More
    KreuLetërsiShënime mbi libra“Një diktator telefonon”, — libri i Kadaresë në anglisht, — kur Stalini...

    “Një diktator telefonon”, — libri i Kadaresë në anglisht, — kur Stalini i telefononte Pasternakut

    Nga Laura Hackett, The Sunday Times (3 shtator 2023)

    Ismail Kadare, i cili do të bëhet romancieri dhe poeti më i mirënjohur i Shqipërisë, u lind në qytetin e Gjirokastrës më 1936. Njëzet e tetë vjet më herët, u lind në të njëjtin qytet dikush që do të ishte një shqiptar edhe më i njohur: Enver Hoxha. Por ata nuk ndërvepruan deri në vitet `60, kur Kadareja i ri pati një telefonatë misterioze. Ishte Enveri: diktatori kishte shijuar një poemë të Kadaresë. Kadareja kujton bisedimin te libri Kur sunduesit grinden: “Ai tha se i kishte pëlqyer shumë dhe ndërsa iu bëra një shenjë të tjerëve që të mos bënin zhurmë, pa qenë në gjendje të shqiptoja diçka tjetër, përsërita një ‘falemnderit’ të tretë.”

    Dhe kush nuk do të kishte mbetur pa fjalë? Ky ishte më shumë se një kompliment nga një fans me profil të lartë. Ishte një sinjal jo dhe aq delikat se Enver Hoxha po e ruante këtë yll letrar në rritje. Gjatë dekadave në vazhdim, Kadaresë do t’i duhej të performonte një kërcim të ndërlikuar për t’iu shmangur vrasjes për shkrimet e tij kontroverse, të cilat satirizonin elementet qesharake të autoritarizmit. Ai u shmangej  censuruesve duke përdorur alegori për të fshehur kritikën ndaj shtetit. Por ndonjëherë e kalonte kufirin: më 1967 u dërgua në fshat si dënim për një poemë. Në vitin 1990 u largua nga Shqipëria.

    Kadareja tashmë është një prej shkrimtarëve më të dekoruar të Europës. Fitoi çmimin e parë të “Man Booker International”, si dhe çmime nga Austria, Rumania, Italia, Spanja, Izraeli, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut. Ai është në Legjionin Francez të Nderit dhe i është kërkuar disa herë të bëhet president i Shqipërisë. Kadareja është nominuar gjithashtu për çmimin “Nobel” 15 herë – aq shumë, bën shaka ai, sa shumica e njerëzve kujtojnë se e kam fituar tashmë.

    Mungesa e shqetësimit të Kadaresë për mosmarrjen e “Nobelit” mund të ketë më shumë të bëjë me subjektin e librit të tij të fundit, Kur sunduesit grinden. Libri nuk është për bisedën e Kadaresë me Hoxhën, por për një telefonatë shumë më të famshme: një bisedë treminutëshe mes Stalinit dhe Boris Pasternakut të Doktor Zhivagos. Dhe libri as nuk është vërtet roman. Është më shumë një kryqëzim mes kujtimesh, ditar ëndrrash dhe investigimeve historike, në të cilat Kadareja lundron përmes versioneve të raportuara se çfarë ishte thënë gjatë telefonatës, me meditime mbi të vërtetën, kreativitetin dhe tiraninë.

    E gjitha duket pak çorientuese, ndoshta edhe indulgjente, dhe në një mënyrë është. Kur sunduesit grinden nuk është një lexim i lehtë, por thelbi i telefonatës është i njëjtë në të gjitha raportet. Stalini telefonon Pasternakun për ta pyetur se ç’mendonte për arrestimin e poetit Osip Mandelshtam. Pasternaku, duke u përpjekur të shmangte arrestimin e vetes, nuk e mbështeti Mandelshtamin. Stalini u zhgënjye me Pasternakun dhe mbylli telefonin.

    Dallimet në raporte janë të dukshme, ama. Në arkivat e KGB-së, për shembull, Stalini është i egër: “Mund të them se jeni një shok shumë i dobët, shoku Pasternak.” Galina von Meck me siguri ishte dashnorja e Mandelshtamit, kështu që nuk është për t’u habitur që e ka portretizuar Pasternakun si një frikacak të ndyrë i cili tha: “Ju e dini më mirë, shoku Stalin. E keni ju në dorë.” Nga ana tjetër, gruaja e Pasternakut, Zinaida, deklaroi se i shoqi i saj “i kërkoi Stalinit ta ndihmonte Mandelshtamin e, nëse ishte e mundur, ta lironin”.

    Në një pikë fillon të pyesësh veten se ç’kuptim kanë gjithë këto lojëra djallëzore pëshpërimash kineze. Por klima e pasigurisë që ndërton Kadareja me këtë telefonatë shumëversionëshe reflekton pasigurinë e jetës nën sundimin autoritar. Kur e vërteta vendoset nga një tiran, asgjë s’është e qëndrueshme. Dhe pas vitesh që i fshihte kuptimet e tij nën shkurre alegorike, është më se e natyrshme që Kadareja të dojë të diskutojë marrëdhënien mes shkrimtarëve dhe diktatorëve.

    “Stalini, tek ndiqte me sy ‘Pasternakun e tij’, dy muaj më pas telefonimit, kishte gjasë të shpresonte se sado krenarë të dukeshin, ata do ta ulnin kryet, njëri pas tjetrit. Të gjithë, pa përjashtim”, – shkruan Kadareja. Por ai ishte përjashtim. Është mrekulli, në shumë mënyra, që është ende gjallë, se gjithë servilizmi nuk e shpëtoi Pasternakun. Kur iu dha çmimi “Nobel” për Doktor Zhivagon, ai u denoncua, u detyrua ta refuzonte dhe u përzu nga shoqëria. Ai vdiq nga kanceri në mushkëri në  vilën e tij.

    Kur Kadareja rrjedhimisht të fitojë çmimin “Nobel”, me siguri do të mendojë për Pasternakun. Por ai meriton një fund më të lumtur – si dhe një lexueshmëri më të gjerë. Ky nuk është libri nga i cili mund t’ia fillosh me Kadarenë, por lexuesit e vjetër do të magjepsen nga ky meditim tejet personal, mbi rrethanat të cilat, kundër të gjitha gjasave, ai prapë arriti të lulëzojë.

    Përktheu Enxhi Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË