More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një heshtje për vdekje" ese nga Rexhep Ferri

    “Një heshtje për vdekje” ese nga Rexhep Ferri

    1.

    Mes njeriut dhe njeriut, ëndrrat janë bërë mani.
    Ata dhe Ne.
    Të qeshurat dhe duartrokitjet me njëmijë e një dredhi nga njëra rrumpallë në tjetrën.
    Për të ringjallur mashtrime të reja.
    Me biseda për nesër.
    E me ndërgjegje për një kohë të harruar.
    Nuk po di se kujt t’i them sa pak i ngjajmë vetes.
    Kudo që shkojmë.
    Kudo që kemi pirë ujë.
    Pse na duhet ta kujtojmë luftën, kur me gjithë respektin për lirinë nuk e dimë se çka është lufta.
    Mos më pyetni kot.
    Lufta ka shumë kuptime.
    Për famën e saj s’ka mbetur gjë pa u thënë.
    Kërkojmë kohë për sot, kohë për nesër.
    Shpesh nuk dijmë se çka kërkojmë.
    Kurrë nuk u çliruam nga vetveteja.

    2.

    Humbëm djemtë!
    Humbëm burrat!
    U vranë.
    S’patën për kë të vriten.
    Në Krushë të Madhe, pas njëzet viteve, tha nëna e katër djemve të vrarë.
    Në shumë gjuhë të botës, të jetosh nuk do të thotë se je takuar me realitetin.
    Tani sojlinjtë po shiten si profetë.
    Kuptimin e jetës e kanë siguruar me thellësinë e xhepave të vet.
    Me çfarëdolloj çmimi.
    Edhe kur kthehemi nga drita e diellit Zotin nuk e pyesim për asgjë.
    S’ka kohë për të humbur për ne.
    Për ne që me fluturimin e ëndrrave mashtruese nxitojmë për ta mbyllur ditën.

    3.

    Deri sot veten e kam konsideruar botë.
    Por tani ku ta gjej pasqyrën që më paska mashtruar kaq shumë vite.
    Gjithsesi për pak dredhi e për pak politikë.
    Për të zbardhur një rrezik kërcet tupani.
    Te Ura e Qytetit i njëjti mashtrim. Mendonim se do të bëhet mirë.
    Me nga një fotografi dokumentare kaluam në çmenduri.
    Dy herë në ditë në gotën e ujit i qesim nga tri pika helm.
    Larg jetës dhe larg ëndrrave tona.
    Sakrifikuam jetën e rrahur nga jeta.
    Për kalimin e kohës e me kalimin e kohës, për t’i dhënë kuptim jetës ende shohim ëndrra.
    Kemi kohë, s’kemi botë tjetër.

    4.

    Njeriu sot nuk di se çka kërkon e çka humb.
    I frikësohet komunikimeve.
    Kur shkon më larg dhe kur e kalon vijën e kufirit duhet t’i themi: Erdhëm!…
    Ndoshta nesër.
    Nuk e di se çka është më reale.
    Shtrojeni drekën.
    Për shoqëri të largët shtrojeni me supën e bërë nga gjaku.
    Shija e kësaj kërkese është shije e rrallë…
    Sa për ta kaluar urën e shekullit, e vërteta më e mirë se e vërteta kapet me aparatin fotografik.
    Kur na ra në dorë fotografia dokumentare, Hëna ishte e plotë.
    Te Deti i Gurit, për ta kuptuar përvojën e humbur prapa shpine edhe shumëçka tjetër.

    5.

    Pasqyra pasqyres i tha:

    Dreka me supë të bërë nga gjaku, atyre që nuk dijnë se çka të bëjnë me jetën e vet u shitet shtrenjtë.
    Për të mashtruar syrin dhe për ta ngritur famën e çmendurisë dhe për të bërë një përshesh me gjak, kjo e papritur na vie si befasi.
    Për të regjistruar një çmenduri.
    Për aq sa e kemi dashur njëri-tjetrin.
    Kujtesa ngeli atje ku e kemi harruar jetën.
    Me dritë e me hije.
    Në jetën tonë të përditshme.
    Me anekdota të rrejshme morale, të cilave u kemi besuar me vite.
    Ndoshta ka qenë kështu siç e kuptojmë edhe tani: Kufijtë e sjelljeve njerëzore rikuptohen dhe riinterpretohen.
    Ndoshta do ta gjejmë një kohë ashtu siç kuptohen pesë sekonda të largët për hijet e njerëzve të humbur.

    6.

    Nuk kam as çka të them e as çka të sqaroj më shumë.
    Jam mësuar t’i besoj edhe djallit.
    Gjatë imazhit publik, kur e presim armikun, a jemi të vdekur?!
    Pas një takimi me gjithçka tjetër, për diku tjetër?
    Edhe kur jetën e kemi në fije të perit.
    Vitet shkojnë.
    S’ka kush të na thotë se njeriu është idiot.
    Por ndryshimet ku i lamë?
    S’kemi shumë ide.
    Të bëjmë një eksperiment.
    Një heshtje për vdekje.
    Kur ngjitemi te majat e Bjeshkëve të Nemuna, jeta ka nevojë për vetëbesim.

    7.

    Imazhi publik është magji.
    Çfarë gabimi!
    Më falni që nuk ju kam takuar më parë.
    Kend ta njoftoj se ku jemi.
    Njerëzit e tjerë flasin kot.
    Nuk është dashur të presin me vite, me muaj.
    Si mendoni?
    Askush nuk na detyron t’i lutemi Zotit, bëre Zot mire.
    Dhe a do të ndodhë edhe ajo që s’e kemi pritur.
    Për të bërë një pshesh me gjak, borxhet do t’i paguajë e Bukura e Dheut.
    Si me magji e korruptuam edhe Zotin.
    Avokatët e mbyllën gojën.
    Propozuan senacë të re.
    Pritet të ngordhë gomari apo të vdesë mbreti.

    Janar, 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË