More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një dritare e re", tregim nga Roy Jacobsen

    “Një dritare e re”, tregim nga Roy Jacobsen

    E përktheu nga origjinali norvegjisht Qerim Raqi

    Atë vjeshtë doja t’ i ndërroja dritaren asaj shtëpie të vjetër. E hoqa të vjetrën dhe po qëndroja mu në mes një dhome të huaj duke vështruar jashtë përmes një të çare në mur.

    Që larg, pashë një burrë tek vinte drejt meje nëpër arën me elb. Supi im i binte në bel. Fytyra e tij ishte fshehur nën hijen e strehës së kapelës. Dita ishte e qetë dhe e mjegulltë.

    Shiu depërtonte natën përmes të çarave në mur dhe çilimi mbi dysheme ishte lagur; shtëpia tashmë ishte bërë për keqardhje.

    Papritmas kishte vdekur gruaja e moshuar për të cilën punoja. Para se të arrija ta ndërroja dritaren. Meqë shtëpia nuk kishte më nevojë për shërbimet e mia atë ditë erdha vetëm për t’ i marrë veglat e punës; i mblodha dhe u nisa drejtë arës , aty ku kishte ecur ajo figurë e panjohur, vazhdova deri tek anija që ishte ankoruar pranë plazhit.

    Mu në mes të liqenit të errët ngrita velat, duke vështruar shtëpinë për herë të fundit. Arën, lisat, shtëpinë e vogël e të kuqe dhe bregun përtej ngjyrave vjeshtore. Aty pranë hendekut pashë ca pata që shkonin kah gjiri.

    Kaluan disa ditë pa menduar në atë grua dhe për atë shtëpi. Por ato më rrinin shumë afër, ngase nuk mund të pëfqendrohesha në punën time të re.

    Kështuqë një mëngjes vendosa të kthehem. Anija nuk dukej aty ku ishte ankoruar. Ishte mbushur përgjysmë me ujë dhe gjethet e vyshkura binin nëpër direkë; tani kjo ishte anija ime.

    Që nga fusha e kuptova se ndërkohë dikush kishte qenë në shtëpi. Dyert ishin të mbyllura, por unë hyra përmes të çarës së murit. Pa e hulumtuar mirë punën mora veglat, ca dërrasa dhe fillova punën.

    Pas disa orëve e kisha vënë dritaren e re. Ishte më e madhe se dritarja e vjetër dhe e kthjellët si uji. Mund ta shihje krejtë arën, kopshtin e vjetër veror, dhe ahet deri tek hendeku.

    E pastrova dhomën dhe hyra në kuzhinë për të bërë një kafe. Befas më kaploi një njenjë e çudithshme.; dikush ka qenë këtu dhe ka hequr saksitë e luleve. Në dhomë kukëzat ishin vënë njëra pranë tjetrës me kujdes.

    Çelësi ishte vënë nga ana e brendëshme e derës së kuzhinës. Dola jashtë dhe ju solla rrotull shtëpisë. Të gjitha lulet ishin hedhur grumbull në komposto. Për fat të mirë shumica sosh nuk ishin vyshkur akoma. I mblodha me kujdes, i solla në shtëpi dhe i vura në vendin e tyre, secilën në saksinë e vet. Pastaj i ujita.

    Pasiqë kafja akoma nuk ishte zier, zura të kërkoja perde për dritaren e re. Në një kthinë të papafingos gjeta diçka që mund të përdorej. Në një qoshe tjetër gjeta ca shufra dhe rrathë. Ishte lehtë për t’ i montuar. Perdet e dritares së re.

    Mora filxhanin me kafe, u ula në një karrige pranë dritares për ta pritur burrin që ishte shfaqur në arë. Gruaja i përket një burri. Kishte rënë një mjegull e dendur dhe qielli ishte gri.

    Burri nuk erdhi.

    Kur u bë ftohtë shkova për t’ i futur ca drurë në stufë. Era e drurëve të mështeknës ka një efekt qetësimi. Qetësia u bë edhe më e këndëshëme kur pashë tymin e oxhakëve tek ngjitej drejtë qiellit. Tani kjo ishte shtëpia ime.

    Por më mungonte gruaja; dola ta kërkoja. Në murin e dhomës, mbi një tryezë ovale me lule, ishte një fotografi nga dita e martesës. Ai burri i ri mund të ishte ky burri i arës. Kurse gruaja e re ishte kjo gruaja.

    Në një sirtar ishin ca stoli të kvalitetit të dobët. Bylyzykë. Vathë. Gjerdanë. Shumica e perlave ishin vjetruar, u kishte humbur shkëlqimi dhe u mungonin gurët e çmur. Të gjitha bashkë ishin vënë grumbull në një sirtar. I mblodha të gjitha dhe i vura në një arkëz që ishte zbukuruar me guaska ngjyrash të ndryshme.

    Një arkëz e vjetër. Disa nga guaskat ishin prishur. Në sirtarin e poshtëm gjeta një album fotografish. Me njerëz të panjohur, të një kohe të panjohur për mua. Fëmijë, nipër e mbesa, kusherinj, miq? Shumica nga koha e fëmijërisë, por edhe nga punët e bujqësisë dhe udhëtimet.

    I vështroja fotografitë aq gjatë dhe me aq kujdes saqë mund të tregoja për të gjitha fatet jetësore të personazheve aty. Po i mësoja historitë e secilit nga ta. Historitë e përditshmërisë së tyre. Rutinat. Stinët. Ngjarje të veçanta, të mëdha dhe ca tragjedi, të gjitha në bazë të veçorive dhe shprehjeve të ndryshme të fytyrave të tyre. Sy që më vështronin dhe më rrëfenin. Ata njerëz që kishin jetuar dikur; ndoshta jetojnë akoma. Dhe vështrimet e tyre ndalonin kohën e kaluar mes tyre dhe meje. Flisnim për të njëjtat gjëra.

    Kur e lash mënjanë albumin, kishte filluar të errësohej. Në dhomën e vogël, me ngjyrë të verdhë, kishte ca stoli të lira dhe jo shumë të vjetruara. Piktura të bëra pa kujdes. Kujtimi i një fillimi të ndrojtur të një kohe në mirëqenie. Një barometer jashtë funksionit. Gjësende të vogla prej bakri. Filxhana me fotografi pejsazhesh nga natyra.

    Kallaj, plastikë e zezë dhe rozë. Në të gjitha raftet dhe vitrinat. Peshq të vegjël të qepur në pëlhurë. Punëdore, një gjel i punuar me bitumen, një kasolle pranë liqenit gri, nje burrë pranë një zjarri të kuq. Një peshk prej druri si varëse për peshqir. Një gotë me emra vendesh të zhdukura. Një buqetë me lule plastike, e pluhurosur. Një orë muri me tik- taket që punonin akoma.

    Shkoja mobilje më mobilje, dollap më dollap, i shikoja sendet e vjetra, i prekja me dorë, i studjoja dhe i krahasoja me fotografinë e gruas.

    Nuk lija asgjë anash.

    Në një gotë të vogël mesingu gjeta një çelës. Çelësin e orës së murit. Mora një karrige, hypa në të dhe e hapa orën. Ishte një orë shumë e vjetër. Çelësi përshtatej mirë në vrimë, e lëviza çelësin. Mendoja se po i bëja një shërbim vetë jetës duke mos u ndalur.

    Një dollap në korridor ishte plotë me dhurata krishtlindjesh, të grumbulluara për shumë vite. Disa mund të ishin aty për dhjetë vite. Të gjitha ishin të hapura, por pakot e dhuratave ishin paluar me kujdes. Me siguri ajo vetëm i kishte shikuar njëherë se çfarë kishte në to dhe i kishfe lënë pastaj mënjanë.

    Aty ishin katër komplete për kripë dhe piper. Tri kutia për sheqer, dy nga të njëjtat. Katër komplete lugësh të çajit. Poaq kuti thikash dhe pirunësh. Ca gota. Një vazo as e mirë as e shëmtuar. Dy ngrohëse vezësh. Një llampë e vogël me ngjyrë të kuqe. Gjësende të përdorura, asnjë gjë nga higjiena personale, vetëm detyrime të vogla harrestare.

    Nuk pash libra në atë shtëpi. As ndonjë gazetë. Por aty ishte një radio dhe një televizor i vjetër me antenën e ngjitur në mur.

    Në dhomë kishte thasë, kartonë, kutia, sirtarë njëri mbi tjetrin. Ishte e mbushur me rroba dhe rraqe, thëngjill, drurë dhe patate. Ashtu e brishti siç ishte ajo duhej t’ i kishte të gjitha afër. Pashë rrobat, filxhanat, pjatat që i kishte në frigorifer. E pashë si lante enët, duart e saj tek mirrnin copa druri që i fuste në shporet. Pashë pikturat në mur, si i kishte vendosur gjësendet. Orenditë. Një njollë të gjelbër në vaskë. Një shami në shpinën e një karrige. Pashë shprehitë e saj, ditët e saj, jetën e saj.

    Në dhomë gjendej një piano e përdorur mirë. Një psaltar i përdorur mirë ishte mbi ulësen e pianos. Shtëpia kishte poaq ëndërra dhe orë vetmie si meloditë e pianos.

    U ula për të ekzekutuar ca akorde. Për ëndrrën e asaj gruaje të moshuar për jetën e amshueshme. Muret pëshpërisnin lehtë dhe dëgjova zërin e saj të kujdesshëm:

    Zoti është Zot edhe nëse të gjitha vendet mbeten të shkreta.

    Zoti është Zot edhe nëse të gjithë burrat vdesin. ..

    Pastaj u ulëm secili në karrigen e vet pranë dritares së re. Ishte errësuar dhe ne nuk ndezëm qirinj. Por i mbanim dorën njëri- tjerit duke pritur atë burrin që ishte shfaqur në arë. Pas pak ne e pamë atë duke ardhur drejt nesh, që larg.

    Kallinjtë e grurit i binin deri në bel. Fytyra e tij ishte fshehur nga hija e strehës së kapelës. Ndjeva dorën e saj tek dridhej lehtas.

    Në atë çast unë u ngrita, e putha me kujdes në faqe dhe dola jashtë. Anija qëndronte e ankoruar aty tek plazhi. Mu në mes të liqenit të errët ngrita velat dhe po vështroja atë shtëpi për të herë të fundit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË