Ato pak qime që i kishin mbetur nga flokët e verdhë të dikurshëm i kalonte tërthorazi, për të mbuluar atë pjesë të kokës që e kish pa flokë. Sipas traditës së mirë të teatrit të kohëve të hershme, atij i qëllonte të fliste një jidishçe të gjermanizuar, sidomos kur ia hynte historive të marrëdhënieve të tij me Kafkën. Ca kohë më parë i ishte vënë shkrimit të artikujve, por drejtorët e gazetave ishin të një mendjeje që ato s’vlenin dhe ia kthenin mbrapsht. Jetonte në një papafingo diku aty nga rruga Leshno dhe nuk rreshtte së sëmururi. Një shaka e bërë në kurriz të tij kishte marrë dhenë në anëtarët e Lidhjes: “Gjithë ditën ai rri shtrirë nën një tendë me oksigjen dhe në mbrëmje del prej andej një Don Zhuan i vërtetë”.

Ne shiheshim çdo mbrëmje në Klub. Porta hapej ngadalë dhe Zhak Kohni hynte. Kishte pamjen e një evropiani të shquar, që denjon të vizitojë një geto. Shihte përreth e pastaj bënte një grimasë, si të donte të thoshte se era e harengës, e hudhrës dhe e duhanit, atij më të lirit, s’ishin të shijeve të tij. Vështrimi përbuzës  i ndalej mbi tryezat e mbushura me gazeta të zhubrosura, me gurë shahu të thyer dhe me hirnore plot bishta cigaresh, rrotull të cilave uleshin anëtarët e Klubit, për të bërë diskutime të pafundme për letërsinë, me zërat e tyre të ngjirur. Ai tundte kryet, me një pamje sikur të thoshte: “E ç’mund të presësh nga  schlemiel-ë të tillë?”. Sapo e shikoja që ai shfaqej, fusja dorën në xhep për të gjetur ndonjë zloti, të cilin ai do të ma kërkone hua se s’bën.

Atë mbrëmje Zhaku dukej me një humor më të mirë se zakonisht. Ai vuri buzën në gaz duke nxjerrë në pah dhëmbët  e tij prej porcelani të ngjitura keq e që i tundeshin kur fliste, dhe u drejtua nga unë, me po atë madhështi, sikur të ishte në skenë. Duke më zgjatur dorën e tij eshtake me gishta të gjatë më tha :

– Si ndjehet këtë mbrëmje ylli ynë që është në ngjitje?

– Kaq shpejt qenkeni i pirë?

– Flas seriozisht. Shumë seriozisht. Unë e dalloj talentin  që atje tej sapo e shoh, edhe pse vetë nuk e kam. Kur ne luanim në teatrin e Pragës më 1911, askush s’e kishte dëgjuar emrin e Kafkës. Ai vinte në prapaskenë dhe që në çastin e parë që e pashë, unë e kuptova se isha në prani të një gjeniu. E nuahata sikurse një mace do të kishte ndier erën e miut. Kështu filloi edhe miqësia jonë.

E kisha dëgjuar këtë histori kaq herë me variante të ndryshme dhe e dija që do më duhej ta dëgjoja përsëri. Ai u ul në tryezën time  dhe Mania, shërbyesja, na solli dy gota me çaj dhe biskota. Zhak Kohn ngriti vetullat sipër syve të tij të verdhemë, e bardha e të cilëve ishte e përvijuar nga rremba të kuqe. Shprehja e tij dukej sikur donte të thoshte: “Këtë quajtkërkan barbarët çaj?”. Hodhi në gotën e tij pesë copa sheqer dhe e përzjeu duke e rrotulluar nga ana e prapme lugën e alumintë. Midis gishtit të madh dhe atij tregues, që kishte një thua tmerrësisht të gjatë, theu një biskotë dhe e futi në gojë duke thënë : “Nu ja”, gjë që donte të thoshte: nuk mbushet stomaku me gjëra të së shkuarës.

E gjitha kjo ishte një teatër. Ai rridhte prej një familjeje hassid, që vinte nga një qytet i vogël polonez. Emri i tij nuk ishte Zhak por Jankel. Megjithatë ai kishte jetuar vite të tëra në Pragë, Vienë, Berlin e Paris. Veç teatrit jidish kishte luajtur edhe në skenat e teatrit francez e atij gjerman. Kishte qenë mik i shumë njerëzve të shquar. Ishte pikërisht ai që e kishte ndihmuar Shagallin të gjente një atelie në Belleville. Ai kishte qenë njeri i afërt i Izrael Zangvillit, kishte luajtur në një pjesë, që e kishte vënë në skenë Rheinhardt dhe jo rrallë herë kishte ndarë kafshatën e gojës me Piskatorin. Mua më kishte treguar jo vetëm letrat që kishte marrë nga Kafka, por edhe ato që i kishin dërguar  Wassermanni, Stefan Zweigu, Romain Rolland-i, Ilia Ehrenburgu e Martin Byberi. Të gjithë e thërrisnin sipas emrit të tij. Dora- dorës, kur u njohëm edhe më mirë, ai më tregoi fotografitë dhe letrat e artisteve të famshme, me të cilat kishte patur lidhje dashurie.

Për mua, t’i jepje “hua” një zloti Zhak Kohnit donte të thoshte të krijoje një lidhje me Evropën perëndimore. Edhe vetë mënyra me të cilën ai mbante bastunin me kokë të argjendë, më dukej ekzotike. Ai e thithte cigaren ndryshe fare nga ç’e pinin në Varshavë. Kishte me të vërtetë mënyra të sjelluri gjithë sqimë. Edhe në rastet e rralla, kur më qortonte për diçka, e sillte punën në mënyrë të tillë që gjithnjë t’i rregullonte ndjenjat e mia me një kompliment të mençur. Ajo që admiroja më shumë tek ai qe mënyra se si sillej me gratë. Unë vetë isha i drojtur, skuqesha dhe nuk dija si të rrija me to, kurse Zhak Kohni kishte sigurinë e një zotnie. Ai i lajkatonte të gjitha, kurdoherë me një ton ironie babaxhani dhe mbante qëndrimin e një njeriu të ngopur, që i ka provuar të gjitha në jetë.

Ai ma hapi zemrën çiltas: “Miku im i ri, më tha. Unë jam praktikisht i paaftë me femrat. Dhe kjo shkon gjithnjë me zhvillimin e një shije tepër të stërholluar. Kur kemi uri s’na vete mendja te ëmbëlsirat e te kaviari. Unë kam arritur në një pikë të tillë ku asnjë grua nuk më duket me të vërtetë tërheqëse. Syrit tim s’i shpëton asnjë e metë. Ja, kësaj i thonë paaftësi. Fustanet, korsetë bëhen të tejdukshme për mua. S’gënjehem dot më me marifetet e tualetit apo me parfumet e tyre. Vetë s’kam asnjë dhëmb, por ama, sapo një grua hap gojën sytë më venë te kurorat që ka vënë në dhembët e saj. Ky ishte dhe problemi i Kafkës, kur vinte puna e të shkruarit: Ai i shihte të gjitha të metat, të vetat dhe të të tjerëve. Pothuajse gjithë letërsia është vepër e plebejve dhe e halabakëve si Zolai dhe D’Annunzio. Në teatër unë shihja të njëjtat të meta që Kafka gjente në letërsi dhe kjo ne na afronte. Por është me të vërtetë e çuditshme se, kur vinte puna të gjykonte teatrin, Kafka ishte krejtësisht i verbër. Ai e ngrinte në qiell teatrin  tonë mediokër jidish. Dhe kjo, sepse kishte rënë marrëzisht në dashuri me një aktore të dorës fare të fundit, zonjën Tssissik. Kur mendoj se si Kafka ka mundur ta dojë këtë krijesë e se ka ëndërruar për të, më vjen turp për qënien njerëzore dhe për iluzionet e saj. Kush i afrohet një njeriu të madh niset me të në përjetësi, veçse nganjëherë me këpucë tepër të mëdha për të.

Nuk më keni pyetur një herë se ç’më shtyn të vazhdoj të jetoj, apo më duket ma keni bërë këtë pyetje? Ç’më jep mua forcë ta përballoj varfërinë, sëmundjet dhe më të keqen e të gjithave, mungesën e shpresës? Është një pyetje me vend, o miku im i ri. Edhe unë ia kam bërë vetes këtë pyetje kur lexova për herë të parë Librin e Jobit. Përse Jobi vazhdonte të jetonte e të vuante? Për të pasur më shumë vajza, më shumë gomarë, e më shumë gamile? Jo, përgjigjja është se e bënte këtë për vetë lojën e kësaj pune. Ne lozim të gjithë shah, duke patur fatin për partner. Ai përpiqet të na bëjë mat e shah me tre lëvizje. Kurse ne mundohemi ta ndalojmë. E dimë fare mirë se s’mund të fitojmë, megjithatë e kemi hapur betejën me të. Kundërshtari im është një ëngjëll shumë i fortë. Ai e lufton Zhak Kohnin me ç’i vjen ndoresh. Është dimër tani, bën ftohtë edhe kur stufa bubullon. Kurse stufa ime ka muaj që është prishur dhe i zoti i shtëpisë s’pranon të ma ndreqë. Në dhomën time bën aq ftohtë sa dhe jashtë në rrugë. Në qoftë se nuk keni banuar ndonjëherë nën pullazet ju s’e njihni se ç’do të thotë erë e fortë. Qelqet e dritareve të mia dridhen edhe në verë. Nganjëherë ndonjë maçok ngjitet mbi pullaz, pranë dritares sime e tërë natën rënkon mu si ndonjë grua në lindje e sipër. Unë rri aty duke u dredhur nën mbulesat e shtratit, kurse ai ulërin pas ndonjë maceje. Së paku s’është se ulërin vetëm nga uria. Mund t’i hidhja ndonjë copë gjë për ta qetësuar, apo ta dëboja por, për të mos vdekur i ngrirë, rri i mbuluar me të gjitha rraqet që kam, madje edhe me gazetat  vjetra. Sikur të bëja qoftë edhe lëvizjen më të vogël, gjithë ato pajisje do më rrokulliseshin.

Gjithsesi,  po qe se luani shah, mik i dashur, më mirë është të keni një kundërshtar të fortë, sesa ndonjë të pazotin. Unë e adhuroj partnerin tim. Nganjëherë mahnitem nga vendi që ai ka zgjedhur për të ndejtur. Rri atje lart, në një nga zyrat e qiellit të tretë apo të shtatë të kësaj ministrie të Providencës, që qeveris planetin tonë të vogël e s’ka veçse një  detyrë: të zejë në kurth Zhak Kohnin. Urdhërat e tij janë : Thyejini fuçitë, por mos e lini verën të derdhet. Dhe është pikërisht kjo që bën ai. Se si ia del që më mban ende gjallë, kjo është një mrekulli. Kam turp t’ju them se sa hapje pi e sa ilaçe të tjera përdor. Kam një mik farmacist. Pa atë s’do të kisha mundur t’i paguaja të gjitha këto. Para se të shtrihem i gëlltis të gjitha njerën pas tjetrës, pa vënë në gojë asnjë pikë ujë. Nëse pi ujë duhet të urinoj. Kam probleme me prostatin, gjë që më bën të ngrihem shumë herë gjatë natës. Në errësirë kategoritë e Kantit s’hyjnë në punë. Koha pushon së qëni kohë dhe hapësira nuk është më hapësirë. Ju mbani një send në dorë dhe papritur nuk keni më asgjë. Të arrij të ndez llampën time me gaz s’është një punë e vogël. Fijet e shkrepses më zhduken pa pushim. Mansandra ime gëlon nga demonët. Kohë më kohë i drejtohem ndonjërit prej tyre : “Ej ti, o uthull, bijë e Verës, do t’i lësh këto shaka të ndryra?”.

Ka ca kohë, në mes të natës dëgjova ca trokitje në derën time dhe një zë gruaje. Nuk e kuptova, qante apo qeshte. Kush mund të jetë? thashë me vete. Lilith, Namah, Mochlak, bija e Ketev M’ririt? Atëherë i thirra nga brenda: “Zonjë, e keni gabim” por ajo vazhdonte  të trokiste. Pastaj dëgjova një rëndim dhe zhurmën e rënies së një trupi. Nuk guxoja ta çelja derën. Zura të kërkoj shkrepsen dhe pas një copë here pashë, më në fund,  se e kisha në dorë. U ngrita, ndeza llampën e gazit dhe vesha rrobdeshambrin dhe heqlat. Pashë refleksin tim në pasqyrën përballë dhe më zuri frika. Fytyra ime ishte jeshile, e rruar keq. Hapa derën dhe pashë atje një grua të re që rrinte zbathur, e veshur me një peliçe vizoni dhe me këmishë nate. Ajo ishte e zbehtë dhe flokët e gjata bjonde i kishte në rrëmujë të plotë. “Ç’ka ndodhur zonjë?” – i thashë.

– Dikush sapo deshi të më vriste. Ju lutem, më lini të hyjë. Dua vetëm të rri në dhomën tuaj sa të gdhijë dita.

Doja të pyesja se kush ishte ai që donte ta vriste, por vura re se ajo ishte gjysmë e ngrirë nga të ftohtit. E dehur, gjithashtu, me ç’dukej. I bëra rrugë të hynte dhe në kyçin e dorës së saj sytë më zunë një byzylyk të stolisur me diamante të mëdha.

– Dhoma ime s’është e ngrohur, –  thashë.

– Më mirë dua të rri këtu sesa të vdes në rrugë, – u përgjigj ajo.

Ne ishim pra atje të dy bashkë. Po ç’ta bëja unë atë? Nuk kam veçse një shtrat. Unë nuk pi se s’kam të drejtë ta bëj një gjë të tillë, por një mik më kishte dhënë një shishe konjak dhe më kishin mbetur edhe ca biskota të vjetra. I dhashë pra asaj një gotë konjak dhe një biskotë. Alkooli  sikur e ngrohu.

– Zonjë, ju banoni në këtë ndërtesë? – e pyeta.

– Jo, – tha ajo, – unë banoj në bulevardin Ujazdov.

Merrej vesh qartë se ishte një aristokrate. Fjala solli fjalën dhe kështu kuptova  se ajo ishte konteshë, se ishte vejushë dhe se i dashuri i saj banonte në ndërtesën time. Një njeri i vrazhdë, që rriste një këlysh luani. Ai gjithashtu bënte pjesë në shoqërinë e lartë, por e kishin flakur prej andej. Kishte bërë ndërkaq një vit burg në kështjellë për tentativë vrasjeje. Ai nuk i shkonte dot asaj në shtëpi ngaqë kontesha banonte tek e vjehrra. Kështu, ishte ajo që vinte ta shihte! Atë natë, në një krizë xhelozije, ai e kishte shqepur në dru dhe ia kishte vënë revolverin në tëmtha. Shkurt fjala, ajo kishte arritur të rrëmbente pallton e të dilte duke vrapuar nga apartamenti. Kishte trokitur në dyert e komshijve, por asnjeri s’kishte dashur ta fuste brenda. Kështu që kishte përfunduar në katin tim.

– Zonjë, – thashë unë, – s’ka asnjë dyshim që i dashuri juaj është ende duke ju kërkuar. Po sikur t’ju gjejë këtu? Unë nuk jam nga ata që mund të quhen kavalierë trimosha.

– S’do guxojë të bëj skandal, – tha ajo. – Ai është në liri të përkohshme. I dhashë fund një herë e mirë me të. Kini mëshirë, mos më zboni në mes të natës.

– Po si do të ktheheni në shtëpinë tuaj nesër në mëngjes? – e pyeta.

– S’e di, – tha ajo. – Gjithsesi jam aq e lodhur nga jeta e, megjithatë nuk dua që ai të më vrasë.

– E po mirë, unë s’mund të fle, –  thashë. – Shtrihuni në shtratin tim ndërsa unë po pushoj në këtë kolltuk.

– Jo, s’mundem. Ju s’jeni i ri dhe s’dukeni aq mirë me shëndet. Ju lutem, shtrihuni ju dhe lermëni mua të ulem aty.

Diskutuam kaq gjatë kështu sa, më në fund, vendosëm të shtrihemi në të njëjtin shtrat. “S’keni pse të trembeni, – e sigurova unë, jam plak dhe s’vlej asgjë për femrat”. U duk se ajo u bind plotësisht.

Ku e kisha fjalën? Ah, po, ja ku gjendesha sërisht në shtratin tim, me një konteshë, dashnori i së cilës mund ta shkallmonte derën nga çasti në çast! E mbulova atë dhe veten me dy mbulesat që kisha dhe s’mora mundimin ta ngrija pezhishkën time të zakonshme, me copa e me letra. Isha aq i përndezur sa e harrova të ftohtit. Veç kësaj, ndieja trupin e saj të puthitur krejt pas meje. Një ngrohtësi e çuditshme dilte prej atij trupi, krejt ndryshe nga të gjitha ato që kisha njohur më parë, apo ndoshta i kisha harruar të tjerat. Kundërshtari im mos po provonte kështu një taktikë të re? Këto vitet e fundit ai kishte hequr dorë së luajturi seriozisht me mua. E dini, ekziston ajo që quhet lojë shahu  humoristike. Më kanë thënë se Niemtevitshi u bënte shpesh shakara të tilla partnerëve të vet. Dikur Myrfi ishte i njohur si një fantazist shahu. “Goditje e bukur, i thashë kundërshtarit tim, një kryevepër”. Ndërkaq i kisha rënë më të se cili qe dashnori i saj. Isha kryqëzuar me të në shkallë, ishte një lloj gjiganti, me fytyrë vrasësi. Çfarë fund i lezetshëm për Zhak Kohnin: të vritej nga një Otello polonez.

Fillova të qesh dhe ajo bëri po ashtu. E përqafova dhe e shtrëngova fort pas vetes. Ajo nuk më kundërshtoi. Papritur, një mrekulli po ndodhte. Isha bërë përsëri burrë! Një herë, një të enjte në mbrëmje, u ndodha pranë një thertoreje, në një fshat të vogël dhe pashë atje se si një dem me një lopë u ndërzyen së bashku, para se të thereshin për sabbatin. Pse e pranoi kontesha ime këtë gjë, unë s’kam për ta ditur kurrë. Ndoshta për t’u hakmarrë me dashnorin e saj. Ajo më përqafoi dhe më murmuriti fjalë të ëmbla. Atëherë ne dëgjuam hapa të rëndë. Dikush i ra derës me grusht. Ajo u rrukullis nga shtrati në dysheme. Unë doja të recitoja lutjen e atyre që japin shpirt, por më vinte turp nga Zoti, –  dhe jo aq shumë nga Zoti sesa nga kundërshtari im ironik. Përse t’ia jepja atij këtë kënaqësi të tepërt? Sepse edhe melodrama ka caqet e veta.

Ai egërsira vazhdonte t’i binte portës sime dhe unë po habitesha sesi ajo s’po thyhej. Pastaj ai i dha ca shqelma. Porta kërciti, por nuk u dha. Isha i terrorizuar dhe në të njëjtën kohë nuk mund të ndalja një të qeshur me zë të ulët. Së fundi goditja pushoi. Otellua shkoi.

Të nesërmen në mëngjes çova byzylykun e konteshës te një dyqan i pengjeve. Me atë që ai më dha i bleva heroinës sime një fustan, një palë të brendshme dhe këpucë. Fustani nuk ishte në masën e saj, po kështu edhe këpucët, por ajo kishte nevojë vetëm të arrinte te një taksi, natyrisht me kusht që i dashuri mos ta përgjonte në shkallë. Për   çudi, burri u zhduk atë natë e nuk u shfaq më.

Para se të nisej ajo më përqafoi dhe m’u lut t’i telefonoja, por unë nuk jam budalla deri në atë shkallë. Siç thotë Talmudi: “Një mrekulli nuk ndodh çdo ditë”.

Dhe a e dini? Edhe pse fare i ri, Kafka ishte prehë i të njejtave frenime, që po helmojnë pleqërinë time. Ato e bllokonin atë në gjithçka që merrte përsipër të bënte: në dashuri, sikurse edhe në letërsi. Ai e dëshironte zjarrmisht dashurinë e megjithatë i ikte asaj. Ai shkruante një frazë dhe e shuante sakaq menjëherë. Oto Veiningeri ishte kështu. Edhe ai, i lojtur e gjenial njëkohësisht. E kam njohur në Vienë. Thoshte aforizma e paradokse pa fund. S’kam për ta harruar një nga ato frazat e preferuara të tij: “Nuk e ka krijuar Zoti tartabiqin”. Duhet ta njohësh Vienën për t’i kuptuar si duhet këto fjalë. E megjithatë kush e paska krijuar tartabiqin?

