More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një e çarë në dëborën e ngrirë", tregim nga Bernardo Atxaga

    “Një e çarë në dëborën e ngrirë”, tregim nga Bernardo Atxaga

    Përktheu nga spanjishtja Mira Meksi

    Një hije vdekjeje përshkoi Kampin Një, kur sherpa Tamngu, erdhi dhe solli lajmin se Philippe Auguste Bloy kishte rënë në një të çarë akulli. Zallahia dhe të qeshurat e zakonshme të darkës pushuan përnjëherë, dhe filxhanët e çajit që nxirrnin ende avull, u harruan mbi dëborë. Asnjë nga anëtarët e ekspeditës nuk guxonte të kërkonte hollësira, asnjë nuk mund të fliste. Nga frika se mos nuk e kishin dëgjuar, sherpa e përsëdyti lajmin. Akulli e kishte gëlltitur Philippe Augustin, e çara ngjante e thellë.

    -Nuk pate mundësi ta nxirrje ti, Tamng? – pyeti më në fund burri që udhëhiqte ekspeditën. Ishte Mathias Reimzi, një gjenevas që figuronte në të gjitha enciklopeditë e alpinizmit, për hir të ngjitjes në Dhaugaliri.

    Sherpa mohoi me kokë.

    -Chiiso, Mister Reimz. Gati natë, – tha.

    Ishte një arsye e fortë. Bashkë me natën, i ftohti – chiiso- i rrethinave të Lothsit arrinte dyzet gradë nën zero; një temperaturë vrastare, që, veç kësaj, i bënte krejt të paqëndrueshme masivet e akullit të maleve. Natën hapeshin të çara të reja; ndërsa të vjetrat, përkundrazi, mbylleshin përgjithmonë. Shpëtimi pra, qe pothuaj i pamundur.

    -Çfarë shenje le, Tamng?

    Sherpa ktheu kurrizin dhe tregoi shpinën e tij të zbrazët. Çanta e shpinës me ngjyrë të kuqe që i mungonte ishte shenja, që, e fiksuar mirë me gozhda, kishte lënë në majë të të çarës.

    -Ishte gjallë?

    -Nuk di, Mister Reimz.

    Të gjithë ishin të mendimit se pyetjet nuk kishin tjetër qëllim përveçse përgatitjen për ekspeditën e së nesërmes, që do të niste pa zbardhur mirë. Për çudinë e të gjithëve, Mathias Reimzi nisi t’i mbërthente thumbat, dhe kërkoi t’i sillnin një fener. Gjenevasi mendonte të nisej përnjëherë.

    -Lemu mindu! – briti një sherpa plak duke bërë me këmbë e me duar. Nuk e aprovonte atë vendim, ngase i dukej vetëvrasje.

    -Hëna do të më ndihmojë, Gyalzen, – u përgjigj Reimzi duke ngritur sytë drejt qiellit. Edhe pak dhe do të bëhej hënë e plotë. Drita e saj ndriçonte dëborën e porsa rënë, dhe e bënte të dukej akoma më e zbehtë.

    Më pas, duke iu drejtuar shokëve, deklaroi se nuk do të pranonte ndihmën e askujt. Do të shkonte vetëm. Atij i takonte të rrezikonte, e kishte për detyrë.

    Mathias Reimzi dhe Philippe Auguste Bloy punonin së bashku në stacionet e skive të rrethinave të Gjenevës, prandaj edhe evropianët e ekspeditës e kuptuan atë vendim si një shprehje të lidhjeve që kishin krijuar ata të dy. Më pak të informuar, sherpat e kuptuan atë si një detyrë shefi dhe përgjegjësi grupi.

    Kur hija e portokalltë e mushamasë së Reimzit humbi nëpër natë dhe nëpër dëborë, një mërmërimë adhurimi u ngrit në Kampin Një. Ishte një sjellje e admirueshme, vinte jetën e tij në rrezik për të shpëtuar atë të tjetrit. Disa përmendën forcën e miqësisë, të zemrës. Të tjerët, shpirtin e alpinistit, guximin, solidaritetin. Gyalzeni plak valëviti në ajër cohën e bardhë të lutjeve: që ta ruante Vishnu, të kishte fat.

    Askujt nuk i shkoi në mend e vërteta. Askush nuk dyshoi se në thelb të atij vendimi mund të ishte urrejtje.

    Philipp Auguste Bloyit i dhembte këmba e thyer dhe plaga e thellë që i qe hapur në brinjë, por edhe në atë gjendje, po e merrte gjumi; përgjumja që i krijonte i ftohti i guvës ishte më e fortë se dhembja, më e fortë se ai vetë. E kishte të pamundur t’i mbante sytë hapur. Tani po ndiente ngrohtësinë që paraprin vdekjen e ëmbël të alpinistëve.

    Ishte shtrirë mbi akull, i përqendruar në luftën e tij, shumë i vëmendshëm për të dalluar errësirën e guvës nga errësira e ëndrrës, dhe nuk i pikasi litarët që u lëshuan nga sipër dhe ranë mbi çizmet e tij. Nuk e vuri re as burrin që, pasi kishte rrëshqitur nëpër to, ishte gjunjëzuar bri tij.

    Kur burri i drejtoi fenerin, Philippe Augusti brofi në këmbë duke britur. Drita e kishte trembur.

    -Ma hiq syve atë dritë, Tamng! – tha më pas, duke buzëqeshur për reagimin që kishte pasur. E kujtonte veten të shpëtuar.

    -Jam Mathiasi, – dëgjoi atëherë. Zëri tingëllonte kërcënues.

    Philippe Augusti mënjanoi kokën për të bishtnuar dritën e fenerit, por edhe ai ndërroi vend duke e verbuar.

    -Përse ke ardhur? – pyeti më në fund.

    Zëri i thellë i Mathias Reimzit tingëlloi brenda të çarës. Fliste shumë ngadalë, si një njeri i këputur nga lodhja.

    -Do të të drejtohem si mik, Phil, si burri me burrin. Dhe mbase do të të duket qesharake kjo që po të rrëfej. Por të lutem mos qesh, Phil. Mbaj mend se ke përpara një burrë që vuan shumë.

    Philippe Augusti qëndroi me beft. Pas asaj deklarate pikaste vërshëllimin e një gjarpri.

    -U njoha me Verën kur ishim ende shumë të rinj, Phil, – vijoi Mathiasi. – Ajo ishte rreth pesëmbëdhjetë vjeç, ndërsa unë gjashtëmbëdhjetë. Asokohe nuk qe e bukur, madje ishte e shëmtuar, Phil, më beso. Shumë e gjatë për moshën e saj dhe kockanjare. E megjithatë, u dashurova me të porsa e pashë. Më kujtohet që lotët m’u mblodhën në grykë dhe gjithçka m’u duk ngjyrë vjollcë. Të ngjan e çuditshme, Phil, por është e vërtetë, çdo gjë e shihja ngjyrë vjollcë. Qielli ishte vjollcë, malet vjollcë, madje edhe shiu ishte vjollcë. Nuk e di, por mbase dashuria të ndërron edhe ndjeshmërinë e syve. Edhe tani e njëjta gjë më ndodh, Phil, nuk më janë fshirë ndjenjat e moshës gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Nuk m’u fshinë as kur u martova me të, dhe ti e di që thonë se martesa e vret dashurinë. Epo mua nuk më ndodhi kështu. Vazhdoj të jem i dashuruar me të, përherë e kam në zemër. Andaj dhe arrita t’i ngjitesha Dhaugalarit, Phil, sepse mendoja për të. Vetëm për këtë!

    Heshtja që pasoi fjalët e tij e theksoi vetminë e të çarës.

    -Nuk kam rënë kurrë në shtrat me të, Math! – klithi në çast Philippe Augusti. Fjalët e tij gjëmuan në të katër muret e ngrira.

    Mathiasit i shpërtheu nga buzët një kukurizmë e thatë gazi.

    -Sa nuk u çmenda kur më treguan fotografitë tuaja, Phil. Vera me ty në Hotel Ambassador në Mynih, kapur për dore, më gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë mars. Në Tivoli të Zyrihut, më dhjetë dhe njëmbëdhjetë prill. Në apartamentet Trummer të Gjenevës, më dymbëdhjetë, trembëdhjetë dhe katërmbëdhjetë muaj. Në liqenin Villiers të Lozanës, një javë të tërë, tamam kur unë po përgatisja këtë ekspeditë.

    Philippe Augustit i qe bërë goja eshkë. Muskujt e fytyrës së tij të ngrirë, u tkurrën.

    -Shumë rëndësi po u jep këtyre gjërave, Math! – thirri.

    Por askush nuk e dëgjonte. Syri i vetë i fenerit e vështronte pa mëshirë.

    -Më kanë brejtur dyshimet, Phil. Unë nuk jam vrasës. E ndieja veten keq sa herë mendoja të të vrisja. Gati sa nuk e bëra në Kathmandu. Edhe kur zbritëm në Lukla. Por këto vende janë të shenjta për mua. Phil, nuk desha t’i njollosja me gjakun tënd. Megjithatë, Mali të ka gjykuar në vendin tim, Phil, prandaj ndodhesh tani këtu, sepse të ka dënuar. Nuk e di në do të ta marrë jetën, nuk e di. Ndoshta ngelesh gjallë gjer në mëngjes dhe grupi vjen e të shpëton. Por nuk besoj, Phil, kam përshtypjen se do të ngelesh përgjithmonë në këtë gropë. Andaj edhe erdha, që të mos ikësh nga kjo botë pa e marrë vesh sa shumë të urrej.

    -Nxirrmë që këtej, Math! – Philippe Augustit i dridhej buza e poshtme.

    -Nuk vendos unë Phil, siç të thashë, është Mali ai që vendos.

    Philippe Augusti mori frymë thellë. I mbetej veç të pranonte fatin e tij.

    Zëri i tij u mbush me përçmim.

    -Të ngjan se je më i mirë se të tjerët, Math. Një alpinist shembullor, një bashkëshort shembullor, një mik shembullor. S’je veçse një dordolec i mjerë. Ata që të njohin mirë, nuk të durojnë dot!

    Qe tepër vonë. Mathias Reimzi po i ngjitej tashmë litarit.

    -Vera ka për të vajtuar vdekjen time! Për ty nuk kishte për të derdhur pikë loti! – briti Philippe Augusto me sa i hante fyti.

    E çara u krodh sërish në errësirë.

    Shqetësimi që i solli vizita e zgjoi trupin e Philippe Augustit. Zemra tashmë i rrihte me forcë dhe gjaku që po i ngrinte në deje, tani po shkonte me lehtësi në të gjitha muskujt. Befas, ndoshta ngase edhe truri i tij punonte më mirë, iu kujtua se alpinistët asnjëherë nuk i merrnin me vete litarët që përdornin për të zbritur nëpër hone apo të çara. Ishte një peshë e vdekur, një barrë gjatë udhës së kthimit për në kamp.

    “Sikur Mathiasi…” – mendoi. Shpresa i kishte mbirë në kokë.

    U ngrit i tëri në këmbë dhe zuri të kërkonte verbazi nëpër terr. Qe vetëm një çast, por ishte aq intensiv sa e bëri të fluturonte nga gëzimi. Atje ndodheshin të tre litarët, që, nga forca e zakonit, Mathias Reimzi i kishte braktisur.

    Plagët i shkulnin rënkime nga gjoksi, por e dinte se një vuajtje më e madhe, më e dhembshmja nga të tëra e priste në fund të honit. Duke kafshuar buzët, Philippe Augusti u qep pas litarëve dhe filloi të ngjitej ngadalë, duke bërë kujdes që të mos përplasej pas faqeve të ngrira. Përfitonte nga ngushticat për të harkuar shpinën e për t’u mbajtur me këmbën e shëndoshë, dhe kështu çlodhej. Një orë më vonë, i kishte bërë dhjetë metrat e parë.

    Kur ishte ngjitur rreth tetëmbëdhjetë metra, një ortek dëbore i prishi ekuilibrin dhe e përplasi pas një te thepi faqësor. Philippe Augusti e ndjeu goditjen në brinjën e plagosur, dhe dhembja ia mbushi sytë me lot. Mendoi për një çast për vdekjen e ëmbël që e priste në fund të honit. Megjithatë, ende kishte shpresë në zemër, dhe ajo i pëshpëriste një “mbase”, të cilën nuk mund të mos e dëgjonte. Në fund të fundit kishte pasur fat. Fati i kishte dhënë në dorë një mundësi. Nuk kishte të drejtë të dyshonte. Veç kësaj, dëbora e porsa rënë tregonte se dalja ishte tani shumë afër.

    Një gjysmë ore më pas, faqet e së çarës u bënë të hirta e më pas të bardha. Philippe Augusti mendoi se duke e përplasur pas thepit, fati kishte dashur ta vinte në provë; dhe në atë çast, më në fund, po e shpërblente.

    -Qielli! – briti. – Dhe me të vërtetë ishte qielli rozak i lindjes së mëngjesit. Një ditë e re ndriçonte Nepalin.

    Dielli shkëlqente mbi dëborë. Përballë tij, drejt Veriut, ngrihej Lhotsi gjigant. Në të djathtë të tij, duke përshkuar luginën e ngrirë, bënte zigzag udha drejt Kampit Një.

    Philippe Augusti ndjeu se mushkëritë e tij po gjallëroheshin duke u mbushur me ajrin e qashtër të mëngjesit. Hapi krahët përpara asaj pafundësie dhe, duke ngritur sytë drejt qiellit të kaltër, i pëshpëriti disa fjalë mirënjohjeje Malit.

    E kishte kapluar kjo gjendje, kur një ndjenjë e çuditshme e shqetësoi. Iu duk se krahët që kishte hapur po mbylleshin sërish dhe si padashur po e përqafonin. Por kush vallë po e përqafonte?

    Uli sytë për të parë se ç’po ngjiste, dhe një hije tmerri u vizatua në fytyrën e tij. Mathias Reimzi qëndronte përballë tij. Buzëqeshte tallës.

    -Nuk është mirë të bësh hile, Phil, – dëgjoi pak përpara se të ndiente të shtyrën, dhe për një çast, ndërsa rrokullisej në fund të honit, Philippe Auguste Bloy mendoi se e kapi kuptimin e atyre orëve të fundit të jetës së tij.

    E gjithë ajo – vizita, harrimi i litarëve – kishte qenë vetëm një torturë e sajuar që më parë: Mathias Reimzi nuk kishte dashur t’i falte as vuajtjen e të shpresuarit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË