Kreu Intervista Një intervistë gati e pamundur me profesor Eqrem Çabejn

Një intervistë gati e pamundur me profesor Eqrem Çabejn

Përgatiti Bashkim Kuçuku

Puna e redaktorit në gazetën Drita  më detyroi t’i marr intervistë atij që nuk do të më shkonte mendja kurrë, pa le të guxoja, Profesor Eqrem Çabejit, për të cilën janë shkruar këto radhë, si dhe për fisnikërinë e pazëshme të Profesor Mahir Domit.

Ka qenë gusht. Më kujtohen lëvizjet nëpër vapë për të gjeturlëndën e numrit vijues.

E vetmja mundësi nga mund ta kapnim profesorin ishte vepra e tij Studime etimologjike në fushë të shqipes, që kishte filluar ta botonte Akademia e Shencave.

 Fillova të vrisja mendjen, duke qenë i bindur, se ishte e pamundur. Brezi ynë nuk pati fatin të dëgjonte ligjëratat e tij. Dy-tre vjet para nesh nuk dha më mësim në universitet. Duke qenë student, kam ndjekur një ligjëratë të tij tepër mbreselënëse për etimologjinë e shqipes para profesorëve të fushave të ndryshme, në sallën e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

 Në redaksi nuk e kisha parë ndonjëherë të vinte. Edhe në ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, ku ishte edhe redaksia, e shihje me raste të veçanta, kur ishte i detyruar të vinte për respekt të problemit, ose, të jubilarit. Një shkrim, që kishte botuar te Drita me titullin Një njëqindvjetor, kushtuar në mos gabofsha, albanologut Norbert Joklit, e kishte sjellë sekretarja e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Me që më ishte ngarkuar mua ta lexoja dhe ta përcillja te kryeredaktori, -lënda në daktiloshkrim pa asnjë gabim teknik, fletët të lidhura, mbështjellë në zarf, me adresën e gazetës Drita, duke m’u kujtuar më trembnin edhe më, sepse kishin krijuar tek unë përfytyrimin e një përkore të madhe.

– Sidoqoftë, – thashë, – të bëj timen! E para, të marr vesh, se ç’natyrë ka profesori. Nga larg e me të dëgjuar e dinim, se ishte tërësisht i përqëndruar te puna e vet shkencore, në Tiranë, e gjetiu lëvizte pak, miqtë e shokët i kishte të përzgjedhur, edhe për arsye të moshës, por edhe sipas kodit etik të dikurshëm.Për të ditur konkretisht dhe nga burime të sigurta për natyrën e tij,bisedova me studiuesin Jorgo Bulo, shef i sektorit të studimeve letrare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, që punonte në të njëjtën ndërtesë me profesorin.

– Pak e çuditshme, kjo kërkesë, – më tha Jorgoja. – Eqrem Çabej, gazeta dhe intervista janë të kundërta me njëra tjetrën. Megjithatë, ti provoje. Po t’u përgjigj, do jetë një gjë e rrallë. Bisedoje me Seit Mansakun, atë ka ndihmësin kryesor. Po e mori ai përsipër, edhe mundet.

 Seiti nuk e mori përsipër.

– Profesori është natyrë e vështirë për një punë të tillë. Nuk i them dot.

 Më mbeti të përballesha vetë. Duke e ditur se e kishte drojën e zyrave qeveritare, më erdhi një ide. Do t’i them e kemi porosi nga lart, që nënkuptonte Komitetin Qëndror të Partisë, përkatësisht Drejtorinë e Shtypit e të Propagandës. Me këtë pranonte të përgjgjej kushdo, sado “i vështirë” të ishte.

Me të vetmin çelës, dhe frikë se mos më nxirrte edhe jashtë, trokita në derën e zyrës ku punonte. Zyra ishte shumë e vogël, ngjitur me zyrën e drejtorit,

Androkli Kostallari. Ulur si i ngucur, në një tryezë edhe ajo shumë e vogël, dhe vet profesori i imët, më pa habitshëm, se si hyri një i panjohur, që nuk ishte punonjës i institutit. Pas përshëndetjes dhe të falurit të tepruar, që po i kërkoja për shqetësimin, ndiqte me shpërfillje fjalët e mia: gazeta, kërkesat e lexuesit, dëshira e redaksisë, porosia e kryeredaktorit, etj. Kur i zura në gojë intervistën, nuk di, ndoshta, i jam dukur “i lajthitur.”

– Ç’lidhje kanë këto me mua? – ma preu.

M’u desh t’ia përsërisja ato shkurtimisht, të cilat mezi filloi t’i dëgjonte.

– Unë s’jam për intervista. S’kam dhënë ndonjëherë. Shkonite ndonjë koleg. Mos më shqetësoni, që, e kthyer në shqip, do të thoshte, tani shko, në mos, mbathja.

Në pikën më kritike u tregova këmbëngulës.

– Ju kërkoj, vërtet, ndjesë, por më kuptoni përse po ngul këmbë. Vij me porosi të kryeredaktorit. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve ka kritikuar redaksinë “Pse nuk ju ka marrë juve intervistë,sidomos tani që ka dalë vepra madhore ”Studime etimologjike në fushë të shqipes?” ” Ky është quajtur faj i redaksisë.

– Kryesia e Lidhjes ka punët e veta, – ma ktheu.

– Më vjen keq që jam i detyruar t’ua shpjegoj, pasi nuk jam i autorizuar. Kritika ka ardhur nga lart, “Pse e mënjanoni profesorin?” Prandaj,ju shqetësoj. Ndryshe nuk do të guxoja të trokisja në derë.

– Mendon, se është kaq e ngatërruar, një gjë e thjeshtë?

– Nuk di më tej. Pa këtë barrë nuk do të vija.

– Kam punët e mia. Nuk shkëputem dot. …Më duhet ta mendoj.

Dhe, pas pak.

– Si bëhet kjo punë?

Nga « thyerja » e tij, mora kurajë. Fjalët më vinin me vrull, por i pengoja. Fola sa më shkurt, se mos mërzitej dhe ndërronte mendim.

– Është fare e thjeshtë, profesor. Me mundësitë e mia modeste, Me që kam mbaruar për gjuhë shqipe dhe letërsi, do të përpiqem të formuloj disa pyetje.

– Të shikoj pyetjet, pa ju jap përgjigje.

Me mirësjellje të përunjur, nuk dija si ta falenderoja.

Përsëri te Seiti, i cili u habit nga përgjigja e tij.

– Kam frikë se do ta kthejë fjalën. Mos e ka bërë për të më hequr qafe?

– Jo. Po të ka thënë kështu, do të përgjigjet. Fjalën nuk e shkel kurrë.

– Tani është radha jote, do të më ndihmosh për pyetjet.

– A, jo, është e pamundur. Sikur ta marrë vesh që unë të bëj pyetjet, unë nuk punoj dot më me të. Ai është i prerë. Këtë e quan pabesi dhe nuk ia fal askujt.

– Si të veproj?

– Për këtë vetëm profesor Mahiri mund të të ndihmojë, nëse pranon. Atë e ka mikun më të ngushtë.I a njeh natyrën. Po pati guximin…?!

 Me profesor Mahirin ishte më e lehtë. Më dëgjoi me vëmendje. Edhe atij i pëlqente që gjuhëtari më i njohur, i mbyllur në punën e vet, të komunikonte, qoftë edhe një herë, drejtpërdrejt me lexuesin.

– Po më vë në vështirësi! Mirë është të japë një intervistë, edhe për gjuhësinë, edhe për atë vetë, edhe për lexuesin. Këtu nuk bisedojmë dot, sepse, po e mori vesh, nuk di si t’i përgjigjem. Mik e kam, po ai ka rregullat e tij, të cilat unë ia respektoj gjithmonë. Do të lëmë një takim. Këtu, në zyrë, ju lutem, mos të vini më, sepse mund t’ju shikojë ose ta marrë vesh.

I mirësjellshëm me të gjithë, i gatshëm për të ndihmuar dhe i përpiktë, me profesor Mahirin u takuam te Kafja e Pallatit të Kulturës në katin e tretë.

– E para e punës, – më tha, – do të më jepni fjalën, se nuk do ta marrë vesh njeri, që pyetjet po i bëjmë bashkë. Po më dhatë besën, do t’ju ndihmoj.

Pasi e sigurova për këtë, më këshilloi të formuloja idetë e mia, se çfarë kërkoja, për t’i mbushur me lëndën përkatëse dhe t’i përpunonte shkencërisht. Megjithë ngurrimin tim, të cilin i a shpreha, se mos shkruaja vulgaritete, i formulova. Në takimin tjetër, po në të njëjtin vend, profesori i solli pyetjet në daktiloshkrim. Më rikujtoi besën, që duhet të mbaja dhe mos të shkelja në zyrën e tij.

 Afër mesdite, në po atë zyrë të ngucur, i dhashë pyetjet. Ai i ulur, unë në këmbë, sepse nuk kishte karrige tjetër. Me që isha në këmbë, e vëreja në mimikë pa më kuptuar. Nga leximi shpërfillës, sikur kaloi në një lloj habie dhe dyshimi të pavetëdijshëm, në se i kisha formuluar unë. Leximi mbaroi vëmendshëm. Më vërejti me mosbesim në thellësi, të pangritur në sipërfaqe.

– Mirë, do të mendohem.

– Ju lutem, kur mund t’ju shqetësoj në telefon?

– Këtu, mos më shqetësoni më. Më keni humbur shumë kohë. Më keni prishur punë.

– Mund t’ju marr në shtëpi? Mjafton të më thoni, në cilën orë nuk ju shqetësoj.

Më caktoi rreth orës 17.00, pasi binte zhegu, ose, ndoshta, çohej nga pushimi i drekës.

 Pritja në telefon, edhe pse i thashë me tërë mirësjellje se kush isha, qe befasuese:

– Ju lutem, kush jeni ju që më shqetësoni? Kush ju jep të drejtë të telefononi dhe të kërkoni llogari……?!

Mendova, se do të kishte harruar edhe bisedën, edhe atë që kishte marrë përsipër. U tërhoqa qetësisht, duke i sqaruar:

– Më keni dhënë leje t’ju telefonoj në ditën dhe në orën, që ju mora.

Vazhdoi në të tijën, që nuk kisha të drejtë ta shqetësoja.

Mbeta në pritje. Një ditë qëlluam ballë për ballë tek

Pallati i Kulturës, tek hyrja e sotme për në Bibliotekën Kombëtare.

Edhe ai u drejtua nga unë. Më i përmbajtur, ndonëse, me një lloj mllefi ndaj “padrejtësisë” që i kisha bërë, më shpjegoi se kishte të drejtë. U zura ngushtë. Nuk dija si t’ja ktheja. Nuk doja as ta lëndoja, as ta kundërshtoja.

– Ju kërkoj ndjesë që ju kam shqetësuar! Ndoshta, nuk ishte ora e përshtatëshme. Mund të më lini një orë tjetër.

– Si guxoni ju, të telefononi në shtëpi?

– Më falni, profesor, por më keni dhënë ju leje, t’ju telefonoj. Ndyshe, si mund t’ju merrja?

– Është e vërtetë që ju kam dhënë leje?

– Po, më keni dhënë edhe numrin e telefonit.

Mbeti.

– Në është kështu, ju kërkoj ndjesë.

– S’ka gjë. Unë ju kërkoj ndjesë!

 U takuam dy herë tek një kafe e vogël, e pastër, ngjitur dhe para se të hyje tek restorant “Peshku”, në krye të rrugës “Abdi Toptani”, aty ku takohet me rrugën që vjen nga Sahati dhe vazhdon për në Rrugën e Elbasanit, më tej kullës së sotme e ngjashme me një piramidë kokëposhtë. Në atë kafe, ku kthehej me ndonjë mik, sepse, sikurse më sqaroi, “bënin kafe të mirë, ishte qetë, dhe nuk humbje kohë, se ishte në këmbë.” Në të dy takimet patëm biseda të lira për punët studimore letrare, universitetin, gazetën letrare, për të cilat ishte i interesuar të dinte diçka.

Në bisedën e zakonshme, nga je, përse ke kryer studimet etj.,vendlindja Konispol dhe mbiemri im i tërhoqën vëmendjen:

– Familja, fisi juaj ka lidhje me Muhamet Çamin?

Kur dëgjoi se isha nga ai fis, pyeti:

– Më vjen mirë. Po ç’studime ke bërë për veprën e Muhamet Çamit?

– Nuk kam bërë, – iu përgjigja, duke ngritur supet.

Në ato vite Muhamet Çami dhe vepra e tij, pas luftës së madhe kundër fesë dhe institucioneve fetare, ishte hequr nga Antologjitë dhe tekstet shkollore. Diku, me disa rreshta kritikohej se ishte përfaqësuesi tipik i përhapjes së besimit islam. Për mua nuk ishte vetëm kjo arsyeja përse nuk kisha punuar me të. Më tërhiqte fort letërsia bashkëkohore, njohjet, debatet me shkrimtarë dhe kritikë, ndonëse debate nuk kishte. Ato i kishte mbuluar miqësia e “mirëkuptimit” me të gjithë, bisedat e kafeneve dhe shkrimet e censuruara.

– Po punimin e diplomës, nuk e keni bërë për veprën e tij?

– Jo.

– Kjo është keq për ti! Si ka mundësi mos të interesohesh për veprën e tij, që është në çamërisht, një nga vlerat e mëdha të gjuhës shqipe?! Ti, do të ishe i pari që do të interesoheshe.

Qortimi këmbëngulës më vuri në pozitë për të arsyetuar në ndonjë mënyrë, që deri atëherë nuk më kishte shkuar ndër mend.

– Është e vështirë, profesor. Të them të drejtën, është jashtë mundësive të mia.

– Pse?

– Më duhet medoemos të njoh, apo, të kem të dhëna për letërsinë arabe.

– Të lexosh.

– Që të lexoj, më duhet të di arabisht.

– Do ta mësosh. Do t’i hysh dhe do ta mësosh.

Foli sikur mësimi i arabishtes të ishte fare i thjeshtë dhe të kryhej për një kohë të shkurtër.

– Arabishtja, larg shqipes, është e vështirë.

– Nuk ka gjuhë të vështirë. Edhe arabishtja është një gjuhë si të tjerat. Sa studiues e mësojnë në botë!

– Më duket, se nuk shkon. Unë një pasardhës të shkruaj për paraardhësin tim. Ngjan se dua të ngre veten.

 – Kjo, nuk shkon. Unë të them studioje, jo lavdëroje. Ti je studiues.

– Të paktën, kështu, kam menduar.

– Të të shpjegoj, pse e ke gabim. Çdo njeri punën e fillon nga prejardhja e tij. E njeh prejardhjen e tij, njeh dhe të tjerët me të. Pastaj vazhdon me shkrimtarë të tjerë. Po ta them si mik, sepse e kam bindjen të tillë. Çdo njeri, që nuk niset nga e tija, nga ajo që njeh dhe e ka për detyrë, nuk mund t’i shkojnë punët mirë. Edhe ti nuk kanë për të shkuar punët mirë, derisa ta kryesh këtë detyrim. Mos të të vijë keq dhe mbaje mend!

Më vonë kam menduar, edhe sot, them: “Mos ka dashur me këmbënguljen e tij të më bindte të studioja një traditë, që, nënvleftësohej e hidhej poshtë, dhe, që brezi i ri po largohej prej saj?”

Këtë refren nuk harronte të ma kujtonte, madje dhe me një lloj ironie, në të tria herët që u takuam në kafe, dhe kur shiheshim diku rastësisht.

– Gëzohem, profesor, që ju shikoj. Punët, besoj, ju shkojnë mirë.

– Mua mirë më shkojnë. Po ti nuk i ke mirë. Kur të më thuash që ke filluar studimin për Muhamet Çamin, atëherë do të shkojnë mirë.

 Intervistën e mora në zyrën e vogël të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Pata përshtypjen se shpëtoi nga një barrë e madhe. Megjithatë, duhej dhe fotografia.

– Më falni, profesor, edhe një bezdi të fundit.

Më pa me vëmendje.

– Është e domosdoshme një fotografi!

– Fotografi nuk kam.

– S’ka gjë. Vjen fotografi i gazetës në zyrën tuaj.

– E kam të vështirë fotografinë. E lëmë me kaq, – tha si me lutje.

– S’kam ç’bëj, është rregull. Intervista shoqërohet me fotografinë e të intervistuarit. Vetëm thoni ditën dhe orën, që e keni për mbarë.

Fotografi i gazetës, Fatos Maliqi, i bëri disa foto. Njërën, më të njohurën, e kam parë të botuar në faqet e shtypit të asaj kohe. Vite më vonë, kur m’u desh një foto e tij për revistën Universi Shqiptar i Librit (1997/3), për të shoqëruar shkrimin e Prof. Seit Mansakut për Studime etimologjike në fushë të shqipes IV, kërkova në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, tek punonjësi i Arkivit. Ai më dha një prej atyre fotove, e cila nuk ishte dhe aq e qëlluar, prandaj, i thashë të më jepte një tjetër. Më tregoi katër-pesë. Ishin të atij momenti.

– Të tjera s’kemi, – më sqaroi.

Më erdhi keq. Një institut shtetëror, të mos kishte një dosje sosh për gjuhëtarin më të madh, ishte edhe e pabesueshme, edhe revoltuese. Meqenëse nuk kishte të tjera, në shenjë ndëshkimi, nuk e ktheva as atë.

 Takimin për t’i dhënë disa kopje të gazetës me intervistën e botuar, e la te kafja e Hotel Dajtit, e paracaktuar për të huajt, shoqëruesit shqiptarë, sigurimsat dhe disa personalitete të rralla të letërsisë e shkencave, prej të cilëve nuk mund të përjashtohej Eqrem Çabej. Mbaj mend se kisha hyrë nja dy herë për të takuar shkrimtarin Shefqet Musaraj, i cili aty pinte kafen dhe shkruante. Nën hijen e tij nuk ngjallje dyshim.

Erdhi me përpikmëri minutash, me xhaketën verore që e mbante gjithmonë, veshur ose hedhur krahëve si burrat e qëmoçëm. Nga sjelljet dukej se ishte i familjarizuar me mjedisin, banakieren dhe kamarierin. Edhe ata silleshim si me të shtëpisë. Kafen tek banaku e porositi vetë. U ulëm diku nga mezi i sallës së madhe anash, në sfondin e së cilës ishin nja dy dyshe të huajsh në bisedat e tyre. Sjellja e përzemërt shprehte një lloj kënaqësie. Për intervistën nuk tha tjetër, veç falenderimit. Gazetën nuk e hapi. Mund ta kishte marrë më parë. Kënaqësinë e tij e ndieja edhe në bisedën e zgjatur, gjysmë, apo, tre çerek ore, një kohë e tepruar për të. Më vjen keq që nuk mbaj mend se çfarë biseduam. Afërsisht u vërtitëm tek temat e mëparshme. Kafen e pagoi ai. Këmbënguljen time e shpërfilli pa kundërshtime gojore, duke iu drejtuar me ton autoritar kamerierit, që mua nuk më linte shteg.

 Me rastin e botimit të këtyre intervistave, prej të cilave nuk mund të lija jashtë atë të Profesor Eqrem Çabejit, mbase, e vetmja e tij, dhe ndihmesën e profesor Mahir Domit, tanimë, pas afro tridhjetë e pesë vjetëve, që fjala e dhënë nuk prish punë, po e them të vërtetën e historisë së paharrueshme për mua, në shenjë nderimi për të dy gjuhëtarët e mëdhenj, që shquheshin edhe për mirësjellje e fisnikëri, secili sipas etikës së vet.

                                                         Tiranë, korrik 2013


NJËSIA GJUHËSORE PASQYRON NJË NJËSI KULTURE

Tri pyetje Prof. Eqrem Çabejit
rreth Studimeve etimologjike në fushë të shqipes

Drita, 9 shtator 1979

Studiuesit dhe publiku ynë para ca kohësh patën në dorë veprën tuaj Studime etimologjike në fushë të shqipes, vëllimi i dytë. Ne mësuam se së shpejti Ju do të dërgoni në shtyp vëllimet 1 dhe 3 të kësaj vepre madhore me aq rëndësi për historinë e gjuhës dhe të kulturës sonë në përgjithësi. A mund të na thoni dy fjalë lidhur me përmasat e kësaj vepre dhe strukturën e saj? 

 Sikundër e thoni edhe Ju vetë, nga vepra Studime etimologjike në fushë të shqipes, që po botohet nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë sonë të Shkencave, në vitin 1976 ka dalë vëllimi i dytë, që përmban fjalët e shkronjave A e B dhe që është pajisur edhe me një përmbledhje fjalësh frëngjisht e me indekse fjalësh. Kam dorëzuar para disa kohëve vëllimin e parë edhe të tretin. I pari, Hyrja e gjithë veprës, përmban, shqip e me përkthim tërësor frëngjisht, parimet dhe metodën e ndjekur në gjurmimin etimologjik të elementëve që përbëjnë pasurinë leksikore të gjuhës.

Aty jam nisur nga vetë lënda e shqipes, duke i vështruar çështjet, që dalin në atë mes, nga rrethanat e brendshme të gjuhës: me bindjen që objekti, e me të bashkë dhe materiali, përcakton shpeshherë edhe metodën e punës. Ky vëllim, i cili përmban dhe shkurtimet bibliografike të caktuara prej meje gjatë punës, si edhe indekset e fjalëve, ka marrë formën përfundimtare dhe është gati për shtyp.

Parimet dhe metoda e punës, të parashtruara në Hyrje, shfaqen në mënyrë konkrete në vëllimet e gjithë serisë, si në atë që është botuar si në vëllimet që do të ndjekin në të ardhmen. Nga ato, vëllimi i tretë, që, si u tha, edhe ky është dorëzuar prej meje, përmban fjalët e shkronjave C, Ç, D, DH, përveç përmbledhjeve frëngjisht dheindekseve të fjalëve. Struktura e veprës është e tillë, që mbarë vepra mendohet të përfshijë disa vëllime, pas parashikimeve rreth tetë e mbase edhe ndonjë më shumë. Mënyra e paraqitjes së lëndës do të jetë e njëjta në të gjitha vëllimet.

  Lexuesit e vëllimit 2 Studime etimologjike në fushë të shqipeskanë vënë re se duke u mbështetur në një konceptim të gjerë, të ri tëstudimeve etimologjike, janë arritur rezultate me rëndësi në fushëne studimeve të gjuhës e të kulturës sonë. A mund të na thoni diçkapër këto koncepte dhe parime shkencore që janë vënë në bazë të studimeve etimologjike dhe për mundësitë që kanë krijuar ato për të arritur në sqarime dhe zgjidhje të reja të burimit dhe të historisë së fjalëve të gjuhës sonë?

 U përmendën më sipër objekti, materiali, parimet e metoda e punës që ndiqet në këtë fushë studimesh. Këto, si u tha, janë të lidhura dhe kushtëzohen në mes të tyre. Dihet lashtërisht që etimologjia është dija që studion burimin e fjalëve. Në konceptin modern të zbatuar në këtë lëmë kërkimesh etimologjia ndërkaq përfshin një fushë më të hapët. Ajo duhet të rrokë historinë e elementeve përbërëse të leksikut të gjuhës në vështrimin më të gjerë të asaj fjale. Shtrohet detyra të ndiqet filli i jetës së fjalëve, fatet dhe zhvillimi i tyre në hapësirë e në kohë. Aty ndërkaq do pasur përherë parasysh që fjalët e një gjuhe nuk kanë ekzistuar e nuk ekzistojnë kurrë në vetvete.

Në të vërtetë janë njerëzit që e kanë folur e që e flasin gjuhën e që kanë përdorur e përdorin fjalët e sistemit të saj. Kështu elementet leksikore, fjalët, nuk mund të merren të shkëputura nga shoqëria dhe nga kushtet e saj ekonomike e kulturore. Duke i shikuar këto të gjitha – ashtu si edhe duhet – nga këndi i vështrimit të rrethanave vetjake të gjuhës shqipe, kërkimet etimologjike dhe rezultatet e tyre marrin një rëndësi të veçantë përbrenda gjuhësisë dhe përgjithësisht brenda lëmit të shkencave shoqërore. Dihet se shqipja ndër gjuhët motra të Evropës është e dokumentuar me shkrim relativisht vonë, në gjendjen e sotme të njohurive tona me këta pesë shekujt e fundit e këtej. Dihet më anë tjetër që ajo paraqet një ndër gjuhët e lashta të kontinentit. Këtë realitet të dyfishtë duhet ta kenë parasysh historia gjuhësore përgjithësisht dhe përbrenda saj etimologjia në veçanti dhe t’i përgjigjen në mënyrë shkencore objektive. Kjo vlen si në konceptimin, në rrokjen e kësaj problematike në përgjithësi si në punë të zbatimit të saj në gjurmimet etimologjike të gjuhës. Aty e ka burimin dhe metoda e punës, e cila, si u tha, kushtëzohet dhe nga objekti e nga materiali. Aty, për t’u ngjitur në disa shkallë më të moçme të gjuhës, ndihmojnë kryesisht dy lloj burimesh gjuhësore.

Më një anë janë përmendoret e vjetra të shkrimit, duke nisur nga ato të epokës kastriotiane e duke zbritur në kohë. Më anë tjetër është lënda e gjallë e gjuhës sot dhe e dialekteve të saj, brenda trojeve ku flitet shqipja dhe nëpër ngulimet e përhapura brenda e jashtë

Gadishullit Ballkanik. Kjo lëndë gjuhësore, ndonëse nuk është mbledhur ende tërësisht, paraqitet në ditë tona shumë më e pasur nga sa dihej sot e një shekull më parë. Ky rezultat është arritur kryesisht me punën e palodhur të shqiptarëve vetë në Shqipëri dhe nëpër viset e ndryshme ku flitet shqipja. Letrarë, arsimtarë e dashamirë të tjerë të gjuhës amtare kanë punuar, në kohët e kaluara, me vetëmohim, e shpeshherë në kushte të vështira, në mbledhjen e dokumentimin me shkrim të lëndës gjuhësore. Një punë më e thelluar, më sistematike, e me kritere shkencore më të shëndosha, është kryer e vazhdon të kryhet tek ne në epokën e Pasçlirimit nën kujdesin e pareshtur të Partisë. Krahas me këtë punë ka shkuar e po shkon dhe mbledhja e emrave të vendeve, e toponimisë, ku ruhet një pjesë e moçme dhe e paregjistruar e pasurisë leksikore të gjuhës.

Duke u mbështetur sidomos në këto të dhëna, për një pjesë të mirë të paditura më parë e për dijen, prandaj shumë herë të reja, ka qenë e mundur të arrihet në një fazë gjuhësore më të vjetër, ku dialektet kanë qenë më afër ndaj njëri-tjetrit, si dhe ndaj tipit të përbashkët të gjuhës. Në atë fazë mjaft fjalë dëshmohen me një trajtë ose me një kuptim të ndryshëm nga trajtat a kuptimet e sotme. Me këtë rrugë edhe historia e tyre paraqitet shpeshherë në një dritë të re. Ashtu mundësohet hetimi i trajtës a domethënies së kryehershme të fjalëve, dhe me këtë rast lehtësohet dhe diktimi, gjetja e burimit të tyre. Një ndihmë të mirë na japin në këtë mes të dhënat e dialekteve të diasporës shqiptare, të ligjërimeve sidomos të Greqisë e të Italisë; të shkulura para disa shekujve prej trungut të përbashkët të gjuhës, ato ruajnë shpeshherë tipare gjuhësore më të moçme.

– Më e vështirë paraqitet puna e gjurmimit etimologjik kur dëshmitë e vjetra, shkrimore a gojore, mungojnë. Aty kërkimtari detyrohet të dalë jashtë caqeve të shqipes. Ndërsa gjer aty mjaftonte krahasimi i brendshëm, krahasim midis dialekteve ose ndërmjet dialekteve dhe burimeve shkrimore, tashti ndërmerren krahasime të jashtme, midis shqipes dhe gjuhëve të afra (farefis) me të, krahasimeve të fushës indoevropiane. Në atë mes dalin në shesh tipare që dëshmojnë karakterin vetjak edhe të lashtë të shqipes në rreth të idiomave të kësaj familjeje gjuhësore. Shihet këndej rëndësia që merr etimologjia shqiptare edhe për gjuhësinë e përgjithshme indoevropiane. Gjithashtu në mënyrë të veçantë dhe për hetimin e gjuhëve ballkanike të lashta të zhdukura gjatë kohëve, e për gjuhësinë ballkanike në përgjithësi. Metoda e gjurmimit aty, përveç krahasimit, është edhe rindërtimi, diktimi i disa tipareve të padëshmuara në mënyrë konkrete. Aty puna e gjuhëtarit i përngjan asaj të arkeologut. Edhe ky nga disa mbeturina rrënojash, nga ndonjë hark, nga disa shtylla mbetur më këmbë, rindërton një tempull a një pallat të kohëve të lashtësisë.

Gjurmimet etimologjike përveç se për historinë e gjuhës janë me peshë edhe për historinë e popullit dhe historinë e tij kulturore. Populli shqiptar është trashëgimtar i një kulture ballkanike të lashtë.

Elementët e leksikut të shqipes të hetuara në historinë e tyre hapin shtigje për të gjurmuar elementët e kulturës popullore e të zhvillimit të saj në rrymë të kohëve. Me gjithë afrimet që ka me kulturat fqinje, kjo kulturë përmban tipare vetjake. Dhe ajo jo vetëm ka marrë prej sosh, po edhe u ka dhënë atyre nga elementët e veta, gjë që gjer më sot nuk ka qënë vënë në dukje sa duhet. Gjurmimet etimologjike janë një mjet në këtë mes për të nxjerrë në dritë këto rrethana.

Studimet etimologjike të shqipes kanë një traditë mjaft të pasur. Përveç dijetarëve të huaj, që gjuhësia shqiptare i vlerëson si duhet, do të theksohet se edhe mjaft gjuhëtarë vendës kanë lëvruar këtë fushë studimesh. Pa mundur të përmendim të tjerët, do të themi se një vend të veçantë zënë aty Kostandin Kristoforidhi dhe Aleksandër Xhuvani. E nga vargu i gjatë i arbëreshëvet të Italisë sidomos Dhimitër Kamarda edhe Marko La Piana.

Nga studimet në këtë fushë, a dalin të dhëna me interes që dëshmojnë për njësinë e gjuhës e të kulturës sonë kombëtare në periudhat e ndryshme të historisë? Gjurmimi i historisë së fjalëve ç’na tregon për traditat e gjuhës sonë të shkruar dhe për punën e frytshme të zhvilluar nga autorët tanë për përpunimin dhe pasurimin e vijueshëm të saj?

 Burimet kryesore për studimin e fjalëve të gjuhës në zhvillimin e tyre historik janë, sikundër u tha, shkrimet letrare, sidomos ato më të vjetrat, edhe gjuha e gjallë me dialektet e saj. Të dyja këto burime japin dëshmi për karakterin e njësishëm të gjuhës dhe bashkë me të edhe të kulturës popullore. Ka forma fjalësh që janë të barabarta në ligjërimet e Kosovës dhe në Çamëri, kjo për arsyen e ditur në gjuhësi që në një truall gjuhësor të caktuar anët, skanjet, ruajnë tipare më të lashta. Gjithashtu ka forma dhe kuptime fjalësh të dialekteve veriore e të autorëve të vjetër të Veriut që janë të ngjashme me ato që ndeshen në ligjërimet arbëreshe të Greqisë a të Italisë dhe te shkrimtarët e tyre. Këto të gjitha dëshmojnë për një njësi brenda ndryshimeve.

Njësia gjuhësore ndërkaq pasqyron një njësi kulturore. Me gjithë ndryshimet krahinore që shfaqen, si kudo, edhe përbrenda trevave shqiptare në këtë fushë, një dije në vështrimin e mirëfilltë të fjalës, një etnografi e një sociologji objektive nuk mund të mos vënë re karakterin në analizë të fundit të njësishëm të kulturës popullore.

Si në kulturën materiale, si në kulturën mendore të popullit tonë, ka elemente të përbashkëta të pamohueshme. Ata integrohen në një bashkësi më të madhe ashtu si integrohen dialektet në bashkësinë gjuhësore. Studimi historik i gjuhës, gjurmimet etimologjike të kryera në formë objektive, u japin në këtë mes studimtarëve të fushave të ndryshme një mjet në dorë për të rrokur disa nga tiparet qenësore, esenciale të kësaj kulture. Kuptohet vetvetiu që kjo është me peshë edhe për kërkimet në lëmin e historisë.

Në lidhje me këto, më së fundi, do vënë në pah se tradita letrare dhe pasuria dialektore që u zunë n’gojë më sipër, nuk janë dy fusha qenësisht të ndara njëra nga tjetra. Shkrimtarët shqiptarë, duke nisur që me autorët e vjetër, e mbase dhe me të tjerë që mund të kenë vepruar përpara tyre, kanë marrë vazhdimisht fjalë nga gjuha popullore. Ata shpeshherë i kanë përpunuar ato, i kanë shtënë në përdorim në veprat e tyre dhe i kanë ngritur ndonjëherë në një sferë kuptimore më të lartë. Kjo veprimtari ka vijuar pa ndërprerje dhe më vonë, ndonëse me përmasa më të vogla, edhe në shekujt para shkrimtarëve të Rilindjes. Këta ndërkaq, si në Shqipëri – edhe më parë – në Itali, duke u mbështetur dhe në traditën e mëparme, e kanë vazhduar këtë rrugë me frymë të vetëdijshme e në mënyrë të thelluar. Këtë rrugë po ndjekin edhe shkrimtarët e sotëm, me veprat e tyre në poezi e në prozë. Ata përveçse frymëzohen nga gurra e pashtershme e poezisë dhe gjuhës popullore, me drejtimet e dhëna nga Partia, synojnë edhe në pastrimin e kësaj gjuhe prej ndikimit të huaj dhe në pasurimin e saj të vazhdueshëm.

         Eqrem Çabej

(Marrë nga libri me intervista: Bashkim Kuçuku Uni krijues dhe vepra, Toena, Tiranë, 2019)

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

“Valltarja në gurë”, poezi nga Mirash Martinoviq

Në NEKROPOLEN Në VINJANI, PRANë IMOTSKIT (Hrvatskja), QëNDRON GURëVARRI, Në Të CILIN ëSHTë GDHENDUR PORTRETI I VALLTARES, KRYEVEPëR E MJESHTRIT Të PANJOHUR.

Prend Buzhala: Biografema e Librit Fishtian

Kundrim analitik i veprës së Ernest Markut: “Libri i Fishtës” (Botimet Fishta) Cili është Fishta i këtij libri?

Veprat e Azem Deliut – liria me “krimbin” e njerëzores/humanes brenda

Nga Ballsor Hoxha ...Pikërisht këtu është çështja, e dashur. E arsyeshmja s’e bën botën as më të mirë...

“Eveline”, tregim nga James Joyce

E ulur pranë dritares ajo vështronte mbrëmjen që kaplonte rrugën e madhe. Koka i mbështetej në perdet e dritares, ndërkohë që në...

KATEGORITË