Ah, ja dhe Bambergu! Shiheni se si tundet, duke ecur mbi ato këmbët e tij të vogla, kufomë e gjallë që s’pranon të shkojë e të prehet në varr të vet. Mbase s’do ishte keq të krijohej një klub për kufomat e prekura nga pagjumësia. Përse zvarriset ai kështu çdo mbrëmje? Ç’të mirë do t’i bëjnë atij kabaretë? Ka vite që doktorët kanë hequr dorë prej tij, qysh në atë kohë që ishim ende në Berlin. Dhe kjo nuk e pengon të rrijë në Romsnisches Cafés e të flasë me kurvat deri më katër të mëngjesit. Një herë aktori Granat shpalli se do të jepte një mbrëmje tek ai. Ishte një orgji e vërtetë dhe, midis të tjerëve, ftoi edhe Bambergun. Granati i shkruajti çdo të ftuari që të merrte me vete një damë, gruan apo dhe një mikeshë. Por, meqenëse Bambergu nuk kishte as grua, as të dashur, pagoi një prostitutë që ta shoqëronte. Atij iu desh t’i blinte asaj një fustan mbrëmjeje për këtë rast. Të ftuarit përbëheshin kryesisht nga shkrimtarë, profesorë, filozofë dhe nga qylxhinjtë e zakonshëm intelektualë. Të gjithë kishin pasur të njejtën ide si Bambergu: kishin marrë me qira nga një prostitutë. Isha edhe unë atje. Shoqëroja një artiste të Pragës, që e njihja prej shumë kohësh. S’e keni parë kurrë Granatin?… Është një njeri i egër. Ai e pi konjakun sikur të pijë ujë dhe mund të hajë një omeletë me dhjetë vezë. Sapo të ftuarit ia mbërritën ai u zhvesh dhe filloi të kërcejë si i çmendur me putanat, vetëm e vetëm që t’i çudiste të ftuarit e tij të shquar. Pas një copë here filluan të diskutojnë për seksin. Shopenhauri ka thënë kështu, Nietzsche ka thënë ashtu. Për dikë që s’ishte atje, është e vështirë të përfytyrojë se deri në çfarë pike këta gjenij mund të bëheshin qesharakë. Mu  në mes të kësaj Bambergu u sëmur. U bë jeshil si një gjethe e nisën t’i shkojnë djersët. “Zhak, tha ai, kam marrë fund. Dua një vend të mirë për të vdekur”. Ai pati një krizë të veshkave a të fshikëzës së ujit të hollë. Unë mezi e mbajta deri në rrugë dhe pastaj e çova në spital… Meqë ra fjala, a mund të më huani një zloti?

– Dy.

– Çfarë? Mos kini vjedhur gjë Bankën e Polonisë?

– Shita një novelë.

– Urime. Hajde hamë bashkë. Do të jeni i ftuari im.

Gjatë kohës që hanim darkë Bambergu erdhi në tryezën tonë. Ishte një burrë i shkurtër, i hequr në fytyrë, si nga veremi, i kërrusur i tëri dhe me këmbë të shtrembëra. Kishte mbathur këpucë llustrine dhe gjunjake. Mbi kafkën e tij majuce preheshin ca flokë gri. Njërin sy e kishte më të madh se tjetrin, të kuq, të kërcyer, si të tmerruar nga ajo që shihte. Ai u përkul mbi tryezën tonë e tha duke kakarisur si ndonjë pulë: “Zhak, kam lexuar dje “Kështjellën” e Kafkës tënd. Interesant, shumë interesant, po ku do të dalë? Është shumë e gjatë për të qenë një ëndërr. Alegoritë duhet  të jenë të shkurtëra”.

Zhak Kohni nxitoi të kapërdinte atë çka po hante.

– Uluni, – tha ai. – Një mjeshtër nuk ka nevojë të ndjekë rregullat.

– Ka rregulla që edhe mjeshtri duhet t’i ndjekë. Asnjë roman s’duhet të jetë më i gjatë se “Lufta dhe paqja”. Madje edhe “Lufta dhe paqja” është shumë i gjatë. Nëse Bibla do kishte qenë tetëmbëdhjetë volume do të ishte harruar prej kohësh.

– Talmudi është tridhjetetre volume dhe çifutët nuk e kanë harruar.

– Çifutët mbajnë mend shumë. Kjo është fatkeqësia jonë. Ja,  ka dymijë vjet që na zbuan nga Toka e Shenjtë e tani ne përpiqemi të kthehemi prapë atje. Është marrëzi, apo jo? Sikur letërsia jonë ta pasqyronte këtë marrëzi ajo do të ishte e mrekullueshme. Po letërsia jonë është e arsyeshme deri në atë farë pike sa të shqetëson vërtetë. Mirë, mjaft me këto.

Bambergu ngriti trupin duke rrudhur ballin nga mundimi. Pastaj u largua nga tryeza jonë me hapa te vogla, që i tërhiqte zvarrë. Ai u drejtua nga gramafoni dhe vuri aty një disk vallëzimi. Gjithë Klubi i Shkrimtarëve e dinte që ai s’kishte shkruar asnjë rradhë prej vitesh. Në pleqëri po mësonte të vallëzonte, i ndikuar nga filozofia e mikut të tij, doktor Mitzkinit, autorit të “Entropisë së arsyes”. Në këtë libër doktor Mitzkini mundohej të provonte që intelekti njerëzor është në falimentim të plotë e që nuk  mund të arrihej mençuria e vërtetë veçse në sajë të pasionit.

Zhak Kohni tundi kryet. 

– Një biçim nën-Hamleti, do të thoshja. Kafka kishte frikë mos bëhej një Bamberg  ndaj dhe u vetshkatërrua me dashje.

– Po kontesha nuk ju telefonoi asnjëherë? – pyeta unë.

Zhak Kohni nxori monoklin e vet nga xhepi dhe e vuri në sy.

– E sikur vërtet ta bënte? Në jetën time gjithçka shndërrohet në fjalë, fjalë. Në fakt kjo është edhe filozofia e doktor Mitzkinit. Njeriu përfundon në një makinë fjalësh. Ai do të hajë fjalë, do të pijë fjalë, do të martohet me fjalë, do të helmohet me to. Veç kësaj, doktor Mitzkini merrte pjesë në orgjinë që u bë te Granati. Erdhi të vinte në praktikë atë që predikonte, por gjithsesi ai do të kishte mundur ta shkruante fare mirë “Entropinë e arsyes” edhe pa të. Po, kontesha më telefonon herë pas here. Ajo gjithashtu është një intelektuale, por një intelektuale pa intelekt. Me thënë të drejtën, edhe pse gratë bëjnë çmos për të treguar hiret e trupit të tyre, ato dinë aq pak për domethënien e seksit, sa ç’dinë dhe për intelektin.

Ja, le të marrim zonjën Tssissik. Ç’kishte ajo veç trupit të saj? Po hajde e pyete atë të të thotë se ç’është  në të vërtetë një trup. Sot ajo është bërë një llahtarë por, kur ishte artiste, në periudhën e Pragës, i kishte mbetur ende diçka. Unë isha partneri i saj kryesor. Ajo kishte një çikë talent. Ne shkuam në Pragë për të fituar ca para dhe gjetëm një gjeni që na priste: Homo sapiens në kulmin e vetpersekutimit të tij. Kafka  donte të ishte çifut, por nuk dinte se si. Ai donte të jetonte por edhe këtë s’dinte si ta bënte. “Franz, i thashë një ditë, ju jeni i ri. Bëni atë që bëjnë të gjithë”. Njihja një bordell në Pragë dhe e binda të vinte me mua. Ai ishte ende i virgjër. Parapëlqej të mos e zë në gojë vajzën  me të cilën ai qe fejuar. Ai ishte i zhytur deri në grykë në baltën e borgjezisë. Çifutët e rrethit të tij kishin një ideal : të bëheshin të krishterë, jo çekë, por të krishterë gjermanë. Shkurt e binda që ai ta  provonte aventurën. E shoqërova gjer në një rrugicë të errët të getos së vjetër. Bordelli ishte atje. Ne ngjitëm shkallët. Unë hapa derën dhe ajo që na doli përpara i ngjante një dekori teatri: putanat, kodoshët, klientët, madama. Nuk do ta harroj kurrë këtë çast. Kafka nisi të dridhej dhe më tërhoqi nga mënga. Pastaj ai bëri një gjysmë rrethi dhe zbriti shkallët me aq shpejtësi saqë u tremba se mos thyente ndonjë këmbë. Sapo doli në rrugë nisi të vjellë si ndonjë shkollar. Në kthim shkuam në një sinagogë të vjetër dhe Kafka filloi të flasë për Golemin. Kafka  besonte në Golemin, madje që edhe e ardhmja mund të kishte një tjetër. Duhej të ekzistonin fjalë magjike për të transformuar një grusht argjil në një qenie njerëzore. Sipas kabbalit, a nuk e krijoi Zoti botën duke thënë fjalë të shenjta? Në fillim ishte Fjala.

Po, e gjitha kjo s’është veçse një pjesë e asaj lojës së shahut. Gjithë jetën unë kam patur frikë nga vdekja, por ja, tani që jam në buzë të varrit s’kam më frikë. Është e qartë, partneri im do që kjo lojë të jetë e gjatë. Ai m’i fiton gurët njerin pas tjetrit. Në fillim më hoqi aftësitë e mia prej aktori dhe më shndërroi në një pseudoshkrimtar. S’kishte mbaruar ende me këto, kur më dha ngërçin e shkrimtarit. Goditja e fundit qe ajo kur më bëri të paaftë si burrë.  Megjithatë unë e di se ai është ende larg për të më bërë shah e mat, e kjo më jep forcë. Bën ftohtë në dhomën time? Le të bëjë. S’kam ç’të ha për darkë? Le të mos kem, s’kam për të vdekur. Ai më prish punë, por ama edhe unë i prish punë atij. Ca kohë më parë po kthehesha në shtëpi natën vonë. Ishte një ngricë që çante gurin. Papritur vura re se kisha humbur çelësin. Zgjova portierin, por ai nuk kishte kopje të dytë të çelësit tim. Qelbej era vodkë dhe qeni i tij më kafshoi në këmbë. Të më ndodhte një gjë e tillë më parë do të isha dëshpëruar, por këtë herë i thashë kundërshtarit tim: “Nëse ti do që të më zejë ndonjë  pleumoni mua aq më bën”. E lashë shtëpinë dhe vendosa të shkoj në stacionin e trenit të  Vienës. Era pothuajse po më ngrinte përpjetë. Në këtë orë të vonë do të më duhej të prisja tramvajin  të paktën tre çerek ore. Kur po kaloja përpara Sindikatave të aktorëve pashë dritë në një dritare. Vendosa të  hyj. Mbase  e kaloja natën aty. Në shkallë këmba më ndeshi me diçka që lëshoi një gërvimë metalike. U ula dhe mora çelësat. Ishin çelësat e mi! Kisha një për miliard shansin që të gjeja çelësin në errësirë, në shkallët e kësaj ndërtese, por mund të them se partnerin tim e zuri frika se mos unë i mbetesha në dorë para se ai vetë të përgatitej për këtë gjë. Fatalizëm? Quajeni fatalizëm po ju deshi qejfi.

Zhak Kohni u ngrit dhe kërkoi leje për të bërë një telefonatë. Unë qëndrova atje ku isha, duke ndjekur me sy Bambergun që vallëzonte me këmbët e tij të pasigurta, me një grua të letrave. Ai i kishte mbyllur sytë dhe kokën e kishte mbështetur  mbi gjoksin e damës së vet, si mbi një jastëk. Dukej sikur flinte e vallëzonte njëkohësisht. Zhak Kohni mungoi për një kohë të gjatë, shumë më tepër se ç’do të duhej për të bërë një  telefonatë të zakonshme. Kur erdhi më në fund monokli i vezullonte në sy.

– E merrni me mend se kush është në sallën tjetër? – tha ai. – Zonja Tssissik, dashuria e madhe e Kafkës.

– Vërtet?

– I fola për ju. Hajdeni, dua t’ju njoh me të.

– Jo.

– Pse jo? Ia vlen barra qeranë të takoni një grua që Kafka e ka dashur.

– Nuk më intereson.

– Ju jeni i drojtur, ja e vërteta. Kafka gjithashtu ishte i drojtur, i drojtur si një nxënës i Jeshivas. Unë për vete s’kam qenë kurrë i tillë dhe ndoshta është kjo arsyeja që s’ia kam dalë dot kurrë për asgjë. I dashur miku im, më duhen edhe njëzetë groshë për portierët, dhjetë për këtë të këtushmin e dhjetë për atë të banesës sime. Pa para unë s’mund të  kthehem në shtëpi.

Nxora pak monedha nga xhepi dhe ia dhashë.

– Gjithë këto?… Me siguri ju keni grabitur ndonjë bankë sot. Dyzetegjashtë groshë! As më pak e as më shumë. Eh, sikur të kishte një Zot, ai do t’ua shpërblente këtë një ditë. E sikur të mos kishte, kush tjetër do t’ia kurdiste gjithë këto rengje Zhak Kohnit?

përktheu Helena Kadare

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Letra e parë e Kurt Vonnegut-it për familjen pas daljes nga burgu

29 maj, 1945 Të dashurit e mi, Më treguan se ndoshta s’ju kanë informuar kurrë se...

Mira Meksi: Gurëthemelet historike të një romani

Përherë kam dëshiruar të shkruaj një roman për Teutën e Ilirisë. Fillesat kanë qenë prej një pasioni të hershëm të fëmijërisë për...

“Kisha e Shën Sofisë”, tregim nga Ismail Kadare

I Vezirët po zgjoheshin njëri pas tjetrit. Meqenëse asnjë­herë nuk ishin gdhirë aq pranë (shatorrja e ministrit të Luftës...

Njëzet e një mjeshtra për procesin krijues

1. Cilat janë kërkesat e zejtarisë së romanit? Bernard Clavel “Të jesh romancier, nuk do...

KATEGORITË